Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një betejë e gjatë ligjore përfundon me fitore!

Një betejë e gjatë ligjore përfundon me fitore!

Një betejë e gjatë ligjore përfundon me fitore!

NISI në vitin 1995 dhe zgjati 15 vjet. Gjatë gjithë kësaj kohe, kundërshtarët e lirisë fetare i vunë në shënjestër të krishterët e vërtetë në Rusi dhe ishin të vendosur t’i shpallnin të jashtëligjshëm Dëshmitarët e Jehovait në Moskë e gjetkë. Sidoqoftë, Jehovai e pa të arsyeshme ta shpërblente me një fitore ligjore integritetin e vëllezërve e motrave tona të dashura në Rusi. Por, si arriti puna deri këtu?

MË NË FUND LIRI!

Gjatë gjysmës së parë të viteve 90, vëllezërit tanë në Rusi rifituan lirinë fetare që kishin humbur më 1917. Në vitin 1991, Dëshmitarët e Jehovait u regjistruan si fe zyrtare nga qeveria e Bashkimit Sovjetik dhe pas shpërbërjes së tij, ata u regjistruan në Federatën Ruse. Madje Dëshmitarët që kishin vuajtur nga përndjekja fetare dekada më parë, u njohën zyrtarisht nga shteti si viktima të shtypjes politike. Në vitin 1993, Departamenti i Drejtësisë në Moskë regjistroi Komunitetin e Dëshmitarëve të Jehovait në Moskë, siç njihemi ligjërisht atje. Po atë vit, hyri në fuqi edhe kushtetuta e re e Rusisë, e cila garanton lirinë e fesë. Ja pse një vëlla u shpreh gjithë gëzim: «As e kishim ëndërruar ndonjëherë se do të shijonim këtë liri! . . . Kishim 50 vjet që e prisnim.»

Vëllezërit dhe motrat në Rusi e shfrytëzuan mirë atë «kohë të favorshme» duke e rritur me ritme të shpejta aktivitetin e predikimit dhe ata që iu përgjigjën ishin shumë. (2 Tim. 4:2) Një vëzhguese tha: «Njerëzit ishin mjaft të interesuar për fenë.» S’kaloi shumë dhe numri i lajmëtarëve, i pionierëve dhe i kongregacioneve u shumëfishua. Në fakt, nga viti 1990 deri në vitin 1995, numri i Dëshmitarëve në Moskë nga rreth 300 arriti në më shumë se 5.000! Ngaqë radhët e shërbëtorëve të rinj të Jehovait në Moskë shtoheshin nga dita në ditë, kundërshtarët e lirisë fetare u alarmuan. Në mes të viteve 90, ata u hodhën në sulm duke nxitur një luftë ligjore. Para se të zgjidhej përfundimisht, kjo betejë do të kalonte nëpër katër faza të stërgjata.

FILLOJNË HETIMET

Faza e parë e betejës nisi në qershor të vitit 1995. Një grup njerëzish nga Moska, që përkrahin hapur Kishën Ortodokse Ruse, paditi vëllezërit tanë se merreshin me veprimtari kriminale. Grupi pohonte se vepronte në emër të familjarëve që ishin të indinjuar sepse bashkëshortët ose fëmijët e tyre ishin bërë Dëshmitarë. Në qershor të 1996-s, hetuesit nisën të kërkonin prova për shkelje ligjore, por nuk gjetën asnjë. Mirëpo, i njëjti grup i paditi sërish vëllezërit për akte kriminale. U bë një hetim tjetër dhe të gjitha akuzat u hodhën poshtë. Pavarësisht nga kjo, kundërshtarët i paditën përsëri, për herë të tretë, me të njëjtat akuza. Dëshmitarët e Jehovait në Moskë u hetuan përsëri, por prokurorja arriti në të njëjtin përfundim​—nuk kishte asnjë bazë për të nisur një çështje penale. Pastaj, kundërshtarët i paditën vëllezërit për herë të katërt dhe përsëri prokuroria nuk gjeti asnjë provë. Çuditërisht, i njëjti grup kërkoi një hetim tjetër. Përfundimisht, më 13 prill 1998, hetuesja e re e mbylli çështjen.

