Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A duhet të pagëzohen të rinjtë?

A duhet të pagëzohen të rinjtë?

A duhet të pagëzohen të rinjtë?

«JAM shumë i lumtur që vajza ime tani është një shërbëtore e Jehovait dhe e di se edhe ajo është e lumtur»,—tha Karlosi *, një baba i krishterë në Filipine. Një baba nga Greqia shkroi: «Gruaja dhe unë jemi të kënaqur që të tre fëmijët tanë u pagëzuan si Dëshmitarë të Jehovait kur ishin adoleshentë. Tani po përparojnë frymësisht dhe janë të lumtur që i shërbejnë Jehovait.»

Prindërit e krishterë kanë arsye të ngazëllejnë kur fëmijët pagëzohen, por ndonjëherë ky gëzim shoqërohet edhe me njëfarë meraku. «Isha shumë e lumtur, por dhe shumë në ankth»,—tha një nënë. Pse kishte ndjenja të tilla të trazuara? «E kuptoja se tani im bir ishte plotësisht përgjegjës para Jehovait.»

Të gjithë të rinjtë duhet të kenë si synim t’i shërbejnë Jehovait si Dëshmitarë të pagëzuar. Sidoqoftë, prindërit e krishterë mund të pyesin veten: «E di që fëmija im ka përparuar goxha, por a është aq i fortë sa t’u bëjë ballë presioneve imorale e të mbetet i pastër në sytë e Jehovait?» Të tjerë mund të thonë: «A do të vazhdojë fëmija im t’i shërbejë Perëndisë me gëzim e zell kur të përballet me tundimin e materializmit?» Prandaj, cilat udhëzime biblike mund t’i ndihmojnë prindërit të përcaktojnë nëse fëmijët e tyre janë gati për t’u pagëzuar?

Kërkesa e parë​—Të jesh dishepull

Fjala e Perëndisë nuk specifikon ndonjë moshë për t’u pagëzuar, por përshkruan gjendjen frymore të atyre që kualifikohen për këtë hap. Jezui i mësoi ithtarët e tij: «Bëni dishepuj njerëz nga të gjitha kombet, duke i pagëzuar.» (Mat. 28:19) Pra, pagëzimi është për ata që janë tashmë dishepuj të Krishtit.

Çfarë është një dishepull? Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet (angl.) shpjegon: «Ky term zbatohet kryesisht për të gjithë ata që jo vetëm i besojnë mësimet e Krishtit, por edhe i ndjekin nga afër ato.» Po ata që janë relativisht të rinj, a janë në gjendje të bëhen dishepujt të vërtetë të Krishtit? Një motër që ka shërbyer për më shumë se 40 vjet si misionare në Amerikën Latine, shkruan për veten dhe për dy motrat e saj: «Ishim aq të rritura sa të kuptonim se donim t’i shërbenim Jehovait e të jetonim në Parajsë. Kushtimi na ndihmoi të ishim të forta kur hasnim tundime në rini. Nuk na vjen keq që i jemi kushtuar Perëndisë në moshë të vogël.»

Si ta dini nëse fëmija juaj është bërë dishepull i Krishtit? Bibla thotë: «Një djalë njihet edhe nga veprimet e tij: nëse veprat e tij janë të kulluara dhe të drejta.» (Prov. 20:11) Ja disa nga veprimet që tregojnë se përparimi i një të riu si dishepull «duket qartë».​—1 Tim. 4:15.

Prova se është dishepull

A ju bindet fëmija? (Kolos. 3:20) A i bën punët që i janë caktuar në shtëpi? Bibla thotë për Jezuin 12-vjeçar: «Vazhdoi t’u nënshtrohej [prindërve].» (Luka 2:51) Natyrisht, sot asnjë fëmijë nuk do t’u bindet në mënyrë të përsosur prindërve. Megjithatë, të krishterët e vërtetë duhet ‘të ndjekin me kujdes gjurmët e Jezuit’. Prandaj, të rinjtë që duan të pagëzohen, duhet të jenë të njohur për bindjen ndaj prindërve.​—1 Pjet. 2:21.

Shqyrtoni këto pyetje: a ‘vazhdon të kërkojë në radhë të parë mbretërinë’ fëmija juaj duke marrë pjesë plotësisht në shërbim? (Mat. 6:33) A është i gatshëm të predikojë lajmin e mirë apo duhet ta inkurajoni shumë që të dalë në shërbim e t’u flasë njerëzve? A është i vetëdijshëm për përgjegjësinë e tij si lajmëtar i papagëzuar? A ka dëshirë të rivizitojë ata që kanë treguar interes në territor? A u thotë shokëve të shkollës dhe mësuesve se është Dëshmitar i Jehovait?

