Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Invalide tani, por jo përgjithmonë!»

«Invalide tani, por jo përgjithmonë!»

«Invalide tani, por jo përgjithmonë!»

Treguar nga Sara van der Mondi

Shpesh, njerëzit më thonë: «Sara, sa buzëqeshje të bukur që ke. Pse je gjithnjë kaq e lumtur?» Unë u them se kam një shpresë të veçantë. Mund ta përmbledh me këto fjalë: «Jam invalide tani, por jo përgjithmonë!»

LINDA në Paris të Francës më 1974. Lindja ime ishte e vështirë dhe më vonë u diagnostikova me paralizë cerebrale. Gjymtyrët i lëvizja me vështirësi dhe të folurit e mi mezi kuptohej. U sëmura edhe me epilepsi dhe isha e prirur ndaj infeksioneve.

Kur isha dy vjeçe, familja ime u transferua në Melburn, Australi. Dy vjet më vonë, babai na braktisi. Ajo ishte hera e parë që kujtoj se u ndjeva pranë Perëndisë. Mamaja, një Dëshmitare e Jehovait, më merrte rregullisht në mbledhjet e krishtere ku mësova se Perëndia më donte e kujdesej për mua. Kjo, bashkë me dashurinë dhe sigurinë që më jepte mamaja, më ndihmuan të ndihesha e sigurt, pavarësisht se rrethanat tona kishin ndryshuar.

Mamaja më mësoi edhe si t’i lutesha Jehovait. Faktikisht, e kam shumë më të lehtë të lutem se të flas. Kur lutem, s’më duhet të luftoj për të shprehur fjalët, por «i dëgjoj» të formohen qartë në mendjen time. E meqë të folurit e mi mezi kuptohet, më jep siguri fakti që Jehovai kupton gjithçka, sido që ta them, në heshtje me mendje apo me fjalë të ngatërruara.​—Psal. 65:2.

Përballoj pengesat

Kur isha pesë vjeçe, paraliza kishte përparuar aq shumë, saqë për të ecur kisha nevojë të më lidhnin te këmbët paterica të rënda metalike. Në të vërtetë, më shumë lëkundesha sa majtas-djathtas sesa ecja. Në moshën 11-vjeçare, nuk mund të ecja më. Më vonë, futesha e dilja nga shtrati vetëm me anë të një pajisjeje elektrike që më ngrinte e më ulte në karrigen me rrota të motorizuar, të cilën e manovroja me një levë dore.

E pranoj se disa herë paaftësitë fizike më shkurajojnë. Por në ato raste kujtoj moton e familjes sonë: «Mos u merakos për ato që s’mund të bësh dot. Vazhdo të bësh ato që mund të bësh.» Kjo më ka ndihmuar të arrij të bëj gjëra të tilla, si të kalëroj, të lundroj me varkë e me kanoe, të bëj kamping, madje edhe të ngas makinën në një rrugë të zbrazët! Natyrën time artistike e shpreh duke pikturuar, duke qepur, duke bërë jorganë, duke qëndisur dhe duke bërë punime qeramike.

Për shkak të paaftësive të rënda fizike, disa janë shprehur se nuk jam mjaft e aftë sa të vendos vetë për të adhuruar Perëndinë. Kur isha 18 vjeçe, një mësuese më nxiti të ikja nga shtëpia që «të shpëtoja» nga feja e mamasë. Madje ajo u tregua e gatshme të më gjente strehim. Sidoqoftë, i thashë se nuk do ta braktisja kurrë besimin tim dhe se do të largohesha nga shtëpia vetëm kur të isha gati për të qenë më e pavarur.

Jo shumë kohë pas këtij episodi, u pagëzova si Dëshmitare e Jehovait. Dy vjet më vonë, u transferova në një apartament të vogël. Ndihem e lumtur këtu, sepse kam edhe ndihmën e nevojshme, edhe mundësinë për të qenë e pavarur.

Një propozim i papritur

Gjatë viteve jam përballur edhe me sprova të tjera besimi. Një ditë shtanga e tëra kur një djalë në shkollë​—edhe ai me paaftësi fizike—​më kërkoi që të martoheshim. Fillimisht, u ndjeva e lajkatuar. Si shumica e vajzave të reja, edhe unë dëshiroja të kisha një shok jete. Megjithatë, fakti që ishim të dy invalidë, nuk përbënte garanci për një martesë të lumtur. Për më tepër, ai djalë nuk kishte besimin tim. Bindjet, aktivitetet dhe synimet tona ishin krejt të kundërta. Pra, si mund të jetonim së bashku? Po ashtu, isha e vendosur t’i bindesha drejtimit të qartë të Perëndisë për t’u martuar vetëm me një bashkëbesimtar. (1 Kor. 7:39) Prandaj, me mirësjellje i thashë atij djali se nuk mund ta pranoja propozimin.

Sot e kësaj dite, e di se bëra zgjedhjen e duhur. Në mendjen time nuk kam pikë dyshimi se do të jem e lumtur në botën e re që ka premtuar Perëndia. (Psal. 145:16; 2 Pjet. 3:13) Ndërkohë, jam e vendosur t’i mbetem besnike Jehovait e të jem e kënaqur me rrethanat e tanishme.

Mezi pres ditën kur të kërcej nga karrigia me rrota e të vrapoj si sorkadhe. Atëherë do të thërras: «Isha invalide, por tani jam shëndoshë e mirë​—përgjithmonë!»