Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një lajm i mirë për të cilin kanë nevojë të gjithë

Një lajm i mirë për të cilin kanë nevojë të gjithë

Një lajm i mirë për të cilin kanë nevojë të gjithë

‘Lajmi i mirë është fuqia e Perëndisë për shpëtimin e kujtdo që ka besim.’​—ROM. 1:16.

1, 2. Përse predikoni ‘lajmin e mirë për mbretërinë’ dhe cilat aspekte të tij theksoni?

«JAM i lumtur që predikoj çdo ditë lajmin e mirë.» Ka të ngjarë që këto fjalë t’ju kenë kaluar nëpër mend ose të kenë dalë nga buzët tuaja. Si Dëshmitarë të kushtuar të Jehovait, e dini sa e rëndësishme është të predikojmë ‘këtë lajm të mirë për mbretërinë’. Ndoshta mund ta thoni përmendsh profecinë e Jezuit që tregon se përse e bëjmë këtë.​—Mat. 24:14.

2 Teksa predikoni ‘lajmin e mirë për mbretërinë’, ju po vazhdoni atë që nisi Jezui. (Lexo Lukën 4:43.) Pa dyshim, një pikë që theksoni, është se Perëndia do të ndërhyjë së shpejti në çështjet e njerëzimit. Përmes ‘shtrëngimit të madh’ ai do t’i japë fund fesë së rreme dhe do të pastrojë tokën nga ligësia. (Mat. 24:21) Po ashtu, ka mundësi të theksoni edhe se Mbretëria e Perëndisë do të rivendosë Parajsën në tokë, që të lulëzojë paqja e lumturia. Në të vërtetë, ‘lajmi i mirë për mbretërinë’ është pjesë e ‘lajmit të mirë që iu shpall që më parë Abrahamit, domethënë: “Nëpërmjet teje do të bekohen të gjitha kombet.”’​—Gal. 3:8.

3. Pse mund të themi se apostulli Pavël e theksoi lajmin e mirë në letrën e Romakëve?

3 Megjithatë, a mund të na ndodhë që t’i kushtojmë pak vëmendje një aspekti kyç të lajmit të mirë për të cilin kanë nevojë njerëzit? Në Letrën drejtuar Romakëve, apostulli Pavël e përdori vetëm një herë fjalën ‘mbretëri’, kurse shprehjen «lajmi i mirë» e përdori 12 herë. (Lexo Romakëve 14:17.) Cilit aspekt të lajmit të mirë iu referua aq shpesh Pavli në këtë libër biblik? Përse është jetësor ai lajm i mirë në veçanti? Pse duhet ta mbajmë parasysh, ndërsa u predikojmë «lajmin e mirë të Perëndisë» njerëzve në territor?​—Mar. 1:14; Rom. 15:16; 1 Sel. 2:2.

Për çfarë kishin nevojë të krishterët në Romë?

4. Për çfarë predikoi Pavli kur ishte i burgosur për herë të parë në Romë?

4 Temat që trajtoi Pavli kur ishte i burgosur për herë të parë në Romë, hedhin dritë mbi këtë argument. Lexojmë se kur i shkuan për vizitë disa judenj, ai ‘u dha dëshmi të plotë për (1) mbretërinë e Perëndisë dhe përdori argumentime bindëse për (2) Jezuin’. Rezultati? «Disa nisën t’i besonin ato që u thoshte, të tjerë nuk i besonin.» Pastaj, Pavli ‘priste me dashamirësi të gjithë ata që shkonin tek ai e u predikonte (1) mbretërinë e Perëndisë dhe u mësonte gjërat për (2) Zotërinë Jezu Krisht’. (Vep. 28:17, 23-31) Është e qartë se Pavli i kushtoi vëmendje Mbretërisë së Perëndisë. Por, çfarë theksoi tjetër? Diçka që është thelbësore për Mbretërinë​—rolin e Jezuit në qëllimin e Perëndisë.

5. Cilën nevojë reale trajtoi Pavli në librin e Romakëve?

5 Të gjithë njerëzit kanë nevojë të mësojnë për Jezuin e të kenë besim tek ai. Pavli e trajtoi këtë nevojë në librin e Romakëve. Më herët, ai kishte shkruar për ‘Perëndinë, të cilit i bënte shërbim të shenjtë me frymën e tij, duke shpallur lajmin e mirë për Birin e tij’. Pastaj shtoi: «Nuk më vjen turp për lajmin e mirë. Në të vërtetë, ai është fuqia e Perëndisë për shpëtimin e kujtdo që ka besim.» Më pas, foli për kohën ‘kur Perëndia do të gjykojë, nëpërmjet Krishtit Jezu, të fshehtat e njerëzve, sipas lajmit të mirë që ai shpallte’. Më tej tha: «Nga Jerusalemi deri në Iliri, i kam rënë qark dhe kam predikuar plotësisht lajmin e mirë për Krishtin.» * (Rom. 1:9, 16; 2:16; 15:19) Si mendoni, përse Pavli ua përmendi kaq shpesh Jezu Krishtin romakëve?

