Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A mund të jeni si Finehasi kur hasni sfida?

A mund të jeni si Finehasi kur hasni sfida?

A mund të jeni si Finehasi kur hasni sfida?

SA PRIVILEGJ i çmuar është të shërbesh si plak kongregacioni! Megjithatë, Fjala e Perëndisë e pranon se pleqtë hasin sfida. Disa herë, atyre u duhet të trajtojnë raste keqbërjesh në të cilat ‘gjykojnë për Jehovain’. (2 Kron. 19:6) Herë të tjera, një mbikëqyrës mund të marrë një caktim për të cilin ndihet i papërgatitur, si Moisiu, që me butësi pyeti për një caktim: «Po kush jam unë, që të shkoj te faraoni?!»​—Dal. 3:11.

Shkrimet, të cilat janë shkruar nën ndikimin e po asaj force aktive që emëron pleqtë, japin shembuj të gjallë të mbikëqyrësve që i përballuan me sukses sprovat. Finehasi ishte i biri i Eleazarit dhe nipi i Aaronit, prandaj do të bëhej kryeprift. Tri ngjarje në jetën e tij theksojnë sa e nevojshme është që pleqtë e sotëm t’i përballojnë sfidat me guxim, gjykim të thellë dhe duke u mbështetur te Jehovai.

Ai «u ngrit menjëherë»

Finehasi ishte djalë i ri kur izraelitët kishin fushuar në Rrafshinat e Moabit. Bibla raporton: «Populli filloi të kurvërohej me bijat e Moabit. . . . Dhe ai nisi të hante e të përkulej para . . . perëndive [të tyre].» (Num. 25:1, 2) Jehovai i goditi keqbërësit me një plagë vdekjeprurëse. A e përfytyroni dot si mund të ketë ndikuar te Finehasi kjo keqbërje dhe plaga që erdhi si pasojë?

Tregimi vazhdon: «Një burrë nga bijtë e Izraelit erdhi dhe para syve të Moisiut e para syve të tërë asamblesë së bijve të Izraelit, solli një midianite te vëllezërit e tij, ndërsa ata qanin në hyrje të tendës së takimit.» (Num. 25:6) Ç’do të bënte prifti Finehas? Ai ishte pak a shumë i ri, kurse izraeliti keqbërës ishte prijës i popullit që merrte drejtimin në adhurim.​—Num. 25:14.

Megjithatë, Finehasi i frikësohej Jehovait dhe jo njerëzve. Kur i pa ata të dy, menjëherë mori një heshtë në dorë, hyri në tendë pas burrit dhe i shpoi tejpërtej. Si e konsideroi Jehovai guximin dhe vendosmërinë e Finehasit? Jehovai i dha fund menjëherë plagës dhe e shpërbleu Finehasin duke lidhur me të një besëlidhje, sipas së cilës priftëria do t’i mbetej pasardhjes së tij «brez pas brezi».​—Num. 25:7-13.

Natyrisht, sot pleqtë e krishterë nuk përdorin dhunën. Por, ashtu si Finehasi, ata duhet të jenë gati që të veprojnë me vendosmëri dhe guxim. Për shembull, Gilierme kishte pak muaj që po shërbente si plak, kur i kërkuan të merrte pjesë në një komitet gjyqësor. Në atë rast keqbërjeje ishte përfshirë një plak që e kishte ndihmuar Giliermen kur ishte më i ri. Ai thotë: «Ndihesha në siklet në atë pozicion. Mezi më zinte gjumi natën. Vrisja mendjen se si ta trajtoja rastin pa lejuar që emocionet të më mjegullonin pikëpamjen frymore. U luta për ditë të tëra dhe bëra kërkime në botimet biblike.» Kjo e ndihmoi të gjente guximin e nevojshëm për atë situatë të veçantë dhe të ndihmonte frymësisht vëllanë e tij që kishte gabuar.​—1 Tim. 4:11, 12.

