Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Interneti: Përdore me mençuri këtë mjet global

Interneti: Përdore me mençuri këtë mjet global

Interneti: Përdore me mençuri këtë mjet global

SHPIKJA e shtypshkrimit shekuj më parë, ndryshoi mënyrën e komunikimit të njerëzve me njëri-tjetrin. Me të është krahasuar shpikja e Internetit në kohët moderne. Ky mjet praktik është quajtur një mjet global komunikimi, dhe me të drejtë. Ndërsa udhëton nëpër këtë «autostradë informacionesh», mund të mbledhësh fakte, statistika dhe opinione rreth një larmie të gjerë temash.

Aftësia për të komunikuar është një dhuratë e mrekullueshme nga Krijuesi. Na jep mundësi të shkëmbejmë me të tjerët ide dhe informacione. Jehovai ishte i pari që komunikoi me familjen njerëzore duke i dhënë informacione të qarta e të padyshimta se si të kishin një jetë kuptimplotë. (Zan. 1:28-30) Mirëpo, siç u bë e dukshme nga ajo që ndodhi në fillim të historisë njerëzore, dhurata e komunikimit mund të keqpërdoret. Satanai i dha Evës informacione tërësisht të rreme. Ajo i pranoi dhe ia kaloi Adamit, i cili e çoi njerëzimin në udhën e katastrofës.​—Zan. 3:1-6; Rom. 5:12.

Ç’mund të thuhet për Internetin? Megjithëse mund të na sigurojë informacione të vlefshme, të na kursejë kohë dhe të shërbejë për qëllime të dobishme, Interneti mund të na keqinformojë, të na hajë kohë me tepri dhe të na prishë moralisht. Le të shqyrtojmë se si mund ta përdorim për dobinë tonë këtë mjet global.

Informacionet: Të besueshme apo të rreme?

Kurrë mos pandeh se të gjitha informacionet në Internet janë të mira dhe të dobishme. Motorët e kërkimit në Internet mund të krahasohen me shumë mbledhës kërpudhash që pa u lodhur mbledhin çdo lloj kërpudhe​—të ngrënshme dhe helmuese—​e më pas i hedhin të gjitha në një enë të vetme dhe na i servirin. A do të filloje t’i haje këto kërpudha pa e kontrolluar me kujdes secilën? Patjetër që jo. Motorët e kërkimit në Internet shfrytëzojnë një numër të stërmadh kompjuterësh që të grumbullojnë ose të përzgjedhin informacione nga miliarda faqe Interneti që përmbajnë nga gjërat më të mira e deri tek ato më të këqija. Që të mos helmojmë mendjen me informacione të gabuara, na nevojitet aftësi dalluese që të ndajmë, si të thuash, grurin nga byku.

Në vitin 1993, në një revistë të njohur kishte një vizatim humoristik me dy qen që qëndronin përballë kompjuterit. Njëri i thoshte tjetrit: «Në Internet askush s’e di që je qen.» Kohë më parë, Satanai u fsheh pas një gjarpri që të çatonte me Evën dhe i tha se ajo mund të ishte si Perëndia. Sot, kushdo që ka Internet mund të hiqet si ekspert në fusha të ndryshme, madje pa treguar as emrin e vet. Po ashtu, nuk ka rregulla për publikimin e ideve, informacioneve, pamjeve dhe sugjerimeve.

Mos u bëj naiv si Eva kur përdor Internetin. Ji kritik dhe dyshues ndaj informacionit. Para se ta besosh, pyet veten: (1) Kush e ka botuar materialin? Çfarë kualifikimesh ka autori? (2) Pse është botuar? Çfarë e shtyu shkrimtarin? A ndikohet nga paragjykimet? (3) Ku e gjeti informacionin autori? A i tregon burimet që të mund të verifikohen? (4) A është aktual informacioni? Në shekullin e parë, apostulli Pavël i dha Timoteut një këshillë që zbatohet me të njëjtën forcë edhe sot. Ai shkroi: «Ruaje atë që të është lënë në dorëzim dhe largohu nga fjalët boshe që dhunojnë atë që është e shenjtë, e nga kontradiktat e asaj që në mënyrë të rreme quhet ‘njohuri’.»​—1 Tim. 6:20.

Të kursen apo të vjedh kohë?

Po të përdoret me mençuri, pa dyshim Interneti mund të na kursejë kohë, energji dhe para. Mund të blejmë rehat diçka pa dalë fare nga shtëpia dhe krahasimi i çmimeve na ndihmon të kursejmë para. Veprimet bankare nëpërmjet Internetit ua kanë bërë më të lehtë jetën shumë njerëzve. Gjithashtu, çështjet financiare mund të administrohen në çdo kohë në rehatinë e shtëpisë. Interneti siguron mjete të nevojshme që të gjejmë një itinerar të leverdishëm e jo të kushtueshëm për një udhëtim që ndoshta po planifikojmë, si dhe na ndihmon të bëjmë rezervimet e duhura. Me pak përpjekje, mund të gjejmë numra telefonikë, adresa dhe mënyra të ndryshme për të arritur në destinacionin që duam. Në mbarë botën, zyrat e degëve të Dëshmitarëve të Jehovait përdorin shumë nga këto shërbime që të kursejnë kohë, personel dhe para.

