Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Le të përpiqemi të ruajmë paqen

Le të përpiqemi të ruajmë paqen

Le të përpiqemi të ruajmë paqen

«Le të ndjekim ato gjëra që i hapin rrugë paqes.»—ROM. 14:19.

1, 2. Pse Dëshmitarët e Jehovait gëzojnë paqe mes tyre?

NË BOTËN e sotme është e vështirë të gjesh paqe të vërtetë. Edhe njerëzit që i përkasin të njëjtit komb e që flasin të njëjtën gjuhë, shpesh janë të ndarë nga ana fetare, politike dhe shoqërore. Krejt ndryshe, populli i Jehovait është në unitet, ndonëse ata vijnë nga «të gjitha kombet, fiset, popujt dhe gjuhët».​—Zbul. 7:9.

2 Paqja që ekziston në përgjithësi mes nesh nuk është e rastësishme. Arsyeja kryesore pse kemi këtë paqe është se «gëzojmë paqe me Perëndinë» me anë të besimit te Biri i tij, gjaku i derdhur i të cilit na mbulon mëkatet. (Rom. 5:1; Efes. 1:7) Për më tepër, Perëndia i vërtetë u jep frymë të shenjtë shërbëtorëve të tij besnikë dhe në frytin e kësaj fryme përfshihet paqja. (Gal. 5:22) Një arsye tjetër pse kemi unitet dhe paqe është se ‘nuk jemi pjesë e botës’. (Gjoni 15:19) Ne nuk marrim anën e askujt në çështje politike, por qëndrojmë asnjanës. Ngaqë ‘i kemi farkëtuar shpatat duke i kthyer në plore’, nuk përfshihemi në luftëra civile ose ndërkombëtare.​—Isa. 2:4.

3. Çfarë bën të mundur paqja që mund të gëzojmë? Ç’do të shqyrtojmë në këtë artikull?

3 Paqja që mund të gëzojmë mes nesh nuk kufizohet vetëm duke mos i bërë keq njëri-tjetrit, por shkon edhe më tej. Megjithëse në kongregacionin e Dëshmitarëve të Jehovait të cilit i përkasim mund të ketë individë me prejardhje etnike dhe kultura të ndryshme, ne ‘e duam njëri-tjetrin’. (Gjoni 15:17) Falë paqes sonë, mund «të bëjmë atë që është e mirë ndaj të gjithëve, por sidomos ndaj atyre që janë të lidhur me ne në besim». (Gal. 6:10) Parajsa jonë frymore paqësore është diçka që duhet ta çmojmë dhe ta ruajmë. Prandaj, le të shqyrtojmë se si mund të përpiqemi të ruajmë paqen brenda kongregacionit.

Kur «pengohemi»

4. Ç’mund të bëjmë që të ruajmë paqen kur kemi fyer dikë?

4 «Të gjithë ne pengohemi shumë herë,—shkroi dishepulli Jakov.—Nëse dikush nuk pengohet në fjalë, është njeri i përsosur.» (Jak. 3:2) Pra, mes bashkëbesimtarëve do të lindin mosmarrëveshje dhe keqkuptime. (Filip. 4:2, 3) Sidoqoftë, problemet midis individëve mund të zgjidhen pa trazuar paqen e kongregacionit. Për shembull, të shqyrtojmë këshillën që duhet të zbatojmë kur kuptojmë se mund të kemi fyer dikë.​—Lexo Mateun 5:23, 24.

5. Si mund të përpiqemi të ruajmë paqen kur dikush ka bërë diçka kundër nesh?

5 Po sikur dikush të ketë bërë diçka të vogël kundër nesh? A duhet të presim të vijë e të na kërkojë falje? «[Dashuria] nuk e mban llogari të keqen»,—thuhet te 1 Korintasve 13:5. Kur na kanë fyer, përpiqemi ta ruajmë paqen duke falur e harruar, domethënë ‘duke mos e mbajtur llogari të keqen’. (Lexo Kolosianëve 3:13.) Shkeljet e vogla në jetën e përditshme kapërcehen më mirë në këtë mënyrë, sepse kjo ndihmon të kemi paqe me bashkadhuruesit dhe na jep edhe neve paqe mendore. Një proverb i mençur thotë: ‘Është gjë e bukur të kapërcejmë shkeljen.’​—Prov. 19:11.

6. Ç’duhet të bëjmë nëse e kemi tepër të vështirë t’i mbyllim sytë para një shkeljeje që është bërë kundër nesh?

