Të ngushëllojmë të gjithë ata që vuajnë
Të ngushëllojmë të gjithë ata që vuajnë
«Jehovai më ka mirosur që . . . të ngushëlloj të gjithë ata që mbajnë zi *.»—ISA. 61:1, 2.
1. Çfarë bëri Jezui për ata që vuanin dhe pse?
JEZU KRISHTI tha: «Ushqimi im është të bëj vullnetin e atij që më dërgoi dhe të përfundoj veprën e tij.» (Gjoni 4:34) Ndërsa kryente caktimin që i kishte dhënë Perëndia, Jezui pasqyroi cilësitë madhështore të Atit. Ndër to ishte dashuria e madhe e Jehovait për njerëzit. (1 Gjon. 4:7-10) Apostulli Pavël theksoi një mënyrë si e shfaq Jehovai këtë dashuri kur e përshkroi atë si «Perëndia i çdo ngushëllimi». (2 Kor. 1:3) Jezui tregoi një dashuri të tillë kur bëri atë që ishte parathënë në profecinë e Isaisë. (Lexo Isainë 61:1, 2.) Ai lexoi nga kjo profeci në sinagogën e Nazaretit dhe ia zbatoi vetes fjalët e saj. (Luka 4:16-21) Gjatë gjithë shërbimit të tij, me dashuri Jezui i ngushëlloi ata që mbanin zi ose vuanin, duke u dhënë zemër dhe paqe mendore.
2, 3. Pse është e nevojshme që dishepujt e Krishtit ta imitojmë atë duke ngushëlluar të tjerët?
2 Është e nevojshme që të gjithë dishepujt e Jezuit ta imitojnë duke ngushëlluar ata që vuajnë. (1 Kor. 11:1) Pavli tha: «Vazhdoni të ngushëlloni njëri-tjetrin dhe të ndërtoni njëri-tjetrin, siç edhe po bëni.» (1 Sel. 5:11) Në veçanti nevojitet të ngushëllojmë të tjerët ngaqë njerëzimi po përballet me «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar». (2 Tim. 3:1) Gjithnjë e më shumë, njerëzit e ndershëm anembanë botës kanë të bëjnë me persona që me fjalë dhe veprime u shkaktojnë hidhërim, brengë dhe trishtim.
3 Siç parathoshte profecia biblike, në këto ditë të fundit të këtij sistemi të lig, shumë janë ‘të dashuruar me veten, të dashuruar pas parave, mendjemëdhenj, fodullë, blasfemues, të pabindur ndaj prindërve, mosmirënjohës, të pabesë, pa përzemërsi të natyrshme, jo të gatshëm për ndonjë marrëveshje, shpifës, pa vetëkontroll, të egër, pa dashuri për mirësinë, tradhtarë, kokëkrisur, të krekosur, kënaqësidashës në vend se perëndidashës’. Këto qëndrime tani janë përkeqësuar më shumë se kurrë, sepse ‘njerëzit e ligj dhe mashtrues kanë shkuar keq e më keq’.—2 Tim. 3:2-4, 13.
4. Ç’ka ndodhur me kushtet e botës në kohën tonë?
4 E gjithë kjo nuk duhet të na habitë, meqë Fjala e Perëndisë e bën të qartë se «e gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut». (1 Gjon. 5:19) «E gjithë bota» përfshin elementët politikë, fetarë dhe tregtarë, si edhe mjetet e propagandës. Pa dyshim, Satana Djalli është quajtur me të drejtë «sundimtari i kësaj bote» dhe «perëndia i kësaj bote». (Gjoni 14:30; 2 Kor. 4:4) Kushtet në mbarë tokën vazhdojnë të keqësohen ngaqë tani Satanai ka zemërim të madh, duke e ditur se i ka mbetur vetëm një periudhë e shkurtër kohe para se Jehovai ta heqë. (Zbul. 12:12) Sa ngushëlluese është të dimë se së shpejti Perëndia nuk do ta durojë më Satanain e sistemin e tij të lig dhe çështja që ngriti Satanai për sovranitetin e Jehovait, do të zgjidhet njëherë e mirë!—Zan., kap. 3; Jobi kap. 2.
