Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Beso te Jehovai, «Perëndia i çdo ngushëllimi»

Beso te Jehovai, «Perëndia i çdo ngushëllimi»

Beso te Jehovai, «Perëndia i çdo ngushëllimi»

«I bekuar qoftë Perëndia dhe Ati i Zotërisë tonë Jezu Krisht, Ati i mëshirave të buta dhe Perëndia i çdo ngushëllimi.»​—2 KOR. 1:3.

1. Për çfarë kanë nevojë njerëzit pavarësisht nga mosha?

QË KUR jemi fëmijë kemi nevojë për ngushëllim. Një fëmijë shkon te prindërit kur ka nevojë për ngushëllim. Ndoshta është frikësuar nga një ëndërr ose nga diçka që i ka ndodhur. Edhe kur jemi më të rritur, shpesh ndiejmë nevojën që të na ngushëllojnë, sidomos kur jemi duke kaluar situata të vështira.

2. Ç’siguri jep Jehovai se do t’i ngushëllojë ata që kanë besim tek ai?

2 Familjarët dhe miqtë shpesh mund të na ngushëllojnë deri në njëfarë mase. Por disa herë kushtet që na shkaktojnë dëshpërim, nuk mund të ndreqen nga njerëzit. Vetëm Perëndia është në gjendje të na ngushëllojë pavarësisht se sa dëshpëruese mund të jetë situata jonë. Fjala e tij na siguron: «Jehovai u rri pranë tërë atyre që e thërrasin. . . . [Ai] do t’i dëgjojë kur ta thërrasin për ndihmë.» (Psal. 145:18, 19) Po, «Jehovai i kthen sytë nga të drejtët, dhe veshët nga thirrja e tyre për ndihmë». (Psal. 34:15) Megjithatë, nëse duam që Perëndia të na mbështetë dhe të na ngushëllojë, duhet të kemi besim tek ai. Psalmisti David e bëri të qartë këtë kur këndoi: «Jehovai do të jetë një kala e sigurt për këdo që është i shtypur, një kala e sigurt në kohë vuajtjesh. Ata që e njohin emrin tënd, do të kenë besim te ti, sepse ti, o Jehova, nuk do t’i braktisësh ata që të kërkojnë.»​—Psal. 9:9, 10.

3. Si e ilustroi Jezui dashurinë e Jehovait për popullin e Tij?

3 Adhuruesit e Jehovait janë të çmuar për të. Jezui e bëri të qartë këtë kur tha: «A nuk shiten pesë harabela për dy qindarka? E megjithatë asnjë nga ata nuk harrohet përpara Perëndisë. Megjithatë, edhe fijet e flokëve tuaj janë të gjitha të numëruara. Mos kini frikë, ju vleni më tepër se shumë harabela.» (Luka 12:6, 7) Nëpërmjet profetit Jeremia, Jehovai i tha popullit të tij, Izraelit: «Të kam dashur me një dashuri të përjetshme. Prandaj të kam tërhequr me dashamirësi.»​—Jer. 31:3.

4. Pse mund të kemi besim te premtimet e Jehovait?

4 Besimi te Jehovai dhe te plotësimi i premtimeve të tij mund të na ngushëllojë në kohë vuajtjesh. Prandaj, duhet të kemi të njëjtin besim te Perëndia si ai që tregoi Josiu, i cili tha: «Nuk mbeti pa u plotësuar as edhe një fjalë nga të gjitha të mirat që ju tha Jehovai, Perëndia juaj. Të gjitha dolën të vërteta. Asnjë nuk mbeti pa u plotësuar.» (Jos. 23:14) Për më tepër, mund të jemi të sigurt që, edhe sikur të jemi përkohësisht të shtypur nga situata sprovuese, «Perëndia është i besueshëm» dhe kurrë nuk do t’i braktisë shërbëtorët e tij besnikë.​—Lexo 1 Korintasve 10:13.