6, 7. Ç’mund të themi për fillesat dhe përbërjen e kongregacionit të Romës?

6 Nuk e dimë cilat ishin fillesat e kongregacionit të Romës. A u kthyen në Romë si të krishterë judenjtë ose prozelitët që ishin në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s.? (Vep. 2:10) Apo të vërtetën e përhapën në Romë tregtarë e udhëtarë të krishterë? Sido të ketë qenë, në kohën kur Pavli shkroi librin, rreth vitit 56 të e.s., kongregacioni kishte kohë që ekzistonte. (Rom. 1:8) Nga ç’persona përbëhej?

7 Disa kishin prejardhje judaike. Pavli i bëri të fala Andronikut dhe Juniut, ‘të afërmve të tij’, që ndoshta ishin të afërm judenj si ai. Po ashtu, në Romë ishin judenj edhe Akuila, bërësi i tendave, dhe gruaja e tij, Prishila. (Rom. 4:1; 9:3, 4; 16:3, 7; Vep. 18:2) Por, shumë vëllezër e motra, të cilëve Pavli u bëri të fala, ka të ngjarë të mos ishin judenj. Disa mund të kenë qenë nga ‘shtëpia e Cezarit’, që do të thotë se ndoshta ishin skllevër të Cezarit dhe zyrtarë të vegjël.​—Filip. 4:22; Rom. 1:6; 11:13.

8. Në cilën situatë tragjike gjendeshin të krishterët në Romë?

8 Sikurse çdonjëri prej nesh sot, çdo i krishterë në Romë gjendej në një situatë tragjike. Pavli e shprehu kështu: «Të gjithë kanë mëkatuar dhe nuk e kanë arritur lavdinë e Perëndisë.» (Rom. 3:23) Qartë, të gjithë ata të cilëve u shkroi Pavli, kishin nevojë të pranonin se ishin mëkatarë dhe duhej të kishin besim te mjeti që kishte caktuar Perëndia për të dalë nga ajo situatë.

Njerëzit duhet të pranojnë se janë mëkatarë

9. Ç’rezultat të mundshëm të lajmit të mirë theksoi Pavli?

9 Në fillim të letrës së Romakëve, Pavli tregoi rezultatin e mrekullueshëm që mund të kishte lajmi i mirë, të cilit iu referua vazhdimisht: «Mua nuk më vjen turp për lajmin e mirë. Në të vërtetë, ai është fuqia e Perëndisë për shpëtimin e kujtdo që ka besim, më parë të judeut, por edhe të grekut.» Po, shpëtimi ishte i mundur. Megjithatë, njerëzit duhej të kishin besim, në përputhje me këtë të vërtetë të thellë që u citua nga Habakuku 2:4: «I drejti do të vazhdojë të jetojë falë besimit.» (Rom. 1:16, 17; Gal. 3:11; Hebr. 10:38) Por, si lidhet lajmi i mirë që mund të çojë në shpëtim, me faktin se «të gjithë kanë mëkatuar»?

10, 11. Përse koncepti që përmendi Pavli te Romakëve 3:23 për disa është i panjohur dhe për të tjerë jo?

10 Para se një person të zhvillojë këtë besim jetëshpëtues, duhet të pranojë se është mëkatar. Kjo ide nuk do të ishte e panjohur për ata që janë rritur me besimin te Perëndia dhe që kanë njëfarë njohurie për Biblën. (Lexo Eklisiastiun 7:20.) E pranojnë apo jo se janë mëkatarë, të paktën ia kanë idenë se çfarë donte të thoshte Pavli me fjalët: «Të gjithë kanë mëkatuar.» (Rom. 3:23) Sidoqoftë, në shërbim mund të takojmë shumë të tjerë që nuk i kuptojnë këto fjalë.

11 Në disa vende njerëzit nuk janë rritur me mendimin se kanë lindur mëkatarë dhe se kanë trashëguar mëkatin. Ka të ngjarë që e kuptojnë se bëjnë gabime, se kanë veti të papëlqyeshme dhe se mund të kenë bërë ca gjëra të këqija. Po ashtu, e vërejnë se edhe të tjerët janë në një situatë të ngjashme. Gjithsesi, për shkak të formimit, nuk e kuptojnë plotësisht përse ata dhe të tjerët janë ashtu. Faktikisht, në disa gjuhë, nëse thua që dikush është mëkatar, të tjerët mund të mendojnë se po thua që ai është kriminel ose, të paktën, se ka thyer ca rregulla. Është e qartë se një person që është rritur në një mjedis të tillë, mund të mos e konsiderojë kollaj veten mëkatar, në kuptimin që foli Pavli.

