«Mos u mbështet në kuptueshmërinë tënde»
«Mos u mbështet në kuptueshmërinë tënde»
«Beso te Jehovai me gjithë zemër dhe mos u mbështet në kuptueshmërinë tënde.»—PROV. 3:5.
1, 2. (a) Çfarë situatash mund të hasim? (b) Te kush duhet të mbështetemi kur hasim situata të vështira, kur duhet të marrim vendime të rëndësishme ose kur përpiqemi t’u rezistojmë tundimeve, dhe pse?
SILVIA * punon në një kompani ku tashmë pronari ka mbyllur disa sektorë dhe ka pushuar nga puna mjaft punëtorë. Silvia mendon se tani e ka radhën ajo. Ç’do të bëjë po të humbasë punën? Si do t’i paguajë faturat? Një e krishterë me emrin Pamela dëshiron të transferohet atje ku ka më shumë nevojë për lajmëtarë të Mbretërisë, por nuk është e sigurt për këtë. Një i ri me emrin Samuel ka një problem tjetër. Në moshë të njomë ka parë pornografi. Tani që është në të 20-at, ka tundime të forta për t’iu kthyer këtij vesi. Si mund t’u rezistojë?
2 Te kush mbështetesh kur has situata të vështira, kur duhet të marrësh vendime të rëndësishme ose kur përpiqesh t’u rezistosh tundimeve? A mbështetesh vetëm te vetja apo ‘ia hedh barrën tënde Jehovait’? (Psal. 55:22) Bibla thotë: «Jehovai i kthen sytë nga të drejtët, dhe veshët nga thirrja e tyre për ndihmë.» (Psal. 34:15) Pra, sa e rëndësishme është që të besojmë te Jehovai me gjithë zemër dhe të mos mbështetemi në kuptueshmërinë tonë!—Prov. 3:5.
3. (a) Çfarë do të thotë të besosh te Jehovai? (b) Pse disa mund të kenë prirjen të mbështeten në kuptueshmërinë e tyre?
3 Të besojmë te Jehovai me gjithë zemër do të thotë t’i bëjmë gjërat sipas mënyrës së tij, sipas vullnetit të tij. Për këtë është thelbësore që t’i afrohemi vazhdimisht atij nëpërmjet lutjes dhe t’i bëjmë kërkesa të përzemërta që të na drejtojë. Megjithatë, për shumë veta është një sfidë të mbështeten plotësisht te Jehovai. Për shembull, një e krishterë me emrin Lina thotë: «Ka qenë një luftë e vazhdueshme për mua që të mësoj të kem besim të plotë te Jehovai.» Pse? Lina shpjegon: «Nuk kam asnjë lidhje me babanë, kurse mamaja nuk kujdesej për mua emocionalisht ose fizikisht. Prandaj, shumë shpejt mësova të kujdesem për veten.» Këta faktorë ia bënë të vështirë Linës të besonte plotësisht te dikush. Gjithashtu, një njeri mund të ketë prirjen të mbështetet te vetja për shkak të aftësive personale dhe të suksesit. Duke u mbështetur te përvoja e vet, një plak mund të fillojë të kujdeset për çështjet e kongregacionit pa iu lutur në fillim Perëndisë.
4. Çfarë do të shqyrtohet në këtë artikull?
4 Jehovai pret që të përpiqemi sinqerisht për të jetuar në përputhje me lutjet tona dhe për të vepruar sipas vullnetit të tij. Atëherë, si mund të gjejmë ekuilibrin ndërsa nga njëra anë ia zbrazim Atij shqetësimet tona dhe nga ana tjetër përpiqemi personalisht të zgjidhim problemet e vështira? Ç’kujdes duhet të tregojmë para se të marrim vendime? Pse është e rëndësishme lutja kur përpiqemi t’u rezistojmë tundimeve? Do t’i shqyrtojmë këto pyetje duke medituar rreth shembujve biblikë.
Kur ke ankth
5, 6. Si reagoi Hezekia kur u kërcënua nga mbreti i Asirisë?
5 Bibla thotë për Hezekinë, mbretin e Judës: «Ai qëndroi i lidhur ngushtë me Jehovain dhe nuk u largua prej tij, por e ndoqi gjithmonë dhe mbajti urdhërimet që i kishte dhënë Jehovai Moisiut.» Po, ai «pati besim te Jehovai, Perëndia i Izraelit». (2 Mbret. 18:5, 6) Si reagoi Hezekia kur mbreti i Asirisë, Senakeribi, dërgoi në Jerusalem përfaqësuesit e tij—përfshirë rabshakehun—bashkë me një forcë ushtarake të madhe? Tashmë ushtria e fuqishme asiriane kishte pushtuar disa qytete të fortifikuara të Judës dhe tani Senakeribi ia kishte vënë syrin Jerusalemit. Hezekia shkoi në shtëpinë e Jehovait dhe nisi të lutej: «O Jehova, Perëndia ynë, të lutem, na shpëto nga duart e tij, që tërë mbretëritë e tokës ta dinë se vetëm ti, o Jehova, je Perëndi.»—2 Mbret. 19:14-19.
