Mos e lejo sëmundjen të të rrëmbejë gëzimin!
Mos e lejo sëmundjen të të rrëmbejë gëzimin!
MENDO sikur të zgjohesh me dëshirën që dita të mbarojë pa nisur ende. Të duhet të përballosh dhembjen fizike dhe emocionale edhe një ditë tjetër. Mbase ndihesh si Jobi që tha: «Vdekja është më e mirë se një jetë e këtillë!» (Jobi 7:15, Bibla ECM) Po sikur kjo situatë të vazhdojë, madje për vite?
Kështu ndihej Mefibosheti, biri i Jonatanit, mik i mbretit David. Kur ishte pesë vjeç, Mefibosheti «ra dhe mbeti i çalë». (2 Sam. 4:4) Kur më vonë e akuzuan padrejtësisht për tradhti ndaj mbretit e më pas humbi gjërat materiale, dhembja emocionale duhet t’ia ketë shtuar dhembjen fizike. Prapëseprapë, ai vazhdoi të ishte një shembull i shkëlqyer për sa i përket përballimit të sëmundjes, shpifjes e zhgënjimit, duke mos i lejuar t’i rrëmbenin gëzimin.—2 Sam. 9:6-10; 16:1-4; 19:24-30.
Apostulli Pavël është një shembull tjetër. Një herë, ai shkroi për «një gjemb në mish» me të cilin duhej të luftonte. (2 Kor. 12:7) Gjembi për të cilin flet Pavli mund të ketë qenë ndonjë paaftësi fizike që kishte prej kohësh ose mund të kenë qenë njerëzit që sfidonin pozitën e tij si apostull. Cilido të ketë qenë ky problem, vazhdonte, dhe Pavli duhej të përballonte dhembjen fizike ose emocionale që vinte si pasojë.—2 Kor. 12:9, 10.
Disa shërbëtorë të Perëndisë sot vuajnë nga sëmundjet kronike ligështuese ose stresi emocional. Kur ishte 18 vjeçe, Magdalena u diagnostikua me lupus eritematoz sistemik, një sëmundje ku sistemi imunitar sulmon vetë organet e trupit. Ajo tregon: «Isha e tmerruar! Teksa koha kalonte, gjendja ime përkeqësohej dhe u rëndua më tej nga çrregullimet në tretje, ulcera në gojë dhe probleme me tiroidet.» Nga ana tjetër, Izabela duhej të përballonte probleme që nuk janë kaq të dukshme. Ajo shpjegon: «Që nga fëmijëria kisha vuajtur nga depresioni. Si pasojë kam kriza paniku, probleme me frymëmarrjen e spazma në stomak. Zakonisht jam e sfilitur.»
Të përballesh me realitetin
Sëmundjet dhe lëngatat mund të ta ndryshojnë komplet jetën. Kur je në këtë gjendje, është e dobishme të ulesh e me ndershmëri të shqyrtosh situatën tënde. Të pranosh kufizimet e tua mund të mos jetë e lehtë. Magdalena thotë: «Sëmundja ime është progresive. Shpesh ndihem kaq e sfilitur sa nuk ngrihem dot nga shtrati. Natyra e paparashikueshme e sëmundjes sime ma bën shumë të vështirë të planifikoj gjëra. Ajo që më mërzit më shumë është se nuk mund të bëj më aq sa bëja më parë në shërbim të Jehovait.»
Zbignievi shpjegon: «Ndërsa vitet shkojnë, artriti reumatoid më thith gjithë energjitë, duke m’i dëmtuar kyçet një e nga një. Ka
raste që mahisja është aq e rëndë, sa nuk jam në gjendje të bëj as gjërat më të thjeshta. Kjo më brengos jashtë mase.»Para disa vjetësh, Barbara u diagnostikua me një tumor progresiv në tru. Ajo thotë: «Trupi im ka pësuar ndryshime të papritura. Ndihem si e shuar, kam dhembje të shpeshta koke dhe probleme me përqendrimin. Për shkak të këtyre kufizimeve të papritura m’u desh të rishqyrtoja çdo gjë në jetë.»
Të tre këta individë janë shërbëtorë të kushtuar të Jehovait. Gjëja parësore për ta është të bëjnë vullnetin e tij. Ata besojnë plotësisht te Perëndia dhe nxjerrin dobi nga mbështetja që u jep ai.—Prov. 3:5, 6.
Si ndihmon Jehovai?
