Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Stërvitini të tjerët që të synojnë privilegje

Stërvitini të tjerët që të synojnë privilegje

Stërvitini të tjerët që të synojnë privilegje

«Kushdo që mësohet në mënyrë të përsosur, do të bëhet si mësuesi.»​—LUKA 6:40.

1. Si e hodhi Jezui themelin e një kongregacioni të jashtëzakonshëm gjatë shërbimit të tij në tokë?

NË MBYLLJE të Ungjillit të tij, apostulli Gjon shkroi: «Jezui bëri edhe shumë gjëra të tjera, që po të shkruheshin një për një, ma ha mendja se as bota vetë nuk do t’i mbante rrotullat e shkruara.» (Gjoni 21:25) Ndër gjithë gjërat që bëri Jezui gjatë shërbimit të tij të shkurtër, por dinamik, ishin gjetja, stërvitja dhe organizimi i burrave që do të merrnin drejtimin pasi ai të largohej nga toka. Kur u kthye në qiell në vitin 33 të e.s., Jezui kishte hedhur themelin e një kongregacioni të jashtëzakonshëm që shpejt do të përbëhej nga mijëra pjesëtarë.​—Vep. 2:41, 42; 4:4; 6:7.

2, 3. (a) Pse ka një nevojë të ngutshme që burrat e pagëzuar të synojnë privilegje shërbimi? (b) Çfarë do të shqyrtohet në këtë artikull?

2 Sot, që ka më tepër se shtatë milionë lajmëtarë aktivë të Mbretërisë në mbi 100.000 kongregacione në mbarë botën, vazhdon të ketë nevojë për burra që të marrin drejtimin në çështjet frymore. Për shembull, nevojiten tej mase pleq të krishterë. Ata që synojnë këtë privilegj shërbimi janë për t’u lavdëruar, pasi ‘dëshirojnë një punë të shkëlqyer’.​—1 Tim. 3:1.

3 Gjithsesi, burrat nuk kualifikohen vetvetiu për privilegje në kongregacion. Vetëm arsimimi i botës ose përvoja e jetës nuk e përgatitin një burrë për këtë lloj pune. Që të shërbejë siç duhet në këtë detyrë, një burrë duhet të kualifikohet frymësisht. Më shumë sesa aftësi ose arritje, ai duhet të ketë cilësi frymore. Si mund të ndihmohen burrat në kongregacion që të kualifikohen? «Kushdo që mësohet në mënyrë të përsosur, do të bëhet si mësuesi»,—tha Jezui. (Luka 6:40) Në këtë artikull do të shqyrtojmë disa mënyra se si Mësuesi i Madh, Jezu Krishti, i ndihmoi dishepujt të kualifikoheshin për përgjegjësi më të mëdha dhe do të shohim se ç’mësime mund të nxjerrim nga ajo që bëri.

«Ju kam quajtur miq»

4. Si tregoi Jezui se ishte një mik i vërtetë për dishepujt?

4 Jezui i trajtonte dishepujt si miq e jo si më të ulët. Ai kalonte kohë me ta, u thoshte gjëra konfidenciale dhe ‘u bënte të njohur gjithçka që kishte dëgjuar nga Ati’. (Lexo Gjonin 15:15.) Imagjinoni sa të entuziazmuar ishin kur Jezui iu përgjigj pyetjes së tyre: «Cila do të jetë shenja e pranisë sate dhe e përfundimit të sistemit?» (Mat. 24:3, 4) Gjithashtu, ai i ndante me dishepujt mendimet dhe ndjenjat personale. Për shembull, natën që do të tradhtohej, Jezui mori Pjetrin, Jakovin dhe Gjonin në kopshtin e Getsemanisë ku u lut me zjarr. Ai nuk ua fshehu tre apostujve se sa i trazuar ishte. Ata duhet ta kenë ndier sa serioz ishte ai rast. (Mar. 14:33-38) Mendoni edhe për ndikimin që duhet të ketë pasur më parë shpërfytyrimi i Jezuit tek ata të tre. (Mar. 9:2-8; 2 Pjet. 1:16-18) Miqësia e ngushtë që farkëtoi Jezui me dishepujt ishte një spirancë për ta teksa më vonë kujdeseshin për caktime serioze.