«Mirëpo atëherë ndodhi diçka e çuditshme»,—thotë një nga avokatët e çështjes. Ndonëse përfaqësuesja e organit të akuzës që drejtoi këtë hetim të pestë pranoi se nuk kishte asnjë provë për veprimtari kriminale, sugjeroi që të ngrihej një padi civile kundër vëllezërve. Ajo pretendoi se Komuniteti i Dëshmitarëve të Jehovait në Moskë kishte shkelur ligjin kombëtar dhe atë ndërkombëtar. Prokurori i Qarkut Administrativ Verior të Moskës ishte dakord dhe ngriti një padi civile. * Më 29 shtator 1998 në Gjykatën Krahinore të Golovinsikit në Moskë nisi procesi gjyqësor. Kishte filluar faza e dytë.

BIBLA NË GJYQ

Në një sallë gjyqi të stërmbushur në veri të Moskës, prokurorja Tatjana Kondratjeva filloi sulmin. Ajo përdori një ligj federal që ishte nënshkruar më 1997, sipas të cilit fetë tradicionale ishin krishterimi ortodoks, islamizmi, judaizmi dhe budizmi. * Faktikisht, ky ligj ua ka vështirësuar feve të tjera njohjen ligjore dhe i lejon gjykatat të ndalojnë ato fe që nxitin urrejtjen. Prokurorja tha se Dëshmitarët e Jehovait nxitin urrejtjen e prishin familjet, prandaj duhen ndaluar.

Avokatja që mbronte vëllezërit tanë pyeti: «Cilët individë në Kongregacionin e Moskës janë fajtorë se kanë shkelur ligjin?» Prokurorja nuk mundi të përmendte asnjë emër. Megjithatë, tha se literatura e Dëshmitarëve të Jehovait nxit armiqësi fetare. Për të provuar akuzën, ajo lexoi nga Kulla e Rojës e Zgjohuni! dhe botime të tjera (shih sipër). Kur e pyetën si nxitnin urrejtje këto botime, u përgjigj: «Dëshmitarët e Jehovait mësojnë se kanë fenë e vërtetë.»

Një vëlla avokat i dha një Bibël gjykatëses dhe një prokurores e u lexoi Efesianëve 4:5: «Ka një Zotëri të vetëm, një besim të vetëm, një pagëzim të vetëm.» Nuk kaloi shumë dhe të tre, me Bibël në dorë, po shqyrtonin shkrime të tilla, si Gjoni 17:18 dhe Jakovi 1:27. Gjykatësja pyeti: «A nxitin këto shkrime urrejtje fetare?» Prokurorja u përgjigj se nuk ishte kompetente të komentonte Biblën. Avokati i tregoi botime të Kishës Ortodokse Ruse që i kritikojnë ashpër Dëshmitarët e Jehovait dhe e pyeti: «A e shkelin këto pohime ligjin?» Prokurorja u përgjigj: «Nuk jam kompetente që të komentoj për argumente klerikale.»

AKUZA PA PROVA

Kur i akuzoi Dëshmitarët se prishin familjet, një nga provat që paraqiti prokurorja ishte se ata nuk bëjnë festa të tilla, si Krishtlindjet. Megjithatë, më vonë ajo pranoi se ligji rus nuk u kërkon qytetarëve të festojnë Krishtlindjet. Rusët, përfshirë edhe Dëshmitarët e Jehovait rusë, janë të lirë të zgjedhin. Prokurorja tha edhe se organizata jonë ‘nuk i lejon fëmijët të pushojnë e të kënaqen si gjithë fëmijët e tjerë’. Prapëseprapë, kur e pyetën, ajo pranoi se nuk kishte folur kurrë me ndonjë të ri të rritur nga prindër Dëshmitarë. Kur një avokate e pyeti nëse prokurorja kishte qenë në ndonjë mbledhje të Dëshmitarëve të Jehovait, ajo u përgjigj: «S’ishte e nevojshme.»