Lajmi i mirë po predikohet në mbarë tokën
5. Si po përmbushet në këto ditë të fundit profecia për veprën e predikimit?
5 Gjatë kësaj periudhe të vështirë të historisë njerëzore, po përmbushet ajo çka paratha Jezui: «Ky lajm i mirë për mbretërinë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet, dhe atëherë do të vijë fundi.» (Mat. 24:14) Kjo vepër mbarëbotërore e dhënies së dëshmisë për Mbretërinë e Perëndisë po kryhet në një shkallë gjithnjë e më të madhe. Sot, më tepër se 7.500.000 Dëshmitarë të Jehovait, të cilët mblidhen në më shumë se 107.000 kongregacione në gjithë botën, po predikojnë Mbretërinë e Perëndisë, e cila ishte edhe tema e predikimit dhe e mësimdhënies së Jezuit. (Mat. 4:17) Si rezultat i veprës së sotme të predikimit, ata që vuajnë po ngushëllohen shumë. Ja pse vetëm në dy vitet e fundit u pagëzuan 570.601 veta si Dëshmitarë të Jehovait!
6. Ç’mendoni për shtrirjen e veprës së predikimit?
6 Shtrirja e madhe e kësaj vepre predikimi mund të kuptohet duke parë se tani Dëshmitarët e Jehovait përkthejnë dhe shpërndajnë literaturë biblike në më tepër se 500 gjuhë. Kurrë nuk ka ndodhur një gjë e tillë në gjithë historinë njerëzore! Ekzistenca, vepra dhe rritja e pjesës tokësore të organizatës së Jehovait janë vërtet të jashtëzakonshme. Pa drejtimin dhe ndihmën e frymës së shenjtë të Perëndisë, do të ishte e pamundur të ndodhte një gjë e tillë në këtë botë që është nën kontrollin e Satanait. Ngaqë lajmi i mirë po predikohet në mbarë tokën e banuar, nga Shkrimet po ngushëllohen jo vetëm bashkëbesimtarët tanë, por edhe njerëzit që vuajnë e që pranojnë mesazhin për Mbretërinë.
Të ngushëllojmë bashkadhuruesit
7. (a) Pse nuk mund të presim që Jehovai të heqë që tani çdo situatë që na dëshpëron? (b) Si e dimë se është e mundur të qëndrojmë në përndjekje dhe shtrëngime?
7 Në këtë botë plot ligësi dhe vuajtje, jemi të sigurt se do të hasim disa situata që na dëshpërojnë. Nuk mund të presim që Perëndia të heqë çdo burim trishtimi ose hidhërimi, derisa ai të shkatërrojë këtë sistem. Ndërkohë, hasim përndjekje siç ishte parathënë dhe është në lojë integriteti ynë ndaj Jehovait si përkrahës të sovranitetit të tij universal. (2 Tim. 3:12) Megjithatë, me ndihmën dhe ngushëllimin e Atit tonë qiellor, mund të jemi si të krishterët e mirosur të Selanikut të lashtë, të cilët i duruan përndjekjet e shtrëngimet me qëndrueshmëri e besim.—Lexo 2 Selanikasve 1:3-5.
8. Çfarë dëshmish biblike kemi se Jehovai i ngushëllon shërbëtorët e tij?
8 S’ka dyshim se Jehovai u siguron ngushëllimin e nevojshëm shërbëtorëve të tij. Për shembull, kur jeta e profetit Elija ishte në rrezik nga mbretëresha e ligë, Jezebela, profeti humbi guximin dhe iku, duke thënë madje se donte të vdiste. Por në vend që ta qortonte Elijan, Jehovai e ngushëlloi dhe i dha guximin që të kryente veprën si profet. (1 Mbret. 19:1-21) Fakti që Jehovai e ngushëllon popullin e tij mund të shihet edhe nga përvoja e kongregacionit të krishterë në shekullin e parë. Për shembull, në Shkrime lexojmë për një periudhë kur «kongregacioni në mbarë Judenë, Galilenë dhe Samarinë hyri vërtet në një periudhë paqeje dhe ndërtohej». Për më tepër, «ngaqë ecte në frikën e Jehovait dhe sipas ngushëllimit që jepte fryma e shenjtë, [kongregacioni] shumohej». (Vep. 9:31) Sa mirënjohës jemi që edhe ne kemi ‘ngushëllimin që jep fryma e shenjtë’!
9. Pse mund të ngushëllohemi duke mësuar për Jezuin?
9 Si të krishterë, jemi ngushëlluar duke mësuar për Jezu Krishtin dhe duke ecur në gjurmët e tij. Jezui tha: «Ejani tek unë, të gjithë ju që po robtoheni dhe që jeni të ngarkuar, e unë do t’ju freskoj. Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse jam me natyrë të butë e i përulur në zemër, dhe ju do të gjeni freskim për shpirtin. Sepse zgjedha ime është e këndshme dhe ngarkesa ime është e lehtë.» (Mat. 11:28-30) Një ndihmë e madhe për të pakësuar stresin që mund të përjetojmë, është duke mësuar për mënyrën inkurajuese se si i trajtonte Jezui njerëzit dhe më pas duke ndjekur shembullin e tij pozitiv.
