Pyetje nga lexuesit
Pyetje nga lexuesit
Ç’duhet të bëj nëse kam një pyetje për diçka që kam lexuar në Bibël ose kur më nevojitet një këshillë për një problem personal?
Te Proverbat 2:1-5 secili prej nesh nxitet ‘të vazhdojë të kërkojë’ kuptueshmëri dhe aftësi dalluese sikur të ishte duke kërkuar për «thesare të fshehura». Kjo nënkupton se duhet të përpiqemi fort ndërsa kërkojmë përgjigje për pyetjet biblike dhe zgjidhje për problemet tona. Si mund ta bëjmë këtë?
Libri Të nxjerrim dobi nga arsimimi në Shkollën e Shërbimit Teokratik, në faqet 33-38, analizon temën: «Si të bësh kërkime?» Ai shpjegon si të gjesh përgjigjet duke përdorur mjetet që ka vënë në dispozicion «skllavi i besueshëm dhe i matur». (Mat. 24:45) Në faqen 36 shpjegon si përdoret Treguesi i Botimeve Watchtower, i cili përmban një tregues të temave dhe një tregues të shkrimeve. Kjo të jep mundësi të bësh kërkime ose në bazë të një fjale, ose të një vargu biblik, dhe të gjesh një listë me referime që mund t’i shqyrtosh. Ji i duruar ndërsa kërkon një përgjigje specifike ose një drejtim që të nevojitet. Mos harro se po kërkon për «thesare të fshehura», prandaj duhet kohë dhe përpjekje.
Natyrisht, ka disa tema dhe shkrime të cilat nuk janë trajtuar në mënyrë specifike në botimet tona. Edhe në rastet kur është komentuar një varg biblik në veçanti, mund të mos jetë trajtuar pyetja specifike që ke ti në mendje. Gjithashtu, disa tregime biblike ngrenë pyetje sepse jo të gjitha hollësitë janë përfshirë në Shkrime. Kështu që nuk mund të gjejmë përgjigjen e drejtpërdrejtë të çdo pyetjeje që ngrihet. Në një rast të tillë, duhet të shmangim spekulimet për gjëra të cilave thjesht nuk mund t’u përgjigjemi, pasi mund të përfshihemi në debate për «pyetje që të harxhojnë kohë, në vend që të japin ndonjë gjë nga Perëndia në lidhje me besimin». (1 Tim. 1:4; 2 Tim. 2:23; Titit 3:9) As zyra e degës, as selia qendrore nuk është në gjendje të analizojë e t’u përgjigjet të gjitha këtyre pyetjeve që nuk janë trajtuar në literaturën tonë. Duhet të jemi të kënaqur që Bibla na siguron informacione të mjaftueshme për të na drejtuar në jetë, por edhe që nuk përfshin hollësi të tepërta, pasi kështu mund të tregojmë besim të fortë tek Autori i saj hyjnor.—Shih T’i afrohemi Jehovait, faqet 185-187.
Po sikur të kesh bërë gjithë kërkimet e mundshme për një çështje që të prek personalisht, por sërish të mos kesh gjetur drejtimin a zgjidhjen që të nevojitet? Fol lirisht me një bashkëbesimtar të pjekur, mbase me një nga pleqtë e kongregacionit. Ata kanë mjaft njohuri rreth Biblës, si dhe përvojë në lidhje me jetën e krishterë. Ndihma e tyre e ekuilibruar mund të jetë veçanërisht e përshtatshme nëse ke nevojë për këshilla rreth një problemi a vendimi personal, pasi ata të njohin mirë ty dhe situatën tënde. Dhe mos harro asnjëherë t’i lutesh Jehovait në mënyrë specifike për atë që të shqetëson dhe kërkoji t’i drejtojë mendimet e tua me anë të frymës së shenjtë ‘sepse Jehovai jep mençuri dhe aftësi dalluese’.—Prov. 2:6; Luka 11:13.