Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Përshtatja me rregullimet më ka dhënë shpërblime

Përshtatja me rregullimet më ka dhënë shpërblime

Përshtatja me rregullimet më ka dhënë shpërblime

Treguar nga Xhejms Tomsoni

Në vitin 1928, kur linda unë në jug të Shteteve të Bashkuara, ishte vendosur me ligj që zezakët të veçoheshin nga të bardhët. Shkelja e këtij ligji çonte në burgim ose edhe më keq.

ASOKOHE, në disa pjesë të Shteteve të Bashkuara, Dëshmitarët e Jehovait duhej të kishin kongregacione, qarqe dhe krahina veç për të bardhët e veç për zezakët. Në vitin 1937, babai u bë shërbëtor kompanie (tani koordinator i trupit të pleqve) i kongregacionit të zezakëve në Çatanuga, Tenesi. Vëlla Henri Nikolsi ishte shërbëtor kompanie në kongregacionin e të bardhëve.

Kam kujtime të bukura nga ditët e rinisë, kur ulesha darkave në verandën e pasme dhe dëgjoja babanë e vëlla Nikolsin tek bisedonin. Edhe pse s’kuptoja gjithçka që thoshin, më pëlqente të rrija në krah të babait ndërsa të dy diskutonin se si ta kryenin më mirë veprën e predikimit në rrethanat që ekzistonin.

Disa vjet më parë, në vitin 1930, në familjen tonë kishte ndodhur një tragjedi. Nëna, e cila ishte vetëm 20 vjeçe, kishte vdekur. Babait iu desh të kujdesej i vetëm për motrën time katërvjeçare, Dorisin, dhe për mua që isha dy vjeç. Ai s’kishte shumë që ishte pagëzuar, por përparoi mirë frymësisht.

Shembuj që i dhanë formë jetës sime

Në vitin 1933, babai takoi një motër të krishterë të mrekullueshme me emrin Lili Mei Guendëlin Tomas dhe shpejt u martuan. Të dy, babai dhe nëna, lanë një shembull të mirë për mua dhe Dorisin se si t’i shërbenim Jehovait me besnikëri.

Në vitin 1938, kongregacioneve të Dëshmitarëve të Jehovait iu kërkua të mbështetnin rezolutën që pleqtë në kongregacionet lokale të emëroheshin nga selia jonë qendrore në Bruklin, në vend që të zgjidheshin nga vëllezërit lokalë. Disa në Çatanuga ngurruan ta pranonin këtë ndryshim organizativ, kurse babai tha se e mbështeste pa kushte. Shembulli i tij i besnikërisë dhe bashkëpunimi me gjithë zemër i nënës më kanë ndihmuar deri sot e kësaj dite.

Pagëzimi dhe shërbimi në kohë të plotë

Në vitin 1940, disa nga kongregacioni ynë morën me qira një autobus për të shkuar në kongresin që u mbajt në Detroit, Miçigan. Disa nga grupi me të cilin isha unë në autobus, u pagëzuan në atë kongres. Disa më pyetën pse unë nuk isha pagëzuar, përderisa dilja në shërbim që nga mosha pesëvjeçare.

Kur ma bënë këtë pyetje, ua ktheva: «Nuk e kuptoj çdo gjë në lidhje me pagëzimin.» Babait ia kapi veshi fjalët e mia dhe u habit. Që nga ajo kohë, ai bëri edhe më shumë përpjekje që të më ndihmonte të kuptoja domethënien e pagëzimit dhe rëndësinë e tij. Katër muaj më vonë, më 1 tetor 1940, në një ditë të acartë dimri u pagëzova në një rezervuar në periferi të Çatanugës.

Në moshën 14-vjeçare, gjatë pushimeve të verës nisa shërbimin si pionier. Predikoja në qyteza të vogla të Tenesit dhe të shtetit fqinj të Xhorxhias. Ngrihesha herët, merrja drekën me vete dhe nisesha për në territor me autobusin ose trenin e orës 6 të mëngjesit. Nuk kthehesha para orës 6 pasdite. Ushqimi që merrja me vete shpesh avullonte para drekës. Megjithëse kisha para, s’mund të hyja në dyqan për të blerë ndonjë gjë për të ngrënë, meqë isha zezak. Njëherë hyra në një dyqan për të blerë një akullore me kaush, por më kërkuan të dilja. Një grua e bardhë u tregua e mirë dhe më solli një akullore jashtë.