10, 11. Cilët në kongregacion mund të japin ngushëllim?
10 Gjithashtu, mund të ngushëllohemi nga të bashkëkrishterët. Për shembull, të shqyrtojmë se si pleqtë në kongregacion i ndihmojnë ata që hasin situata të vështira. Dishepulli Jakov shkroi: «A ka mes jush ndonjë të sëmurë? Le të thërrasë pranë vetes pleqtë e kongregacionit dhe ata le të luten për të.» Me ç’rezultat? «Lutja e besimit do ta shërojë të pamundurin, dhe Jehovai do ta ngrejë. Gjithashtu, nëse ka kryer mëkate, do t’i falen.» (Jak. 5:14, 15) Edhe pjesëtarët e tjerë të kongregacionit mund të ngushëllojnë.
Titit 2:3-5.) Natyrisht, pleqtë dhe të tjerët mund dhe duhet ‘t’u flasin në mënyrë ngushëlluese shpirtrave të dëshpëruar’ që janë mes nesh. (1 Sel. 5:14, 15) Dhe është mirë të mbajmë ndër mend se Perëndia «na ngushëllon në të gjitha shtrëngimet tona, që të jemi në gjendje të ngushëllojmë ata që janë në ndonjë lloj shtrëngimi».—2 Kor. 1:4.
11 Gratë shpesh e kanë më të lehtë të flasin me gra të tjera për probleme të ndryshme. Sidomos motrat më të moshuara e më me përvojë mund t’u japin shumë këshilla të shkëlqyera motrave më të reja. Këto të krishtere më të moshuara e të pjekura ndoshta kanë kaluar tashmë situata të ngjashme në jetë. Empatia dhe cilësitë e tyre femërore mund të jenë një ndihmë e madhe. (Lexo12. Pse është jetësore të ndjekim mbledhjet e krishtere?
12 Një mënyrë mjaft e rëndësishme për t’u ngushëlluar është duke qenë të pranishëm në mbledhjet e krishtere ku diskutimet biblike na inkurajojnë. Në Bibël lexojmë se Juda dhe Sila «u dhanë zemër dhe i forcuan vëllezërit me shumë fjalime». (Vep. 15:32) Para dhe pas mbledhjeve, bëhen biseda ndërtuese mes pjesëtarëve të kongregacionit. Prandaj, edhe nëse po vuajmë për shkak të ndonjë situate të vështirë, të mos veçohemi pasi kështu nuk do t’i përmirësojmë gjërat. (Prov. 18:1) Përkundrazi, bëjmë mirë të ndjekim këshillën e frymëzuar të apostullit Pavël: «Le të interesohemi për njëri-tjetrin, që të nxitemi për dashuri dhe vepra të shkëlqyera, pa braktisur mbledhjet tona, siç e kanë zakon disa, por duke inkurajuar njëri-tjetrin e aq më tepër tani, që e shihni se dita po afrohet.»—Hebr. 10:24, 25.
Të ngushëllohemi nga Fjala e Perëndisë
13, 14. Tregoni se si mund të na ngushëllojnë Shkrimet.
13 Pavarësisht nëse jemi të krishterë të pagëzuar ose sapo kemi filluar të mësojmë për Perëndinë e për qëllimet e tij, mund të ngushëllohemi shumë nga Fjala e shkruar e Perëndisë. Pavli shkroi: «Gjithçka që u shkrua kohë më parë, u shkrua për mësimin tonë, që, me anë të qëndrueshmërisë sonë dhe me anë të ngushëllimit nga Shkrimet, të kemi shpresë.» (Rom. 15:4) Shkrimet e Shenjta mund të na ngushëllojnë dhe të na bëjnë ‘krejtësisht të zotë, plotësisht të pajisur për çdo vepër të mirë’. (2 Tim. 3:16, 17) Duke ditur të vërtetën për qëllimet e Perëndisë dhe duke pasur një shpresë reale për të ardhmen, me siguri do të ngushëllohemi tej mase. Prandaj, le ta përdorim plotësisht Fjalën e Perëndisë dhe botimet e bazuara në të, të cilat mund të na ngushëllojnë e të na sjellin dobi në shumë mënyra.
Luka 24:32) Në përputhje me shembullin e shkëlqyer të Jezuit, apostulli Pavël ‘arsyetonte nga Shkrimet’. Në Bere, dëgjuesit e tij «e pranuan fjalën me etje të madhe, dhe çdo ditë i shqyrtonin me kujdes Shkrimet». (Vep. 17:2, 10, 11) Sa e përshtatshme është që ta lexojmë Biblën çdo ditë, duke nxjerrë dobi prej saj dhe prej botimeve të krishtere që përgatiten me synimin për të na dhënë ngushëllim e shpresë në këto kohë të vështira!