5. Si jemi në gjendje t’i ngushëllojmë të tjerët?

5 Apostulli Pavël e quan Jehovain «Perëndia i çdo ngushëllimi». «Të ngushëllosh» do të thotë të qetësosh dikë që po vuan ose që është i brengosur. Kjo bëhet duke ia lehtësuar vuajtjen ose hidhërimin dhe duke i dhënë zemër. Patjetër Jehovai e bën këtë. (Lexo 2 Korintasve 1:3, 4.) Ati ynë qiellor nuk kufizohet nga asgjë ose askush, prandaj ka në dispozicion çfarëdo mjeti të nevojshëm për të ngushëlluar ata që e duan. Si rrjedhim, ne jemi në gjendje të ngushëllojmë bashkëbesimtarët që janë «në ndonjë lloj shtrëngimi». Mund ta bëjmë këtë «me anë të ngushëllimit me të cilin ne vetë po ngushëllohemi nga Perëndia». Sa mirë e shprehin fjalët e Pavlit drejtuar korintasve aftësinë e pakrahasueshme të Jehovait për të ngushëlluar të dëshpëruarit!

Të përballojmë shkaqet e dëshpërimit

6. Jepni shembuj të gjërave që mund të na shkaktojnë dëshpërim.

6 Kemi nevojë për ngushëllim në shumë situata të jetës. Një nga shkaqet më të mëdha të hidhërimit është humbja e një njeriu të dashur, sidomos e bashkëshortit ose e një fëmije. Gjithashtu, dikush mund të ketë nevojë për ngushëllim ngaqë është viktimë e diskriminimit ose e paragjykimit. Dikush tjetër mund të ketë nevojë për ngushëllim ose për inkurajim për shkak të shëndetit të dobët, moshës së thyer, varfërisë, problemeve martesore ose kushteve të vështira të botës.

7. (a) Ç’lloj ngushëllimi nevojitet në situata dëshpëruese? (b) Ç’mund të bëjë Jehovai që të shërojë një zemër ‘të vrarë dhe të dërrmuar’?

7 Kur jemi të dëshpëruar, mund të kemi nevojë për ngushëllimin që na qetëson zemrën, mendjen e ndjenjat dhe ndikon për mirë në shëndetin tonë fizik e frymor. Për shembull, të flasim për zemrën. Fjala e Perëndisë pranon se zemra jonë mund të jetë ‘e vrarë dhe e dërrmuar’. (Psal. 51:17) Sigurisht, Jehovai është në gjendje ta trajtojë siç duhet këtë situatë, sepse «ai shëron zemërvrarët dhe lidh plagët e tyre të dhembshme». (Psal. 147:3) Edhe në situata të rënda, Perëndia mund t’i sjellë lehtësim zemrës sonë të vrarë, nëse i lutemi me besim të plotë dhe zbatojmë urdhërimet e tij.​—Lexo 1 Gjonit 3:19-22; 5:14, 15.

8. Si mund të na ndihmojë Jehovai kur kemi stres të madh mendor?

8 Shpesh mendja jonë ka nevojë për ngushëllim ngaqë sprovat e ndryshme mund të na shkaktojnë stres të madh mendor. Ndoshta nuk jemi në gjendje t’i përballojmë këto sprova besimi vetëm me forcën tonë. Gjithsesi, psalmisti këndoi: «Kur pata përbrenda shumë mendime turbulluese, ngushëllimet e tua nisën të ma ledhatonin shpirtin.» (Psal. 94:19) Për më tepër, Pavli shkroi: «Mos jini në ankth për asgjë, por për çdo gjë, bëjani të njohura Perëndisë kërkesat tuaja me lutje, përgjërime dhe falënderime. Kështu paqja e Perëndisë, që kapërcen çdo mendim, do të ruajë zemrën dhe fuqitë tuaja mendore me anë të Krishtit Jezu.» (Filip. 4:6, 7) Leximi dhe meditimi rreth Shkrimeve mund të na ndihmojnë shumë që të përballojmë stresin mendor.​—2 Tim. 3:15-17.

