Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

A është e mundur të përcaktojmë orën e saktë kur e vunë në shtyllë Jezu Krishtin?

Kjo pyetje lind për shkak të mospërputhjes në dukje midis tregimeve të frymëzuara për vdekjen e Jezuit të dokumentuara nga Marku, shkrimtar i Ungjillit, dhe nga apostulli Gjon. Marku thotë: «Ishte ora e tretë, dhe ata [ushtarët] e vunë në shtyllë.» (Mar. 15:25) Sipas Gjonit, ishte «afërsisht ora e gjashtë» kur Pilati ua dorëzoi Jezuin judenjve që ta vinin në shtyllë. (Gjoni 19:14-16) Komentuesit biblikë kanë dhënë shpjegime të ndryshme në përpjekje për të zgjidhur këtë kontradiktë në dukje. Megjithatë, nuk ka mjaft informacione nga Shkrimet që të shpjegojnë këtë ndryshim midis dy tregimeve. Gjithsesi, shqyrtimi i mënyrës se si matej koha atëherë, mund të na ndihmojë.

Në shekullin e parë të erës sonë, judenjtë e ndanin periudhën me dritë të ditës në 12 orë, duke filluar nga lindja e diellit. (Gjoni 11:9) Prandaj, «ora e tretë» shtrihej nga tetë deri në nëntë të mëngjesit dhe «ora e gjashtë» përfundonte rreth drekës. Natyrisht, dielli lindte dhe perëndonte në orare të ndryshme gjatë vitit, prandaj gjatësia e periudhës me dritë të ditës ndryshonte në varësi të stinës. Për më tepër, ora e ditës përcaktohej duke vëzhguar pozicionin e diellit. Pra, referimet për kohën ishin të përafërta. Shkrimet e Krishtere Greke në përgjithësi përmendin ngjarje që kanë ndodhur në orën e tretë, të gjashtë ose të nëntë, dhe shpesh nënkuptojnë rreth asaj ore. (Mat. 20:3, 5; Vep. 10:3, 9, 30) Përcaktime më specifike, si për shembull, ‘ora e shtatë’, bëheshin vetëm kur koha ishte thelbësore për tregimin.​—Gjoni 4:52.

Tregimet e ungjijve përputhen për sa i përket kohës kur ndodhën ngjarjet gjatë ditës së fundit të Jezuit në tokë. Të katër ungjijtë tregojnë se priftërinjtë dhe pleqtë u mblodhën së bashku pasi zbardhi dita dhe e çuan Jezuin te guvernatori romak Ponc Pilati. (Mat. 27:1; Mar. 15:1; Luka 22:66; Gjoni 18:28) Mateu, Marku dhe Luka raportojnë se nga ora e gjashtë, kur Jezui ishte tashmë në shtyllë, vendin e mbuloi errësira «deri orën e nëntë».​—Mat. 27:45, 46; Mar. 15:33, 34; Luka 23:44.

Një faktor domethënës që mund të ketë lidhje me orën e vënies në shtyllë të Jezuit është ky: fshikullimi ose rrahja me kamxhik konsiderohej pjesë e procedurës së vënies në shtyllë. Ndonjëherë fshikullimi ishte kaq i tmerrshëm sa personi vdiste. Në rastin e Jezuit duhet të ketë qenë mjaft i ashpër, pasi në fillim ai e mbajti vetë shtyllën, por pastaj u bë e nevojshme ta merrte dikush tjetër. (Luka 23:26; Gjoni 19:17) Ndoshta për disa ekzekutimi i dënimit përfshinte fshikullimin dhe vënien në shtyllë, kurse për disa të tjerë përfshinte vetëm vënien në shtyllë. Nëse fshikullimi konsiderohej si fillimi i procedurës së vënies në shtyllë, do të kalonte ca kohë para gozhdimit të Jezuit në shtyllën e torturës. Ja përse mund të jenë raportuar orare të ndryshme për vënien në shtyllë të Jezuit.

Apostulli Gjon e shkroi tregimin e tij disa dekada pas shkrimtarëve të tjerë të ungjijve. Pra, ai mund t’i lexonte tregimet e tyre. Vërtet, Gjoni përmendi një orë që duket se ndryshon nga ajo që përmendi Marku. Por kjo dëshmon qartë se Gjoni nuk kopjoi tregimin e Markut. Edhe Gjoni, edhe Marku ishin të frymëzuar nga Perëndia. Ndonëse nuk ka informacione të mjaftueshme nga Shkrimet që të shpjegojnë ndryshimin, mund të kemi besim te tregimet e ungjijve.