6 Po sikur ta kemi tepër të vështirë t’i mbyllim sytë para një shkeljeje? Patjetër, nuk është gjë e mençur ta përhapim vesh më vesh këtë çështje. Një thashetheme e tillë vetëm sa prish paqen e kongregacionit. Ç’mund të bëjmë që ta zgjidhim çështjen paqësisht? Mateu 18:15 thotë: «Nëse vëllai yt kryen një mëkat, shko, flitni vetëm për vetëm dhe tregoji hapur ku ka gabuar. Në qoftë se të dëgjon, e fitove vëllanë tënd.» Edhe pse Mateu 18:15-17 zbatohet për mëkatet e rënda, me frymën e parimit që gjendet te vargu 15, duhet të flasim veçmas e me dashamirësi me atë që ka mëkatuar ndaj nesh dhe të përpiqemi të rivendosim paqen. *

7. Pse duhet të jemi të shpejtë për t’i ndrequr mosmarrëveshjet?

7 Apostulli Pavël shkroi: «Zemërohuni, por mos mëkatoni. Perëndimi i diellit të mos ju gjejë të acaruar, as mos i lini vend Djallit.» (Efes. 4:26, 27) Kurse Jezui tha: «Rregulloji shpejt punët me atë që ka ngritur padi kundër teje.» (Mat. 5:25) Kështu, që të ruajmë paqen, duhet t’i ndreqim shpejt mosmarrëveshjet. Pse? Sepse në këtë mënyrë gjendja nuk do të rëndohej gjithnjë e më shumë, siç do të ndodhte nëse një plagë e infektuar nuk do të mjekohej menjëherë. Të mos lejojmë që krenaria, smira ose rëndësia e tepruar që mund t’u japim gjërave materiale, të na pengojnë t’i zgjidhim mosmarrëveshjet sapo lindin.​—Jak. 4:1-6.

Kur një mosmarrëveshje përfshin shumë veta

8, 9. (a) Ç’pikëpamje të ndryshme ekzistonin në kongregacionin e shekullit të parë në Romë? (b) Cilën këshillë u dha Pavli të krishterëve në Romë lidhur me debatin e tyre?

8 Disa mosmarrëveshje në kongregacion nuk përfshijnë vetëm dy veta, por shumë. Kështu ndodhi me të krishterët në Romë, të cilëve apostulli Pavël u shkroi një letër të frymëzuar. Disa prej tyre ishin të krishterë judenj, kurse disa jojudenj. Me sa duket, disa në atë kongregacion i përçmonin ata që kishin ndërgjegje të dobët ose tepër strikte. Këta individë po i gjykonin në mënyrë të papërshtatshme të tjerët për çështje tërësisht personale. Ç’këshillë i dha Pavli kongregacionit?​—Rom. 14:1-6.

9 Pavli këshilloi të dyja palët. Ai u tha atyre që kishin një ndërgjegje më të fortë, të mos i përçmonin vëllezërit e tyre. (Rom. 14:2, 10) Ky qëndrim mund t’i pengonte besimtarët që ende e shihnin si të neveritshme ngrënien e gjërave të ndaluara nga Ligji. «Mos e shembni më veprën e Perëndisë, vetëm për hir të ushqimit,—i paralajmëroi Pavli.—Është mirë të mos hash mish, të mos pish verë a të mos bësh asgjë, për të cilën yt vëlla pengohet.» (Rom. 14:14, 15, 20, 21) Nga ana tjetër, Pavli i këshilloi të krishterët që kishin një ndërgjegje më strikte, të mos i gjykonin si jobesnikë ata me një pikëpamje më të gjerë. (Rom. 14:13) Ai i tha ‘gjithsecilit mes tyre të mos mendonte për veten më shumë nga sa duhej të mendonte’. (Rom. 12:3) Pasi këshilloi të dyja palët në këtë debat, Pavli shkroi: «Kështu, le të ndjekim ato gjëra që i hapin rrugë paqes dhe që ndërtojnë njëri-tjetrin.»​—Rom. 14:19.

10. Çfarë nevojitet që të ndreqim mosmarrëveshjet sot, ashtu si në kongregacionin e Romës në shekullin e parë?

10 Jemi të sigurt se kongregacioni i Romës reagoi mirë ndaj këshillës së Pavlit dhe bëri ndryshimet e nevojshme. Kur sot lindin mosmarrëveshje midis të bashkëkrishterëve, a nuk duhet po njësoj të ndreqen me hir, duke folur me përulësi dhe duke zbatuar këshillat biblike? Ashtu si në rastin e të krishterëve të Romës, të dyja palët në një mosmarrëveshje mund të kenë nevojë të bëjnë ndryshime që ‘të ruajnë paqen me njëri-tjetrin’.​—Mar. 9:50.

Kur dikush kërkon ndihmë

11. Ç’kujdes duhet të tregojë një plak nëse një i krishterë dëshiron të flasë me të për një mosmarrëveshje me një bashkëbesimtar?