9. Si mund t’i përballojmë ndjenjat negative?

9 Ndonjëherë mund të shkurajohemi aq shumë sa të rrezikojmë të biem pre e pasojave të ndjenjave negative. Mbase mendojmë se nuk jemi të aftë për një përgjegjësi biblike ose privilegj shërbimi. Edhe në këtë rast, Jehovai mund të na ngushëllojë e të na ndihmojë. Ta ilustrojmë me një shembull: kur Josiu u caktua të udhëhiqte izraelitët kundër kombeve të fuqishme armike, Moisiu i tha popullit: ‘Ji i fortë dhe guximtar. Mos ki frikë e mos u trondit para tyre, se me ty po vjen Jehovai, Perëndia yt. Ai nuk do të të lërë, as nuk do të të braktisë kurrsesi.’ (Ligj. 31:6) Me mbështetjen e Jehovait, Josiu mundi ta çonte popullin e Perëndisë në Tokën e Premtuar dhe të mposhtte tërë armiqtë. Më parë në Detin e Kuq, Moisiu kishte përjetuar në mënyrë të ngjashme mbështetjen hyjnore.​—Dal. 14:13, 14, 29-31.

10. Ç’ndihmë mund të marrim nëse shëndeti ynë fizik ndikohet nga shqetësimet që kemi?

10 Ngjarjet shqetësuese mund të kenë pasoja negative edhe në shëndetin fizik. Natyrisht, ushqimi i përshtatshëm, pushimi i mjaftueshëm e ushtrimet fizike dhe pastërtia, mund të ndikojnë për mirë te ne. Një këndvështrim frymor i bazuar në Bibël ndikon për mirë te trupi ynë. Prandaj, kur kemi angështi, është e dobishme të mbajmë ndër mend përvojën dhe fjalët inkurajuese të Pavlit: «Jemi të shtrënguar në çdo mënyrë, por jo aq ngushtë sa të mos lëvizim; jemi ndërdyshas, por jo fare pa rrugëdalje; jemi të përndjekur, por jo të lënë në baltë; jemi të hedhur poshtë, por jo të shkatërruar.»​—2 Kor. 4:8, 9.

11. Si mund t’i kundërvihemi sëmundjes frymore?

11 Disa sprova mund të dëmtojnë shëndetin frymor. Edhe në këtë rast Jehovai mund të na vijë në ndihmë. Fjala e tij na siguron: «Jehovai i mbështet të gjithë ata që po bien, dhe ngre të gjithë ata që janë kërrusur.» (Psal. 145:14) Që të marrim ndihmë për t’iu kundërvënë sëmundjes frymore, duhet të kërkojmë ndihmën e pleqve të krishterë. (Jak. 5:14, 15) Po ashtu, një gjë që mund të na mbështetë gjatë sprovave të besimit është të mbajmë vazhdimisht në mendje shpresën biblike të jetës së përhershme.​—Gjoni 17:3.

Shembuj ngushëllimi nga Perëndia

12. Përshkruani mënyrën si e ngushëlloi Jehovai Abrahamin.

12 Një psalmist i frymëzuar tha: «Mbaje mend fjalën që i ke thënë shërbëtorit tënd, për të cilën më ke lënë të pres [o Jehova]. Kjo më ngushëllon në vuajtjen time: që fjalët e tua më kanë mbajtur gjallë.» (Psal. 119:49, 50) Sot, kemi Fjalën e shkruar të Jehovait, e cila përmban shumë shembuj se si i ngushëlloi ai shërbëtorët e vet. Për shembull, Abrahami mund të ketë qenë mjaft i shqetësuar kur mori vesh se Jehovai kishte ndër mend të shkatërronte Sodomën dhe Gomorrën. Ai patriark besnik e pyeti Perëndinë: «Vërtet do të shkatërrosh të drejtin bashkë me të ligun?» Jehovai e ngushëlloi ose e qetësoi Abrahamin duke e siguruar që, nëse do të gjente vetëm 50 njerëz të drejtë, nuk do ta shkatërronte Sodomën. Por Abrahami e pyeti Jehovain edhe pesë herë të tjera: po sikur të ketë vetëm 45 njerëz të drejtë? 40? 30? 20? 10? Çdo herë, me shumë durim dhe dashamirësi, Jehovai e siguroi Abrahamin se nuk do ta shkatërronte Sodomën. Ndonëse në atë zonë nuk kishte as dhjetë njerëz të drejtë, Jehovai e shpëtoi Lotin dhe vajzat e tij.​—Zan. 18:22-32; 19:15, 16, 26.

