Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Besnikët e lashtësisë drejtoheshin nga fryma e Perëndisë

Besnikët e lashtësisë drejtoheshin nga fryma e Perëndisë

Besnikët e lashtësisë drejtoheshin nga fryma e Perëndisë

«Zotëria Sovran Jehova më ka dërguar mua bashkë me frymën e tij.»​—ISA. 48:16.

1, 2. Çfarë nevojitet që të tregojmë besim? Ç’inkurajim do të marrim duke shqyrtuar shembullin e besnikëve të lashtësisë?

MEGJITHËSE shumë kanë treguar besim që nga koha e Abelit, «besimi nuk zotërohet nga të gjithë». (2 Sel. 3:2) Atëherë, pse disa e kanë këtë cilësi dhe çfarë i bën të jenë besnikë? Në një masë të madhe, besimi vjen pasi dikush ka dëgjuar Fjalën e Perëndisë. (Rom. 10:17) Ai është një aspekt i frytit të frymës së shenjtë të Perëndisë. (Gal. 5:22, 23) Prandaj, që të tregojmë besim, kemi nevojë për frymën e shenjtë.

2 Do të ishte gabim të nxirrnim përfundimin se burrat dhe gratë me besim kanë lindur të tillë, se besimi vjen natyrshëm. Shërbëtorët shembullorë për të cilët lexojmë në Bibël ishin njerëz «me ndjenja si tonat». (Jak. 5:17) Ata kishin dyshime, pasiguri dhe dobësi, por «u bënë të fuqishëm» falë frymës së Perëndisë që të përballonin sfidat. (Hebr. 11:34) Duke shqyrtuar se si fryma e Jehovait veproi mbi ta, do të marrim zemër që të vazhdojmë në udhën e besnikërisë pasi jetojmë në një kohë kur besimi është nën sulm.

Fryma e Perëndisë fuqizoi Moisiun

3-5. (a) Si e dimë se Moisiu veproi me ndihmën e frymës së shenjtë? (b) Çfarë na mëson shembulli i Moisiut për mënyrën si na jep Jehovai frymën e tij?

3 Nga të gjithë njerëzit që jetonin në vitin 1513 p.e.s., Moisiu ishte «më zemërbuti». (Num. 12:3) Këtij shërbëtori me natyrë të butë iu besua një përgjegjësi e stërmadhe në kombin e Izraelit. Fryma e Perëndisë e fuqizoi Moisiun të profetizonte, të gjykonte, të shkruante, të drejtonte dhe të kryente mrekulli. (Lexo Isainë 63:11-14.) Megjithatë, pas njëfarë kohe, Moisiu u ankua se kjo barrë ishte tepër e rëndë. (Num. 11:14, 15) Prandaj, Jehovai mori «ca nga fryma» që ishte mbi Moisiun dhe e vuri mbi 70 të tjerë që ta ndihmonin të mbante barrën e punës. (Num. 11:16, 17) Ndonëse barra e Moisiut dukej tepër e rëndë, faktikisht ai nuk e kishte mbajtur vetëm​—as 70 burrat që u emëruan ta ndihmonin nuk do ta mbanin vetëm.

4 Moisiut iu dha mjaftueshëm frymë e shenjtë për detyrën që iu caktua. Pas këtij ndryshimi, ai kishte ende aq frymë sa i nevojitej. Moisiu nuk kishte pak dhe 70 burrat nuk kishin tepër. Jehovai jep aq frymë sa kemi nevojë, sipas rrethanave tona. «Ai nuk e jep frymën me kursim», por me bollëk.​—Gjoni 3:34.

5 A po kalon sprova? A të duhet më tepër kohë për të bërë gjërat e nevojshme? A po përpiqesh të sigurosh nevojat frymore dhe fizike të familjes, ndërsa përballon shpenzimet që rriten ose ankthet për shëndetin? A ke përgjegjësi me peshë në kongregacion? Ji i sigurt se me anë të frymës së tij, Perëndia mund të të japë forcën që të nevojitet për të përballuar çdo situatë.​—Rom. 15:13.

Fryma e shenjtë e kualifikoi Bezalelin

6-8. (a) Çfarë mundën të bënin Bezaleli dhe Oholiabi falë frymës së Perëndisë? (b) Ç’gjë tregon se Bezaleli dhe Oholiabi drejtoheshin nga fryma e Perëndisë? (c) Pse përvoja e Bezalelit na nxit në veçanti?