5. Në cilat mënyra pleqtë e krishterë mund të vihen në dispozicion të të tjerëve?

5 Ashtu si Jezui, pleqtë e krishterë sot bëhen miq me të tjerët dhe i ndihmojnë. Ata kultivojnë një marrëdhënie të ngrohtë e të ngushtë me bashkëbesimtarët duke gjetur kohë që të interesohen personalisht për ta. Pleqtë e kuptojnë rëndësinë e konfidencialitetit, por nga ana tjetër u tregojnë vëllezërve gjërat që kanë mësuar nga Bibla. Ata kanë besim te vëllezërit. Pleqtë nuk e trajtojnë aspak si më të ulët një shërbëtor ndihmës që në krahasim me ta mund të jetë më i ri. Përkundrazi, e shohin si një burrë frymor me potencial, i cili kryen një shërbim të vlefshëm në dobi të kongregacionit.

«Unë ju lashë modelin»

6, 7. Përshkruani shembullin që u la Jezui dishepujve dhe ndikimin që pati kjo tek ata.

6 Megjithëse dishepujt e Jezuit i çmonin gjërat frymore, mentaliteti i tyre ndikohej ndonjëherë nga prejardhja ose kultura. (Mat. 19:9, 10; Luka 9:46-48; Gjoni 4:27) Sidoqoftë, Jezui nuk u bënte leksion ose nuk i kërcënonte dishepujt. Ai as i rëndonte me kërkesa të paarsyeshme, as i këshillonte të bënin diçka ndërkohë që ai vetë vepronte ndryshe. Përkundrazi, Jezui i mësonte me anë të shembullit.​—Lexo Gjonin 13:15.

7 Ç’lloj modeli u la Jezui dishepujve? (1 Pjet. 2:21) Ai bënte një jetë të thjeshtë që t’u shërbente lirisht të tjerëve. (Luka 9:58) Jezui ishte modest dhe gjithnjë i bazonte mësimet e tij në Shkrime. (Gjoni 5:19; 17:14, 17) Ishte i afrueshëm dhe mirëdashës. Dashuria e motivonte për gjithçka që bënte. (Mat. 19:13-15; Gjoni 15:12) Shembulli i Jezuit ndikoi për mirë tek apostujt. Për shembull, Jakovi nuk u zmbraps përballë vdekjes, por i shërbeu besnikërisht Perëndisë derisa u ekzekutua. (Vep. 12:1, 2) Gjoni i ndoqi me besnikëri gjurmët e Jezuit për më tepër se 60 vjet.​—Zbul. 1:1, 2, 9.

8. Çfarë shembulli lënë pleqtë për të rinjtë dhe për të tjerët?

8 Pleqtë që janë vetësakrifikues, të përulur dhe të dashur, lënë atë lloj shembulli për të cilin kanë nevojë të rinjtë. (1 Pjet. 5:2, 3) Për më tepër, pleqtë që janë shembullorë në besim, në mësimdhënie, në jetën e krishterë dhe në shërbim, përjetojnë kënaqësinë që vjen nga dijenia se të tjerët mund të imitojnë besimin e tyre.​—Hebr. 13:7.

