Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dikur i frikësohesha vdekjes, tani pres ‘jetë me bollëk’

Dikur i frikësohesha vdekjes, tani pres ‘jetë me bollëk’

Dikur i frikësohesha vdekjes, tani pres ‘jetë me bollëk’

Treguar nga Piero Gati

NJË uturimë e mbytur pak nga pak u bë gjithnjë e më e fortë. Pas saj nisi oshtima e sirenave që i lajmëronin njerëzit të strehoheshin. Më tej filloi fishkëllima e bombave, shkatërrimi dhe një shungullimë e tmerrshme që na i plasi daullet e veshit.

E gjithë kjo ndodhi në Milano, Itali, më 1943-1944. Meqë si ushtar i ri isha caktuar me shërbim në atë zonë, shpesh më urdhëronin të mblidhja mbetjet e trupave njerëzorë të varrosur brenda strehimeve kundërajrore të bombarduara, ku kishin mbetur si në grackë. Trupat ishin të copëtuar dhe të paidentifikueshëm. Por, nuk pashë nga afër vetëm vdekjen e të tjerëve. Disa herë edhe vetë shpëtova nga vdekja për një fije. Në ato raste i lutesha Perëndisë duke i premtuar që, nëse do të shpëtoja nga masakrat, do të bëja vullnetin e tij.

Heq frikën nga vdekja

U rrita në një fshat rreth dhjetë kilometra larg Komos, Itali, pranë kufirit me Zvicrën. Që në moshë të njomë u gjenda ballë për ballë me hidhërimin dhe frikën nga vdekja. Gripi spanjoll më mori dy motra. Pastaj më 1930, kur isha vetëm gjashtë vjeç, vdiq mamaja, Luixha. Ngaqë isha rritur si katolik, i zbatoja rregullat fetare dhe ndiqja meshën e përjavshme. Por, frikën nga vdekja e hoqa vetëm vite më vonë jo në kishë, por në një berberhane.

Më 1944, Lufta II Botërore po korrte shumë jetë. Isha një nga dhjetëra mijë ushtarët italianë që kishin ikur nga zona e luftës për në Zvicrën asnjanëse. Me të mbërritur atje, na çuan në disa kampe refugjatësh. Mua më çuan në një kamp pranë Shtajnahut, në verilindje të vendit. Atje na dhanë njëfarë lirie. Berberi në Shtajnah kishte nevojë përkohësisht për ndihmë në dyqan. Jetova e punova me të vetëm një muaj, por kjo më mjaftoi të njihja atë që më ndryshoi jetën.

Një nga klientët e berberit ishte Adolfo Telini, një italian që jetonte në Zvicër. Ishte Dëshmitar i Jehovait. Nuk kisha dëgjuar kurrë për këtë grup fetar dhe kjo s’ishte çudi, meqë në atë kohë në mbarë Italinë kishte jo më shumë se 150 Dëshmitarë. Adolfoja më foli për të vërtetat e mrekullueshme biblike, premtimet për paqe dhe ‘jetë me bollëk’. (Gjoni 10:10; Zbul. 21:3, 4) U magjepsa nga mesazhi për një të ardhme pa luftë dhe vdekje. Kur u ktheva në kampin e refugjatëve, i fola për këtë shpresë një të riu italian, Xhuzepe Tubinit. Edhe atij i bëri përshtypje. Adolfoja dhe Dëshmitarë të tjerë na vizitonin herë pas here në kamp.

Adolfoja më çoi në Arbon, rreth dhjetë kilometra nga Shtajnahu, ku mbante mbledhjet në italisht një grup i vogël Dëshmitarësh. Isha aq entuziast për atë që dëgjova, saqë javën vijuese shkova atje në këmbë. Më vonë, ndoqa një asamble të Dëshmitarëve në një sallë kongresesh në Zyrih. Më la mbresa në veçanti një prezantim me diapozitiva lidhur me kampet e shfarosjes, ku tregoheshin pirgje me trupa. Mora vesh se shumë Dëshmitarë gjermanë ishin martirizuar për shkak të besimit të tyre. Në atë asamble takova Maria Picaton. Për shkak të veprimtarive të saj si Dëshmitare, autoritetet fashiste italiane e kishin dënuar me 11 vjet burg.

Kur mbaroi lufta, u ktheva në Itali dhe u bashkova me kongregacionin e vogël në Komo. Nuk kisha bërë një studim biblik të rregullt, por të vërtetat thelbësore i kisha të qarta në mendje. Edhe Maria Picato bënte pjesë në atë kongregacion. Ajo më foli për nevojën e pagëzimit të krishterë dhe më ftoi të vizitoja Marçelo Martinelin, i cili jetonte në Kastione-Andeveno, në provincën e Sondrios. Marçeloja ishte një vëlla besnik i mirosur që ishte dënuar me 11 vjet burg nga regjimi diktatorial. M’u desh të bëja 80 kilometra me biçikletë që ta takoja.