6 Përvoja e bashkëkohësit të Moisiut, Bezalelit, zbulon shumë për mënyrën si mund të veprojë fryma e Perëndisë. (Lexo Daljen 35:30-35.) Bezaleli u caktua të drejtonte punën për të bërë pajisjet e nevojshme për tabernakullin. A dinte ndonjë mjeshtëri para këtij projekti të stërmadh? Mbase, por ka shumë të ngjarë që puna e tij më e fundit të ketë qenë bërja e tullave për egjiptianët. (Dal. 1:13, 14) Atëherë, si do ta kryente Bezaleli këtë punë të ndërlikuar? Jehovai ‘e mbushi me frymën e Perëndisë, me mençuri, kuptueshmëri e njohuri, që të ishte i aftë në çdo lloj zanati: të skiconte modele dhe të bënte prodhime mjeshtërore të çdo lloji’. Ndonëse Bezaleli mund të ketë pasur disa aftësi të lindura, fryma e shenjtë e bëri edhe më të aftë. Po njësoj ishte edhe me Oholiabin. Bezaleli dhe Oholiabi duhet të kenë mësuar mirë, sepse jo vetëm i kryen detyrat e tyre, por edhe mësuan të tjerët se çfarë të bënin. Po, Perëndia u vuri në zemër se si të mësonin të tjerët.

7 Një dëshmi tjetër se Bezaleli dhe Oholiabi drejtoheshin nga fryma e Perëndisë, është kohëzgjatja e jashtëzakonshme e rezultatit të punës së tyre. Produktet që bënë, ishin ende në përdorim rreth 500 vjet më vonë. (2 Kron. 1:2-6) Ndryshe nga prodhuesit e sotëm, Bezaleli dhe Oholiabi nuk kishin asnjë interes të vinin firmën ose markën në punimet e tyre. E gjithë merita për ato arritje i shkoi Jehovait.​—Dal. 36:1, 2.

8 Sot mund të na duhet të kryejmë disa detyra që na frikësojnë ngaqë kërkojnë aftësi të veçanta, si: ndërtimi, shtypja e literaturës, organizimi i kongreseve, administrimi i ndihmave në raste katastrofash dhe komunikimi me mjekët dhe personelin e spitaleve në lidhje me qëndrimin tonë biblik rreth përdorimit të gjakut. Ndonjëherë këto punë i kryejnë persona që kanë aftësi, por më shpesh i kryejnë vullnetarë që s’kanë mjaft njohuri në një fushë specifike. Megjithatë, fryma e Perëndisë bën që përpjekjet e tyre të kenë sukses. A ke ngurruar të pranosh një caktim në shërbim të Jehovait, duke menduar se të tjerët ishin më të kualifikuar? Kujto që fryma e Jehovait mund të ta shtojë njohurinë, të të bëjë më të aftë dhe të të ndihmojë të përmbushësh çfarëdo caktimi që ai të jep.

Josiu pati sukses me ndihmën e frymës së Perëndisë

9. Në cilat rrethana u gjendën izraelitët pas daljes nga Egjipti? Cila pyetje lindi?

9 Fryma e Perëndisë drejtoi edhe një bashkëkohës tjetër të Moisiut dhe Bezalelit. Pak kohë pas daljes nga Egjipti, amalekitët nisën një sulm të paprovokuar kundër popullit të Perëndisë. Kishte ardhur koha që izraelitët ta zmbrapsnin këtë kërcënim. Ndonëse ishin fare të pamësuar me luftën, izraelitët duhej të merrnin pjesë në betejën e parë ushtarake si popull i çliruar. (Dal. 13:17; 17:8) Dikush duhej t’i drejtonte në luftë. Kush do të ishte?

10. Pse dolën fitimtarë në betejë izraelitët e udhëhequr nga Josiu?

10 U zgjodh Josiu. Por, çfarë punësh kishte bërë më parë ai që mund ta kualifikonin për atë mision? Punë krahu si skllav, përzierës kashte, mbledhës mane. Vërtet gjyshi i Josiut, Elishami, ishte prijës i fisit të Efraimit dhe me sa duket u printe 108.100 burrave të një prej ndarjeve trifisëshe të Izraelit. (Num. 2:18, 24; 1 Kron. 7:26, 27) Sidoqoftë, Jehovai urdhëroi nëpërmjet Moisiut se ushtrinë që do të mposhtte armikun nuk do ta udhëhiqte as Elishami, as biri i tij Nuni, por Josiu. Beteja zgjati gati gjithë ditën. Ngaqë Josiu u bind në mënyrë absolute dhe tregoi vlerësim të madh për drejtimin e frymës së shenjtë të Perëndisë, Izraeli doli fitimtar.​—Dal. 17:9-13.