Prokurorja thirri për të dëshmuar si ekspert një profesor psikiatrie. Ai tha se literatura jonë shkakton probleme mendore. Kur një nga avokatët mbrojtës vërejti se deklarata e shkruar në gjyq e profesorit ishte identike me një dokument të përgatitur nga Patrikana e Moskës, ai pranoi se kishte kopjuar shumë nga gjërat që kishte shkruar ajo. Nga pyetjet që iu bënë më tej, doli se nuk kishte pasur kurrë ndonjë pacient Dëshmitar të Jehovait. Nga ana tjetër, një profesor tjetër psikiatrie dëshmoi para gjyqit se kishte marrë në shqyrtim më shumë se 100 Dëshmitarë në Moskë. Ai vërejti se gëzonin një shëndet mendor normal dhe shtoi se, pasi ishin bërë Dëshmitarë, ata ishin bërë më tolerantë ndaj feve të tjera.

FITORE, POR JO PËRFUNDIMTARE

Më 12 mars 1999, gjykatësja caktoi pesë akademikë të studionin literaturën e Dëshmitarëve të Jehovait dhe pezulloi gjyqin. Nga ana tjetër, pa pasur lidhje me këtë çështje, Ministria e Drejtësisë e Rusisë kishte urdhëruar të formohej një komision me akademikë që të studionin literaturën tonë. Ky komision i raportoi më 15 prill 1999 dhe tha se nuk kishin gjetur asgjë të dëmshme në botimet tona. Kështu, më 29 prill 1999, Ministria e Drejtësisë vendosi që Dëshmitarët e Jehovait mund të vazhdonin të ishin një fe e ligjshme në Rusi. Pavarësisht nga ky raport pozitiv, gjykata e Moskës këmbënguli që komisioni i saj të shqyrtonte literaturën tonë. Ishte një situatë e çuditshme. Ministria e Drejtësisë kishte pranuar se Dëshmitarët e Jehovait i bindeshin ligjit dhe mund të ishin një fe e ligjshme, kurse Departamenti i Drejtësisë i Moskës po hetonte Dëshmitarët sepse akuzoheshin për shkelje të ligjit.

Kaluan rreth dy vjet para se të rifillonte gjyqi dhe më 23 shkurt 2001, gjykatësja Jelena Prohorëjçjeva mori vendimin. Pasi shqyrtoi raportin e komisionit që kishte caktuar, ajo vendosi: «Nuk ka asnjë bazë për të mbyllur dhe ndaluar veprimtarinë e komunitetit fetar të Dëshmitarëve të Jehovait në Moskë.» Më në fund u vendos ligjërisht se vëllezërit tanë ishin të pafajshëm për të gjitha akuzat e ngritura! Megjithatë, prokurorja nuk e pranoi vendimin dhe apeloi në Gjykatën e Qytetit të Moskës. Tre muaj më vonë, më 30 maj 2001, gjykata anuloi vendimin e gjykatëses Prohorëjçjeva. Urdhëroi hapjen e një gjyqi tjetër me të njëjtën prokurore, por me gjykatës tjetër. Po fillonte faza e tretë.

HUMBJE, POR JO PËRFUNDIMTARE

Më 30 tetor 2001, gjykatësja Vera Dubinskaja nisi gjyqin. * Prokurorja Kondratjeva përsëriti akuzën se Dëshmitarët e Jehovait nxitin urrejtjen. Pastaj shtoi se ndalimi i komunitetit ligjor të Dëshmitarëve të Jehovait do të shërbente për të mbrojtur të drejtat e Dëshmitarëve në Moskë. Në përgjigje të këtij pretendimi të paarsyeshëm, 10.000 Dëshmitarët në Moskë firmosën menjëherë një peticion ku i kërkonin gjykatës të hidhte poshtë ofertën e prokurores për «mbrojtje».