12. Pse shumë veta nuk besojnë se të gjithë janë mëkatarë?

12 Edhe në vendet e të ashtuquajturit krishterim, shumë veta nuk e besojnë konceptin se janë mëkatarë. Përse jo? Ndonëse me raste shkojnë në kishë, ata e konsiderojnë tregimin biblik të Adamit dhe Evës thjesht si një përrallë ose mit. Të tjerë janë rritur në një klimë jofetare. Ata dyshojnë se Perëndia ekziston dhe, si pasojë, nuk e kuptojnë se një Qenie Supreme vendos norma morale për njerëzit dhe që, po të mos t’i zbatosh këto norma, përbën mëkat. Në njëfarë kuptimi, janë si njerëzit në shekullin e parë, për të cilët Pavli tha se ‘nuk kishin shpresë’ dhe ishin «pa Perëndi në botë».​—Efes. 2:12.

13, 14. (a) Përmend një arsye pse s’kanë asnjë justifikim ata që nuk besojnë te Perëndia dhe që mendojnë se nuk janë mëkatarë. (b) Ku i ka çuar shumë veta mungesa e besimit?

13 Në letrën e Romakëve, Pavli paraqiti dy arsye se përse ky lloj formimi nuk mund të jetë justifikim​—as për atë kohë, as tani. Arsyeja e parë është se vetë krijimi jep dëshmi për ekzistencën e Krijuesit. (Lexo Romakëve 1:19, 20.) Kjo përputhet me një pohim që Pavli bëri kur u shkroi nga Roma hebrenjve: «Çdo shtëpi ndërtohet nga dikush, por ai që ka ndërtuar gjithçka, është Perëndia.» (Hebr. 3:4) Ky arsyetim tregon se ka një Krijues që ndërtoi, ose solli në ekzistencë, gjithë universin.

14 Prandaj, Pavli kishte baza të forta kur u shkroi romakëve se kushdo​—përfshirë izraelitët e lashtë—​që adhuronte shëmbëlltyrat e pajeta, ‘nuk kishte asnjë justifikim’. E njëjta gjë mund të thuhej për ata që u dhanë pas praktikave seksuale imorale që ishin në kundërshtim me përdorimin e natyrshëm të trupit, si të burrit dhe të gruas. (Rom. 1:22-27) Duke vazhduar arsyetimin, me të drejtë Pavli nxori përfundimin se «qoftë judenjtë, qoftë grekët, janë të gjithë nën mëkat».​—Rom. 3:9.

Një ‘dëshmitar’

15. Çfarë kanë të gjithë njerëzit dhe me ç’rezultat?

15 Në librin e Romakëve identifikohet edhe një arsye tjetër pse njerëzit duhet të pranojnë se janë mëkatarë dhe kanë nevojë të dalin nga kjo situatë e vështirë. Pavli shkroi për tërësinë e ligjeve që Perëndia i dha Izraelit të lashtë: «Të gjithë ata që mëkatojnë nën ligj, nga ky ligj do të gjykohen.» (Rom. 2:12) Duke vazhduar arsyetimin, ai tregon se njerëzit nga kombet ose grupet etnike që s’e njohin atë kod hyjnor, shpesh «bëjnë nga natyra gjërat e ligjit». Përse është e zakonshme që këta ndalojnë incestin, vrasjen dhe vjedhjen? Pavli identifikoi arsyen: kanë ndërgjegje.​—Lexo Romakëve 2:14, 15.

16. Pse të kesh ndërgjegje nuk do të thotë se do të shmangësh patjetër mëkatin?

16 Megjithatë, ka të ngjarë të keni vërejtur se të kesh një ndërgjegje që funksionon si dëshmitar i brendshëm, nuk do të thotë se do të ndjekësh se s’bën drejtimin e saj. Rasti i Izraelit të lashtë e vërteton këtë. Ndonëse kishin një ndërgjegje dhe ligje specifike nga Perëndia kundër vjedhjes dhe kurorëshkeljes, shpesh izraelitët shkelën edhe ndërgjegjen, edhe ligjin e Jehovait. (Rom. 2:21-23) Ishin dyfish fajtorë dhe sigurisht që ishin mëkatarë, pasi nuk plotësuan normat dhe vullnetin e Perëndisë. Kjo ua dëmtoi seriozisht marrëdhënien me Krijuesin.​—Lev. 19:11; 20:10; Rom. 3:20.

17. Ç’inkurajim gjejmë në librin e Romakëve?

