Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A do t’ua vësh veshin paralajmërimeve të qarta të Jehovait?

A do t’ua vësh veshin paralajmërimeve të qarta të Jehovait?

A do t’ua vësh veshin paralajmërimeve të qarta të Jehovait?

«Kjo është udha. Ecni në të!»​—ISA. 30:21.

1, 2. Çfarë është i vendosur të bëjë Satanai, por si na ndihmon Fjala e Perëndisë?

NJË tabelë rrugore që tregon drejtimin e gabuar jo vetëm të çon në rrugë të gabuar, por edhe ka mundësi të jetë e rrezikshme. Imagjino sikur një mik të ka paralajmëruar se një njeri i lig e ka ndryshuar qëllimisht tabelën që t’u bëjë keq udhëtarëve të pavëmendshëm. A nuk do t’ia vije veshin paralajmërimit?

2 Sigurisht, edhe Satanai është një armik i lig, i vendosur të na çojë në rrugë të gabuar. (Zbul. 12:9) Tërë ndikimet e këqija që shqyrtuam në artikullin e mëparshëm e kanë burimin tek ai dhe synojnë të na largojnë nga rruga që të çon në jetën e përhershme. (Mat. 7:13, 14) Por, Perëndia ynë dashamirës na paralajmëron të mos ndjekim ‘tabelat rrugore devijuese’ të Satanait. Le të analizojmë tani tri ndikime të tjera negative të Satanait. Ndërsa shqyrtojmë se si na ndihmon Fjala e Perëndisë që të mos devijojmë, mund të imagjinojmë Jehovain të ecë pas nesh duke na treguar drejtimin e duhur me fjalët: «Kjo është udha. Ecni në të!» (Isa. 30:21) Nëse meditojmë rreth paralajmërimeve të qarta të Jehovait, do të jemi më të vendosur për t’ua vënë veshin atyre.

Mos ndiq ‘mësuesit e rremë’

3, 4. (a) Pse mësuesit e rremë janë si puse të thara? (b) Nga vijnë mësuesit e rremë dhe çfarë duan?

3 Përfytyro sikur po udhëton në një vend të shkretë. Nga larg të zë syri një pus dhe shkon drejt tij me shpresë që të gjesh ujë për të shuar etjen. Por, sapo arrin, sheh se pusi është i tharë. Sa zhgënjehesh! Mësuesit e rremë janë si puse të thara. Kushdo që shkon tek ata për të marrë ujërat e së vërtetës, do të zhgënjehet hidhur. Nëpërmjet apostujve Pavël dhe Pjetër, Jehovai na paralajmëron për mësuesit e rremë. (Lexo Veprat 20:29, 30; 2 Pjetrit 2:1-3.) Cilët janë këta mësues? Fjalët e frymëzuara të dy apostujve na ndihmojnë të kuptojmë se nga vijnë mësuesit e rremë dhe si veprojnë.

4 Pleqve të kongregacionit të Efesit, Pavli u tha: «Nga gjiri juaj do të ngrihen njerëz e do të thonë gjëra të shtrembëruara.» Kurse Pjetri u shkroi të bashkëkrishterëve: «Do të ketë edhe mes jush mësues të rremë.» Atëherë, nga vijnë mësuesit e rremë? Mund të dalin nga brenda kongregacionit. Këta janë apostatë. * Çfarë duan? Nuk kënaqen vetëm duke lënë organizatën që ndoshta dikur e donin, por siç shpjegoi Pavli, synimi i tyre është që ‘të tërheqin pas vetes dishepujt’. Vër re se fjala «dishepujt» është në trajtën e shquar. Këta mësues të rremë nuk dalin jashtë kongregacionit që të bëjnë dishepuj, por përpiqen të marrin dishepujt e Krishtit. Si «ujqër grabitqarë», mësuesit e rremë janë të vendosur të përpijnë pjesëtarët e kongregacionit, duke ua shkatërruar besimin dhe duke i larguar nga e vërteta.​—Mat. 7:15; 2 Tim. 2:18.

5. Çfarë metodash përdorin mësuesit e rremë?