Duke vepruar me guxim dhe vendosmëri kur këtë e kërkojnë situatat që lindin në kongregacion, pleqtë bëhen shembuj besimi dhe besnikërie. Sigurisht, edhe të krishterët e tjerë duhet të veprojnë me guxim e të raportojnë keqbërjet serioze për të cilat mund të vihen në dijeni. Po ashtu, kërkohet besnikëri për të ndërprerë shoqërimin me një mik ose të afërm të përjashtuar.​—1 Kor. 5:11-13.

Gjykimi i thellë shmang një situatë kritike

Guximi i Finehasit nuk ishte thjesht impuls djaloshar. Vini re si tregoi ai gjykim të thellë​—urtësi dhe maturi në veprime—​kur i ra në vesh diçka tjetër. Fisi i Rubenit, i Gadit dhe gjysma e fisit të Manaseut ndërtuan një altar pranë lumit Jordan. Izraelitët e tjerë nxorën përfundimin se e kishin ndërtuar për adhurimin e rremë dhe u mobilizuan për luftë.​—Jos. 22:11, 12.

Si reagoi Finehasi? Bashkë me prijësit izraelitë, ai e diskutoi çështjen me urtësi me ata që kishin ndërtuar altarin. Fiset e akuzuara ua sqaruan situatën, duke shpjeguar se në të vërtetë ishte një monument që provonte besnikërinë e tyre ndaj ‘shërbimit të Jehovait’. Kështu, u shmang një situatë kritike.​—Jos. 22:13-34.

Kur një i krishterë dëgjon ndonjë akuzë apo fjalë jo të mira për ndonjë shërbëtor tjetër të Jehovait, sa e mençur do të ishte të imitonte Finehasin! Gjykimi i thellë na frenon që të mos fyhemi nga fjalët e të tjerëve ose të mos nxjerrim komente të pakëndshme për vëllezërit tanë.​—Prov. 19:11.

Si mund t’i ndihmojë gjykimi i thellë pleqtë që të veprojnë si Finehasi? Háime, që shërben si plak prej më shumë se dhjetë vjetësh, vëren: «Kur një lajmëtar nis të flasë për ndonjë mosmarrëveshje personale që ka me dikë tjetër, me të shpejtë i kërkoj Jehovait të më ndihmojë të mos bëhem palë me asnjë, por të jap drejtim nga Shkrimet. Njëherë, një motër m’u afrua të më fliste për një problem personal lidhur me mënyrën si e kishte trajtuar një vëlla me përgjegjësi në një kongregacion tjetër. Meqë vëllanë e kisha mik, do të kishte qenë e lehtë të flisja me të. Megjithatë, bashkë me motrën arsyetuam rreth disa parimeve biblike. Ajo ra dakord që së pari të fliste vetë me vëllanë. (Mat. 5:23, 24) Paqja nuk u vendos menjëherë. Prandaj, e nxita të shqyrtonte disa parime të tjera biblike. Ajo vendosi të lutej përsëri rreth situatës dhe të përpiqej ta falte vëllanë.»

Cili ishte rezultati? Háime kujton: «Disa muaj më vonë, motra më takoi. Më shpjegoi se pas disa kohësh vëllai i shprehu keqardhjen për fjalët që i kishte thënë. Lanë takim që të dilnin bashkë në shërbim dhe vëllai i tha sa e vlerësonte. Çështja u zgjidh. Pa dyshim, nuk do të kisha arritur një rezultat më të mirë sikur të isha përfshirë pa vend në atë mosmarrëveshje, duke dhënë përshtypjen se isha i anshëm.» Bibla këshillon: «Mos dil me ngut për të ngritur një çështje ligjore.» (Prov. 25:8) Pleqtë me gjykim të thellë, i inkurajojnë me mençuri të krishterët që kanë probleme mes tyre, të zbatojnë parimet e Shkrimeve që të nxitin e të arrijnë paqen.