‘Jezui i urdhëroi dhe i nisi’

9. Si e dimë se Jezui i stërviti dishepujt të kryenin veprën e ungjillëzimit?

9 Pasi mori pjesë me zell në shërbim për rreth dy vjet, Jezui e zgjeroi aktivitetin e predikimit duke i dërguar 12 apostujt për të predikuar. Megjithatë, në fillim ai u dha udhëzime. (Mat. 10:5-14) Pak para se të ushqente me anë të një mrekullie një turmë me mijëra njerëz, Jezui u tha dishepujve se si t’i organizonin njerëzit dhe të shpërndanin ushqimin. (Luka 9:12-17) Është e qartë, pra, se Jezui i stërviti dishepujt duke u dhënë drejtim të qartë dhe specifik. Ky model stërvitjeje, bashkë me ndikimin e fuqishëm të frymës së shenjtë, i pajisi më vonë apostujt që të organizonin veprën e zgjeruar të predikimit që u krye në vitin 33 të e.s. e më pas.

10, 11. Në cilat mënyra mund të stërviten hap pas hapi të rinjtë në të vërtetën?

10 Sot, stërvitja frymore nis kur një burrë pranon një studim biblik. Ndoshta duhet ta ndihmojmë të lexojë mirë. Ndërsa drejtojmë studimin biblik me të, mund ta ndihmojmë edhe në mënyra të tjera. Kur ai fillon të ndjekë rregullisht mbledhjet e krishtere, do të vazhdojë të stërvitet frymësisht teksa merr pjesë në Shkollën e Shërbimit Teokratik, bëhet lajmëtar i papagëzuar etj. Pas pagëzimit, në stërvitjen e tij mund të përfshihen gjëra të tilla, si ndihma që jep për të mirëmbajtur Sallën e Mbretërisë. Me kalimin e kohës, një vëlla mund të ndihmohet për të kuptuar se çfarë duhet të bëjë që të kualifikohet si shërbëtor ndihmës.

11 Kur një plak i jep një caktim një vëllai të pagëzuar, i shpjegon me kënaqësi procedurat organizative përkatëse dhe i jep udhëzimet e nevojshme. Vëllai që po stërvitet duhet të kuptojë se çfarë pritet prej tij. Nëse ka vështirësi në lidhje me atë që i është kërkuar të bëjë, një plak i dashur nuk nxjerr shpejt përfundimin se vëllai nuk është i kualifikuar. Përkundrazi, me dashamirësi plaku i tregon pika specifike ku mund të përmirësojë dhe rishikon me të se çfarë duhet të bëjë, si edhe procedurat. Kur shohin burra që reagojnë mirë ndaj përpjekjeve të tilla dhe si rrjedhim përjetojnë gëzimin që vjen duke u shërbyer të tjerëve, pleqtë ndihen të lumtur.​—Vep. 20:35.

«I mençur është ai që e dëgjon këshillën»

12. Pse këshillat e Jezuit ishin të efektshme?

12 Jezui i stërviste dishepujt duke u dhënë këshilla personale sipas nevojave të tyre. Për shembull, ai e qortoi Jakovin dhe Gjonin ngaqë donin të zbriste zjarr nga qielli mbi disa samaritanë që nuk e kishin mirëpritur. (Luka 9:52-55) Kur nëna e Jakovit dhe e Gjonit iu afrua Jezuit që t’i kërkonte në emër të tyre t’u jepeshin pozita të privilegjuara në Mbretëri, Jezui iu drejtua drejtpërdrejt vëllezërve duke u thënë: «Nuk më takon mua t’ju ul në të djathtën dhe në të majtën time. Ai vend u takon atyre që ua ka bërë gati Ati im.» (Mat. 20:20-23) Gjithmonë Jezui jepte këshilla që ishin të qarta, praktike dhe plotësisht të bazuara në parimet hyjnore. Ai i mësonte dishepujt të arsyetonin në bazë të këtyre parimeve. (Mat. 17:24-27) Po ashtu, Jezui kuptonte kufizimet e dishepujve dhe nuk priste përsosmëri prej tyre. Këshillat e tij motivoheshin nga dashuria e sinqertë.​—Gjoni 13:1.

13, 14. (a) Cilët kanë nevojë për këshilla? (b) Jepni shembuj se ç’këshilla personale mund t’i japë një plak dikujt që nuk po përparon frymësisht.

