Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Çfarë është pushimi i Perëndisë?

Çfarë është pushimi i Perëndisë?

Çfarë është pushimi i Perëndisë?

«Mbetet një pushim sabati për popullin e Perëndisë.»​—HEBR. 4:9.

1, 2. Ç’përfundim mund të nxjerrim nga Zanafilla 2:1-3 në lidhje me ditën e shtatë? Cilat pyetje lindin?

QË NË kapitullin e parë të Zanafillës, mësojmë se Perëndia e përgatiti tokën si vendbanim për njerëzit gjatë gjashtë ditëve të figurshme. Bibla thotë për fundin e secilës prej këtyre periudhave: «U bë mbrëmje dhe u bë mëngjes.» (Zan. 1:5, 8, 13, 19, 23, 31) Mirëpo, këto fjalë nuk i gjejmë te Zanafilla 2:1-3 në lidhje me ditën e shtatë.

2 Fakti që këto fjalë nuk janë vënë, lë të kuptohet se dita e shtatë, pra ‘dita’ e pushimit të Perëndisë, po vazhdonte ende kur u shkrua Zanafilla. A vazhdon ende dita e pushimit të Perëndisë? Nëse po, a mund të hyjmë ose të marrim pjesë në këtë pushim sot? Përgjigjet e këtyre pyetjeve janë me rëndësi jetësore për ne.

A po pushon ende Perëndia?

3. Si e tregojnë fjalët e Jezuit te Gjoni 5:16, 17 se dita e shtatë po vazhdonte ende në shekullin e parë?

3 Ka dy arsye pse mund të themi se dita e shtatë vazhdonte ende gjatë shekullit të parë të e.s. Arsyen e parë e mësojmë nga ajo që u tha Jezui disa prej armiqve të tij. Ata ishin inatosur me të sepse kishte shëruar njerëz ditën e sabatit. Mendonin se ishte e gabuar të shëroje atë ditë, meqë Ligji i Moisiut thoshte se sabati ishte ditë pushimi. Për t’iu përgjigjur, Jezui tha: «Ati im vazhdon të punojë deri më tani, prandaj dhe unë vazhdoj të punoj.» (Gjoni 5:16, 17) Çfarë donte të thoshte ai? Me fjalë të tjera po thoshte: «Ati dhe unë po bëjmë të njëjtën lloj pune. Ati ka punuar gjatë sabatit të tij mijëravjeçar dhe po punon ende, prandaj edhe unë mund të punoj në sabat.» Fjalët e Jezuit tregojnë se në kohën e tij po vazhdonte ende dita e shtatë, pra dita kur Perëndia po pushon, domethënë nuk po merret me krijimin e gjërave në tokë. Megjithatë, Perëndia po punonte ende për të plotësuar qëllimin e tij për njerëzit dhe tokën. *

4. Ç’arsye tjetër jep Pavli se dita e shtatë vazhdonte ende në kohën e tij?

4 Një arsye tjetër pse themi se dita e shtatë vazhdonte ende gjatë shekullit të parë të e.s., na e jep apostulli Pavël. Kur citoi Zanafillën 2:2 lidhur me pushimin e Perëndisë, Pavli shkroi nën frymëzim: «Ne që kemi treguar besim, hyjmë në atë pushim.» (Hebr. 4:3, 4, 6, 9) Pra, dita e shtatë vazhdonte ende në kohën e Pavlit. Për sa kohë do të vazhdonte kjo ditë pushimi?

5. Cili ishte qëllimi i ditës së shtatë? Kur do të realizohet plotësisht ky qëllim?

5 Që t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje, duhet të kujtojmë qëllimin e ditës së shtatë. Zanafilla 2:3 e shpjegon se cili është: «Perëndia e bekoi dhe e shenjtëroi ditën e shtatë.» Jehovai «e shenjtëroi» ose e veçoi që të çonte deri në fund qëllimin e tij. Ky qëllim është që toka të banohet nga njerëz të bindur, të cilët do të kujdesen për të dhe për të gjitha krijesat në të. (Zan. 1:28) Pikërisht drejt realizimit të këtij qëllimi ‘kanë vazhduar të punojnë deri më tani’ Perëndia Jehova dhe Jezu Krishti, ‘Zotëria i sabatit’. (Mat. 12:8) Dita e pushimit të Perëndisë do të vazhdojë derisa qëllimi i tij të jetë realizuar plotësisht në fund të Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit.