A e sheh si të rëndësishme ndjekjen e mbledhjeve të kongregacionit? (Psal. 122:1) A komenton me gëzim në Studimin e Kullës së Rojës dhe në Studimin e Biblës në Kongregacion? A është regjistruar në Shkollën e Shërbimit Teokratik dhe a merr pjesë me gëzim?​—Hebr. 10:24, 25.

A përpiqet të qëndrojë i pastër moralisht, duke shmangur shoqëritë e dëmshme në shkollë e gjetkë? (Prov. 13:20) Cilat janë preferencat e tij për muzikën, filmat, programet televizive, videolojërat dhe përdorimin e Internetit? A jep dëshmi me fjalë e me vepra se dëshiron të jetojë në harmoni me normat e Biblës?

Sa mirë e njeh Biblën fëmija juaj? A mund t’i thotë me fjalët e veta ato që mëson në mbrëmjen e Adhurimit Familjar? A mund t’i shpjegojë të vërtetat bazë të Biblës? (Prov. 2:6-9) A shfaq interes të lexojë Biblën e të studiojë botimet e skllavit të besueshëm dhe të matur? (Mat. 24:45) A bën pyetje për mësime dhe vargje të Biblës?

Këto pyetje mund t’ju ndihmojnë të vlerësoni përparimin frymor të fëmijës suaj. Pasi t’i keni shqyrtuar, mund të nxirrni përfundimin se i duhet të përmirësojë në disa aspekte para se të pagëzohet. Mirëpo, nëse jetesa e tij dëshmon se është dishepull dhe ia ka kushtuar vërtet jetën Perëndisë, mund ta lejoni të pagëzohet.

Të rinjtë mund ta lëvdojnë Jehovain

Shumë shërbëtorë të Perëndisë kanë treguar besnikëri gjatë adoleshencës apo edhe më herët. Mendoni për Jozefin, Samuelin, Josinë dhe Jezuin. (Zan. 37:2; 39:1-3; 1 Sam. 1:24-28; 2:18-20; 2 Kron. 34:1-3; Luka 2:42-49) Po ashtu edhe katër vajzat e Filipit, që profetizonin, duhet të jenë stërvitur mirë që në moshë të vogël.​—Vep. 21:8, 9.

Një Dëshmitar në Greqi tha: «U pagëzova kur isha 12 vjeç. Kurrë s’më ka ardhur keq për këtë vendim. Që nga ajo kohë, kanë kaluar 24 vjet, 23 prej të cilëve në shërbim të plotkohor. Dashuria për Jehovain më ka ndihmuar gjithnjë të përballoj vështirësitë e rinisë. Kur isha 12 vjeç, nuk kisha këtë njohuri që kam tani për Shkrimet. Por e dija se e doja Jehovain dhe dëshiroja t’i shërbeja përgjithmonë. Jam i kënaqur që më ka ndihmuar të vazhdoj t’i shërbej.»

I ri apo i moshuar, një person që jep prova se është dishepull i vërtetë, duhet të pagëzohet. Apostulli Pavël shkroi: «Me zemër njeriu tregon besim, që të çon në drejtësi, por me gojë bën publikisht shpalljen, që të çon në shpëtim.» (Rom. 10:10) Kur një i ri që është dishepull i Krishtit pagëzohet, ky hap i rëndësishëm shënon një etapë në jetën e tij dhe të prindërve. Urojmë që asgjë të mos ju privojë ju dhe fëmijët tuaj nga gëzimi që ju pret!

[Shënimi]

^ par. 2 Disa emra janë ndryshuar.

[Kutia në faqen 5]

Pikëpamja e duhur për pagëzimin

Disa prindër e konsiderojnë pagëzimin e fëmijëve si një hap të rëndësishëm që përmban edhe rreziqe, pak a shumë si të marrësh patentën e makinës. Por, a e kërcënon vallë pagëzimi dhe shërbimi i shenjtë suksesin e ardhshëm të dikujt? Bibla përgjigjet jo. Te Proverbat 10:22 thuhet: «Bekimi i Jehovait të bën të pasur dhe ai nuk shton asnjë dhembje.» Pavli i shkroi Timoteut të ri: «Sigurisht, përkushtimi hyjnor bashkë me kënaqjen me atë që kemi, është një mjet për fitim të madh.»​—1 Tim. 6:6.