13. Si tregoi Hana se besoi te Jehovai?

13 Hana, gruaja e Elkanahut, dëshironte shumë të kishte një fëmijë. Por ishte shterpë dhe kjo e brengoste. Ajo iu lut Jehovait për këtë gjë dhe kryeprifti Eli i tha: «Perëndia i Izraelit ta plotësoftë kërkesën që i bëre!» Kjo e ngushëlloi Hanën «dhe fytyra e saj nuk dukej më e merakosur». (1 Sam. 1:8, 17, 18) Hana besoi te Jehovai dhe e sigurt i la gjërat në duart e tij. Megjithëse nuk e dinte si do të shkonin gjërat, Hana ndjeu paqe të brendshme. Me kalimin e kohës, Jehovai iu përgjigj lutjes së saj. Ajo mbeti shtatzënë dhe lindi një djalë, të cilit ia vuri emrin Samuel.​—1 Sam. 1:20.

14. Pse kishte nevojë për ngushëllim Davidi dhe kujt iu drejtua?

14 Mbreti i Izraelit të lashtë, Davidi, është një shembull tjetër se si Perëndia i ngushëlloi shërbëtorët e vet. Meqenëse Jehovai «sheh zemrën», kur e zgjodhi Davidin si mbret të ardhshëm të Izraelit, e dinte se ishte i sinqertë dhe i përkushtuar ndaj adhurimit të vërtetë. (1 Sam. 16:7; 2 Sam. 5:10) Por më vonë, Davidi kreu kurorëshkelje me Betshebën dhe u orvat të mbulonte mëkatin duke bërë që burri i saj të vritej. Kur Davidi kuptoi se ç’mëkat të rëndë kishte bërë, iu lut Jehovait: «Fshiji shkeljet e mia, sipas mëshirës sate të madhe! Lamë tërësisht nga faji im dhe pastromë nga mëkati im! Sepse i di shkeljet e mia, dhe mëkatin tim e kam përpara vazhdimisht.» (Psal. 51:1-3) Davidi ishte penduar vërtet dhe Jehovai e fali. Mirëpo Davidit iu desh të përballej me pasojat e keqbërjes së vet. (2 Sam. 12:9-12) Sidoqoftë, mëshira e Jehovait ishte burim ngushëllimi për shërbëtorin e tij të përulur.

15. Ç’ndihmë i dha Jehovai Jezuit pak para vdekjes?

15 Kur ishte në tokë, Jezui hasi shumë rrethana të vështira. Perëndia i lejoi këto sprova besimi dhe Jezui e ruajti integritetin si një njeri i përsosur që gjithnjë besoi te Jehovai dhe mbështeti sovranitetin e tij. Kur pas pak do ta tradhtonin dhe do ta ekzekutonin, Jezui iu lut Jehovait: «Le të mos bëhet vullneti im, por yti.» Atëherë iu shfaq një engjëll dhe e forcoi. (Luka 22:42, 43) Perëndia i dha Jezuit ngushëllimin, forcën dhe mbështetjen që i nevojitej në atë kohë.

16. Ç’mund të bëjë Perëndia për ankthin që mund të përjetojmë nëse gjendemi përballë vdekjes për shkak të integritetit tonë?

16 Edhe sikur të gjendemi përballë vdekjes për shkak të qëndrimit tonë të vendosur si të krishterë, Jehovai mund dhe do të na ndihmojë të ruajmë integritetin ndaj tij. Për më tepër, ne ngushëllohemi nga shpresa e ringjalljes. Mezi e presim ditën kur armiku i fundit, vdekja, «do të asgjësohet»! (1 Kor. 15:26) Shërbëtorët besnikë të Perëndisë që kanë vdekur, si edhe të tjerë, janë në kujtesën e tij të padështueshme dhe do të ringjallen. (Gjoni 5:28, 29; Vep. 24:15) Siguria te premtimi i Jehovait për ringjalljen na ngushëllon dhe na jep shpresë të sigurt në kohë përndjekjeje.