13 Çdo burrë që synon përgjegjësi në kongregacionin e krishterë, herët a vonë ka nevojë për këshilla nga Bibla. «I mençur është ai që e dëgjon këshillën»,—thuhet te Proverbat 12:15. Një vëlla i ri në moshë thotë: «Kuptova se sfida ime më e madhe ishte të përballesha me papërsosmëritë e mia. Këshillat e një plaku më ndihmuan ta shihja këtë problem nga këndvështrimi i duhur.»

14 Nëse pleqtë vërejnë se ndonjë sjellje e diskutueshme po vonon përparimin frymor të një burri, ata marrin iniciativën që ta ndreqin me një frymë butësie. (Gal. 6:1) Ndonjëherë nevojiten këshilla për shkak të ndonjë tipari të personalitetit. Për shembull, nëse një vëlla duket se e kursen disi veten, mund të jetë e dobishme që një plak t’i tregojë se vetë Jezui që u dha ithtarëve caktimin për të bërë dishepuj, ishte lajmëtar i zellshëm i Mbretërisë. (Mat. 28:19, 20; Luka 8:1) Nëse një vëlla duket ambicioz, një plak mund t’i tregojë se si i ndihmoi Jezui dishepujt të kuptonin rreziqet që vijnë kur kërkon pozitë. (Luka 22:24-27) Po sikur një vëlla të ketë prirjen që të mos i falë të tjerët? Ilustrimi i skllavit që nuk pranoi të falte një borxh të vogël, edhe pse atij i kishin falur shumë më tepër, mund të ndikojë fuqimisht. (Mat. 18:21-35) Kur nevojiten këshilla, është mirë që pleqtë t’i japin sa më parë.​—Lexo Proverbat 27:9.

«Stërvitu»

15. Si mund ta ndihmojë familja një burrë që t’u shërbejë të tjerëve?

15 Pleqtë marrin drejtimin për t’i stërvitur burrat që të synojnë përgjegjësi, por edhe të tjerët mund t’i mbështetin përpjekjet e tyre. Për shembull, familja e një burri mund dhe duhet ta ndihmojë që të synojë përgjegjësi. Dhe, nëse tashmë ai është plak, do të nxjerrë dobi nga mbështetja e gruas së dashur dhe e fëmijëve altruistë. Që kryefamiljari të arrijë të mbajë përgjegjësinë e tij si i emëruar, është thelbësore që familjarët të pranojnë me gatishmëri se ai duhet të kujdeset edhe për kongregacionin. Fryma e tyre vetëmohuese e gëzon atë dhe çmohet shumë nga të tjerët.​—Prov. 15:20; 31:10, 23.

16. (a) Kush e ka përgjegjësinë për të synuar privilegje? (b) Si mund të synojë një burrë privilegje në kongregacion?

16 Ndonëse të tjerët mund ta ndihmojnë e ta mbështetin, përgjegjësinë kryesore për të synuar e ka vetë personi. (Lexo Galatasve 6:5.) Natyrisht, një vëlla nuk duhet të jetë medoemos shërbëtor ndihmës ose plak që të ndihmojë të tjerët dhe të marrë pjesë plotësisht në shërbim. Gjithsesi, të synosh privilegje në kongregacion faktikisht do të thotë të përpiqesh të plotësosh kualifikimet që tregohen në Shkrime. (1 Tim. 3:1-13; Titit 1:5-9; 1 Pjet. 5:1-3) Kështu, nëse një burrë dëshiron të shërbejë si shërbëtor ndihmës ose plak, por ende nuk është emëruar, duhet t’u kushtojë vëmendje atyre fushave ku ka nevojë të bëjë përparim frymor. Kjo kërkon lexim të rregullt të Biblës, studim personal të zellshëm, meditim serioz, lutje të përzemërta dhe pjesëmarrje të zellshme në shërbimin e krishterë. Në këto mënyra, ai mund të zbatojë personalisht këtë këshillë që Pavli i dha Timoteut: «Stërvitu, duke pasur si synim përkushtimin hyjnor.»​—1 Tim. 4:7.