Vërtet, t’i shërbesh Jehovait nuk është e lehtë. Jeremia hasi shumë vështirësi në veprën si profet i Perëndisë. Megjithatë, ai shkroi për adhurimin që i bënte Perëndisë së vërtetë: «Fjala jote është ngazëllimi dhe gëzimi i zemrës sime, sepse thirrem me emrin tënd, o Jehova, Perëndi i ushtrive.» (Jer. 15:16) Jeremia e dinte se shërbimi ndaj Perëndisë ishte burim gëzimi për të. Bota e Satanait është burim vështirësish. Prindërit duhet t’i ndihmojnë fëmijët ta kuptojnë këtë dallim.​—Jer. 1:19.

[Kutia dhe figura në faqen 6]

A duhet ta shtyjë fëmija im pagëzimin?

Në disa raste, edhe kur fëmijët kualifikohen për t’u pagëzuar, prindërit ndoshta vendosin se duhet shtyrë. Cilat mund të jenë arsyet?

Kam frikë se po të pagëzohet, dhe më vonë të bëjë ndonjë mëkat të rëndë, mund të përjashtohet. A është e arsyeshme të besojmë se një i ri që e shtyn pagëzimin, nuk do t’i japë llogari Perëndisë për sjelljen e tij? Solomoni u tha këto fjalë të rinjve: ‘Dijeni, se për shkak të veprimeve tuaja, Perëndia i vërtetë do t’ju thërrasë në gjyq.’ (Ekl. 11:9) Po ashtu edhe Pavli dha këtë përkujtues, pa asnjë përjashtim për moshën: «Secili nga ne do t’i japë llogari Perëndisë për veten.»​—Rom. 14:12.

Qoftë adhuruesit e papagëzuar, qoftë ata të pagëzuar, i japin llogari Perëndisë. Mos harroni, Jehovai i mbron shërbëtorët e vet ‘duke mos lejuar që të tundohen përtej asaj që mund të mbajnë’. (1 Kor. 10:13) Për sa kohë që ‘ruajnë gjykimin’ dhe luftojnë kundër tundimeve, këta mund të jenë të sigurt për mbështetjen e Perëndisë. (1 Pjet. 5:6-9) Një nënë e krishterë shkruan: «Fëmijët e pagëzuar kanë më shumë arsye t’u rrinë larg gjërave të këqija të botës. Im bir, që është pagëzuar 15 vjeç, mendon se pagëzimi është mbrojtje. Ai tha: ‘As të shkon mendja të bësh diçka kundër ligjeve të Jehovait.’ Pagëzimi është një motivim i fortë për të bërë atë që është e drejtë.»

Nëse i keni stërvitur fëmijët me fjalët e me shembullin tuaj që t’i binden Jehovait, mund të jeni të sigurt se do të vazhdojnë ta bëjnë këtë edhe pasi të pagëzohen. Proverbat 20:7 thotë: «I drejti ecën me integritet. Të lumtur janë bijtë që vijnë pas tij.»

Më parë, do të doja që fëmija im të arrinte të bënte disa gjëra të tjera. Të rinjtë duhet të mësojnë të punojnë që, me kalimin e kohës, t’i dalin zot vetes. Mirëpo, është e rrezikshme t’i inkurajosh drejt një stili jetese të përqendruar tek arsimimi dhe siguria financiare, e jo tek adhurimi i vërtetë. Jezui tha për një farë, ose për fjalën e Mbretërisë, që nuk u rrit: «Sa për atë që u mboll mes gjembave, ky është ai që e dëgjon fjalën, por ankthet e kësaj bote dhe fuqia mashtruese e pasurisë e mbytin fjalën, dhe ai bëhet i pafrytshëm.» (Mat. 13:22) Planet për një jetë që vë gjendjen frymore pas synimeve të botës, mund t’ia shuajnë një të riu dëshirën për t’i shërbyer Perëndisë.

Duke komentuar për të rinjtë që kualifikohen për t’u pagëzuar, por prindërit e të cilëve nuk janë dakord, një plak me përvojë tha: «Po ta ndalosh një të ri të pagëzohet, mund t’i ngadalësosh përparimin në të vërtetën dhe ta shkurajosh.» Një mbikëqyrës udhëtues shkroi: «I riu mund të fillojë të ndihet i pasigurt dhe më poshtë se të tjerët në aspektin frymor. Ai mund t’i hedhë sytë nga bota që të ndihet se ka arritur diçka.»

[Figura]

A duhet të bëjë më parë universitetin?

[Figura në faqen 3]

Një i ri jep prova se është dishepull kur . . .

[Figurat në faqen 3]

Përgatitet dhe merr pjesë në mbledhje

[Figura në faqen 4]

U bindet prindërve

[Figura në faqen 4]

Merr pjesë në shërbim

[Figura në faqen 4]

Lutet