6 Hezekia veproi në përputhje me lutjen. Edhe para se të shkonte në tempull për t’u lutur, ai e kishte udhëzuar popullin që të mos u përgjigjej talljeve të rabshakehut. Gjithashtu, Hezekia dërgoi një delegacion te profeti Isaia që të kërkonte këshillën e tij. (2 Mbret. 18:36; 19:1, 2) Hezekia ndërmori ata hapa që mund të merrte. Në këtë rast, ai nuk u përpoq të gjente një zgjidhje që nuk ishte sipas vullnetit të Jehovait duke kërkuar mbështetje nga Egjipti ose nga kombet fqinje. Në vend që të mbështetej në kuptueshmërinë e vet, Hezekia besoi te Jehovai. Në fakt engjëlli i Jehovait vrau 185.000 njerëz të Senakeribit dhe më pas, Senakeribi «u tërhoq» e u kthye në Ninevi.—2 Mbret. 19:35, 36.
7. Si ngushëllohemi nga lutjet e Hanës dhe të Jonait?
7 Edhe Hana, gruaja e levitit Elkanah, u mbështet te Jehovai kur kishte ankth ngaqë nuk mund të lindte fëmijë. (1 Sam. 1:9-11, 18) Profeti Joná u çlirua nga barku i një peshku të madh pasi u lut: «Në ankthin tim i thirra Jehovait dhe ai m’u përgjigj. Nga barku i Sheolit thirra për ndihmë. Ti e dëgjove zërin tim.» (Jon. 2:1, 2, 10) Sa ngushëlluese është të dimë se, pavarësisht sa e rëndë mund të jetë situata jonë, mund t’i thërrasim Jehovait duke i bërë ‘kërkesë për hir’!—Lexo Psalmin 55:1, 16.
8, 9. Çfarë shqetësimesh shprehën në lutjet e tyre Hezekia, Hana dhe Jonai? Çfarë mësojmë nga kjo?
8 Shembujt e Hezekisë, Hanës dhe Jonait na japin edhe një mësim jetësor se çfarë nuk duhet të harrojmë ndërsa lutemi kur jemi në shtrëngime. Të tre ndien dhembje emocionale kur e kishin punën pisk. Sidoqoftë, lutjet e tyre tregojnë se nuk shqetësoheshin vetëm për veten dhe se si të çliroheshin nga problemet. Për ta kishin rëndësi parësore emri i Perëndisë, adhurimi dhe kryerja e vullnetit të tij. Hezekia ishte i hidhëruar që po shahej emri i Jehovait. Hana premtoi se fëmijën që e kishte dëshiruar aq shumë, do ta jepte për të shërbyer në tabernakull, në Shiloh. Kurse Jonai tha: «Zotimin që kam marrë, do ta mbaj.»—Jon. 2:9.
9 Kur lutemi që të çlirohemi nga një situatë e vështirë, është e mençur të shqyrtojmë motivet tona. A shqetësohemi vetëm si të çlirohemi nga problemi apo mbajmë ndër mend Jehovain dhe qëllimin e tij? Për shkak të vuajtjeve personale, fare lehtë mund të jepemi aq shumë pas situatës sonë, saqë shqetësimi për gjërat frymore të kalojë në vend të dytë. Kur t’i lutemi Jehovait për ndihmë, le ta mbajmë mendjen të përqendruar tek ai, te shenjtërimi i emrit të tij dhe te shfajësimi i sovranitetit të tij. Kjo mund të na ndihmojë të ruajmë një pikëpamje pozitive edhe sikur zgjidhja që shpresonim të mos realizohet. Përgjigjja e lutjeve tona mund të jetë se duhet Isainë 40:29; Filipianëve 4:13.
ta durojmë atë situatë me ndihmën e Perëndisë.—LexoKur duhet të marrësh vendime
10, 11. Çfarë bëri Jehozafati kur hasi një situatë që nuk dinte si ta zgjidhte?
10 Si i merr vendimet e rëndësishme në jetë? Mos ndoshta më parë vendos e më pas i lutesh Jehovait që të bekojë vendimin që ke marrë? Shqyrto se çfarë bëri Jehozafati, mbreti i Judës, kur forcat e bashkuara të moabitëve dhe të amonitëve erdhën të luftonin kundër tij. Juda nuk ishte në gjendje t’u bënte ballë. Ç’veprim duhej të ndërmerrte Jehozafati?
