Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Si duhet t’i kuptojmë shifrat që jepen në raportin vjetor të shërbimit?

Çdo vit, mezi presim raportin e shërbimit që botohet në Librin vjetor. Emocionohemi kur shohim atë që ka arritur si grup populli i Jehovait në mbarë botën në veprën e predikimit të Mbretërisë dhe të mësimdhënies. Por, që të nxjerrim sa më shumë dobi nga ky raport, duhet të kuptojmë mirë treguesit në krye të kolonave dhe të kemi një pikëpamje të ekuilibruar për shifrat. Të shqyrtojmë disa shembuj:

Viti i shërbimit. Ky fillon në shtatorin e njërit vit dhe mbaron në gushtin e vitit pasues. Libri vjetor përmban raportin e vitit të mëparshëm të shërbimit. Kështu, Libri vjetor 2011 përmban raportin e vitit të shërbimit 2010, i cili fillon më 1 shtator 2009 dhe mbaron më 31 gusht 2010.

Maksimumi dhe mesatarja e lajmëtarëve. Fjala «lajmëtarë» u referohet Dëshmitarëve të Jehovait të pagëzuar, si edhe atyre të papagëzuar që kualifikohen si predikues të Mbretërisë. «Maksimumi i lajmëtarëve» tregon numrin më të lartë të lajmëtarëve që kanë raportuar në një nga muajt e atij viti shërbimi. Mund të përfshijë raporte të vonuara që nuk u llogaritën në raportin e muajit të mëparshëm. Për këtë arsye, disa lajmëtarë mund të numërohen dy herë. Megjithatë, maksimumi i lajmëtarëve nuk përfshin lajmëtarët që morën pjesë faktikisht në shërbim, por që harruan të dorëzonin raportin në kohë. Kjo thekson sa e rëndësishme është që çdo lajmëtar të raportojë menjëherë çdo muaj. «Mesatarja e lajmëtarëve» është totali i raporteve për të gjithë muajt, pjesëtuar për 12.

Gjithsej orë. Sipas Librit vjetor 2011, Dëshmitarët e Jehovait kaluan mbi 1,6 miliardë orë në shërbim. Por, kjo shifër nuk tregon të gjitha orët që kalojmë në adhurimin tonë, sepse nuk përfshin kohën që u kushtojmë rregullisht veprimtarive të tilla, si veprës baritore, mbledhjeve, studimit personal të Biblës dhe meditimit.

Shpenzimet. Gjatë vitit të shërbimit 2010, Dëshmitarët e Jehovait harxhuan mbi 155 milionë dollarë për t’u kujdesur për pionierët specialë, misionarët dhe mbikëqyrësit udhëtues në caktimet e tyre të shërbimit. Sidoqoftë, në këtë shifër nuk përfshihet kostoja e botimeve biblike që shtypim dhe as paratë e harxhuara për më shumë se 20.000 vullnetarët bethelitë që shërbejnë në godinat e degëve përreth botës.

Marrësit e simboleve në Përkujtim. Ky është numri i individëve të pagëzuar që marrin simbolet në Përkujtim në mbarë botën. A tregon kjo shifër numrin e të mirosurve në tokë? Jo medoemos. Për disa arsye​—ku përfshihen bindje fetare të së kaluarës ose çrregullime mendore a emocionale—​disa mund të mendojnë gabimisht se kanë thirrjen qiellore. Prandaj, nuk ka ndonjë mënyrë se si të dimë numrin e saktë të të mirosurve në tokë dhe as kemi nevojë ta dimë. Trupi Udhëheqës nuk mban një listë me emrat e të gjithë atyre që marrin simbolet në Përkujtim. *

Ajo që dimë është se, kur të lëshohen erërat shkatërrimtare të shtrëngimit të madh, në tokë do të ketë disa ‘skllevër të mirosur të Perëndisë tonë’. (Zbul. 7:1-3) Deri atëherë, të mirosurit do të jenë në krye të asaj që dokumentohet më së miri në raportin vjetor të shërbimit​—veprës më të madhe të predikimit dhe të mësimdhënies në histori.

[Shënimi]

^ par. 8 Shih artikullin «Kujdestari i besueshëm dhe Trupi i tij Udhëheqës», te Kulla e Rojës 15 qershor 2009, faqja 24.