Marçeloja përdori Biblën që të më shpjegonte kërkesat për pagëzimin, më pas u lutëm dhe shkuam në lumin Ada, ku u pagëzova. Ishte shtatori i 1946-s. Ç’ditë e veçantë! Isha kaq i emocionuar që kisha vendosur t’i shërbeja Jehovait dhe që kisha një shpresë të sigurt për të ardhmen, saqë kur erdhi mbrëmja nuk arrija ta besoja se atë ditë kisha pedaluar 160 kilometra!

Në maj të vitit 1947, në Milano të Italisë u mbajt asambleja e parë pas luftës. Ishin rreth 700 të pranishëm, përfshirë shumë që kishin mbijetuar nga përndjekja fashiste. Në atë asamble ndodhi diçka krejt e pazakontë. Xhuzepe Tubini, të cilit i kisha dhënë dëshmi në kampin e refugjatëve, mbajti fjalimin e pagëzimit dhe pastaj u pagëzua edhe vetë.

Në atë asamble pata privilegjin të takoja vëlla Nejthën Norin nga Betheli i Bruklinit. Ai më nxiti mua dhe Xhuzepen që ta përdornim jetën në shërbim të Perëndisë. Vendosa që brenda një muaji të nisja shërbimin në kohë të plotë. Me të mbërritur në shtëpi, i tregova familjes për vendimin tim, por ata u përpoqën të gjithë të ma prishnin mendjen. Megjithatë, isha i vendosur. Kështu, një muaj më pas fillova shërbimin në Bethel, në Milano. Atje shërbenin katër misionarë: Xhuzepe Romano me të shoqen, Anxhelinën dhe Karlo Benanti me të shoqen, Kostancën. Anëtari i pestë i familjes ishte Xhuzepe Tubini, i cili sapo ishte bashkuar me ta, kurse unë isha i gjashti.

Pas një muaji në Bethel, u emërova mbikëqyrës qarkor​—i pari mbikëqyrës vendës. Vëlla Xhorxh Fredianeli, misionari i parë që kishte ardhur në Itali nga Shtetet e Bashkuara më 1946, tashmë shërbente si mbikëqyrës udhëtues. Ai më stërviti për disa javë dhe pastaj u nisa vetëm për këtë aventurë. Kujtoj në veçanti kongregacionin e parë që vizitova​—Faencën. Imagjinoni: deri atëherë nuk kisha mbajtur asnjë fjalim në kongregacion. Gjithsesi, i nxita të pranishmit, ku përfshiheshin shumë të rinj, që të mendonin për të filluar shërbimin e plotkohor. Më vonë, disa nga ata të rinj morën caktime me përgjegjësi të mëdha në fushën italiane.

Kisha nisur një jetë emocionuese si mbikëqyrës udhëtues. Ishte një jetë plot surpriza, përshtatje, sfida e gëzime, dhe vëllezërit e motrat më tregonin shumë përzemërsi.

Skena fetare në Italinë e pasluftës

Më lejoni t’ju tregoj diçka për situatën fetare të Italisë në atë kohë. Kisha katolike kishte autoritet absolut. Ndonëse më 1948 hyri në fuqi një kushtetutë e re, vetëm në vitin 1956 u shfuqizuan ligjet fashiste që i ndalonin Dëshmitarët të predikonin lirisht. Si pasojë e presionit nga kleri, asambletë qarkore ndërpriteshin shpesh. Por disa herë orvatjet e klerit dështuan me turp, siç ndodhi më 1948 në Sulmona, një qytezë në Italinë Qendrore.

Asambleja po mbahej në një teatër. Të dielën paradite isha drejtuesi i sesionit, ndërsa Xhuzepe Romano po mbante fjalimin publik. Të pranishmit ishin jashtëzakonisht shumë për atë kohë. Në mbarë vendin nuk kishte më shumë se 500 lajmëtarë, por në teatër ishin dyndur 2.000 veta. Nga fundi i fjalimit, një burrë, me porosinë e dy priftërinjve që ishin në auditor, erdhi në podium. Meqë donte të bënte rrëmujë, filloi të bërtiste me sa i hante zëri. I thashë menjëherë: «Nëse do të thuash diçka, merr një sallë me qira dhe thuaj ç’të duash.» Auditorit nuk i bëri përshtypje ai person dhe e mbytën zërin e tij me shprehje mosmiratimi. Atëherë, ai burrë zbriti nga podiumi dhe u zhduk.

Të udhëtoje në ato ditë ishte aventurë. Ndonjëherë shkoja nga njëri kongregacion te tjetri në këmbë, me biçikletë, me autobusë karakatinë të stërmbushur ose me tren. Në disa raste strehohesha në ndonjë stallë ose barakë veglash. Sapo kishte mbaruar lufta dhe shumica e italianëve ishin të varfër. Kishte pak vëllezër dhe ata s’kishin shumë nga ana materiale. Prapëseprapë, jeta në shërbim të Jehovait ishte e mrekullueshme.