5 Si veprojnë mësuesit e rremë? Metodat e tyre zbulojnë se veprojnë me dinakëri. Apostatët «futin tinëzisht» ide korruptuese. Ashtu si kontrabandistët, ata veprojnë në fshehtësi, duke futur pa u ndier pikëpamje apostate. Dhe ashtu si një falsifikues i aftë përpiqet të futë në qarkullim dokumente false, edhe apostatët përdorin «fjalë të shtira» ose argumente false, duke u përpjekur t’i qarkullojnë idetë e tyre të sajuara sikur të ishin të vërteta. Ata përhapin ‘mësime mashtruese’ ‘duke i shtrembëruar Shkrimet’ që t’i përshtatin me idetë e veta. (2 Pjet. 2:1, 3, 13; 3:16) Është e qartë, apostatët nuk na duan të mirën. Po t’i ndiqnim, do të devijonim nga udha që të çon në jetën e përhershme.

6. Çfarë këshillash të qarta na jep Bibla në lidhje me mësuesit e rremë?

6 Si mund të ruhemi nga mësuesit e rremë? Bibla na jep këshilla të qarta se si të sillemi me ta. (Lexo Romakëve 16:17; 2 Gjonit 9-11.) «Shmangini»,—thotë Fjala e Perëndisë. Në përkthime të tjera kjo frazë është bërë «largohuni nga ata», «rrini larg tyre» dhe «qëndroni larg tyre». Nuk ka asgjë të mjegullt në këto këshilla të frymëzuara. Ta zëmë se një mjek të ka paralajmëruar të shmangësh kontaktin me dikë që është infektuar me një sëmundje ngjitëse vdekjeprurëse. Do ta kuptoje se çfarë donte të thoshte mjeku dhe do të bëje tamam ashtu. E pra, apostatët janë ‘të sëmurë nga mendja’ dhe përpiqen t’i infektojnë të tjerët me mësimet e tyre të pabesa. (1 Tim. 6:3, 4) Jehovai, Mjeku i Madh, na paralajmëron të shmangim kontaktin me ta. E kuptojmë se ç’do të thotë, por a jemi të vendosur t’ia vëmë veshin paralajmërimit të tij në çdo gjë?

7, 8. (a) Ç’do të thotë të shmangim mësuesit e rremë? (b) Pse je i vendosur të shmangësh mësuesit e rremë?

7 Ç’do të thotë të shmangim mësuesit e rremë? Nuk i futim në shtëpi dhe as i përshëndetim. Gjithashtu, refuzojmë të lexojmë literaturën e tyre, të shohim programe televizive ku dalin ata, të lexojmë komentet e tyre në Internet a të shtojmë opinionin tonë për atë që shkruajnë. Pse jemi kaq të vendosur t’i shmangim? Nga dashuria. Së pari, duam ‘Perëndinë e së vërtetës’, prandaj nuk na interesojnë mësimet e shtrembëruara që kundërshtojnë Fjalën e tij të së vërtetës. (Psal. 31:5; Gjoni 17:17) Së dyti, duam edhe organizatën e Jehovait, e cila na ka mësuar të vërteta drithëruese: emrin Jehova dhe domethënien e tij, qëllimin e Perëndisë për tokën, gjendjen e të vdekurve dhe shpresën e ringjalljes. A të kujtohet si u ndjeve kur i mësove për herë të parë këto dhe të vërteta të tjera të çmuara? Pse pra, të lejosh të të helmojë cilido që dëshiron të përgojojë organizatën që të mësoi këto të vërteta?​—Gjoni 6:66-69.

8 Pavarësisht se çfarë mund të thonë mësuesit e rremë, ne nuk do t’i ndjekim! Pse të shkojmë te këto puse të thara vetëm e vetëm që të mashtrohemi dhe të zhgënjehemi?! Përkundrazi, le të jemi të vendosur t’i qëndrojmë besnikë Jehovait dhe organizatës, e cila prej kohësh na shuan etjen me ujërat e pastra dhe freskuese të së vërtetës nga Fjala e frymëzuar e Perëndisë.​—Isa. 55:1-3; Mat. 24:45-47.

Mos ndiq ‘përrallat’

9, 10. Ç’paralajmërim i dha Pavli Timoteut në lidhje me ‘përrallat’ dhe çfarë mund të ketë pasur në mendje ai? (Shih edhe shënimin.)

