Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jehovai​—«Perëndia që jep paqe»

Jehovai​—«Perëndia që jep paqe»

Jehovai​—«Perëndia që jep paqe»

«Perëndia që jep paqe, qoftë me të gjithë ju!»​—ROM. 15:33.

1, 2. Ç’situatë e tendosur përshkruhet te Zanafilla, kapitujt 32 dhe 33, dhe si përfundoi?

JEMI pranë Penuelit, afër luginës së përroit të Jabokut, në lindje të lumit Jordan. Esau ka dëgjuar se vëllai i tij binjak, Jakobi, po kthehet në shtëpi. Ndonëse kanë kaluar 20 vjet që kur Esau i shiti të drejtën si i parëlindur, Jakobi ka frikë se mos është ende i inatosur me të dhe e vret. I shoqëruar nga 400 burra, Esau i del përpara të vëllait. Duke menduar se do ta presë armiqësisht, Jakobi i dërgon si dhurata Esaut njëra pas tjetrës tufa bagëtish, mbi 550 kokë. Në krye të çdo tufe Jakobi ka vënë shërbëtorët e vet, të cilët, kur takojnë Esaun, i thonë se janë dhuratë nga i vëllai.

2 Më në fund ata takohen! Jakobi i guximshëm ecën drejt Esaut dhe përkulet deri në tokë para tij, jo një herë, por shtatë herë. Ai ka bërë tashmë gjënë më të rëndësishme që mund të bënte për të zbutur zemrën e të vëllait. I është lutur Jehovait që ta shpëtojë nga dora e Esaut. A i përgjigjet Jehovai? Po. Bibla na thotë: ‘Esau vrapoi ta takonte, iu hodh në qafë, e përqafoi dhe e puthi.’​—Zan. 32:11-20; 33:1-4.

3. Çfarë mësojmë nga tregimi i Jakobit dhe Esaut?

3 Edhe në kongregacionin e krishterë lindin probleme që mund të kërcënojnë paqen që gëzojmë brenda tij. Ndaj, nga tregimi i Jakobit dhe Esaut kuptojmë se duhet të bëjmë përpjekje serioze e praktike që t’i zgjidhim. Jakobi u përpoq të bënte paqe me Esaun, por jo sepse kishte gabuar ndaj tij dhe duhej t’i kërkonte ndjesë. Faktikisht Esau kishte përbuzur të drejtën si i parëlindur dhe ia kishte shitur Jakobit për një tas me gjellë. (Zan. 25:31-34; Hebr. 12:16) Megjithatë, mënyra si veproi Jakobi me Esaun na demonstron se deri në ç’pikë duhet të përpiqemi që të ruajmë paqen me vëllezërit e krishterë. Na tregon edhe se Perëndia i vërtetë i bekon përpjekjet tona të sinqerta për të bërë paqe. Në Bibël gjejmë edhe shumë shembuj të tjerë që na mësojnë si të jemi paqebërës.

Shembulli më i shkëlqyer që na nxit

4. Çfarë bëri Perëndia për të shpëtuar njerëzimin nga mëkati dhe vdekja?

4 Shembulli më i jashtëzakonshëm i paqebërësit është Jehovai​—«Perëndia që jep paqe». (Rom. 15:33) Mendoni çfarë arriti të bënte Jehovai që ne të kemi një marrëdhënie paqësore me të. Si pasardhës mëkatarë të Adamit dhe Evës, ne meritojmë ‘pagën që paguan mëkati’. (Rom. 6:23) Megjithatë, falë dashurisë së madhe, Jehovai dërgoi nga qielli Birin e dashur që të lindte si njeri i përsosur e të na shpëtonte. Biri iu bind me gatishmëri dhe lejoi që armiqtë e Perëndisë ta vritnin. (Gjoni 10:17, 18) Perëndia i vërtetë e ringjalli Birin e vet të dashur, i cili më pas i paraqiti Atit vlerën e gjakut që kishte derdhur. Kjo do të ishte shpërblesa për të shpëtuar mëkatarët e penduar nga vdekja e përjetshme.​—Lexo Hebrenjve 9:14, 24.

5, 6. Si ndikon gjaku i derdhur i Jezuit te marrëdhënia e prishur mes Perëndisë dhe njerëzimit mëkatar?