17, 18. Ç’mund të bëjë një vëlla i pagëzuar nëse ngurron për shkak të ankthit, ndjenjave të pazotësisë ose mungesës së motivimit?

17 Po sikur një burrë të mos jetë duke synuar ngaqë ka ankth ose ndihet i pazotë? Atëherë duhet të mendojë se sa shumë bëjnë për ne Perëndia Jehova dhe Jezu Krishti. Në fakt, Jehovai «përditë mban barrën tonë». (Psal. 68:19) Prandaj, Ati ynë qiellor mund ta ndihmojë një vëlla që të marrë përgjegjësi në kongregacion. Gjithashtu, për një vëlla që nuk po shërben si shërbëtor ndihmës ose plak, do të jetë dobiprurëse të shqyrtojë faktin se ka shumë nevojë për burra të pjekur që të pranojnë privilegje shërbimi në organizatën e Perëndisë. Meditimi rreth këtyre pikave mund ta nxitë një vëlla të bëjë përpjekje për të kapërcyer ndjenjat negative. Ai mund të lutet për frymën e shenjtë, duke mbajtur parasysh se fryti i saj përfshin paqen dhe vetëkontrollin​—cilësi që i nevojiten për të larguar ankthin ose ndjenjat e pazotësisë. (Luka 11:13; Gal. 5:22, 23) Dhe një person i tillë mund të jetë plotësisht i sigurt se Jehovai i bekon të gjithë ata që synojnë me motivin e duhur.

18 Mos ndoshta një burrë i pagëzuar nuk synon ngaqë nuk ka motivimin e duhur? Çfarë mund ta ndihmojë një vëlla që nuk ka dëshirën për të shërbyer? Apostulli Pavël shkroi: «[Perëndia], në saje të pëlqimit të tij, po vepron brenda jush, me qëllim që të keni vullnet dhe të veproni.» (Filip. 2:13) Dëshira për të shërbyer vjen nga Perëndia, dhe fryma e Tij mund t’i japë forcë një personi që të bëjë shërbim të shenjtë. (Filip. 4:13) Për më tepër, një i krishterë mund të lutet që Perëndia ta ndihmojë të bëjë atë që është e drejtë.​—Psal. 25:4, 5.

19. Për çfarë na siguron ngritja e ‘shtatë barinjve, po, e tetë dukëve’?

19 Jehovai i bekon përpjekjet e pleqve për të stërvitur të tjerët. Ai i bekon edhe ata që reagojnë mirë ndaj kësaj stërvitjeje dhe synojnë privilegje në kongregacion. Shkrimet na sigurojnë se mes popullit të Perëndisë do të ngrihen «shtatë barinj, po, tetë dukë»​—numri i duhur i burrave të aftë—​që do të marrin drejtimin në organizatën e Jehovait. (Mik. 5:5) Ç’bekim është që kaq shumë burra të krishterë po stërviten dhe po synojnë përulësisht privilegje shërbimi për lavdi të Jehovait!

Si do të përgjigjeshit?

• Si i ndihmoi Jezui dishepujt që të kualifikoheshin për përgjegjësi më të mëdha?

• Si mund ta imitojnë pleqtë Jezuin, teksa ndihmojnë burra në kongregacion që të marrin drejtimin?

• Ç’rol luan familja e një burri për ta ndihmuar që të synojë privilegje?

• Ç’mund të bëjë vetë një burrë që të synojë privilegje?

[Pyetjet]

[Figurat në faqen 31]

Ç’stërvitje mund t’i jepni studentit tuaj të Biblës ndërsa përpiqet të përparojë?

[Figura në faqen 32]

Si mund të tregojnë burrat se po synojnë privilegje?