Kur fillova shkollën e mesme, në jug të Shteteve të Bashkuara po merrte vrull lëvizja për të drejta të barabarta. Organizata si Shoqata Kombëtare për Përparimin e Njerëzve me Ngjyrë (NAACP) nxitnin aktivizimin e nxënësve. Ne na nxitnin të anëtarësoheshim. Disa shkolla zezakësh, ndër të cilat edhe imja, vunë si synim që të anëtarësonin të gjithë nxënësit. Më bënë presion «të mbështetja racën tonë», siç thuhej atëherë. Nuk pranova, përkundrazi, u shpjegova se Perëndia është asnjanës dhe nuk favorizon asnjë racë. Ja pse prisja që këto padrejtësi t’i ndreqte Perëndia.​—Gjoni 17:14; Vep. 10:34, 35.

Pak pasi mbarova shkollën e mesme, vendosa të shpërngulesha në qytetin e Nju-Jorkut. Rrugës, megjithatë, ndalova në Filadelfia, Pensilvani, për të vizituar disa miq që i kisha njohur më parë në një kongres. Atje pashë të parin kongregacion me të bardhë e zezakë bashkë. Gjatë vizitës së tij, mbikëqyrësi udhëtues më mori mënjanë e më tha se në mbledhjen e ardhshme më ishte caktuar një pjesë. Kjo ma bëri më të lehtë ta ndaja mendjen për të qëndruar atje.

Në Filadelfia bëra disa miq, e mes tyre edhe një motër në moshë të re me emrin Xheraldina Uajt, ose Xheri, siç e thërrisja unë. Ajo e njihte mirë Biblën dhe ishte shumë e zonja të komunikonte me njerëzit gjatë shërbimit shtëpi më shtëpi. Veçanërisht e rëndësishme për mua ishte që edhe ajo synonte të bëhej pioniere. U martuam më 23 prill 1949.

Ftesa për në Galaad

Që në fillim, synimi ynë ishte të ndiqnim Shkollën e Galaadit dhe të shërbenim si misionarë në një vend të huaj. Me kënaqësi i përshtatëm rrethanat që të kualifikoheshim për në Galaad. Pak kohë më pas, na u kërkua të shpërnguleshim në Lonsajd, Nju-Xhersi, më pas në Çestër, Pensilvani, dhe në fund në Atlantik-Siti, Nju-Xhersi. Gjatë kohës që ishim në Atlantik-Siti, u kualifikuam që të bënim kërkesën për në Galaad, sepse tani kishim bërë dy vjet martesë. Megjithatë, ftesa jonë u pezullua përkohësisht. Cila ishte arsyeja?

Nga fillimi i vitit 1950, shumë të rinj ishin rekrutuar për shërbimin ushtarak dhe kishin shkuar të luftonin në konfliktin që po zhvillohej në Kore. Komisioni i rekrutimit në Filadelfia dukej se i paragjykonte Dëshmitarët e Jehovait në lidhje me asnjanësinë. Në fund, një gjykatës më njoftoi se FBI-ja kishte hetuar të kaluarën time dhe kishte vërtetuar se kisha qenë asnjanës. Kështu, më 11 janar 1952, Komisioni i Apelit më përjashtoi nga shërbimi ushtarak meqë më njohu si shërbëtor fetar.

Në gusht të atij viti, unë dhe Xheri morëm ftesën për të ndjekur klasën e 20-të të Galaadit, e cila nisi në shtator. Gjatë shkollës prisnim që të caktoheshim në një vend të huaj. Motra ime, Dorisi, ishte diplomuar në klasën e 13-të të Galaadit dhe po shërbente në Brazil. Për habinë tonë të madhe, unë dhe Xheri u caktuam në veprën qarkore! Duhej të vizitonim kongregacionet e zezakëve në shtetin jugor të Alabamës. Kjo na la disi të zhgënjyer, se e kishim përgatitur zemrën të shërbenim në një vend të huaj.