5 Si ndikon flijimi shpërblyes i Birit të Perëndisë te marrëdhënia e prishur mes Perëndisë dhe njerëzimit mëkatar? Tek Isaia 53:5 thuhet: «Mori mbi vete ndëshkimin, që ne të kishim paqe dhe falë plagëve të tij, ne jemi shëruar.» Në vend që të konsiderohen si armiq të Perëndisë, njerëzit e bindur mund të gëzojnë tani një marrëdhënie paqësore me të. «Falë [Jezuit] ne kemi çlirimin nëpërmjet shpërblesës me anë të gjakut të vet, po, faljen e shkeljeve tona.»​—Efes. 1:7.

6 Bibla pohon se «Perëndisë iu duk e udhës që gjithë plotësia të banonte në [Krishtin]», sepse Krishti është figura kryesore në përmbushjen e qëllimit të Perëndisë. Por cili është qëllimi i Jehovait? ‘Të pajtojë përsëri me veten të gjitha gjërat e tjera, e të bëjë paqe me gjakun që derdhi’ Jezu Krishti. «Të gjitha gjërat e tjera» që Perëndia i pajton përsëri me veten, ose i bën miq të tij, janë «gjërat në qiej» dhe «gjërat në tokë». Për çfarë bëhet fjalë?​—Lexo Kolosianëve 1:19, 20.

7. Çfarë janë «gjërat në qiej» dhe «gjërat në tokë»?

7 Falë shpërblesës, të krishterët e mirosur, të cilët ‘janë shpallur të drejtë’ si bij të Perëndisë, mund të ‘gëzojnë paqe me Perëndinë’. (Lexo Romakëve 5:1.) Për ta thuhet se janë ‘gjëra në qiej’ sepse kanë shpresë qiellore dhe «do të mbretërojnë mbi tokën» e do të shërbejnë si priftërinj të Perëndisë. (Zbul. 5:10) Nga ana tjetër, «gjërat në tokë» janë njerëzit e penduar, të cilët në fund do të fitojnë jetën e përhershme në tokë.​—Psal. 37:29.

8. Si na ndihmon shembulli i Jehovait kur në kongregacion lindin probleme?

8 Pavli shprehu mirënjohje të thellë për këtë masë të Jehovait kur u shkroi të krishterëve të mirosur në Efes: «Perëndia që është i pasur në mëshirë, . . . na dha jetë së bashku me Krishtin, edhe kur ne ishim të vdekur për shkak të shkeljeve tona​—nëpërmjet dashamirësisë së pamerituar keni shpëtuar.» (Efes. 2:4, 5) Pavarësisht nëse kemi shpresë qiellore ose tokësore, i jemi shumë borxhlinj Perëndisë për mëshirën dhe dashamirësinë e tij të pamerituar. Zemrat tona mbushen plot mirënjohje kur shohim se deri ku arriti Jehovai që njerëzimi të mund të gëzonte paqe me të. Prandaj, kur përballemi me situata që kërcënojnë unitetin e paqen në kongregacion, meditimi me çmueshmëri për shembullin e Perëndisë duhet të na nxitë të jemi paqebërës.

Të mësojmë nga sjellja e Abrahamit dhe Isakut

9, 10. Si tregoi Abrahami se ishte paqebërës kur mes çobanëve të tij dhe të Lotit u krijua një situatë e acaruar?

9 Për patriarkun Abraham Bibla thotë: «‘Abrahami tregoi besim te Jehovai, dhe kjo iu llogarit si drejtësi’ e u quajt ‘mik i Jehovait’.» (Jak. 2:23) Besimi i Abrahamit u duk qartë nga sjellja e tij paqedashëse. Për shembull, kur bagëtia e Abrahamit u shtua, mes çobanëve të tij dhe atyre të të nipit, Lotit, u krijua një situatë e acaruar. (Zan. 12:5; 13:7) Dukej se zgjidhja më e logjikshme ishte që Abrahami e Loti të ndaheshin. Si do të vepronte Abrahami në këtë situatë delikate? Edhe pse mund të përfitonte nga mosha dhe marrëdhënia e veçantë që kishte me Perëndinë për t’i thënë nipit se ç’të bënte, Abrahami nuk veproi kështu, por tregoi se ishte paqebërës i vërtetë.

10 «Të lutem, të mos lejojmë të vazhdojë grindja mes meje e teje dhe mes çobanëve të mi e çobanëve të tu,—i tha Abrahami nipit,—sepse jemi vëllezër.» Pastaj vazhdoi: «Ja ku e ke gjithë vendin para teje. Të lutem, ndahu nga unë. Nëse ti shkon majtas, unë do të shkoj djathtas, por nëse ti shkon djathtas, unë do të shkoj majtas.» Loti zgjodhi pjesën më pjellore të vendit, e megjithatë Abrahami nuk i mbajti mëri. (Zan. 13:8-11) Më vonë, kur Lotin e zunë rob armiqtë, Abrahami nuk ngurroi të shkonte ta shpëtonte.​—Zan. 14:14-16.