11 Bibla thotë: «Jehozafati u frikësua dhe vendosi të kërkonte Jehovain.» Ai shpalli një agjërim për gjithë Judën dhe mblodhi bashkë popullin «për të pyetur Jehovain». Pastaj u çua në këmbë para kongregacionit të Judës e të Jerusalemit dhe u lut. Ndër të tjera u përgjërua: «O Perëndia ynë, a nuk do të ekzekutosh gjykimin mbi ta? Sepse ne jemi të pafuqishëm para kësaj turme të madhe që po vjen kundër nesh dhe nuk dimë se ç’duhet të bëjmë, por sytë i kemi drejtuar nga ti.» Perëndia i vërtetë e dëgjoi lutjen e Jehozafatit dhe i çliroi në mënyrë të mrekullueshme. (2 Kron. 20:3-12, 17) Kur marrim vendime, sidomos ato që mund të ndikojnë në gjendjen tonë frymore, a nuk duhet të mbështetemi te Jehovai e jo te kuptueshmëria jonë?
12, 13. Ç’shembull la mbreti David kur merrte vendime?
12 Çfarë duhet të bëjmë kur hasim situata që mund të duken më të lehta për t’u zgjidhur—ndoshta ngaqë falë përvojës mund të na vijë shpejt në mendje një zgjidhje? Një tregim rreth mbretit David hedh dritë mbi këtë. Kur amalekitët bastisën qytetin e Ziklagut, morën gratë dhe fëmijët e Davidit, si dhe të burrave që ishin me të. Davidi pyeti Jehovain: «A duhet t’i shkoj pas kësaj bande kusarësh?» Jehovai iu përgjigj: «Bjeru pas, sepse ke për t’i arritur dhe ke për të sjellë çlirim.» Davidi veproi ashtu dhe «arriti të merrte gjithçka që i kishin marrë amalekitët».—1 Sam. 30:7-9, 18-20.
13 Ca kohë pas bastisjes nga amalekitët, kundër Izraelit erdhën filistinët. Përsëri Davidi pyeti Jehovain dhe mori një përgjigje të qartë. Perëndia i tha: «Ngjitu, sepse unë patjetër do t’i dorëzoj filistinët në duart e tua.» (2 Sam. 5:18, 19) Pak kohë më pas, filistinët erdhën sërish kundër Davidit. Ç’do të bënte këtë herë? Mund të kishte arsyetuar: «Tashmë e kam kaluar dy herë këtë situatë. Do të ngjitem kundër armiqve të Perëndisë siç bëra atëherë.» Apo do të kërkonte drejtimin e Jehovait? Davidi nuk u mbështet te përvoja e së kaluarës. Ai iu lut përsëri Jehovait. Sa i lumtur duhet të jetë ndier që veproi kështu! Udhëzimet që mori këtë herë ishin të ndryshme. (2 Sam. 5:22, 23) Kur hasim një situatë a problem të njohur, duhet të tregojmë kujdes që të mos mbështetemi vetëm te përvoja e së kaluarës.—Lexo Jereminë 10:23.
14. Ç’mësim mund të nxjerrim nga mënyra se si vepruan Josiu dhe pleqtë e Izraelit me gibeonitët?
14 Si të papërsosur, të gjithë ne—madje edhe pleqtë me përvojë—duhet të kemi kujdes që të mos harrojmë t’i kërkojmë drejtim Jehovait kur duhet të marrim vendime. Shqyrto se si reaguan Josiu, pasuesi i Moisiut, dhe pleqtë e Izraelit kur me ta folën gibeonitët mendjehollë që u hoqën sikur vinin nga një vend i largët. Pa pyetur Jehovain, Josiu dhe të tjerët bënë paqe me gibeonitët duke bërë një besëlidhje me ta. Megjithëse në fund Jehovai e mbështeti këtë besëlidhje, ai bëri që ky rast kur nuk u kërkua drejtimi i tij, të regjistrohej në Shkrime për dobinë tonë.—Jos. 9:3-6, 14, 15.