Prokurorja pohoi se nuk kishte nevojë të jepte prova se Dëshmitarët po bënin diçka të gabuar. Sipas saj, gjyqi bëhej për literaturën dhe bindjet e Dëshmitarëve të Jehovait, jo për veprimtarinë e tyre. Pastaj njoftoi se do të ftonte si ekspert për çështjen një zëdhënës të Kishës Ortodokse Ruse. Sigurisht, ky njoftim tregoi qartë se prapa skenës për të ndaluar Dëshmitarët ishin krerët e saj. Më 22 maj 2003, gjykatësja urdhëroi që një komision ekspertësh të studionte botimet e Dëshmitarëve të Jehovait​—edhe një herë.

Më 17 shkurt 2004, nisi përsëri gjyqi për të shqyrtuar rezultatet e studimit të komisionit. Ekspertët kishin arritur në përfundimin se botimet tona i inkurajojnë lexuesit të «ruajnë familjen dhe martesën» dhe se pretendimi që literatura jonë nxit urrejtjen ishte «i pathemeltë». Me ta ishin dakord edhe studiues të tjerë. Gjykatësja pyeti një profesor të historisë së fesë: «Pse predikojnë Dëshmitarët e Jehovait?» Ai iu përgjigj: «Vepra e predikimit është një kërkesë për një të krishterë. Këtë thotë Ungjilli dhe këtë detyrë u ngarkoi Krishti dishepujve të tij​—‘shkoni dhe predikoni në të gjitha vendet’.» Pavarësisht nga të tëra këto, më 26 mars 2004, gjykatësja ndaloi veprimtarinë e Dëshmitarëve të Jehovait në Moskë. Më 16 qershor 2004, Gjykata e Qytetit të Moskës mbështeti vendimin. * Për këtë vendim, një Dëshmitar prej shumë vitesh në të vërtetën tha: «Në kohën e qeverisë sovjetike, një rus duhej të ishte ateist. Sot, një rus duhet të jetë ortodoks.»

Por si reaguan vëllezërit? Si Nehemia në lashtësi. Kur armiqtë e popullit të Perëndisë kundërshtuan përpjekjet e tij për të rindërtuar murin e Jerusalemit, Nehemia dhe populli nuk lejuan të shpërqendroheshin nga asnjë formë kundërshtimi. Përkundrazi, ata ‘vazhduan me ndërtimin’ dhe ‘punuan me gjithë zemër’. (Neh. 4:1-6) Po ashtu edhe vëllezërit tanë në Moskë nuk i lejuan kundërshtarët t’i shpërqendronin nga vepra që duhet kryer sot: predikimi i lajmit të mirë. (1 Pjet. 4:12, 16) Ishin të sigurt se Jehovai do të kujdesej për ta dhe ishin gati të hynin në fazën e katërt të kësaj beteje të gjatë ligjore.

SHTOHEN SULMET

Më 25 gusht 2004, vëllezërit tanë i dërguan një peticion presidentit të atëhershëm të Rusisë, Vladimir Putinit. Peticioni, në të cilin shprehej shqetësimi i madh për ndalimin, përbëhej nga 76 vëllime dhe ishte firmosur nga 315.000 veta. Ndërkohë, kleri ortodoks rus tregoi fytyrën e vërtetë. Një zëdhënës i Patrikanës së Moskës deklaroi: «Ne jemi plotësisht kundër veprimtarisë së Dëshmitarëve të Jehovait.» Një udhëheqës mysliman tha se ndalimi ishte një «ngjarje historike dhe pozitive».