11 Ç’duhet bërë nëse një i krishterë dëshiron të flasë me një plak për një problem që ka me një të afërm ose me një bashkëbesimtar? Proverbat 21:13 thotë: «Kush i mbyll veshët para britmës së ankimit të të varfërve, do të thërrasë edhe ai, por nuk do të marrë përgjigje.» Sigurisht, një plak ‘nuk do t’i mbyllte veshët’. Mirëpo një proverb tjetër paralajmëron: «Kush flet i pari në çështjen e vet ligjore, duket se ka të drejtë, derisa kundërshtari fillon ta marrë në pyetje.» (Prov. 18:17, New English Translation) Një plak duhet të dëgjojë me dashamirësi, por duhet të ketë kujdes të mos marrë anën e atij që raporton shkeljen. Pasi ta dëgjojë çështjen, mund ta pyesë nëse ka folur me atë që e lëndoi. Po ashtu, plaku mund të rishikojë me të hapat biblikë që mund të bëjë për të ruajtur paqen.

12. Përmend disa shembuj që tregojnë sa e rrezikshme është të veprosh nxitimthi pasi ke dëgjuar një ankesë.

12 Tre shembuj biblikë theksojnë sa e rrezikshme është kur veprojmë nxitimthi, pasi kemi dëgjuar vetëm njërën palë në një mosmarrëveshje. Potifari i besoi gruas kur tha se Jozefi ishte orvatur ta përdhunonte. I zemëruar pa të drejtë, Potifari urdhëroi që Jozefi të futej në burg. (Zan. 39:19, 20) Mbreti David e besoi Zibën kur ky i tha se zotëria i tij, Mefibosheti, kishte marrë anën e armiqve të Davidit. «Ja, çdo gjë që i përket Mefiboshetit është e jotja»,—u përgjigj nxitimthi Davidi. (2 Sam. 16:4; 19:25-27) Mbretit Artakserks i thanë se judenjtë po rindërtonin muret e Jerusalemit dhe donin të rebeloheshin kundër Perandorisë Perse. Mbreti e besoi këtë raport të rremë dhe urdhëroi të ndalej gjithë puna e rindërtimit në Jerusalem. Si pasojë, judenjtë ndalën punën në tempullin e Perëndisë. (Ezd. 4:11-13, 23, 24) Pleqtë e krishterë ndjekin me mençuri këshillën që Pavli i dha Timoteut për të shmangur gjykimet e parakohshme.​—Lexo 1 Timoteut 5:21.

13, 14. (a) Çfarë nuk duhet të harrojmë kur ka mosmarrëveshje midis dy vetave? (b) Çfarë mund t’i ndihmojë pleqtë të gjykojnë drejt?

13 Edhe kur duket sikur është hedhur dritë mbi të dyja anët e një mosmarrëveshjeje, është e rëndësishme të kuptojmë që «nëse dikush mendon se ka fituar njohuri për diçka, ai akoma nuk e njeh ashtu siç duhet ta njohë». (1 Kor. 8:2) A i dimë vërtet të gjitha hollësitë që çuan në atë mosmarrëveshje? A dimë gjithçka rreth individëve të përfshirë? Sa jetësore është që pleqtë të mos mashtrohen nga gënjeshtrat, taktikat dinake ose thashethemet kur duhet të gjykojnë! Gjykatësi i emëruar nga Perëndia, Jezu Krishti, gjykon drejt. Ai nuk ‘gjykon nga ajo që i shohin sytë dhe as qorton vetëm sipas fjalëve që i kanë rënë në vesh’. (Isa. 11:3, 4) Përkundrazi, Jezui udhëhiqet nga fryma e Jehovait. Po kështu, pleqtë e krishterë duhet të udhëhiqen nga fryma e shenjtë e Perëndisë.

14 Para se të gjykojnë çështje që lidhen me bashkëbesimtarët, pleqtë kanë nevojë të luten për ndihmën e frymës së Jehovait e të mbështeten tek udhëheqja e saj duke u konsultuar me Fjalën e Perëndisë dhe me botimet e skllavit të besueshëm e të matur.​—Mat. 24:45.

Paqe me çdo kusht?

15. Kur duhet t’ua tregojmë pleqve një mëkat të rëndë për të cilin jemi në dijeni?

15 Si të krishterë nxitemi të ruajmë paqen me të tjerët. Megjithatë, Bibla thotë edhe: «Mençuria nga lart është para së gjithash e dëlirë, pastaj paqësore.» (Jak. 3:17) Kështu, para së gjithash duhet të jemi të dëlirë, domethënë të mbështetim standardet e pastra morale të Perëndisë dhe të plotësojmë kërkesat e tij të drejta. Në qoftë se një i krishterë është në dijeni të një mëkati të rëndë që ka kryer një bashkëbesimtar, duhet ta nxitë t’ua rrëfejë mëkatin pleqve. (1 Kor. 6:9, 10; Jak. 5:14-16) Nëse keqbërësi nuk e rrëfen mëkatin, i krishteri që është në dijeni, duhet t’ua tregojë pleqve. Në rast se nuk e bën këtë, ngaqë dëshiron të ruajë paqen me mëkatarin, po mëkaton edhe vetë.​—Lev. 5:1; lexo Proverbat 29:24.