Kur lufton për t’u rezistuar tundimeve
15. Shpjego pse lutja është e rëndësishme që t’i rezistojmë tundimit.
15 Ngaqë në gjymtyrët tona kemi ‘ligjin e mëkatit’, duhet të luftojmë fort kundër prirjeve mëkatare. (Rom. 7:21-25) Kjo luftë mund të fitohet. Si? Jezui u tha dishepujve se lutja është jetësore për t’i rezistuar tundimit. (Lexo Lukën 22:40.) Edhe sikur dëshirat ose mendimet e gabuara të mos jenë larguar pasi t’i jemi lutur Perëndisë, duhet ‘të vazhdojmë t’i kërkojmë Perëndisë’ mençurinë që të përballojmë këtë sprovë. Jemi të sigurt se «ai u jep të gjithëve bujarisht dhe pa i qortuar». (Jak. 1:5) Gjithashtu, Jakovi shkroi: «A ka mes jush ndonjë të sëmurë [frymësisht]? Le të thërrasë pranë vetes pleqtë e kongregacionit dhe ata le të luten për të, duke e lyer me vaj në emër të Jehovait. E lutja e besimit do ta shërojë të pamundurin.»—Jak. 5:14, 15.
16, 17. Cili është momenti më i mirë për t’u lutur, kur kërkojmë ndihmë për t’i rezistuar tundimit?
16 Lutja është e rëndësishme që t’i rezistojmë tundimit, por duhet të jemi të vetëdijshëm se është e nevojshme të lutemi në kohën e duhur. Shqyrto rastin e një të riu që përmendet te Proverbat 7:6-23. Gjatë orëve të muzgut, ai po ecën në një rrugë ku dihet se banon një grua imorale. I mashtruar nga forca e saj bindëse dhe i joshur nga lajkat e buzëve të saj, i shkon pas, si një dem që shkon të theret. Pse kishte shkuar atje ky i ri? Meqenëse ishte i papërvojë, ka të ngjarë që e kishte të vështirë të luftonte me dëshirat e gabuara. (Prov. 7:7) Kur do t’i kishte sjellë më shumë dobi lutja? Sigurisht, lutja për t’i rezistuar tundimit në çdo moment gjatë takimit me atë grua, do të kishte qenë e vlefshme. Por momenti më i mirë për t’u lutur do të kishte qenë kur për herë të parë i shkoi nëpër mend të ecte në atë rrugë.
17 Sot, një burrë mund të jetë duke u përpjekur shumë që t’i rezistojë pornografisë. Por, ta zëmë se ai do të vizitonte site në Internet që e di se kanë pamje ose video provokuese. A nuk do të ishte rasti i tij i ngjashëm me të të riut që përmendet te kapitulli i 7-të i Proverbave? Ç’udhë e rrezikshme për t’u ndjekur! Që një individ t’i rezistojë tundimit për të parë pornografi, duhet të kërkojë ndihmën e Jehovait me anë të lutjes para se të fillojë të «ecë» në atë udhë në Internet.
18, 19. (a) Pse mund të jetë një sfidë t’i rezistojmë tundimit, por si mund ta përballojmë këtë sfidë me sukses? (b) Për çfarë je i vendosur?
18 Nuk është e lehtë t’i rezistosh tundimit ose të mposhtësh zakonet e këqija. Apostulli Pavël shkroi: «Me dëshirat e tij, mishi është kundër frymës dhe fryma kundër Gal. 5:17) Për ta përballuar këtë sfidë, duhet të lutemi me zjarr sapo të na vijnë në mendje mendime të gabuara ose tundime, dhe pastaj të veprojmë në përputhje me lutjet tona. «Asnjë tundim nuk [na] ka rënë, përveç asaj që është e zakonshme për njerëzit» dhe me ndihmën e Jehovait, mund të qëndrojmë besnikë ndaj Tij.—1 Kor. 10:13.
mishit.» Prandaj, ‘pikërisht ato gjëra që do të na pëlqente të bënim, nuk i bëjmë’. (19 Pavarësisht nëse po hasim një situatë të vështirë, duhet të marrim një vendim të rëndësishëm ose po përpiqemi t’i rezistojmë tundimit, Jehovai na ka dhënë një dhuratë të mrekullueshme—masën e çmuar të lutjes. Me anë të saj tregojmë se mbështetemi tek ai. Po ashtu duhet të vazhdojmë t’i kërkojmë Perëndisë frymën e shenjtë, e cila na udhëheq e na forcon. (Luka 11:9-13) Dhe, me çdo kusht le të besojmë te Jehovai e të mos mbështetemi në kuptueshmërinë tonë.
[Shënimi]
^ par. 1 Emrat janë ndryshuar.
A të kujtohet?
• Çfarë mësove nga Hezekia, Hana dhe Jonai në lidhje me besimin te Jehovai?
• Si e theksojnë shembujt e Davidit dhe të Josiut nevojën që të tregojmë kujdes kur marrim vendime?
• Kur duhet të lutemi në veçanti për t’u rezistuar tundimeve?
[Pyetjet]
[Figura në faqen 9]
Kur është më e dobishme të lutesh për t’i rezistuar tundimit?