Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

‘Sill rrotullat, sidomos pergamenat’

‘Sill rrotullat, sidomos pergamenat’

‘Sill rrotullat, sidomos pergamenat’

ME FJALËT e mësipërme, apostulli Pavël e nxiti bashkëmisionarin Timote që t’i sillte ca pjesë të Shkrimeve. Për ç’lloje rrotullash dhe pergamenash e kishte fjalën Pavli? Pse i tha këto fjalë? Çfarë mund të mësojmë nga kjo kërkesë?

Në mes të shekullit të parë të e.s., kur Pavli i shkroi këto fjalë, 39 librat e Shkrimeve Hebraike ishin ndarë në 22 ose 24 libra, dhe shumica e tyre ka të ngjarë që ishin në rrotulla më vete. Profesori Alan Milard vërejti se këto rrotulla, ndonëse të kushtueshme, «nuk ishin . . . përtej mundësive të atyre që ishin disi të kamur». Disa kishin të paktën një prej tyre. Për shembull, eunuku etiopas kishte një rrotull në karrocën e tij dhe «po lexonte me zë profetin Isaia». Ai ishte «një njeri me pushtet në shërbim të kandakes, mbretëreshës së etiopasve, i emëruar mbi gjithë thesarin e saj». Duhet të ketë qenë aq i pasur sa të zotëronte disa pjesë nga Shkrimet.​—Vep. 8:27, 28.

Në kërkesën që i bëri Timoteut, Pavli shkroi: «Kur të vish, sill mantelin që lashë në Troas [ose Troadë], te Karpi, dhe rrotullat, sidomos pergamenat.» (2 Tim. 4:13) Kjo lë të nënkuptohet se Pavli zotëronte disa libra. Ç’gjë do të kishte zënë një vend më të rëndësishëm në bibliotekën e tij sesa Fjala e Perëndisë? Në lidhje me fjalën «pergamenat» në këtë varg, studiuesi biblik A. T. Robertson vërejti: «Këto në veçanti duhet të kenë qenë kopje të librave të Dhiatës së Vjetër, pasi pergamenat ishin më të shtrenjta se papiruset.» Që në rini Pavli ‘ishte arsimuar në këmbët e Gamalielit’, i cili u mësonte njerëzve Ligjin e Moisiut dhe vlerësohej nga të gjithë. Pra, është e kuptueshme se Pavli duhet të ketë siguruar kopje personale të rrotullave të Fjalës së Perëndisë.​—Vep. 5:34; 22:3.

Si i përdornin rrotullat të krishterët?

Gjithsesi, ata që zotëronin rrotullat e Shkrimeve të Shenjta ishin të privilegjuar. Atëherë, si mund ta njihnin Fjalën e Perëndisë shumica e të krishterëve në atë kohë? Letra e mëparshme e Pavlit drejtuar Timoteut na jep çelësin për të gjetur përgjigjen. Ai shkroi: «Derisa të vij unë, vazhdo t’i kushtohesh leximit publik.» (1 Tim. 4:13) Leximi publik ishte pjesë e programit të mbledhjeve në kongregacionet e krishtere dhe një traditë e popullit të Perëndisë që nga koha e Moisiut.​—Vep. 13:15; 15:21; 2 Kor. 3:15.

Meqë ishte plak kongregacioni, Timoteu duhej ‘t’i kushtohej’ leximit me zë, nga i cili do të përfitonin ata që nuk kishin kopje personale të Shkrimeve. Me siguri, gjatë leximit publik të Fjalës së Perëndisë, të gjithë dëgjonin me vëmendje që të mos u shpëtonte asnjë fjalë dhe prindërit e fëmijët duhet të kenë diskutuar në shtëpi për atë që lexohej në mbledhje.