Stërvitem në Galaad

Më 1950, Xhuzepe Tubini dhe unë u ftuam të ndiqnim klasën e 16-të të shkollës për misionarë të Galaadit. Që në fillim e kuptova se do ta kisha të vështirë të mësoja anglisht. Bëra më të mirën, por ishte një sfidë. Duhej të lexonim tërë Biblën në anglisht. Për ta arritur këtë, ndonjëherë nuk shkoja të haja drekë që të praktikoja leximin me zë. Në fund, erdhi radha ime për të mbajtur një fjalim. I kujtoj si sot fjalët e instruktorit: «Gjestet dhe entuziazmi yt janë të shkëlqyer, por anglishtja jote është krejt e pakuptueshme!» Pavarësisht nga kjo, arrita ta përfundoja kursin me sukses. Pastaj, Xhuzepe dhe unë u ricaktuam në Itali. Me stërvitjen shtesë që kishim marrë, të dy ishim më të pajisur që t’u shërbenim vëllezërve.

Më 1955, u martova me Lidian, fjalimin e pagëzimit të së cilës e kisha mbajtur para shtatë vjetësh. Domeniko, i ati, ishte një baba i dashur që kishte arritur t’i ndihmonte të shtatë fëmijët të pranonin të vërtetën, pavarësisht se ishte përndjekur nga regjimi fashist dhe ishte dënuar me tre vjet internim. Edhe Lidia ishte një luftëtare e së vërtetës. Kishte dalë tri herë në gjyq para se të na njihej ligjërisht e drejta për të predikuar shtëpi më shtëpi. Gjashtë vjet pas martesës, na lindi Beniamino, djali ynë i parë. Më 1972, na lindi Marko, djali tjetër. Jam shumë i lumtur që të dy ata bashkë me familjet po i shërbejnë Jehovait me zell.

Qëndroj aktiv në shërbim të Jehovait

Gjatë jetës sime të lumtur duke u shërbyer të tjerëve, kam pasur shumë përvoja të paharrueshme. Për shembull, në fillim të viteve 80, vjehrri i shkroi presidentit të atëhershëm të Italisë, Sandro Pertinit. Gjatë diktaturës fashiste, të dy i kishin internuar në ishullin e Ventotenes, ku mbaheshin armiqtë e supozuar të regjimit. Vjehrri kërkoi një takim me qëllim që t’i jepte dëshmi presidentit. Atij iu pranua kërkesa dhe unë e shoqërova. Na pritën përzemërsisht​—diçka me të cilën nuk ishim mësuar aspak. Presidenti e përshëndeti ngrohtë vjehrrin tim duke e përqafuar. Më pas folëm për besimin tonë dhe i dhamë ca literaturë.

Më 1991, pas 44 vjetësh si mbikëqyrës udhëtues, e lashë veprën qarkore, gjatë së cilës kisha vizituar kongregacione në mbarë Italinë. Për katër vitet vijuese shërbeva si mbikëqyrës i një Salle Asamblesh derisa m’u desh ta pakësoja aktivitetin tim për shkak të një sëmundjeje të rëndë. Sidoqoftë, falë dashamirësisë së pamerituar të Jehovait, jam ende në shërbimin e plotkohor. Përpiqem të bëj më të mirën që të predikoj e të mësoj lajmin e mirë, dhe tani drejtoj disa studime biblike. Vëllezërit thonë ende se kur mbaj fjalime, kam një entuziazëm «eksploziv». Falënderoj Jehovain që nuk më është pakësuar entuziazmi për shkak të moshës.

Kur isha i ri, frika nga vdekja më mbante nën kthetrat e saj, por njohuria e saktë biblike më ka dhënë shpresën e sigurt të jetës së përhershme​—‘të jetës me bollëk’, siç e quajti Jezui. (Gjoni 10:10) Ja pse tani mezi e pres atë: një jetë tërë paqe, siguri dhe lumturi, plot bekime të bollshme nga Jehovai. I gjithë nderimi i shkoftë Krijuesit tonë të dashur, emrin e të cilit kemi privilegjin të mbajmë!​—Psal. 83:18.

[Harta në faqet 22, 23]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

ZVICËR

BERN

Zyrih

Arbon

Shtajnah

ITALI

ROMË

Komo

Milano

Lumi Ada

Kastione-Andeveno

Faenca

Sulmona

Ventotene

[Figura në faqen 22]

Udhës për në Galaad

[Figura në faqen 22]

Me Xhuzepen në Galaad

[Figura në faqen 23]

Ditën e dasmës

[Figura në faqen 23]

Gruaja ime e shtrenjtë ka qenë përkrah meje për më tepër se 55 vjet