Të mos biem «në të njëjtin model mosbindjeje»

6. Cilët shembuj shërbejnë si paralajmërim për ne? Ç’mësim mund të nxjerrim prej tyre?

6 Qëllimi i Perëndisë iu shpjegua qartë Adamit dhe Evës, por ata vepruan kundër këtij qëllimi. Sigurisht, Adami dhe Eva ishin vetëm njerëzit e parë që ndoqën udhën e mosbindjes. Që nga ajo kohë, miliona të tjerë janë treguar të pabindur. Madje edhe populli i zgjedhur i Perëndisë, kombi i Izraelit, u tregua vazhdimisht i pabindur. Po ashtu, është për t’u theksuar se Pavli i paralajmëroi të krishterët e shekullit të parë se edhe disa prej tyre mund të binin në të njëjtën grackë si izraelitët e lashtë. Ai shkroi: «Le të bëjmë çmos që të hyjmë në atë pushim, se mos ndokush bie në të njëjtin model mosbindjeje.» (Hebr. 4:11) Vini re që Pavli tregon se njerëzit e pabindur nuk mund të hyjnë në pushimin e Perëndisë. Çfarë do të thotë kjo për ne? A mund të rrezikojmë të mos hyjmë në pushimin e Perëndisë po të veprojmë në ndonjë mënyrë kundër qëllimit të tij? Patjetër, përgjigjja e kësaj pyetjeje është shumë e rëndësishme për ne, dhe do ta trajtojmë më tej. Por, së pari, le të flasim për shembullin e keq të izraelitëve dhe pse nuk hynë në pushimin e Perëndisë.

«Nuk do të hyjnë në pushimin tim»

7. Ç’qëllim kishte Jehovai kur i çliroi izraelitët nga skllavëria e Egjiptit? Çfarë pritej nga izraelitët?

7 Në vitin 1513 p.e.s., Jehovai i zbuloi shërbëtorit të tij Moisi qëllimin që kishte për izraelitët. Perëndia tha: «Po gatitem të zbres që t’i çliroj nga dora e egjiptianëve, t’i nxjerr nga ai vend [Egjipti] e t’i çoj në një vend të mirë e të gjerë, në një vend ku rrjedh qumësht dhe mjaltë.» (Dal. 3:8) Siç i kishte premtuar paraardhësit të tyre, Abrahamit, qëllimi pse Perëndia po i çlironte izraelitët «nga dora e egjiptianëve» ishte që t’i bënte popullin e Tij. (Zan. 22:17) Perëndia u dha izraelitëve ligje që do t’i ndihmonin të kishin një marrëdhënie paqësore me të. (Isa. 48:17, 18) Ai u tha: «Nëse i bindeni pikë për pikë zërit tim dhe mbani besëlidhjen time [siç tregohet në Ligj], nga të gjithë popujt e tjerë, ju keni për t’u bërë prona ime e veçantë, sepse gjithë toka më përket mua.» (Dal. 19:5, 6) Kështu, izraelitët mund të kishin një marrëdhënie të privilegjuar me Perëndinë vetëm nëse u bindeshin ligjeve të tij.

8. Ç’jetë do të kishin bërë izraelitët po t’i ishin bindur Perëndisë?

8 Imagjinoni se ç’jetë do të kishin bërë izraelitët po t’u ishin bindur ligjeve të Perëndisë! Jehovai do t’u kishte bekuar arat, vreshtat, kopetë dhe tufat. Gjithashtu, do t’i kishte mbrojtur nga armiqtë. (Lexo 1 Mbretërve 10:23-27.) Kur të shfaqej Mesia, ka mundësi që do ta kishte gjetur Izraelin si komb të pavarur, i cili nuk vuante nga zgjedha romake. Izraeli do të kishte qenë një mbretëri model për fqinjët, duke dhënë një provë konkrete se bindja ndaj Perëndisë së vërtetë sjell bekime frymore dhe materiale.

9, 10. (a) Pse ishte e gabuar që izraelitët donin të ktheheshin në Egjipt? (b) Nëse izraelitët do të ktheheshin në Egjipt, si mund të ndikonte kjo tek adhurimi i tyre?

9 Ç’privilegj kishte Izraeli: të vepronte në përputhje me qëllimin e Jehovait! Kjo do t’u sillte bekime jo vetëm atyre, por në fund, të gjitha familjeve të tokës! (Zan. 22:18) Megjithatë, shumica e izraelitëve nuk e konsideruan të rëndësishme mundësinë që të ishin kombi i Perëndisë dhe një mbretëri model për të tjerët. Madje ata kërkuan të ktheheshin në Egjipt. (Lexo Numrat 14:2-4.) Por, nëse do të ktheheshin në Egjipt, si do të shkonte përpara qëllimi i Perëndisë për ta bërë Izraelin një mbretëri model? Nuk do të mundte. Në fakt, në qoftë se izraelitët do të bëheshin sërish skllevër në Egjipt, kurrë nuk do të ishin në gjendje të ndiqnin Ligjin e Moisiut dhe të nxirrnin dobi nga masa që kishte marrë Jehovai për faljen e mëkateve të tyre. Kur thanë se donin të ktheheshin në Egjipt, ata po mendonin vetëm për veten e jo për Perëndinë e për qëllimin e tij. S’është çudi që Jehovai tha për ata rebelë: «M’u neverit ky brez dhe thashë: ‘E humbasin gjithnjë rrugën në zemrën e tyre dhe nuk i njohën udhët e mia.’ Kështu, i zemëruar u betova: ‘Nuk do të hyjnë në pushimin tim.’»​—Hebr. 3:10, 11; Psal. 95:10, 11.