9 Ndonjëherë mund të jetë e lehtë të kuptosh se një tabelë rrugore është ndryshuar qëllimisht dhe tregon udhën e gabuar. Mirëpo, herë të tjera mund të jetë e vështirë të dallosh mashtrimin. Po njësoj është edhe me ndikimet negative të Satanait; disa janë më të dukshme se të tjerat. Apostulli Pavël na paralajmëron për një nga strategjitë tinëzare të Satanait që i quan ‘përralla’. (Lexo 1 Timoteut 1:3, 4.) Që të mos devijojmë nga rruga që të çon në jetë, duhet të dimë se çfarë janë këto përralla dhe ç’mund të bëjmë për të mos u kushtuar vëmendje.

10 Paralajmërimi i Pavlit për ‘përrallat’ bën pjesë në letrën e tij të parë drejtuar Timoteut, një mbikëqyrësi të krishterë që kishte si caktim të ruante pastërtinë e kongregacionit dhe t’i ndihmonte bashkëbesimtarët të qëndronin besnikë. (1 Tim. 1:18, 19) Pavli përdor një fjalë greke që mund t’u referohet trillimeve, miteve ose gënjeshtrave. Sipas një enciklopedie, kjo fjalë i referohet «një historie (fetare) që nuk ka asnjë lidhje me realitetin». (The International Standard Bible Encyclopaedia) Ndoshta Pavli kishte në mendje gënjeshtrat fetare të nxitura nga rrëfenja të bujshme ose legjenda. * Histori të tilla vetëm sa ‘ngrenë pyetje që të harxhojnë kohë’​—domethënë, ngrenë pyetje të parëndësishme që çojnë në kërkime të kota. Këto përralla janë një taktikë e kryemashtruesit, Satanait, i cili përdor gënjeshtra fetare dhe mite që të largojë nga udha të pavëmendshmit. Këshilla e Pavlit është e qartë: mos u kushto vëmendje «përrallave»!

11. Si e ka përdorur me dinakëri Satanai fenë e rreme që t’i largojë njerëzit nga udha? Cili paralajmërim do të na ndihmojë të mos devijojmë?

11 Cilat janë disa ‘përralla’ që mund t’i largojnë nga udha të pavëmendshmit? Në parim, kjo fjalë mund t’i referohet çdo gënjeshtre fetare ose miti që mund të na largojë «nga e vërteta». (2 Tim. 4:3, 4) Satanai, i cili hiqet si «engjëll drite», e ka përdorur me dinakëri fenë e rreme që të mashtrojë njerëzit. (2 Kor. 11:14) Për shembull, fetë e krishterimit të rremë thonë se ndjekin Krishtin, por faktikisht mësojnë gënjeshtra, si triniteti, ferri i zjarrtë dhe pavdekësia e shpirtit. Po ashtu, ato nxitin kremtimin e festave të tilla, si Krishtlindjet dhe Pashkët, të cilat përfshijnë zakone që duken të pafajshme, por në të vërtetë rrënjët i kanë në mitologji dhe në fe pagane. Nëse i vëmë veshin paralajmërimit të Perëndisë që të ndahemi prej tyre dhe ‘të mos e prekim gjënë e papastër’, nuk do të na devijojnë ‘përrallat’.​—2 Kor. 6:14-17.

12, 13. (a) Çfarë gënjeshtrash ka përhapur Satanai dhe cila është e vërteta për çdonjërën prej tyre? (b) Ç’mund të bëjmë që të mos na devijojnë përrallat e Satanait?

12 Satanai ka përhapur gënjeshtra të tjera që mund të na devijojnë nëse nuk tregohemi të kujdesshëm. Të shqyrtojmë disa shembuj. Bëj ç’të duash; ti e vendos ç’është e drejtë dhe ç’është e gabuar. Kjo ide nxitet në media dhe në fushën e zbavitjes. Një pikëpamje e tillë e shtrembëruar për normat e Perëndisë, ushtron presion te ne që të hedhim tej çdo kufizim moral. E vërteta është se kemi tmerrësisht nevojë për udhëheqje morale, të cilën vetëm Perëndia mund të na e plotësojë. (Jer. 10:23) Perëndia nuk do të ndërhyjë në çështjet e tokës. Kjo ide i bën njerëzit të mendojnë vetëm për të sotmen, pa e vrarë mendjen për të ardhmen a që t’i pëlqejnë Perëndisë. Mund të fillojmë të mendojmë si ata e të bëhemi «joaktivë dhe të pafrytshëm» në shërbimin ndaj Perëndisë. (2 Pjet. 1:8) E vërteta është se dita e Jehovait po afrohet me shpejtësi dhe duhet të qëndrojmë në pritje të saj. (Mat. 24:44) Perëndia nuk interesohet për ty si individ. Po t’i besojmë kësaj gënjeshtre satanike, mund të dorëzohemi duke menduar se kurrë nuk mund të jemi të denjë për dashurinë e Perëndisë. E vërteta është se Jehovai i do dhe i çmon si individë adhuruesit e tij.​—Mat. 10:29-31.