Kongregacioni i parë që vizituam ishte në Hantsvil. Kur mbërritëm atje, shkuam në shtëpinë e një motre të krishterë ku do të qëndronim. Teksa shkarkonim gjërat, na kapi veshi që ajo i tha dikujt në telefon: «Fëmijët erdhën.» Ishim vetëm 24 vjeç dhe dukeshim edhe me të rinj. Nofka «fëmijët» nuk na u nda gjatë gjithë kohës që shërbyem në atë qark.

Jugu i Shteteve të Bashkuara shpesh quhej Bible Belt ose Brezi i Biblës, pasi pjesa më e madhe e njerëzve e respektonin shumë Biblën. Ndaj shpesh i nisnim bisedat me këtë prezantim që përqendrohej në tri pika:

(1) Disa fjalë për situatën botërore.

(2) Rrugëzgjidhja që jep Bibla.

(3) Çfarë duhet të bëjmë ne sipas Biblës.

Pastaj ofronim një botim të përshtatshëm për studimin e Biblës. Meqë ky prezantim dha rezultat, më caktuan ta demonstroja gjatë një pjese në Asamblenë Shoqëria Bota e Re, që u mbajt në Nju-Jork në vitin 1953.

S’kaloi shumë dhe në verë të vitit 1953, më caktuan të shërbeja si mbikëqyrës krahinor për qarqet e zezakëve në jug të Shteteve të Bashkuara. Territori ynë përfshinte gjithë zonën nga Virxhinia deri në Florida e shkonte deri në Alabamë e Tenesi në perëndim. Po, mbikëqyrësve udhëtues u duhej të përshtateshin me gjithçka. Për shembull, shpesh qëndronim në shtëpi që nuk kishin instalime hidraulike dhe laheshim në një vaskë llamarine pas sobës së kuzhinës. Të paktën kjo ishte pjesa më e ngrohtë e shtëpisë!

Sfida e ndarjes raciale

Shërbimi në jug kërkonte të tregoheshim të zgjuar e mendjemprehtë. Zezakëve nuk u lejohej të përdornin lavanderitë publike. Kështu që Xheri shkonte atje dhe shpjegonte se ishin rrobat e «znj. Tomson». Me sa duket, shumë kujtonin se ishte shërbëtore dhe se «znj. Tomson» ishte zonja e shtëpisë. Në periudhën kur mbikëqyrësit krahinorë duhej të shfaqnin filmin Shoqëria Bota e Re në veprim, i telefonoja një dyqani dhe rezervoja një ekran të madh për «z. Tomson». Më vonë, shkoja te dyqani dhe e merrja me qira. Ishim përherë të sjellshëm dhe në përgjithësi e kryenim shërbimin pa telashe.

Në atë zonë kishte edhe një paragjykim tjetër kundër atyre nga pjesa veriore e Shteteve të Bashkuara. Njëherë, në një gazetë lokale u njoftua se Xhejms Tomson i Riu, nga Shoqata Watchtower Bible and Tract, Nju-Jork, do të mbante fjalën në një asamble. Disa e morën sikur unë isha nga Nju-Jorku dhe kontrata për përdorimin e një auditori shkolle u anulua. Kështu shkova në drejtori dhe shpjegova se e kisha bërë shkollën në Çatanuga. Pas kësaj, na e dhanë lejen për të përdorur auditorin.

Tensioni racial u ndez edhe më shumë nga mesi i vitit 1950 dhe me raste sporadike pati edhe dhunë. Në disa kongrese që u mbajtën në vitin 1954, pati Dëshmitarë që u fyen ngaqë s’kishte asnjë orator zezak në program. Ne i inkurajuam vëllezërit tanë zezakë të bënin durim. Verën që pasoi, mua më caktuan si orator në një asamble. Më pas, në programe u përfshinë edhe më shumë vëllezër zezakë.