11. Si mund të kemi sukses në shërbimin e shenjtë ashtu si Josiu?

11 Më vonë Josiu, «plot frymë mençurie», zëvendësoi Moisiun. (Ligj. 34:9) Fryma e shenjtë nuk i dha atij aftësinë që të profetizonte ose të kryente mrekulli siç i kishte dhënë Moisiut, por e ndihmoi të udhëhiqte Izraelin në një fushatë ushtarake që çoi në pushtimin e Kanaanit. Sot mund të ndihemi të papërvojë ose pa kualifikimin e duhur për të kryer disa aspekte të shërbimit tonë të shenjtë. Megjithatë, ashtu si Josiu, jemi të sigurt se do të kemi sukses nëse u përmbahemi ngushtësisht udhëzimeve hyjnore.​—Jos. 1:7-9.

«Fryma e Jehovait pushtoi Gideonin»

12-14. (a) Çfarë zbulon fakti që 300 burra mundën të shpartallonin hordhitë midianite? (b) Si e siguroi Jehovai Gideonin? (c) Ç’siguri nga Perëndia marrim sot?

12 Pas vdekjes së Josiut, Jehovai vazhdoi të tregonte se si fuqia e tij mund t’i forcojë besnikët. Libri i Gjykatësve është plot me tregime për njerëz që «nga të dobët u bënë të fuqishëm». (Hebr. 11:34) Me anë të frymës së shenjtë, Perëndia e shtyu Gideonin të luftonte për popullin e Tij. (Gjyk. 6:34) Por, ushtria që mblodhi Gideoni ishte katër herë më e vogël se forcat midianite. Në sytë e Jehovait edhe ky regjiment i vogël izraelit ishte tejet i madh. Ai urdhëroi dy herë që Gideoni ta pakësonte ushtrinë derisa armiqtë të ishin 450 herë më shumë se luftëtarët izraelitë. (Gjyk. 7:2-8; 8:10) Jehovai parapëlqeu këtë raport forcash. Në rast të një fitoreje mahnitëse, kush mund të mburrej se ishte arritur falë përpjekjeve ose mençurisë njerëzore?

13 Gideoni dhe trupat e tij ishin pothuajse gati. Po të bëje pjesë në atë grup të vogël, a do të ndiheshe i sigurt duke ditur se në kompani nuk kishte më burra të trembur dhe më pak vigjilentë? Apo do të kishe pak frikë teksa mendoje se si mund të venin gjërat? Nuk kemi pse të hamendemi se si u ndie Gideoni. Ai bëri atë që iu tha të bënte. (Lexo Gjykatësit 7:9-14.) Jehovai nuk e qortoi Gideonin ngaqë kërkoi një shenjë si provë se Perëndia do të ishte me të. (Gjyk. 6:36-40) Përkundrazi, ia forcoi besimin.

14 Fuqia shpëtuese e Jehovait është e pafund. Ai mund ta shpëtojë popullin e tij nga çfarëdo situate e vështirë, madje duke e bërë këtë me anë të atyre që duken të dobët ose të pafuqishëm. Ndonjëherë mund të mendojmë se jemi të paktë në numër ose të ndihemi në ngushticë të madhe. Nuk presim shenja miratimi me anë të mrekullive siç iu dhanë Gideonit, por mund të marrim me bollëk drejtim dhe siguri nga Fjala e Perëndisë dhe nëpërmjet kongregacionit të tij të drejtuar nga fryma. (Rom. 8:31, 32) Premtimet e dashura të Jehovait na forcojnë besimin dhe na bindin se ai është vërtet Ndihmësi ynë.

«Atëherë fryma e Jehovait erdhi mbi Jefteun»

15, 16. Pse vajza e Jefteut kishte një qëndrim të shkëlqyer dhe përse kjo është inkurajuese për prindërit?

15 Të shqyrtojmë një shembull tjetër. Kur izraelitëve iu desh të përballeshin në betejë me amonitët, fryma e Jehovait «erdhi mbi Jefteun». Nga dëshira e zjarrtë për fitore në lavdi të Jehovait, Jefteu bëri një zotim që i kushtoi shtrenjtë. U zotua që, nëse Perëndia do t’ia jepte në dorë Amonin, i pari që do të dilte nga dera e shtëpisë së tij kur të kthehej, do t’i përkiste Jehovait. Kur Jefteu u kthye, pasi kishte mposhtur Amonin, vajza e tij doli me vrap për ta takuar. (Gjyk. 11:29-31, 34) A u befasua Jefteu nga kjo? Ka të ngjarë që jo, sepse ai kishte vetëm një fëmijë. Jefteu e mbajti zotimin duke ia kushtuar të bijën shërbimit në shenjtëroren e Jehovait në Shiloh. Duke qenë një adhuruese besnike e Jehovait, vajza e Jefteut ishte e bindur se zotimi i të atit duhej plotësuar. (Lexo Gjykatësit 11:36.) Fryma e Jehovait u dha të dyve forcën që u nevojitej.