17 Ajo që kemi shqyrtuar nga libri i Romakëve mund të duket sikur paraqet një tablo të zymtë të gjendjes së njerëzimit, përfshirë edhe tonën, në sytë e të Plotfuqishmit. Megjithatë, Pavli nuk e la me kaq. Duke cituar fjalët e Davidit te Psalmi 32:1, 2, apostulli shkroi: «Lum ata që u janë falur veprat e paligjshme dhe u janë mbuluar mëkatet! Lum njeriu që Jehovai nuk do t’ia llogaritë kurrsesi mëkatin!» (Rom. 4:7, 8) Pa shkelur ligjet e tij të drejta, Perëndia ka siguruar mjetin e duhur për të falur mëkatet.

Jezui është boshti i lajmit të mirë

18, 19. (a) Në cilin aspekt të lajmit të mirë u përqendrua Pavli në librin e Romakëve? (b) Çfarë duhet të pranojmë që të marrim bekimet e Mbretërisë?

18 Ju mund të thoni: «Ky po që është lajm i mirë!» Në fakt është, dhe kjo na kthen përsëri tek ai aspekt i lajmit të mirë që Pavli theksoi në librin e Romakëve. Siç u përmend, Pavli shkroi: «Mua nuk më vjen turp për lajmin e mirë. Në të vërtetë, ai është fuqia e Perëndisë për shpëtimin e kujtdo që ka besim.»​—Rom. 1:15, 16.

19 Ai lajm i mirë kishte si bosht rolin e Jezuit në përmbushjen e qëllimit të Perëndisë. Pavli mezi priste «ditën kur Perëndia të gjykojë, nëpërmjet Krishtit Jezu, të fshehtat e njerëzve, sipas lajmit të mirë». (Rom. 2:16) Me këto fjalë, ai nuk po minimizonte «mbretërinë e Krishtit dhe të Perëndisë» ose atë që Perëndia do të bëjë nëpërmjet Mbretërisë. (Efes. 5:5) Por, tregoi se për të jetuar e gëzuar bekimet e Mbretërisë së Perëndisë, ne duhet të pranojmë (1) gjendjen tonë si mëkatarë në sytë e Perëndisë dhe (2) përse duhet të kemi besim te Jezu Krishti që të na falen mëkatet. Kur një person arrin të kuptojë e të pranojë këto aspekte të qëllimit të Perëndisë dhe sheh të ardhmen që hap kjo para tij, mund të thërrasë me të drejtë: «Ky po që është lajm i mirë!»

20, 21. Përse në shërbim duhet të mbajmë në mendje lajmin e mirë që theksohet në librin e Romakëve dhe me çfarë rezultati të mundshëm?

20 Teksa kryejmë shërbimin tonë të krishterë, duhet të mbajmë patjetër në mendje këtë aspekt të lajmit të mirë. Duke iu referuar Jezuit, Pavli citoi fjalët e Isaisë: «Kushdo që tregon besim tek ai, nuk do të zhgënjehet.» (Rom. 10:11; Isa. 28:16) Mesazhi thelbësor për Jezuin mund të mos jetë i panjohur për ata që e dinë çfarë thotë Bibla për mëkatin. Por, për të tjerët ky mesazh do të jetë diçka krejt e re, që në kulturën e tyre nuk njihet ose nuk besohet përgjithësisht. Kur këta të fillojnë të besojnë te Perëndia dhe te Shkrimet, duhet t’u shpjegojmë rolin e Jezuit. Në artikullin tjetër do të shohim si trajtohet ky aspekt i lajmit të mirë në kapitullin e 5-të të Romakëve. Ka shumë të ngjarë që ky artikull t’ju sjellë dobi në shërbim.

21 Sa shpërblyese është të ndihmosh njerëz me zemër të ndershme të kuptojnë lajmin e mirë të përmendur herë pas here në librin e Romakëve, lajmin e mirë që ‘në të vërtetë është fuqia e Perëndisë për shpëtimin e kujtdo që ka besim’! (Rom. 1:16) Përveç kësaj, do të shohim edhe të tjerë të bashkohen me ndjenjat që citoi Pavli te Romakëve 10:15: «Sa të bukura janë këmbët e atyre që shpallin lajmin e mirë për gjëra të mira!»​—Isa. 52:7.

[Shënimi]

^ par. 5 Shprehje të ngjashme gjejmë edhe në libra të tjerë të frymëzuar.​—Mar. 1:1; Vep. 5:42; 1 Kor. 9:12; Filip. 1:27.

A ju kujtohet?

• Cilin aspekt të lajmit të mirë thekson libri i Romakëve?

• Cilin fakt duhet të kuptojnë të tjerët dhe si t’i ndihmojmë?

• Si mund të na sjellë bekime neve dhe të tjerëve ‘lajmi i mirë për Krishtin’?

[Pyetjet]

[Diçitura në faqen 8]

Lajmi i mirë që theksohet te Romakëve, përfshinte rolin jetësor të Jezuit në qëllimin e Perëndisë

[Figura në faqen 9]

Të gjithë kemi lindur me një të metë vdekjeprurëse​—mëkatin!