Me kalimin e kohës, dhuna raciale në jug u pakësua dhe kongregacionet filluan dalëngadalë të shkriheshin me njëri-tjetrin. Kjo kërkonte që të ricaktoheshin lajmëtarët në kongregacione të ndryshme, të riorganizoheshin territoret dhe të ndaheshin përgjegjësitë e vëllezërve që mbikëqyrnin. Disa vëllezër, të të dyja racave, nuk e mirëpritën këtë rregullim të ri. Megjithatë, pjesa më e madhe u treguan të paanshëm, ashtu siç është Ati ynë qiellor. Në fakt, shumë prej tyre ishin miq të ngushtë pavarësisht nga ngjyra. Familja jonë e kishte përjetuar këtë që në vitet 30 dhe 40, kur unë isha ende fëmijë.

Një caktim i ri

Në janar të vitit 1969, unë dhe Xheri morëm ftesën për të shkuar në Guajanë, në Amerikën e Jugut, ftesë që e pranuam me shumë gëzim. Fillimisht shkuam në Bruklin, Nju-Jork, ku unë u stërvita të mbikëqyrja veprën e predikimit në Guajanë. Arritëm atje në korrik të vitit 1969. Pas 16 vjetësh në veprën udhëtuese, na duhej shumë përshtatje që të qëndronim në një vend. Xheri e kalonte pjesën më të madhe të ditës në shërbim si misionare, kurse unë punoja në zyrën e degës.

Puna ime përfshinte gjithçka, nga kositja e barit, plotësimi i nevojave të 28 kongregacioneve për literaturë e deri te korrespondenca me selinë qendrore në Bruklin. Punoja 14 deri në 15 orë në ditë. Ishte goxha punë për të dy, por na pëlqente caktimi. Kur shkuam ne, në Guajanë kishte 950 lajmëtarë; sot ka më shumë se 2.500.

Megjithëse jemi kënaqur me temperaturat dhe frutat e perimet ekzotike, gëzim të vërtetë na kanë dhënë njerëzit e përulur e të etur për të mësuar të vërtetën për Mbretërinë e Perëndisë. Shpesh Xheri drejtonte 20 studime biblike në javë dhe shumë nga ata me të cilët studiuam, janë pagëzuar. Disa, me kalimin e kohës, u bënë pionierë, pleq kongregacioni e madje shkuan në Galaad për t’u bërë misionarë.

Sfida, sidomos me shëndetin

Në vitin 1983, prindërit e mi në Shtetet e Bashkuara patën nevojë për ndihmë. Unë, Xheri dhe Dorisi u mblodhëm si familje. Dorisi, që kishte shërbyer për 35 vjet si misionare në Brazil, zgjodhi të kthehej e të kujdesej për ta. Pse të heqim nga fusha dy misionarë, tha ajo, kur këtë punë mund ta bëjë vetëm një? Pas vdekjes së prindërve, Dorisi qëndroi në Çatanuga dhe vazhdon të shërbejë si pioniere speciale.

Në vitin 1995, u diagnostikova me kancer në prostatë dhe na u desh të ktheheshim në Shtetet e Bashkuara. U vendosëm në Goldsboro, Karolina e Veriut, sepse ishte diku ndërmjet Tenesit, ku ishte familja ime, dhe Pensilvanisë, ku ishte familja e Xherit. Kanceri e ka kaluar fazën kritike, kështu që tani shërbejmë si pionierë specialë me kuotë të zvogëluar orësh në kongregacionin e Goldsboros.

Kur sjell ndër mend 65 vitet e shërbimit në kohë të plotë, i jam vërtet mirënjohës Jehovait që më ka bekuar mua dhe Xherin ngaqë, për t’i shërbyer atij, jemi përshtatur me rregullimet. Sa të vërteta janë fjalët e Davidit: ‘Me atë që është besnik, Jehovai do të veprojë me besnikëri.’​—2 Sam. 22:26.

[Figurat në faqen 3]

Babai dhe vëlla Nikolsi lanë një shembull të shkëlqyer për mua

[Figurat në faqen 4]

Me Xherin, gati për në Galaad, 1952

[Figurat në faqen 5]

Pas Galaadit, u caktuam në veprën qarkore në jug

[Figura në faqen 6]

Mbikëqyrësit udhëtues me gratë gjatë përgatitjeve për një kongres me vëllezër të të dyja racave, 1966

[Figura në faqen 7]

Shërbimi si misionarë në Guajanë na dha gëzim