16 Si e zhvilloi vajza e Jefteut një frymë të tillë vetësakrifikuese? Pa dyshim, besimi i saj u ndërtua tek vëzhgonte zellin dhe përkushtimin hyjnor të të atit. Prindër, shembulli juaj nuk kalon pa u vënë re nga fëmijët. Vendimet tuaja tregojnë se ju e besoni atë që thoni. Fëmijët e vërejnë se si lutjet tuaja të zjarrta dhe mësimdhënia juaj e efektshme ndërthuren me shembullin që lini duke treguar se ç’do të thotë t’i shërbesh Jehovait me zemër të plotë. Kështu fëmijët ka shumë të ngjarë të zhvillojnë një dëshirë të fortë që të tregohen të gatshëm për t’i shërbyer Jehovait. Kjo do t’ju sjellë shumë gëzim.

«Fryma e Jehovait nisi të vepronte» te Samsoni

17. Çfarë bëri Samsoni nëpërmjet frymës së Perëndisë?

17 Të shqyrtojmë një shembull tjetër. Kur Izraeli ra në robërinë e filistinëve, «pas ca kohësh, fryma e Jehovait nisi ta shtynte» Samsonin që të çlironte Izraelin. (Gjyk. 13:24, 25) Samsoni u fuqizua të kryente bëma që kërkonin forcë mahnitëse dhe të pakrahasueshme. Kur filistinët ua mbushën mendjen bashkëkombësve të Samsonit që ta kapnin, «fryma e Jehovait nisi të vepronte tek ai dhe litarët që kishte në krahë u bënë si fije liri të zhuritura nga zjarri. Ato u shkrinë dhe i ranë nga duart». (Gjyk. 15:14) Edhe kur ishte i dobët fizikisht ngaqë nuk tregoi gjykim të mirë, Samsoni u bë i fuqishëm «nëpërmjet besimit». (Hebr. 11:32-34; Gjyk. 16:18-21, 28-30) Fryma e Jehovait veproi mbi të në një mënyrë unike për shkak të rrethanave të pazakonta. Megjithatë, këto ngjarje historike na inkurajojnë shumë. Në ç’kuptim?

18, 19. (a) Ç’siguri na jep përvoja e Samsonit? (b) Si ke nxjerrë dobi nga shqyrtimi i shembujve besnikë në këtë artikull?

18 Ne sot mbështetemi tek e njëjta frymë e shenjtë si Samsoni. Veprojmë kështu ndërsa kryejmë veprën që Jezui u dha dishepujve, domethënë, ‘t’i predikojmë popullit dhe t’i japim dëshmi të plotë’. (Vep. 10:42) Ky caktim kërkon aftësi që mund të mos i kemi të lindura. Sa mirënjohës jemi që Jehovai përdor frymën e tij për të na ndihmuar të përmbushim detyrat e ndryshme që na janë besuar! Kështu, ndërsa plotësojmë caktimin tonë, mund të themi si profeti Isaia: «Zotëria Sovran Jehova më ka dërguar mua bashkë me frymën e tij.» (Isa. 48:16) I kushtohemi me gjithë zemër kësaj vepre, të sigurt se Jehovai do të na bëjë edhe më të kualifikuar, siç veproi me Moisiun, Bezalelin dhe Josiun. Ne marrim «shpatën e frymës, që është fjala e Perëndisë», të sigurt se ai do të na fuqizojë siç bëri me Gideonin, Jefteun dhe Samsonin. (Efes. 6:17, 18) Duke u mbështetur te Jehovai për ndihmë që të kapërcejmë pengesat, mund të jemi po aq të fuqishëm frymësisht sa ishte edhe Samsoni fizikisht.

19 Qartë, Jehovai i bekon ata që marrin një qëndrim të guximshëm pro adhurimit të vërtetë. Ndërsa i përgjigjemi veprimit të frymës së shenjtë të Perëndisë, besimi ynë rritet. Prandaj do të jetë një kënaqësi të shqyrtojmë edhe disa ngjarje emocionuese të dokumentuara në Shkrimet e Krishtere Greke. Kjo do të zbulojë se si fryma e Jehovait veproi te shërbëtorët e tij besnikë në shekullin e parë, para dhe pas festës së Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s. Këto tregime do t’i shqyrtojmë në artikullin vijues.

Pse duhet të dish se si fryma e Perëndisë veproi te . . .

• Moisiu

• Bezaleli

• Josiu

• Gideoni

• Jefteu

• Samsoni

[Pyetjet]

[Diçitura në faqen 22]

Fryma e Perëndisë mund të na bëjë të fuqishëm frymësisht sa ishte edhe Samsoni fizikisht

[Figura në faqen 21]

Prindër, shembulli juaj i zellit ndikon te fëmijët