Disa njerëz në Rusi i besuan këto akuza false kundër Dëshmitarëve dhe filluan t’i sulmonin. Kundërshtarët i goditën me grushta e shkelma disa Dëshmitarë që predikonin në Moskë. Një burrë i nevrikosur ndoqi një motër deri jashtë ndërtesës dhe i gjuajti aq fort në kurriz sa ajo u rrëzua përtokë e përplasi kokën. Motra përfundoi në spital e megjithatë, policia nuk bëri asgjë kundër burrit që e sulmoi. Policia arrestoi Dëshmitarë të tjerë, u mori shenjat e gishtërinjve, i fotografoi dhe i mbajti gjithë natën në qeli. Në Moskë, administratorët e vendeve ku mbanin mbledhjet vëllezërit i kërcënuan se do t’i hiqnin nga puna nëse do të vazhdonin t’ua jepnin me qira Dëshmitarëve. Nuk kaloi shumë dhe mjaft kongregacione s’kishin më salla mbledhjesh me qira. Dyzet kongregacione duhej të përdornin të njëjtin kompleks me katër Salla Mbretërie. Një kongregacioni që shkonte në këtë kompleks i duhej ta mbante Mbledhjen Publike në shtatë e gjysmë të mëngjesit. «Për të ardhur në mbledhje, lajmëtarët çoheshin në orën pesë,—tha një mbikëqyrës udhëtues,—megjithatë, ata u treguan të gatshëm ta bënin këtë për më shumë se një vit.»

‘PËR TË DHËNË DËSHMI’

Dëshmitarët donin të tregonin se vendimi për të ndaluar veprën e predikimit në Moskë ishte kundër ligjit. Prandaj në dhjetor të 2004-s avokatët tanë i kërkuan ndihmë Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. (Shih kutinë «Pse një vendim i Rusisë shqyrtohet në Francë» në faqen 6.) Gjashtë vjet më vonë, më 10 qershor 2010, Gjykata mori një vendim unanim, duke shfajësuar krejtësisht Dëshmitarët e Jehovait! * Gjykata shqyrtoi të gjitha akuzat që ishin bërë kundër nesh dhe deklaroi se ishin tërësisht pa bazë. Ajo vendosi edhe se Rusia kishte detyrimin ligjor «t’i jepte fund shkeljes që vërejti Gjykata, si dhe të ndreqte sa të mundte pasojat».​—Shih kutinë «Vendimi i Gjykatës» në faqen 8.

Trupi gjykues nxori një përfundim mjaft të qartë se Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut mbron veprimtarinë e Dëshmitarëve të Jehovait. Vendimi që mori është i detyrueshëm jo vetëm për Rusinë, por edhe për 46 kombet e tjera anëtare të Këshillit të Evropës. Ky vendim do të jetë me mjaft interes edhe për shumë gjykatës, ligjhartues dhe individë përreth botës që studiojnë të drejtat e njeriut. Pse? Për të marrë këtë vendim Gjykata u bazua jo vetëm në tetë vendimet që kishte marrë më parë në favor të Dëshmitarëve të Jehovait, por edhe në nëntë gjyqet që kishin fituar më parë Dëshmitarët në gjykatat më të larta të Afrikës së Jugut, Argjentinës, Japonisë, Kanadasë, Mbretërisë së Bashkuar, Rusisë, Spanjës dhe Shteteve të Bashkuara. Tani Dëshmitarët e Jehovait në mbarë botën mund ta përdorin këtë vendim të Gjykatës për të mbrojtur adhurimin e tyre.

Jezui u tha dishepujve të vet: «Për shkakun tim do t’ju nxjerrin përpara guvernatorëve dhe mbretërve, që të jepni dëshmi para tyre dhe kombeve.» (Mat. 10:18) Lufta ligjore që u zhvillua gjatë këtyre 15 viteve të fundit u dha mundësinë vëllezërve ta bënin të njohur si kurrë më parë emrin e Jehovait në Moskë e gjetkë. Çdo gjë që ndodhi në këto çështje, bëri që të jepej ‘dëshmi’ e ‘të përparonte lajmi i mirë’. (Filip. 1:12) Në fakt, kur Dëshmitarët në Moskë predikojnë sot, shumë njerëz i pyesin: «A nuk ju kishin ndaluar?» Shpesh kjo pyetje u jep vëllezërve mundësinë që t’u japin atyre më shumë informacion për bindjet tona. Qartë, asgjë dhe askush nuk mund të na ndalë të predikojmë lajmin e mirë për Mbretërinë. Lutemi që Jehovai të vazhdojë të bekojë e të mbështetë vëllezërit dhe motrat tona të dashura në Rusi që tregojnë guxim.