Megjithatë, ka një anë të errët që duhet marrë parasysh. Ajo lidhet me sasinë e kohës që mund të të harxhojë përdorimi i Internetit. Për disa, Interneti është bërë një lodër tërheqëse, në vend të një mjeti të dobishëm. Ata harxhojnë kohë me tepri duke lozur, duke blerë, duke çatuar, duke shkëmbyer email-e, duke bërë kërkime ose duke lundruar kuturu. Si përfundim, mund të fillojnë të lënë pas dore gjërat më të rëndësishme që lidhen me familjen, miqtë dhe kongregacionin. Interneti mund të kthehet madje në varësi. Për shembull, sipas një llogaritjeje që u botua në 2010-n, 18,4 për qind e adoleshentëve koreanë ishin të varur nga Interneti. Studiues gjermanë thanë se «gjithnjë e më shumë gra ankohen për varësinë e bashkëshortëve» nga Interneti. Një grua u ankua duke thënë se varësia nga Interneti e ka ndryshuar rrënjësisht burrin deri në atë pikë sa u ka shkatërruar martesën.

Një zyrë dege e Dëshmitarëve të Jehovait mori një letër nga një individ që e quante veten «të droguar» pas Internetit. Disa herë kalonte deri në dhjetë orë në ditë në Internet. Ai tha se «në fillim gjithçka dukej e pafajshme», por shtoi: «Me kalimin e kohës, shkoja rrallë e më rrallë në mbledhje dhe nuk lutesha më.» Kur shkonte në mbledhje, ishte i papërgatitur dhe mendjen e kishte në shtëpi duke pritur me padurim «të futej online». Shyqyr që e kuptoi sa i rëndë ishte problemi i tij dhe mori masa për ta ndrequr. Kurrë të mos shkojmë deri në atë pikë sa Interneti të na bëhet varësi!

Informacionet: Të vlefshme apo jo?

Te 1 Selanikasve 5:21, 22 lexojmë: «Sigurohuni për të gjitha gjërat, mbani fort atë që është e shkëlqyer. Rrini larg nga çdo formë ligësie.» Duhet të përcaktojmë se çfarë mendon Perëndia për informacionet që gjejmë në Internet dhe nëse janë sipas standardeve të Tij të larta. Ato duhet të jenë të pastra nga ana morale dhe të përshtatshme për të krishterët. Pornografia në Internet është përhapur në masë dhe nëse nuk jemi të kujdesshëm, fare lehtë mund të joshemi në grackën e saj.

Tregohemi të mençur nëse pyesim veten: «Atë që shoh në monitor, a do t’ia fshihja shpejt bashkëshortit, prindërve ose vëllezërve të krishterë nëse do të hynin në dhomë?» Nëse përgjigjja është po, do të ishte mirë ta përdornim Internetin vetëm në praninë e të tjerëve. Interneti ka ndryshuar vërtet mënyrën si komunikojmë dhe blejmë. Përveç kësaj, ka krijuar një mundësi krejtësisht të re që ‘të kryejmë kurorëshkelje në zemrën tonë’.​—Mat. 5:27, 28.

T’ua kalosh apo jo të tjerëve?

Përdorimi i Internetit përfshin marrjen dhe shpërndarjen e informacioneve. Ndonëse jemi të lirë të marrim e të japim informacione, kemi edhe përgjegjësinë të sigurohemi nëse janë të vërteta e të moralshme. A mund të garantojmë saktësinë e asaj që shkruajmë ose u kalojmë të tjerëve? A kemi leje t’ua përcjellim informacionin atyre? * A është i vlefshëm dhe ndërtues? Pse duam ta shpërndajmë? A duam thjesht t’u bëjmë përshtypje të tjerëve?

Nëse përdoren siç duhet, email-et mund të jenë të dobishme, por edhe mund të na mbytin me informacione. A po i mbingarkojmë të tjerët, mbase duke u harxhuar kohë të çmuar? Mund ta bëjmë këtë duke u shpërndarë të gjithë të njohurve të rejat më të fundit ose kotësira. A nuk duhet të shqyrtojmë motivet tona para se të shtypim butonin «dërgo»? Çfarë duam të arrijmë në të vërtetë? Më parë njerëzit shkruanin letra që të shkëmbenin përvojat e tyre me familjen dhe miqtë, duke i mbajtur të përditësuar me ngjarjet e jetës së tyre. A nuk duhet të përqendrohemi në po këto gjëra edhe kur shkruajmë email-e? Pse t’u kalojmë të tjerëve diçka që nuk mund ta verifikojmë?

Atëherë, ç’duhet të bëjmë me Internetin? Ta shmangim fare? Në disa raste kjo mund të jetë e nevojshme. «I droguari» pas Internetit që përmendëm më parë, bëri tamam këtë që të shpëtonte nga kjo varësi disa vjeçare. Nga ana tjetër, Interneti mund të na sjellë dobi, me kusht që të lejojmë ‘aftësinë për të menduar të na ruajë dhe aftësinë dalluese të na mbrojë’.​—Prov. 2:10, 11.

[Shënimi]

^ par. 17 E njëjta gjë vlen edhe për fotografitë. Edhe pse mund t’i nxjerrim në fotografi të tjerët e t’i mbajmë ato për vete, mund të mos kemi leje t’i shpërndajmë, e jo më të japim emrat e njerëzve në fotografi dhe të tregojmë se ku jetojnë.

[Figura në faqen 4]

Ç’mund të bësh që të mos kthehesh në viktimë të keqinformimit?

[Figura në faqen 5]

Çfarë duhet të marrësh parasysh para se të shtypësh butonin «dërgo»?