11. Si u përpoq Abrahami ta ruante paqen me fqinjët filistinë?

11 Të shohim edhe se si u përpoq Abrahami të ruante paqen me fqinjët filistinë në Kanaan. Këta «kishin shtënë në dorë me dhunë» një pus që shërbëtorët e tij kishin gërmuar në Beer-Shebë. Si do të vepronte në këtë rast ky burrë që kishte shpëtuar nipin dhe mposhtur katër mbretërit që e kishin zënë rob? Në vend që të luftonte e të rimerrte pusin, Abrahami zgjodhi ta linte në heshtje çështjen. Me kalimin e kohës, mbreti filistin shkoi tek Abrahami që të bënte një besëlidhje paqeje me të. Abrahami e përmendi çështjen e pusit vetëm pasi mbreti e kishte bërë të betohej se do të sillej mirë me pasardhësit e tij. Mbreti filistin u habit kur e dëgjoi këtë dhe ia ktheu pusin Abrahamit, i cili vazhdoi të jetonte paqësisht si i ardhur në vend.​—Zan. 21:22-31, 34.

12, 13. (a) Si ndoqi shembullin e të atit Isaku? (b) Si e bekoi Jehovai Isakun për sjelljen paqedashëse?

12 Edhe i biri i Abrahamit, Isaku, imitoi sjelljen paqedashëse të të atit. Kjo duket qartë nga mënyra si u soll me filistinët. Për shkak se në vend kishte rënë zi buke, Isaku u shpërngul bashkë me shtëpinë e vet në veri, nga Beer-Lahai-Roi që gjendej në zonën e thatë të Negebit, në një territor më pjellor të filistinëve, në Gerar. Jehovai e bekoi me të korra të bollshme dhe shumë bagëti, prandaj filistinët nisën ta kishin zili. Ata nuk donin që Isaku të begatohej siç kishte bërë i ati, kështu mbyllën puset që kishin hapur në atë rajon shërbëtorët e Abrahamit. Në fund, mbreti filistin i kërkoi të ‘largohej që atje’ dhe Isaku paqësor iku.​—Zan. 24:62; 26:1, 12-17.

13 Përsëri, Isaku u largua më tutje dhe atje barinjtë e tij gërmuan një pus tjetër. Barinjtë filistinë u ankuan se uji ishte i tyre. Ashtu si i ati, Abrahami, edhe Isaku nuk luftoi për një pus, por i vuri shërbëtorët të gërmonin një pus tjetër. Edhe për këtë filistinët pretenduan se ishte i tyri. Për hir të paqes, Isaku e çoi sërish në një vend tjetër familjen dhe gjithçka kishte. Atje shërbëtorët e tij gërmuan një pus që Isaku i vuri emrin Rehobot. Më vonë, ai shkoi në zonën më pjellore të Beer-Shebës ku Jehovai e bekoi dhe i tha: «Mos ki frikë, sepse unë jam me ty dhe do të të bekoj e do ta shumoj farën tënde për shkak të Abrahamit, shërbëtorit tim.»​—Zan. 26:17-25.

14. Si tregoi Isaku se ishte paqebërës kur mbreti filistin i kërkoi të bënin një besëlidhje paqeje?

14 Me siguri Isaku mund të kishte luftuar për të drejtën e tij, pra që të përdorte puset që kishin gërmuar shërbëtorët e vet. Mbreti filistin e dinte se Jehovai e bekonte Isakun në gjithçka bënte. Kur mbreti dhe zyrtarët e tij shkuan në Beer-Shebë tek Isaku për t’i kërkuar që të bënin një besëlidhje paqeje, i thanë: «E kemi parë qartë se Jehovai ka qenë me ty.» Për hir të paqes Isaku kishte zgjedhur të lëvizte më shumë se një herë vetëm e vetëm që të mos luftonte. Edhe këtë herë, kur mbreti dhe zyrtarët e tij shkuan tek Isaku, ai tregoi se ishte paqebërës. Bibla thotë: «Ai shtroi për ta një gosti, dhe ata hëngrën e pinë. Në mëngjes, u ngritën herët dhe iu betuan njëri-tjetrit. Pastaj, Isaku i la të iknin, dhe ata u larguan në paqe.»​—Zan. 26:26-31.