[Shënimet]

^ par. 8 Padia u ngrit më 20 prill 1998. Dy javë më vonë, më 5 maj, Rusia ratifikoi Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

^ par. 10 «Ligji u miratua për shkak të presionit të fortë të Kishës Ortodokse Ruse, e cila ruan me fanatizëm pozitën e saj në Rusi dhe mezi pret t’i ndalojë Dëshmitarët e Jehovait.»​—Associated Press, 25 qershor 1999.

^ par. 20 Për ironi, në të njëjtën datë, dhjetë vjet më parë Rusia kishte miratuar ligjin që i njihte Dëshmitarët e Jehovait si viktima të shtypjes fetare nën sundimin sovjetik.

^ par. 22 Ndalimi shpërndau entin ligjor që përfaqësonte kongregacionet në Moskë. Kundërshtarët shpresonin se kjo do t’i pengonte vëllezërit që të kryenin shërbimin.

^ par. 28 Më 22 nëntor 2010, një trup gjykues prej pesë vetash nga Dhoma e Madhe e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, hodhi poshtë peticionin që kishte bërë Rusia për ta çuar çështjen në Dhomën e Madhe të Gjykatës. Kështu, vendimi i 10 qershorit 2010 u bë përfundimtar dhe i detyrueshëm.

[Kutia dhe figura në faqen 6]

Pse një vendim i Rusisë shqyrtohet në Francë

Më 28 shkurt 1996, Rusia nënshkroi Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. (Më 5 maj 1998, Rusia e ratifikoi Konventën.) Me nënshkrimin e këtij traktati, qeveria e Rusisë deklaroi se qytetarët e saj kanë:

‘Të drejtën e lirisë së fesë dhe të drejtën që të praktikojnë fenë e tyre publikisht ose privatisht, si dhe ta ndryshojnë fenë.’​—Neni 9.

‘Të drejtën e lirisë që të marrin e të japin me përgjegjësi informacione.’​—Neni 10.

‘Të drejtën e lirisë që të mblidhen paqësisht.’​—Neni 11.

Individët ose organizatat që janë viktima të shkeljeve të këtij traktati dhe që kanë ndjekur të gjitha rrugët ligjore në vendin e tyre, mund ta çojnë çështjen në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, Francë (shih sipër). Ajo përbëhet nga 47 gjyqtarë​—aq sa numri i shteteve që kanë nënshkruar Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Vendimet e Gjykatës janë të detyrueshme dhe shtetet që kanë firmosur traktatin duhet t’i respektojnë ato.

[Kutia në faqen 8]

Vendimi i Gjykatës

Më poshtë jepen tri fragmente të shkurtra nga vendimi i Gjykatës.

Një akuzë ishte se Dëshmitarët e Jehovait prishin familjet. Gjykata vendosi ndryshe. Ajo tha:

«Konflikti buron nga familjarët jofetarë, të cilët kundërshtojnë dhe nuk duan të pranojnë e të respektojnë lirinë e të afërmve që të shfaqin e praktikojnë fenë e tyre.»​—Par. 111.

Gjithashtu, Gjykata nuk gjeti asnjë provë që të mbështeste akuzën për «kontrollim të mendjes» dhe tha:

«Gjykata vëren se është e pazakontë që gjykatat [ruse] nuk përmendin as edhe një emër individi, të cilit pretendohet se i është dhunuar liria e ndërgjegjes nëpërmjet këtyre teknikave.»​—Par. 129.

Sipas një akuze tjetër, Dëshmitarët e Jehovait dëmtojnë shëndetin e tyre duke mos pranuar transfuzion gjaku. Gjykata vendosi të kundërtën dhe tha:

«Liria për të pranuar apo refuzuar një trajtim mjekësor specifik, ose për të zgjedhur një trajtim alternativ, është jetësore për parimet e vetvendosjes dhe autonomisë personale. Një pacient i rritur e i aftë për të vendosur, është i lirë të zgjedhë, për shembull, nëse do të operohet apo do të marrë njëfarë kure ose, për të njëjtën arsye, nëse do të bëjë transfuzion gjaku apo jo.»​—Par. 136.