13 Duhet të qëndrojmë vigjilentë, pasi mendimet dhe qëndrimet e botës së Satanait në pamje të parë mund të duken të arsyeshme. Por, kujto se Satanai është mjeshtër i mashtrimit. Vetëm nëse u vëmë veshin këshillave dhe përkujtuesve të Fjalës së Perëndisë nuk do të na devijojnë ‘përrallat e sajuara me mjeshtëri’.​—2 Pjet. 1:16.

Mos ‘ndiq Satanain’

14. Çfarë paralajmërimi u dha Pavli disa vejushave të reja? Pse të gjithë ne duhet t’i marrim seriozisht fjalët e tij?

14 Imagjino një tabelë rrugore që thotë: «Rruga për të ndjekur Satanain.» Kush prej nesh do ta ndiqte këtë tabelë? Megjithatë, Pavli na paralajmëron për disa mënyra se si të krishterët e kushtuar mund ‘të largohen që të ndjekin Satanain’. (Lexo 1 Timoteut 5:11-15.) Fjalët e Pavlit u drejtohen disa ‘vejushave të reja’, por parimet që përmend vlejnë për të gjithë ne. Ato të krishtere të shekullit të parë mund të mos kenë menduar se po ndiqnin Satanain, por veprimet e tyre tregonin pikërisht këtë. Si mund të tregojmë kujdes që të mos e ndjekim as pa dashje Satanain? Le të shqyrtojmë paralajmërimin e Pavlit për thashethemet e dëmshme.

15. Çfarë synimi ka Satanai? Cilat taktika të Satanait identifikon Pavli?

15 Satanai ka si synim të na bëjë të heshtim e të mos flasim për besimin tonë​—të mos predikojmë më lajmin e mirë. (Zbul. 12:17) Për këtë qëllim, ai përpiqet të na shtyjë të jepemi pas aktiviteteve që na harxhojnë kohë ose shkaktojnë përçarje mes nesh. Vër re disa nga taktikat e Satanait që identifikon Pavli. «Rrinë pa bërë gjë dhe bredhin shtëpi më shtëpi.» Për shembull, mund të harxhojmë kot kohën tonë dhe atë të të tjerëve me gjëra të parëndësishme e nganjëherë jo të vërteta duke lexuar e dërguar email-e ose mesazhe në celular, duke folur në telefon a duke u takuar për të biseduar për to. «Merren me thashetheme.» Thashethemet e dëmshme mund të çojnë në shpifje dhe kjo shpesh shkakton grindje. (Prov. 26:20) E kuptojnë apo jo, shpifësit dashakeqë imitojnë Satana Djallin. * «Futin hundët në punët e të tjerëve.» Nuk kemi të drejtë t’u themi të tjerëve se ç’të bëjnë me çështjet personale. E gjithë kjo sjellje e kotë dhe e bezdisshme mund të na shpërqendrojë nga vepra e predikimit për Mbretërinë që na ka caktuar Perëndia. Nëse nuk e mbështetim më aktivisht veprën e Jehovait, atëherë do të fillojmë të ndjekim Satanain. Nuk ka një rrugë të mesme.​—Mat. 12:30.

16. Çfarë duhet të bëjmë nëse nuk duam të ndjekim Satanain?