Një nga rrotullat e Detit të Vdekur, rrotulla e mirënjohur e Isaisë, është rreth 7,3 metra e gjatë. Rrotullat kishin nga një shkop në të dyja skajet dhe shpesh mbaheshin në një këllëf mbrojtës ose në qypa. Për këtë arsye duhej të ishin të rënda. Ka mundësi që shumica e të krishterëve nuk mund të merrnin me vete në predikim shumë rrotulla. Edhe nëse Pavli zotëronte disa rrotulla të Shkrimeve për përdorim personal, ka të ngjarë që nuk mund t’i merrte të gjitha në udhëtimet e tij. Nga sa duket, ai ia la disa mikut të tij Karpit në Troadë.

Ç’mund të mësojmë nga shembulli i Pavlit?

Pak përpara se të bënte kërkesën e tij, Pavli, i burgosur në Romë për herë të dytë, shkroi: «Luftën e shkëlqyer e bëra, vrapimin e përfundova. . . . Që tani e tutje, për mua ruhet kurora e drejtësisë.» (2 Tim. 4:7, 8) Ka të ngjarë që i shkroi këto fjalë rreth vitit 65 të e.s., gjatë përndjekjes nga Neroni. Këtë herë burgimi ishte shumë i rëndë. Në fakt, e ndiente se shumë shpejt do të ekzekutohej. (2 Tim. 1:16; 4:6) Kuptohet pse Pavli shprehu dëshirën e tij të përzemërt që të kishte rrotullat. Ndonëse ndihej i sigurt se e kishte çuar deri në fund luftën e shkëlqyer, dëshironte me zjarr të vazhdonte të forcohej duke studiuar Fjalën e Perëndisë.

Ka mundësi që Timoteu ishte ende në Efes kur mori kërkesën e Pavlit. (1 Tim. 1:3) Nga Efesi në Romë, duke kaluar nga Troada, janë pak a shumë 1.600 kilometra. Në të njëjtën letër, Pavli i bëri thirrje Timoteut: «Bëj çmos të mbërrish para dimrit.» (2 Tim. 4:21) Bibla nuk thotë nëse Timoteu gjeti një anije që ta çonte në Romë në kohën që dëshironte Pavli.

Ç’mund të mësojmë nga kërkesa e Pavlit për «rrotullat, sidomos pergamenat»? Ai e ruajti dashurinë e zjarrtë për Fjalën e Perëndisë gjatë periudhës më angështuese të jetës së tij. A nuk ishte ky sekreti pse Pavli ishte gjithnjë i gjallë frymësisht e aktiv, si edhe burim inkurajimi për shumë veta?

Sa të bekuar jemi sot nëse kemi një kopje të të gjithë Biblës! Disa nga ne madje kanë disa kopje dhe botime të ndryshme të saj. Ashtu si Pavli, kemi nevojë të kultivojmë një dëshirë të zjarrtë për të fituar një kuptueshmëri më të thellë të Shkrimeve. Nga 14 letrat e frymëzuara që Pavli pati privilegjin të shkruante, letra e tij e dytë drejtuar Timoteut ishte e fundit. Kërkesa e tij personale ndodhet nga fundi i saj. Në fakt, kërkesa e Pavlit drejtuar Timoteut ‘që të sillte rrotullat, sidomos pergamenat’, ishte një nga dëshirat e tij të fundit që janë dokumentuar.

A ke dëshirë të zjarrtë ta çosh deri në fund luftën e shkëlqyer të besimit, siç bëri Pavli? A dëshiron të jesh aktiv frymësisht dhe i përgatitur për të marrë pjesë në veprën e dëshmisë derisa të dojë Jehovai? Atëherë pse të mos bësh siç i nxiti Pavli të krishterët? «Kushtoji vëmendje të vazhdueshme vetes dhe mësimdhënies sate» duke studiuar vazhdimisht e me zell Biblën, e cila tani është në dispozicion të më shumë njerëzve se kurrë më parë në forma më të leverdishme sesa rrotullat.​—1 Tim. 4:16.

[Harta dhe figurat në faqet 18, 19]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

Efes

Troadë

Romë