Nuk duhet të mendojmë se vuajtjet që po kalojmë, tregojnë që Perëndia është i pakënaqur me ne. (Vajt. 3:33) Mendo ç’hoqi Jobi, edhe pse ishte ‘i paqortueshëm dhe i drejtë’. (Jobi 1:8) Perëndia nuk sprovon askënd me gjëra të liga. (Jak. 1:13) Të gjitha sëmundjet—përfshirë ato kronike dhe emocionale—janë një trashëgimi e mjerueshme nga prindërit tanë të parë, Adami dhe Eva.—Rom. 5:12.
Megjithatë, Jehovai dhe Jezui nuk do t’i lënë pa ndihmë të drejtët. (Psal. 34:15) Sidomos në momente të vështira të jetës, arrijmë të kuptojmë se Perëndia është ‘streha dhe kalaja jonë’. (Psal. 91:2) Prandaj, ndërsa përballon situata që nuk zgjidhen lehtë, çfarë mund të të ndihmojë të ruash gëzimin?
Lutja. Duke ndjekur modelin e shërbëtorëve besnikë të Perëndisë në lashtësi, mund t’ia hedhësh barrën Atit tonë qiellor me anë të lutjes. (Psal. 55:22) Ndërsa bën kështu, mund të ndiesh ‘paqen e Perëndisë që kapërcen çdo mendim’. Kjo paqe e brendshme ‘do të ruajë zemrën dhe fuqitë e tua mendore’. (Filip. 4:6, 7) Magdalena arrin t’i bëjë ballë sëmundjes së saj ligështuese duke u mbështetur te Perëndia me anë të lutjes. Ajo thotë: «Ia zbraz zemrën Jehovait dhe kjo më sjell lehtësim e më rikthen gëzimin. Tani e kuptoj vërtet se çfarë do të thotë të mbështetesh te Perëndia ditë për ditë.»—2 Kor. 1:3, 4.
Në përgjigje të lutjeve të tua, Jehovai do të të japë forcë nëpërmjet frymës së shenjtë, Fjalës së tij dhe vëllazërisë së krishterë. Mos prit që Perëndia ta heqë sëmundjen tënde me anë të ndonjë mrekullie. Sidoqoftë, mund të jesh i sigurt se do të të japë mençurinë dhe forcën që të nevojitet për të përballuar çdo mundim. (Prov. 2:7) Ai mund të të forcojë duke të dhënë ‘fuqi përtej asaj që është normale’.—2 Kor. 4:7.
Familja. Një atmosferë e dashur dhe mirëkuptuese në shtëpi mund të të ndihmojë të durosh sëmundjen. Por mos harro se edhe familjarët e tu po vuajnë. Ata mund të ndihen po aq të pafuqishëm sa ti. Megjithatë, të gjenden pranë edhe në kohë të vështira. Duke u lutur së bashku, do ta kesh më të lehtë ta mbash zemrën të qetë.—Prov. 14:30.
Barbara tregon për vajzën e saj dhe motrat e tjera të reja në kongregacion: «Ato më mbështetin në shërbim. Zelli i tyre më ngroh zemrën.» Zbignievi e çmon pa masë mbështetjen e gruas së tij. «Ajo merret me shumicën e punëve të shtëpisë. Më ndihmon edhe të vishem dhe shpesh më përgatit çantën për në mbledhje e për në shërbim.»
Bashkëbesimtarët. Kur jemi në shoqërinë e bashkëbesimtarëve, marrim inkurajim e ngushëllim. Por, si t’ia bësh nëse sëmundja jote ta bën të pamundur të shkosh në mbledhje? Magdalena komenton: «Kongregacioni kujdeset që të përfitoj nga mbledhjet duke i incizuar ato. Bashkadhuruesit e mi më marrin shpesh në telefon që të më pyesin se ç’mund të bëjnë tjetër për mua. Po ashtu, më dërgojnë letra inkurajuese. Mendimi se nuk më harrojnë dhe se shqetësohen për mirëqenien time, më ndihmon të qëndroj e fortë.»
Izabela, e cila vuan nga depresioni, tregon: «Brenda kongregacionit kam ‘baballarë’ dhe ‘nëna’ që më dëgjojnë e përpiqen të më kuptojnë. Kongregacioni është familja ime—atje ndiej paqe e gëzim.»
