«Një mbikëqyrës i shkëlqyer dhe një mik i dashur»
«Një mbikëqyrës i shkëlqyer dhe një mik i dashur»
XHON (XHEK) BARRI, i cili shërbeu si pjesëtar i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait, e përfundoi jetën e tij tokësore të shtunën në mëngjes, më 4 dhjetor 2010. Ishte 97 vjeç. Atë e kanë përshkruar si ‘një mbikëqyrës të shkëlqyer dhe një mik të dashur’.
Vëlla Xhek Barri lindi në Aberdin, Skoci, dhe ishte më i vogli i tre fëmijëve. Të dy prindërit e tij ishin të mirosur. Vëlla Barri fliste shpesh me përzemërsi për jetën e tij të hershme familjare; ishte mirënjohës për shembullin e shkëlqyer që i kishin lënë prindërit e tij të dashur.
Në fillim të viteve të adoleshencës, djaloshi Xhek e kishte tejet të vështirë t’u fliste të panjohurve. Megjithatë, u përpoq shumë që ta kapërcente problemin dhe një të diel pasdite të vitit 1927, në moshën 14-vjeçare, i tha të atit se ishte gati ta shoqëronte në predikimin shtëpi më shtëpi. Ky ishte vetëm fillimi. Që nga ajo ditë e derisa vdiq, vëlla Barri mbeti një predikues i zellshëm i lajmit të mirë.
Një aksident tragjik, që për pak i mori jetën nënës së tij të dashur, bëri që djaloshi Xhek të mendonte seriozisht për qëllimin e jetës, prandaj në vitin 1929 iu kushtua Jehovait dhe e simbolizoi kushtimin e tij në rastin e parë që pati, në 1934-n. Në vitin 1939 u bë pjesëtar i familjes Bethel në Londër, Angli. Kështu, nisi një karrierë në shërbimin e plotkohor që zgjati 71 vjet.
Më 29 tetor 1960, vëlla Barri nisi atë që ai e quante «një marrëdhënie veçanërisht të çmuar», kur u martua me Mildred Uillet, një pioniere dhe misionare e zellshme nga shumë kohë. Vëllai dhe motra Barr njiheshin si një çift shembullor i devotshëm, dhe mbetën të tillë deri kur Mildredi përfundoi jetën e saj tokësore në tetor të vitit 2004. Ata lexonin së bashku një pjesë nga Bibla çdo ditë të jetës së tyre si të martuar.
Për ata që e njihnin, emri Xhek Barr u sjell në mendje një burrë që jepte këshilla të menduara mirë—gjithnjë të ekuilibruara, gjithnjë të dashura e të bazuara në Shkrime. Ai ishte një punëtor i palodhur dhe një mbikëqyrës i dashur që mendonte për të tjerët, si dhe një mik besnik. Komentet, fjalimet dhe lutjet e tij tregonin ç’dashuri të thellë kishte për të vërtetën dhe ç’marrëdhënie të ngushtë kishte me Jehovain.
Ndonëse do të na mungojë vëllai ynë i dashur Barr, gëzojmë bashkë me të për dhuratën e pavdekësisë që ka marrë—një privilegj që ai mezi e priste dhe për të cilin fliste shpesh. Kjo ishte gjithçka që dëshironte.—1 Kor. 15:53, 54. *
[Shënimi]
^ par. 8 Për jetëshkrimin e Xhon Barrit, shih Kullën e Rojës të 1 korrikut 1987, faqet 26 deri 31, angl.