Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

A mund të thuhet me saktësi sa profeci mesianike ka në Shkrimet Hebraike?

Nga një studim i kujdesshëm i Shkrimeve Hebraike mund të zbulojmë dhjetëra profeci që u përmbushën te Jezu Krishti. Këto profeci parathoshin hollësi për prejardhjen e Mesisë, kohën e shfaqjes së tij, çfarë do të bënte, mënyrën si do ta trajtonin dhe rolin që i kishte caktuar Perëndia Jehova. Ato ndërthuren dhe formojnë një tablo madhështore që na ndihmon ta identifikojmë Jezuin si Mesia. Megjithatë, duhet të tregojmë kujdes nëse përpiqemi të përcaktojmë me saktësi sa profeci mesianike gjenden në Shkrimet Hebraike.

Jo të gjithë janë dakord se cila është profeci mesianike dhe cila nuk është. Në librin Jeta dhe epoka e Jezu Mesisë (angl.), Alfred Edërshajmi tha se shkrimet rabinike klasifikonin si mesianike 456 fragmente nga Shkrimet Hebraike, ndonëse në shumicën e tyre nuk përmendet specifikisht Mesia. Kur i shohim nga afër këto 456 fragmente, lindin pyetje nëse disa prej tyre janë apo jo profeci për Jezu Krishtin. Për shembull, Edërshajmi tha se judenjtë e konsideronin Zanafillën 8:11 si profeci mesianike. Ata mendonin se «gjethja e ullirit që solli pëllumbi ishte marrë nga mali i Mesisë». Po ashtu, autori përmendi Daljen 12:42. Ai shpjegoi se judenjtë e kuptonin gabim këtë tekst: «Ashtu si Moisiu doli nga shkretëtira, po kështu Mesia do të dilte nga Roma.» Pa dyshim, shumë studiues dhe të tjerë do ta kishin të vështirë t’i lidhnin me Jezu Krishtin këto dy shkrime dhe shpjegimet e gabuara.

Edhe nëse përqendrohemi vetëm tek ato profeci që u përmbushën vërtet te Jezu Krishti, e kemi të vështirë të biem dakord se cili është numri i tyre i saktë. Të marrim, për shembull, kapitullin e 53-të të Isaisë që përmban disa aspekte profetike për Mesinë. Isaia 53:2-7 profetizon: «Nuk do të ketë . . . paraqitje madhështore. . . . Njerëzit e përbuzën dhe e mënjanuan. . . . Ai mori mbi vete sëmundjet tona. . . . Atë e shpuan për shkeljet tona. . . . Po e çonin si delen në thertore.» A duhet konsideruar i tërë ky fragment te kapitulli i 53-të i Isaisë si një profeci e vetme mesianike apo secila nga këto karakteristika të Mesisë duhet parë si profeci më vete?

Të shqyrtojmë edhe Isainë 11:1, që thotë: «Nga cungu i Jeseut do të dalë një degëz dhe nga rrënjët e tij një filiz që do të jetë i frytshëm.» Kjo profeci del përsëri te vargu 10 me një formulim të ngjashëm. A duhet t’i konsiderojmë këto dy vargje si dy profeci më vete apo si një profeci që përsëritet? Përfundimet e nxjerra nga kapitulli i 53-të dhe i 11-të i Isaisë do të ndikonin dukshëm te numri i përgjithshëm i profecive mesianike.

Si përfundim, nuk mund të themi në mënyrë specifike se sa është numri i përgjithshëm i profecive mesianike në Shkrimet Hebraike. Organizata e Jehovait ka botuar lista që tregojnë dhjetëra profeci për Jezuin dhe përmbushjen e tyre. * Mund ta përdorim këtë informacion gjatë studimit personal e familjar, si dhe në shërbim. Ky informacion mund të na forcojë besimin se ajo që thotë Jehovai del gjithmonë e vërtetë. Për më tepër, profecitë e shumta mesianike, sado qofshin, na japin prova të forta se Jezui është Krishti ose Mesia.

[Shënimi]

^ par. 7 Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet (angl.), vëllimi 1, faqja 1223, vëllimi 2, faqja 387; «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm», faqet 343-344; Çfarë mëson vërtet Bibla?, faqja 200.