Ata që vuajnë nga sprova të ndryshme, nuk duhet ‘të veçohen’. Përkundrazi, duhet Prov. 18:1) Kështu do të bëhen një burim i madh inkurajimi për të tjerët. Në fillim mund të ngurrosh t’u tregosh vëllezërve e motrave se për çfarë ke nevojë. Por, bashkëbesimtarët do ta vlerësojnë çiltërsinë tënde. Kjo do t’u japë mundësi të tregojnë «përzemërsi vëllazërore pa hipokrizi». (1 Pjet. 1:22) Pse të mos t’u bësh të ditur se ke nevojë të të marrin me makinë për në mbledhje, se do të të pëlqente të dilnit bashkë në shërbim a të bisedoje me zemër të hapur me ta? Sigurisht, nuk duhet të bëhemi tepër kërkues, por të jemi mirënjohës për ndihmën e tyre.
ta çmojnë shumë shoqërinë e kongregacionit. (Ji pozitiv. Çelësi për ta përballuar sëmundjen kronike pa humbur gëzimin, shpesh është në dorën tënde. Një qëndrim i zymtë dhe ndjenjat e dëshpërimit, mund të çojnë në mendime negative. Bibla thotë: «Fryma e njeriut mund ta përballojë sëmundjen e tij, por kush mund ta durojë një frymë të dërrmuar?»—Prov. 18:14.
Magdalena vëren: «Bëj të pamundurën që të mos përqendrohem te problemet e mia. Përpiqem të shijoj ditët kur ndihem më mirë. Më inkurajojnë shumë jetëshkrimet e atyre që kanë qëndruar besnikë, pavarësisht nga sëmundjet kronike.» Izabela merr forcë nga mendimi se Jehovai e do dhe e vlerëson. Ajo thotë: «Ndihem e dobishme dhe kam dikë për të cilin të jetoj. Gjithashtu, kam një shpresë të mrekullueshme për të ardhmen.»
Zbignievi thotë: «Sëmundja më mëson të jem i përulur dhe i bindur edhe në rrethana të vështira. Më mëson edhe të tregoj gjykim të mirë e të fal me gjithë zemër. Kam mësuar të kënaqem në shërbim të Jehovait, pa ndier keqardhje për veten. Në fakt, jam nxitur të vazhdoj të përparoj frymësisht.»
Mbaj parasysh se Jehovai e vëren me kujdes qëndrueshmërinë tënde. Ai ndien dhembshuri kur ti vuan dhe kujdeset për ty. Nuk ‘do të harrojë veprën tënde dhe dashurinë që ke treguar për emrin e tij’. (Hebr. 6:10) Mos harro premtimin që u bën Perëndia atyre që i frikësohen: «Kurrsesi nuk do të të lë dhe kurrsesi nuk do të të braktis.»—Hebr. 13:5.
Nëse ndonjëherë ndihesh përtokë, përqendrohu te shpresa e mrekullueshme e jetës në botën e re. Po afrohet me të shpejtë koha kur do të shohësh me sytë e tu bekimet që do të sjellë në tokë Mbretëria e Perëndisë!
[Kutia dhe figura në faqet 28, 29]
Vazhdojnë të predikojnë edhe pse me sëmundje kronike
«Nuk mund të eci më vetëm, kështu që gruaja ose ndonjë nga vëllezërit e motrat më shoqëron në shërbim. Mësoj përmendsh prezantime dhe shkrime nga Bibla.»—Jezhi, me probleme shikimi.
«Përveç dëshmisë me anë të telefonit, shkruaj letra e mbaj korrespondencë me disa të interesuar. Kur jam në spital, mbaj pranë shtratit Biblën dhe botimet tona. Kjo më ka ndihmuar të nis shumë biseda të bukura.»—Magdalena, e diagnostikuar me lupus eritematoz sistemik.
«Më pëlqen shërbimi shtëpi më shtëpi, por, kur nuk jam mirë, jap dëshmi me telefon.»—Izabela, e cila vuan nga depresioni.
«Më pëlqen të bëj rivizita e të ndihmoj gjatë studimeve biblike. Në ditët që jam më mirë, më pëlqen të jap dëshmi nga shtëpia në shtëpi.»—Barbara, e cila ka tumor në tru.
«Mund të mbaj vetëm një çantë shumë të lehtë për revistat. Qëndroj në shërbim aq sa më lejon dhembja e kyçeve.»—Zbignievi, me artrit reumatoid.
[Figura në faqen 30]
Të rinj e të rritur mund të jenë burim inkurajimi