Të mësojmë nga biri që Jakobi deshi më shumë

15. Pse vëllezërit nuk arrinin t’i flitnin njerëzisht Jozefit?

15 I biri i Isakut, Jakobi, u rrit e u bë «një njeri i paqortueshëm». (Zan. 25:27) Siç pamë në fillim, Jakobi u përpoq të bënte paqe me të vëllanë, Esaun. Pa dyshim që ai kishte nxjerrë dobi nga shembulli i mirë i të atit, Isakut. Por ç’mund të thuhet për bijtë e Jakobit? Nga të 12 bijtë, ai donte më shumë Jozefin, i cili ishte një djalë i bindur e i respektueshëm dhe kujdesej me gjithë zemër për zotërimet e të atit. (Zan. 37:2, 14) Mirëpo, vëllezërit e tij më të mëdhenj u bënë aq xhelozë sa nuk arrinin t’i flitnin njerëzisht. Ata u treguan mizorë dhe e shitën si skllav. Pastaj, mashtruan të atin duke e bërë të besonte se Jozefin e kishte vrarë një kafshë e egër.​—Zan. 37:4, 28, 31-33.

16, 17. Si tregoi Jozefi se ishte një vëlla paqedashës?

16 Jehovai e bekoi Jozefin. Kaloi koha dhe Jozefi u bë kryeministri i Egjiptit​—i dyti pas faraonit. Për shkak të një zie buke të rëndë vëllezërit e Jozefit shkuan në Egjipt, por ngaqë ai ishte me veshjen zyrtare egjiptiane ata nuk e njohën fare. (Zan. 42:5-7) Fare kollaj, Jozefi mund të hakmerrej për mizorinë që kishin treguar ndaj tij dhe të atit. Por, në vend të kësaj, Jozefi u përpoq të bënte paqe me ta. Kur u duk qartë se vëllezërit e tij ishin penduar, u dha të njohur dhe u tha: «Mos u hidhëroni dhe mos u zemëroni me veten ngaqë më shitët këtu, sepse Perëndia më dërgoi përpara jush për t’ju ruajtur jetën.» Pastaj i puthi gjithë vëllezërit e vet e qau me ta.​—Zan. 45:1, 5, 15.

17 Pas vdekjes së atit të tyre, Jakobit, vëllezërit e Jozefit kishin frikë se ai mund të hakmerrej. Kur i folën për këtë, ai «shpërtheu në lot» dhe u tha: «Mos kini frikë. Unë do të vazhdoj t’ju mbaj me bukë, ju dhe fëmijët tuaj.» Jozefi paqedashës «i ngushëlloi dhe u dha siguri».​—Zan. 50:15-21.

Shembuj «për mësimin tonë»

18, 19. (a) Si keni nxjerr dobi nga shembujt që shqyrtuam në këtë artikull? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në artikullin vijues?

18 Pavli pohoi: «Gjithçka që u shkrua kohë më parë, u shkrua për mësimin tonë, që, me anë të qëndrueshmërisë sonë dhe me anë të ngushëllimit nga Shkrimet, të kemi shpresë.» (Rom. 15:4) Çfarë kemi mësuar nga shembulli më i shkëlqyer, Jehovai, si dhe nga shembulli i Abrahamit, Isakut, Jakobit e Jozefit?

19 Nëse meditojmë me mirënjohje për atë që ka bërë Jehovai për të ndrequr marrëdhënien e prishur me njerëzimin mëkatar, do të bëjmë çmos që të ruajmë paqen me të tjerët. Shembulli i Abrahamit, Isakut, Jakobit e Jozefit tregon se prindërit mund të ndikojnë për mirë te fëmijët. Përveç kësaj, nga këto tregime shohim se Jehovai bekon ata që përpiqen të bëjnë paqe. Ja pse Pavli thotë për Jehovain se është «Perëndia që jep paqe». (Lexo Romakëve 15:33; 16:20.) Në artikullin vijues do të shqyrtojmë pse Pavli theksoi se duhet të përpiqemi për të ruajtur paqen dhe si mund të jemi paqebërës.

Çfarë mësuat?

• Si u përpoq të ruante paqen Jakobi para se të takonte Esaun?

• Si ka ndikuar te ju ajo çka bëri Jehovai që njerëzimi të jetë në paqe me të?

• Çfarë keni mësuar nga Abrahami, Isaku, Jakobi dhe Jozefi paqebërës?

[Pyetjet]

[Figurat në faqen 23]

Cili ishte veprimi më i rëndësishëm që bëri Jakobi për të bërë paqe me Esaun?