10 Duke kërkuar të kthehej në Egjipt, ai komb i pabindur tregoi se nuk i çmonte bekimet frymore që kishte marrë, përkundrazi preferonte preshtë, qepët dhe hudhrat që kishte pasur në atë vend. (Num. 11:5) Ashtu si Esau mosmirënjohës, rebelët ishin të gatshëm të hiqnin dorë nga trashëgimia e tyre frymore, në këmbim të një vakti të shijshëm.​—Zan. 25:30-32; Hebr. 12:16.

11. Si ndikoi te qëllimi i Jehovait mungesa e besimit të izraelitëve në ditët e Moisiut?

11 Megjithëse izraelitët që dolën nga Egjipti nuk treguan besim te Jehovai, ai ‘vazhdoi të punonte’ me durim drejt plotësimit të qëllimit të tij, duke e përqendruar vëmendjen te brezi i ardhshëm. Pjesëtarët e atij brezi u treguan më të bindur se etërit e tyre. Në përputhje me urdhrin e Jehovait, hynë në Tokën e Premtuar dhe filluan ta shtinin në dorë. Te Josiu 24:31 lexojmë: «Izraeli i shërbeu Jehovait gjatë gjithë kohës që ishte gjallë Josiu dhe pleqtë që jetuan pas Josiut, të cilët dinin tërë ato që bëri Jehovai për Izraelin.»

12. Si e dimë se është e mundur të hyjmë në pushimin e Perëndisë sot?

12 Gjithsesi, ai brez i bindur dalëngadalë u shua dhe vendin ia zuri një brez që «nuk e njihte Jehovain, as ato që kishte bërë ai për Izraelin». Si pasojë, «bijtë e Izraelit nisën të bënin atë që ishte e keqe në sytë e Jehovait dhe t’u shërbenin Baalëve». (Gjyk. 2:10, 11) Toka e Premtuar nuk qe ‘një vend pushimi’ për ta. Për shkak të mosbindjes, nuk gëzuan paqe të përhershme me Perëndinë. Pavli shkroi për këta izraelitë: «Sikur Josiu t’i kishte çuar drejt një vendi pushimi, Perëndia nuk do të kishte folur më pas për një tjetër ditë.» Më tej tha: «Prandaj, mbetet një pushim sabati për popullin e Perëndisë.» (Hebr. 4:8, 9) ‘Populli i Perëndisë’ që përmendi këtu Pavli ishin të krishterët. A do të thotë kjo se të krishterët mund të hynin në pushimin e Perëndisë? Patjetër që po, qoftë të krishterët judenj, qoftë ata jojudenj!

Disa nuk hynë në pushimin e Perëndisë

13, 14. Çfarë duhej të bënin izraelitët në kohën e Moisiut që të hynin në pushimin e Perëndisë? (b) Çfarë duhej të bënin të krishterët në kohën e Pavlit që të hynin në pushimin e Perëndisë?

13 Kur u shkroi të krishterëve hebrenj, Pavli ishte i shqetësuar se mos disa prej tyre po vepronin kundër qëllimit të Perëndisë që është në zhvillim e sipër. (Lexo Hebrenjve 4:1.) Në ç’kuptim? Për ironi, kjo kishte të bënte me zbatimin e Ligjit të Moisiut. Për rreth 1.500 vjet, çdo izraelit që dëshironte të jetonte në përputhje me qëllimin e Perëndisë, duhej të zbatonte Ligjin. Sidoqoftë, me vdekjen e Jezuit, Ligji u hoq. Disa të krishterë nuk e kuptuan këtë, prandaj këmbëngulnin që të vazhdonin të zbatonin disa aspekte të Ligjit. *

14 Të krishterëve që ishin të vendosur të zbatonin Ligjin, Pavli u shpjegoi se kryeprifti Jezu, besëlidhja e re dhe tempulli frymor, ishin më të lartë se ekuivalentët e tyre të kohës para krishterimit. (Hebr. 7:26-28; 8:7-10; 9:11, 12) Prandaj, duke pasur ndoshta në mendje sabatin javor të Ligjit të Moisiut, Pavli shkroi për privilegjin e hyrjes në ditën e pushimit të Jehovait: «Mbetet një pushim sabati për popullin e Perëndisë. Sepse kush ka hyrë në pushimin e Perëndisë, ka pushuar edhe vetë nga veprat e tij, ashtu si Perëndia nga të vetat.» (Hebr. 4:8-10) Ata të krishterë hebrenj nuk duhej të mendonin më se mund ta fitonin miratimin e Jehovait duke kryer veprat e bazuara në Ligjin e Moisiut. Që nga festa e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., miratimi i Perëndisë është një dhuratë që ai ua jep bujarisht atyre që tregojnë besim te Jezu Krishti.

