Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A ju kujtohet?

A ju kujtohet?

A ju kujtohet?

A i keni lexuar me kujdes numrat e fundit të Kullës së Rojës? Atëherë, provoni nëse mund t’u përgjigjeni pyetjeve vijuese:

• Kush ishte Olivetani dhe pse duhet të na interesojë vepra e tij?

Me këtë emër njihej francezi Pjer Rober. Gjatë Reformës në shekullin e 16-të përktheu Biblën në frëngjisht. Ai preferoi të përdorte fjalën «mbikëqyrës» në vend të fjalës «peshkop» dhe «kongregacion» në vend të fjalës «kishë». Në disa vende të Biblës përdori emrin e Perëndisë, «Jehova».​—1/9, faqet 18-20.

• Çfarë donte të thoshte Perëndia kur u tha levitëve: ‘Unë jam pjesa juaj.’

Secilit prej fiseve të Izraelit iu dha një pjesë e vendit, por levitët kishin Jehovain si ‘pjesën’ e tyre. (Num. 18:20) Atyre nuk do t’u jepej tokë si trashëgimi, megjithatë morën një privilegj shërbimi të veçantë. Prapëseprapë, Jehovai u kujdes për nevojat e tyre materiale bazë. Sot, ata që kanë privilegjin të çojnë përpara interesat e Mbretërisë, mund të jenë të sigurt se do t’u plotësohen nevojat e jetës.​—15/9, faqet 7-8, 13.

• Si e dimë kur ra Jerusalemi i lashtë në duart e babilonasve?

Historianët klasikë japin hollësi të përziera e të kundërta për mbretërit babilonas dhe mbretërimet e tyre. Gjithsesi, studiuesit janë dakord se Kiri II e pushtoi Babiloninë në vitin 539 p.e.s, e cila është një datë kyçe. Judenjtë u lanë të lirë dhe mbërritën në atdheun e tyre në vitin 537 p.e.s. Bibla thotë se mërgimi i tyre zgjati 70 vjet. Prandaj, Jerusalemi duhet të ketë rënë në vitin 607 p.e.s. (2 Kron. 36:21, 22; Jer. 29:10; Dan. 9:1, 2)​—1/10, faqet 26-31.

• Çfarë mund ta ndihmojë një të krishterë që të vendosë nëse një lloj zbavitjeje është apo jo dobiprurëse?

Për të përcaktuar nëse një lloj zbavitjeje do të jetë dobiprurëse dhe e këndshme në sytë e Perëndisë, është mirë t’i bëjmë vetes këto pyetje: «Çfarë përfshin? Sa do të zbavitem? Cilët do të jenë shokët e mi?»​—15/10, faqet 9-12.

• Pse është e gabuar të abortosh?

Për Perëndinë jeta është e shenjtë dhe, në sytë e tij, edhe një embrion është një person më vete dhe i gjallë. (Psal. 139:16) T’i japësh fund jetës së një fëmije të palindur është vrasje, siç tregohet nga fakti se nën Ligjin e Moisiut, kush dëmtonte një fëmijë të palindur do të jepte llogari. (Dal. 21:22, 23)​—1/11, faqja 6.

• Si mund të na ndihmojë tregimi te Proverbat 7:6-23 që të mos shikojmë pornografi?

Në atë tregim flitet për një të ri që ecte në një rrugë ku dihej se banonte një grua imorale. Ajo e joshi. Sot, duhet të shmangim sitet në Internet që përmbajnë pamje provokuese dhe është e rëndësishme të kërkojmë ndihmën e Perëndisë me anë të lutjes, madje para se të hasim pamje të tilla në Internet.​—15/11, faqet 9-10.

• Si e dimë nëse do të mbijetojë apo jo toka në vitin 2012?

Për shkak të cikleve të një kalendari të lashtë maja, disa mendojnë se bota do të shkatërrohet në vitin 2012. Por kjo nuk ka për të ndodhur, sepse Jehovai e krijoi tokën që të banohej. Bibla thotë se toka do të ekzistojë përgjithmonë. (Ekl. 1:4; Isa. 45:18)​—1/12, faqja 10.

• Cilët nga shkrimtarët biblikë ishin të pranishëm në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s.?

Duket se ishin të pranishëm gjashtë shkrimtarë të Shkrimeve të Krishtere Greke. Ishin tre apostuj: Mateu, Gjoni dhe Pjetri. Gjithashtu, ishin dy gjysmëvëllezër të Jezuit: Jakovi dhe Juda. Dhe ka mundësi që të ishte edhe i riu Mark.​—1/12, faqja 22.