16 Nëse ua vëmë veshin këshillave të Biblës, ‘nuk do të largohemi që të ndjekim Satanain’. Të shqyrtojmë disa nga këshillat e mençura të Pavlit. Kini «shumë për të bërë në veprën e Zotërisë». (1 Kor. 15:58) Në rast se jemi të zënë me aktivitetet e Mbretërisë, do të jemi të mbrojtur nga rreziqet që vijnë kur rrimë kot dhe merremi me gjëra që na harxhojnë kohë. (Mat. 6:33) Thoni «fjalë të mira, që të ndërtojnë». (Efes. 4:29) Ji i vendosur të mos dëgjosh thashetheme të dëmshme e të mos i përhapësh. * Kultivo besim dhe respekt për bashkëbesimtarët. Kështu do të jemi të prirur të themi fjalë që ndërtojnë, në vend që të shkatërrojnë. ‘Kini si synim të shikoni punët tuaja.’ (1 Sel. 4:11) Trego interes personal për të tjerët, por këtë bëje në atë mënyrë që të tregojë respekt për jetën e tyre private dhe të mos ua ulë dinjitetin. Gjithashtu, kujto se nuk duhet t’ua imponojmë të tjerëve pikëpamjet tona për çështje që duhet të vendosin vetë.​—Gal. 6:5.

17. (a) Pse Jehovai na ka dhënë paralajmërimet që kemi shqyrtuar më sipër? (b) Për çfarë duhet të jemi të vendosur?

17 Sa mirënjohës jemi që Jehovai na thotë qartë se çfarë të mos ndjekim! Sidoqoftë, kurrë të mos harrojmë se paralajmërimet e Jehovait të shqyrtuara në këtë artikull dhe në artikullin e mëparshëm, motivohen nga dashuria e tij e madhe për ne. Ai do që të na kursejë vuajtjet që vijnë duke ndjekur ‘tabelat rrugore devijuese’ të Satanait. Rruga që Jehovai do që të ndjekim mund të jetë e kufizuar, por çon në destinacionin më të mirë​—jeta e përhershme. (Mat. 7:14) Qofshim të vendosur për t’ia vënë veshin kësaj këshille të Jehovait: «Kjo është udha. Ecni në të!»​—Isa. 30:21.

[Shënimet]

^ par. 4 Fjala «apostazi» ka kuptimin largim nga adhurimi i pastër, heqje dorë, dezertim, rebelim, braktisje.

^ par. 10 Për shembull, libri apokrif i Tobisë, i shkruar rreth shekullit të tretë p.e.s. dhe që ekzistonte edhe në kohën e Pavlit, është plot me besëtytni e rrëfenja absurde me magji e shtrigëri që paraqiten si të vërteta.​—Shih Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëllimi 1, faqja 122, angl.

^ par. 15 Fjala greke e përkthyer «djall» është diábolos, që do të thotë «shpifës». Kjo fjalë përdoret si titull tjetër për Satanain, shpifësin më të madh.​—Gjoni 8:44; Zbul. 12:9, 10.

Si do të përgjigjeshe?

Si mund t’i zbatosh personalisht paralajmërimet që gjenden në shkrimet vijuese?

2 Pjetrit 2:1-3

1 Timoteut 1:3, 4

1 Timoteut 5:11-15

[Pyetjet]

[Kutia dhe figurat në faqen 19]

 Pupla në ajër

Një rrëfenjë e vjetër judaike ilustron mirë pasojat që vijnë kur përhapen thashetheme të dëmshme. Edhe pse ka versione të ndryshme, thelbi është ky:

«Një njeri shkoi vërdallë nëpër qytet duke përhapur shpifje për personin më të mençur të atij vendi. Më vonë, thashethemexhiu dashakeq e kuptoi gabimin dhe shkoi te ky njeri që t’i kërkonte falje. I tha se ishte i gatshëm të bënte çfarëdo gjëje për të ndrequr gabimin. Njeriu i mençur kishte një kërkesë: i tha thashethemexhiut që të merrte një jastëk me pupla, ta çante dhe puplat t’i shpërndante në ajër. Edhe pse u çudit nga kjo kërkesë, thashethemexhiu bëri siç i tha ai dhe më pas u kthye tek i mençuri.

—A më ke falur tani?—e pyeti.

—Në fillim, shko mblidh të gjitha puplat,—u përgjigj i mençuri.

—Po si t’i mbledh? I ka marrë era.

—Të ndreqësh dëmin që ke bërë me fjalët e tua, është po kaq e vështirë sa të mbledhësh puplat.»

Mësimi është i qartë. Fjalët që kemi thënë, nuk mund t’i tërheqim më, dhe është thuajse e pamundur të ndreqim dëmin që kanë shkaktuar. Prandaj, para se të përhapim ndonjë thashetheme, sado të vogël, bëjmë mirë të kujtojmë që fjalët janë si pupla në ajër.

[Figura në faqen 16]

Si mund t’i ftojnë disa apostatët në shtëpi?