16. Ç’mund të mësojmë nga veprimi që ndërmori Jehu kundër mbretit Jehoram?

16 Një tregim për Jehun thekson se është më e rëndësishme të bëjmë atë çka është e drejtë, sesa të ruajmë paqen me dikë që praktikon mëkatin. Perëndia e dërgoi Jehun të ekzekutonte gjykimin e Tij mbi shtëpinë e mbretit Akab. Mbreti i lig Jehoram, biri i Akabit dhe Jezebelës, u nis me karrocën e vet që t’i dilte përpara Jehut dhe e pyeti: «A vjen në paqe, Jehu?» Ky ia ktheu: «Ç’paqe mund të ketë përderisa vazhdojnë kurvëritë e Jezebelës, nënës sate, dhe shtrigëritë e saj të shumta?» (2 Mbret. 9:22) Menjëherë Jehu tendosi harkun dhe e shpoi tejpërtej në zemër Jehoramin. Ashtu si Jehu ndërmori një veprim, edhe pleqtë nuk duhet të bëjnë kompromis me ata që praktikojnë me vullnet e pa u penduar mëkatin, vetëm e vetëm që të ruajnë paqen. Pleqtë i përjashtojnë mëkatarët e papenduar që kongregacioni të vazhdojë të gëzojë paqe me Perëndinë.​—1 Kor. 5:1, 2, 11-13.

17. Ç’rol luajnë të gjithë të krishterët që të ruajnë paqen?

17 Shumica e mosmarrëveshjeve midis vëllezërve nuk kanë të bëjnë me keqbërje të rënda që kërkojnë veprim gjyqësor. Prandaj, sa mirë është që me dashuri t’i mbulojmë gabimet e të tjerëve. Fjala e Perëndisë thotë: «Kush e mbulon shkeljen, kërkon dashuri, dhe kush vazhdon të flasë për një çështje, ndan shokët e ngushtë.» (Prov. 17:9) Nëse veprojmë sipas këtyre fjalëve, do të ruajmë paqen në kongregacion dhe një marrëdhënie të mirë me Jehovain.​—Mat. 6:14, 15.

Perëndia bekon ata që ruajnë paqen

18, 19. Si na bekon Jehovai kur përpiqemi të ruajmë paqen?

18 Kur ndjekim «ato gjëra që i hapin rrugë paqes», Perëndia na bekon me bollëk. Gëzojmë një marrëdhënie të ngushtë me Jehovain dhe ndihmojmë që të ruhet uniteti i kongregacionit. Kur ruajmë paqen brenda kongregacionit, mësojmë edhe se si të ruajmë paqen me njerëzit që u predikojmë ‘lajmin e mirë të paqes’. (Efes. 6:15) Jemi më të përgatitur për të qenë ‘të ëmbël me të gjithë dhe ta frenojmë veten kur të jemi nën të ligën’.​—2 Tim. 2:24.

19 Të mos harrojmë gjithashtu se në të ardhmen «do të ringjallen si të drejtët, edhe të padrejtët». (Vep. 24:15) Kur kjo shpresë të realizohet këtu në tokë, miliona veta me prejardhje, temperamente dhe personalitete të ndryshme, do të vijnë në jetë​—nga periudha kohore të ndryshme, madje «që nga themelimi i botës». (Luka 11:50, 51) Do të jetë vërtet një privilegj i madh që t’u mësojmë të ringjallurve ta duan paqen. Ç’ndihmë e jashtëzakonshme do të jetë për ne në atë kohë stërvitja që marrim tani si paqebërës!

[Shënimet]

^ par. 6 Për të marrë drejtim nga Shkrimet se si të trajtojmë mëkate të rënda të tilla, si shpifja dhe mashtrimi, shih Kullën e Rojës të 15 tetorit 1999, faqet 17-22.

Çfarë mësuat?

• Si mund të ruajmë paqen nëse kemi fyer dikë?

• Ç’duhet të bëjmë për të ruajtur paqen kur dikush ka bërë diçka kundër nesh?

• Pse nuk është e mençur të marrim anën e ndonjë pale në mosmarrëveshjet e të tjerëve?

• Shpjegoni pse nuk duhet të ruajmë paqen me çdo kusht.

[Pyetjet]

[Figurat në faqen 29]

Jehovai i do ata që falin lirisht të tjerët