15. Pse bindja është e domosdoshme që të hyjmë në pushimin e Perëndisë?

15 Çfarë i kishte penguar izraelitët në kohën e Moisiut të hynin në Tokën e Premtuar? Mosbindja. Çfarë po i pengonte disa të krishterë në kohën e Pavlit të hynin në pushimin e Perëndisë? E njëjta gjë​—mosbindja. Ata nuk besonin se tani Jehovai donte që populli i tij ta adhuronte në një mënyrë tjetër dhe të mos i bindej më Ligjit të Moisiut.

Si mund të hyjmë në pushimin e Perëndisë sot?

16, 17. (a) Ç’do të thotë të hyjmë në pushimin e Perëndisë sot? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në artikullin vijues?

16 Pak të krishterë sot do të këmbëngulnin që të ndiqnin disa aspekte të Ligjit të Moisiut për të shpëtuar. Fjalët e frymëzuara të Pavlit drejtuar efesianëve janë më se të qarta: «Falë kësaj dashamirësie të pamerituar, ju keni shpëtuar nëpërmjet besimit. Kjo nuk është falë jush, por është dhuratë e Perëndisë. Jo, nuk vjen nga veprat, që askush të mos ketë arsye për t’u mburrur.» (Efes. 2:8, 9) Atëherë, si mund të hyjnë ose të marrin pjesë në pushimin e Perëndisë të krishterët sot? Të mos harrojmë se Jehovai e zgjodhi ditën e tij të pushimit që të jetë dita kur plotëson qëllimin e tij për tokën dhe njerëzit e bindur. Nëpërmjet organizatës së tij, Jehovai na tregon qëllimin që ka dhe çfarë dëshiron nga ne. Ne mund të hyjmë në pushimin e Jehovait​—ose të bashkohemi me Të në pushimin e tij—​nëse i bindemi duke vepruar në përputhje me qëllimin e tij që është në zhvillim e sipër dhe që na zbulohet me anë të organizatës.

17 Nga ana tjetër, po t’i minimizonim këshillat e bazuara në Bibël që marrim nëpërmjet skllavit të besueshëm e të matur ose po të bindeshim vetëm kur ne mendojmë se është e rëndësishme, do të vepronim kundër qëllimit të Perëndisë. Kjo mund të vinte në rrezik marrëdhënien tonë paqësore me Jehovain. Në artikullin vijues, do të shqyrtojmë disa situata që na japin mundësi të tregojmë nëse jemi të bindur. Vendimet që do të marrim në këto situata, do të tregojnë nëse kemi hyrë në pushimin e Perëndisë.

[Shënimet]

^ par. 3 Priftërinjtë e levitët punonin në tempull ditën e sabatit dhe kjo nuk ishte kundër Ligjit të Moisiut. Perëndia e zgjodhi Jezuin si kryepriftin tonë. Prandaj, nuk ishte e gabuar që Jezui të bënte në sabat punën që i kishte caktuar Jehovai.​—Mat. 12:5, 6.

^ par. 13 Nuk e dimë nëse ndonjë i krishterë hebre arriti deri aty sa të paraqiste flijime Ditën e Shlyerjes edhe pas festës së Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s. Sigurisht, kjo do të tregonte mungesë respekti për flijimin e Jezuit. Mirëpo, disa të krishterë judenj po ndiqnin tradita të tjera që ishin pjesë e Ligjit të Moisiut.​—Gal. 4:9-11.

Pyetje për meditim

• Cili ishte qëllimi i ditës së shtatë, pra i ditës së pushimit të Perëndisë?

• Si e dimë se dita e shtatë po vazhdon ende sot?

• Çfarë i pengoi izraelitët në kohën e Moisiut dhe disa të krishterë në shekullin e parë të hynin në pushimin e Perëndisë?

• Ç’do të thotë të hysh në pushimin e Perëndisë sot?

[Pyetjet]

[Diçitura në faqen 27]

Ne mund të hyjmë në pushimin e Jehovait sot nëse i bindemi duke vepruar në përputhje me qëllimin e tij që është në zhvillim e sipër dhe që na zbulohet me anë të organizatës

[Figurat në faqet 26, 27]

Çfarë duhet të vazhdojë të bëjë populli i Perëndisë që të hyjë në pushimin e Tij?