Kërkoi Jehovain

Finehasi kishte privilegjin të shërbente si prift për popullin e zgjedhur të Perëndisë. Siç e kemi vërejtur, ai kishte guxim të jashtëzakonshëm dhe gjykim të thellë edhe në moshë pak a shumë të re. Gjithsesi, ai arrinte t’i përballonte me sukses sfidat vetëm ngaqë kishte besim te Jehovai.

Pas një ngjarjeje tragjike, kur burrat e Gibeahut, nga fisi i Beniaminit, përdhunuan dhe vranë konkubinën e një leviti, fiset e tjera u përgatitën të luftonin kundër beniaminitëve. (Gjyk. 20:1-11) Para se të nisnin luftën, ata iu lutën Jehovait për ndihmë, por dy herë u mundën dhe pësuan humbje të mëdha. (Gjyk. 20:14-25) A duhej të mendonin se lutjet e tyre nuk kishin pasur efekt? A i interesonte vërtet Jehovait që ata po reagonin ndaj së keqes që ishte bërë?

Me besim të palëkundur, Finehasi, që tanimë ishte kryeprifti i Izraelit, doli përsëri në ballë. Ai u lut: «Të dal sërish në betejë kundër bijve të Beniaminit, vëllait tim, apo të heq dorë?» Jehovai iu përgjigj duke ua dhënë në dorë beniaminitët, kurse Gibeahun e bënë shkrumb e hi.​—Gjyk. 20:27-48.

Ç’mësim mund të nxjerrim? Disa probleme në kongregacion vazhdojnë pavarësisht nga përpjekjet e zellshme dhe lutjet e pleqve për ndihmën e Perëndisë. Në raste të tilla, pleqtë bëjnë mirë të kujtojnë fjalët e Jezuit: «Vazhdoni të kërkoni [ose, të luteni] dhe do t’ju jepet, vazhdoni të kërkoni dhe do të gjeni, vazhdoni të trokitni dhe do t’ju hapet.» (Luka 11:9) Edhe sikur të duket se përgjigjja për ndonjë lutje po vonon, mbikëqyrësit mund të jenë të sigurt se Jehovai do të përgjigjet kur të jetë koha e duhur për Të.

Për shembull, një kongregacion në Irlandë kishte nevojë të ngutshme për një Sallë Mbretërie, mirëpo nëpunësi lokal i urbanistikës nuk i kishte me sy të mirë. Ai i hodhi poshtë të gjitha propozimet për vendin ku vëllezërit shpresonin të ndërtonin. Dukej se autoriteti i vetëm që mund të miratonte propozimet, ishte shefi i urbanistikës për gjithë kontenë. A do të bënin punë lutjet, si në kohën e Finehasit?

Një nga pleqtë tregon: «Pas shumë lutjesh e përgjërimesh, shkuam në zyrën qendrore të urbanistikës. Më thanë se ndoshta do të kalonin javë para se të takoheshim me shefin. Mirëpo, arritëm ta takonim për pesë minuta. Pasi pa projektet e ribëra, ai na dha menjëherë leje të vazhdonim dhe që prej asaj kohe nëpunësi lokal u bë copë për të na ndihmuar. Ajo përvojë na përforcoi edhe një herë sa fuqi ka lutja.» Po, Jehovai do t’u përgjigjet lutjeve të sinqerta të pleqve që mbështeten tek ai.

Finehasi mbante një përgjegjësi të madhe në Izraelin e lashtë; megjithatë, me guxim, gjykim të thellë e besim te Perëndia, arriti t’i përballonte me sukses sfidat. Meraku i pareshtur i Finehasit për kongregacionin e Perëndisë, gjeti miratimin e Jehovait. Rreth 1000 vjet më vonë, Ezdra shkroi i frymëzuar: «Prijës i tyre në të kaluarën kishte qenë Finehasi, biri i Eleazarit. Jehovai ishte me të.» (1 Kron. 9:20) Qoftë kjo e vërtetë për të gjithë ata që sot marrin drejtimin mes popullit të Perëndisë, madje, për të gjithë të krishterët që i shërbejnë atij me besnikëri!