17. Si mund të na ngushëllojë Jehovai kur na vdes një njeri i dashur?

17 Sa ngushëlluese është të dimë se njerëzit tanë të dashur që tani flenë në varrin e përbashkët të njerëzimit, kanë perspektivën që të rikthehen në jetë në një botë të re e të mrekullueshme pa shkaqet e sotme të vuajtjes! Dhe ç’privilegj do të jetë për ‘shumicën e madhe’ me shërbëtorë të Jehovait që do të mbijetojë fundin e këtij sistemi të lig, t’u japë mirëseardhjen atyre që do të ringjallen në tokë dhe t’i mësojë ata!​—Zbul. 7:9, 10.

Poshtë na presin krahët e përjetshëm të Perëndisë

18, 19. Si janë ngushëlluar shërbëtorët e Perëndisë kur janë përndjekur?

18 Me fjalët e një kënge të fuqishme dhe inkurajuese, Moisiu e siguroi popullin e Izraelit: «Perëndia i kohëve të lashta është streha jote, poshtë teje të presin krahët e tij të përjetshëm.» (Ligj. 33:27) Më vonë, profeti Samuel u tha izraelitëve: «Mos u largoni nga Jehovai, dhe shërbejini Jehovait me gjithë zemër. . . . Jehovai nuk do ta braktisë popullin e vet për hir të emrit të tij të madh.» (1 Sam. 12:20-22) Për sa kohë të qëndrojmë të lidhur ngushtë me Jehovain në adhurimin e vërtetë, ai kurrë nuk do të na braktisë. Do të na japë gjithmonë mbështetjen e nevojshme.

19 Në këto ditë të fundit kritike, Perëndia po i jep në mënyrë të padështueshme popullit të tij ndihmën dhe ngushëllimin e nevojshëm. Për më tepër se një shekull, mijëra bashkëbesimtarë anembanë botës janë përndjekur dhe burgosur vetëm ngaqë i shërbenin Jehovait. Përvojat e tyre tregojnë se në kohë sprove, Jehovai i ngushëllon vërtet shërbëtorët e tij. Për shembull, një vëlla në ish-Bashkimin Sovjetik u dënua me 23 vjet burg për shkak të besimit. Prapëseprapë, u gjet një mënyrë për t’i çuar atij ushqim frymor që të forcohej dhe të ngushëllohej. Ai tha: «Gjatë gjithë atyre viteve, mësova të besoj te Jehovai dhe mora forcë prej tij.»​—Lexo 1 Pjetrit 5:6, 7.

20. Pse jemi të sigurt se Jehovai nuk do të na braktisë?

20 Pavarësisht se çfarë mund të hasim në të ardhmen, duhet të mbajmë mirë ndër mend fjalët ngushëlluese të psalmistit: «Jehovai nuk do ta braktisë popullin e vet.» (Psal. 94:14) Edhe pse ne vetë kemi nevojë që të ngushëllohemi, po ashtu kemi privilegjin e madh që të ngushëllojmë të tjerët. Siç do ta shohim në artikullin vijues, mund të bëjmë pjesën tonë për të ngushëlluar ata që vajtojnë në këtë botë me telashe.

Si do të përgjigjeshit?

• Cilat janë disa gjëra që mund të na shkaktojnë dëshpërim?

• Si i ngushëllon Jehovai shërbëtorët e tij?

• Ç’mund të na ngushëllojë po të gjendemi përballë vdekjes?

[Pyetjet]

[Kutia dhe figurat në faqen 25]

SI TË PËRBALLOJMË GJËRAT QË MUND TË NDIKOJNË TE:

zemra Psal. 147:3; 1 Gjon. 3:19-22; 5:14, 15

mendja Psal. 94:19; Filip. 4:6, 7

ndjenjat Dal. 14:13, 14; Ligj. 31:6

shëndeti fizik 2 Kor. 4:8, 9

shëndeti frymor Psal. 145:14; Jak. 5:14, 15