14 Jezui na la një shembull të shkëlqyer duke i përdorur Shkrimet për t’i mësuar dhe për t’i ngushëlluar të tjerët. Për shembull, në një nga rastet kur u shfaq pas ringjalljes, ai ‘ua zbërtheu plotësisht Shkrimet’ dy dishepujve. Ndërsa u fliste, ata u prekën thellë në zemër. (Mënyra të mëtejshme për të ngushëlluar të tjerët
15, 16. Cilat janë disa gjëra që mund të bëjmë për t’i ndihmuar dhe ngushëlluar të bashkëkrishterët?
15 Ne mund t’i ndihmojmë dhe kështu t’i ngushëllojmë të bashkëkrishterët në mënyra të ndryshme praktike. Për shembull, mund t’u bëjmë pazarin bashkëbesimtarëve të moshuar ose të sëmurë. Mund t’i ndihmojmë të tjerët në punët e ndryshme të shtëpisë, duke treguar kështu interes personal për ta. (Filip. 2:4) Ndoshta mund t’i përgëzojmë bashkadhuruesit për cilësitë e tyre të mira, si: dashuria, aftësia për të përballuar problemet, guximi dhe besimi.
16 Që të ngushëllojmë të moshuarit, mund t’i vizitojmë dhe të dëgjojmë me kujdes kur na flasin për përvojat e tyre të së shkuarës dhe për bekimet që pa dyshim kanë pasur në shërbim të Jehovait. Në fakt, kështu mund të inkurajohemi e të ngushëllohemi edhe ne. Mund të lexojmë me ta Biblën ose botimet e bazuara në të. Mbase mund të shqyrtojmë artikullin që do të trajtohet atë javë në Studimin e Kullës së Rojës ose materialin që do të trajtohet gjatë Studimit të Biblës në Kongregacion. Mund të shohim bashkë me ta një DVD rreth një teme biblike. Po ashtu, mund të lexojmë ose të tregojmë disa përvoja inkurajuese që gjenden në botimet tona.
17, 18. Si shërbëtorë besnikë të Jehovait, pse mund të jemi të sigurt se ai do të na mbështetë dhe do të na ngushëllojë?
17 Nëse vërejmë që një bashkadhurues i Jehovait ka nevojë për ngushëllim, mund ta përmendim në lutjet tona personale. (Rom. 15:30; Kolos. 4:12) Ndërsa përballojmë problemet e jetës dhe përpiqemi me zell të ngushëllojmë të tjerët, mund të kemi të njëjtin besim dhe bindje si psalmisti, i cili këndoi: «Hidhja barrën tënde Jehovait, dhe ai vetë do të të mbështetë. Ai nuk do të lejojë kurrë që i drejti të lëkundet.» (Psal. 55:22) Po, Jehovai do të jetë gjithnjë gati të na ngushëllojë dhe të na mbështetë si shërbëtorë të tij besnikë.
18 Perëndia u tha adhuruesve të tij të kohëve të lashta: «Jam unë që të ngushëlloj.» (Isa. 51:12) Jehovai do të bëjë të njëjtën gjë për ne dhe do t’i bekojë veprat e fjalët tona të mira, ndërsa ngushëllojmë ata që vuajnë. Pavarësisht nëse shpresa jonë është qiellore ose tokësore, secili prej nesh mund të ngushëllohet nga fjalët që Pavli u drejtoi të bashkëkrishterëve të mirosur nga fryma: «Zotëria ynë Jezu Krisht dhe Perëndia, Ati ynë, që na deshi dhe na dha ngushëllim të përhershëm e shpresë të mrekullueshme me anë të dashamirësisë së pamerituar, ngushëllofshin zemrat tuaja dhe ju bëfshin të patundur në çdo vepër e fjalë të mirë!»—2 Sel. 2:16, 17.
[Shënimi]
^ par. 2 Fjala origjinale e përkthyer «ata që mbajnë zi», në hebraisht ka një kuptim më të gjerë dhe u referohet atyre që ndihen të hidhëruar ose të pikëlluar për çfarëdolloj arsyeje dhe jo vetëm ngaqë u ka vdekur dikush.
A ju kujtohet?
• Sa e përhapur është vepra jonë për të ngushëlluar ata që vuajnë?
• Cilat janë disa gjëra që mund të bëjmë për të ngushëlluar të tjerët?
• Çfarë prove biblike kemi se Jehovai i ngushëllon shërbëtorët e tij?
[Pyetjet]
[Figura në faqen 28]
A bën edhe ti pjesën tënde për të ngushëlluar ata që vuajnë?
[Figura në faqen 30]
Edhe të rinjtë, edhe të moshuarit mund të japin zemër