Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse kemi nevojë të na drejtojë fryma e Perëndisë?

Pse kemi nevojë të na drejtojë fryma e Perëndisë?

Pse kemi nevojë të na drejtojë fryma e Perëndisë?

«Fryma jote është e mirë. Le të më çojë në vendin e drejtësisë.»​—PSAL. 143:10.

1. Ilustro se si mund të drejtohet një njeri nga një forcë e padukshme.

A KE përdorur ndonjëherë një busull për të gjetur rrugën? Busulla është një pajisje e thjeshtë vetëm me një pjesë të lëvizshme, një gjilpërë magnetike që tregon gjithmonë veriun. Për shkak të një force të padukshme të njohur si magnetizmi, gjilpëra e busullës pozicionohet sipas fushës magnetike që rrethon tokën nga njëri pol në tjetrin. Për shekuj, eksploruesit dhe shtegtarët e kanë përdorur për të gjetur rrugën në tokë e në det.

2, 3. Cilën forcë të fuqishme përdori Jehovai epoka më parë? (b) Pse duhet të presim që forca vepruese e padukshme e Perëndisë të drejtojë jetën tonë sot?

2 Ka një forcë tjetër të padukshme që është edhe më e rëndësishme për ne. Është ajo që përshkruhet në vargjet e para të Biblës. Duke folur për atë që bëri Jehovai epoka më parë, te Zanafilla thuhet: «Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën.» Ai dërgoi një forcë të fuqishme, pasi tregimi vazhdon: «Forca vepruese e Perëndisë endej andej-këtej.» (Zan. 1:1, 2) Cila ishte kjo forcë? Fryma e shenjtë, forca dinamike që përdori Jehovai në krijim. Ne ia detyrojmë ekzistencën tonë faktit që Jehovai përdori këtë frymë për të sjellë në jetë gjithçka.​—Jobi 33:4; Psal. 104:30.

3 Si njerëz të gjallë, a duhet të presim që forca vepruese e Perëndisë të ndikojë edhe në mënyra të tjera në jetën tonë? Po, sepse Jezui, Biri i Perëndisë, u tha dishepujve të tij: «Fryma . . . do t’ju drejtojë që të kuptoni gjithë të vërtetën.» (Gjoni 16:13) Çfarë është kjo frymë? Pse duhet të duam drejtimin e saj?

Çfarë është fryma e shenjtë?

4, 5. (a) Çfarë mendojnë në mënyrë të gabuar për frymën e shenjtë ata që besojnë te triniteti? (b) Si do ta shpjegoje se çfarë është fryma e shenjtë?

4 Ka të ngjarë që disa nga njerëzit me të cilët flet në shërbim të besojnë te triniteti. Kështu, ata mbahen pas idesë së gabuar se fryma e shenjtë është një person frymor i barabartë me Perëndinë, Atin. (1 Kor. 8:6) Sipas këtij arsyetimi, shumë përkthime të Biblës shprehjen «fryma e shenjtë» e shkruajnë me shkronja të mëdha, pra Fryma e Shenjtë. Megjithatë, vlen të përmendet se disa përkthyes kanë vendosur ta shkruajnë këtë shprehje me shkronja të vogla, pasi e dinin se në Shkrime shprehja nuk i referohet një personi. *

5 Atëherë, çfarë është në të vërtetë fryma e shenjtë? Në një shënim te Zanafilla 1:2Përkthimin Bota e Re, me referime (angl.) thuhet: «Përveçse ‘frymë’ fjala rúach [hebraisht] përkthehet edhe ‘erë’ ose me fjalë të tjera që tregojnë një forcë vepruese të padukshme.» (Krahaso shënimet te Zanafilla 3:8; 8:1, angl.) Ashtu si era është e padukshme, por ushtron fuqi, edhe fryma e shenjtë, ndonëse nuk shihet e nuk preket, shkakton pasojë. Ajo nuk është një person, por një energji që Perëndia e lëshon mbi njerëzit dhe gjërat, e që ndikon mbi ta për të plotësuar vullnetin e tij. A është e vështirë të besojmë se kjo forcë e mrekullueshme vjen nga Burimi i shenjtë, Perëndia i Plotfuqishëm? Aspak.​—Lexo Isainë 40:12, 13.

6. Ç’kërkesë domethënëse i bëri Davidi Jehovait?

6 A mund të vazhdojë ta përdorë Jehovai frymën e tij për të na drejtuar në jetë? Ai i premtoi Davidit: «Unë do të të jap gjykim të thellë dhe do të të mësoj udhën që duhet të ndjekësh.» (Psal. 32:8) A e donte Davidi këtë? Po, sepse ai iu lut Jehovait: «Më mëso të bëj vullnetin tënd, sepse ti je Perëndia im. Fryma jote është e mirë. Le të më çojë në vendin e drejtësisë.» (Psal. 143:10) Edhe ne duhet të kemi të njëjtën dëshirë e gatishmëri për t’u drejtuar nga fryma e Perëndisë. Përse? Le të shohim katër arsye.

Nuk jemi në gjendje të drejtojmë veten

7, 8. (a) Pse nuk jemi të aftë të drejtojmë veten të pavarur nga Perëndia? (b) Ilustro pse nuk duhet të guxojmë ta gjejmë vetë rrugën në këtë sistem të lig.

7 Arsyeja e parë pse duhet të duam që të drejtohemi nga fryma e Perëndisë është se ne nuk jemi në gjendje të drejtojmë veten. «Të drejtosh» do të thotë «të tregosh drejtimin ose rrugën që duhet ndjekur». Megjithatë, Jehovai nuk na krijoi me aftësinë që këtë ta bënim vetë, aq më tepër që jemi edhe të papërsosur. Profeti i tij, Jeremia, shkroi: «E di, o Zot, që s’është në dorë të njeriut udha e tij, që s’është i zoti ai që ecën që t’i drejtojë hapat e vet.» (Jer. 10:23, Simon Filipaj) Përse? Perëndia na tregoi nëpërmjet Jeremisë pse jemi kaq të paaftë kur bëhet fjalë për të drejtuar veten. Duke treguar se si jemi ne nga brenda, Jehovai tha: «Zemra është më e pabesë se çdo gjë tjetër. Ajo është e rrezikshme. E kush mund ta njohë?»​—Jer. 17:9; Mat. 15:19.

8 A nuk do të ishte kokëkrisur një njeri i papërvojë që, pa një udhërrëfyes e aq më tepër pa një busull, të shkonte në ekskursion thellë në një vend të shkretë e të paeksploruar? Nëse nuk di si të mbijetojë në një vend aspak miqësor e nuk është i zoti të gjejë rrugën, do ta vinte jetën në rrezik. Po ashtu, kush pandeh se mund t’i drejtojë si duhet hapat e vet në këtë botë të ligë pa e lejuar Perëndinë që t’i tregojë udhën e drejtë, e vë veten në rrezik të madh. Mënyra e vetme për të kaluar me sukses këtë sistem, është t’i kërkojmë me lutje Jehovait atë që i kërkoi edhe Davidi: «Më bëj të njoh udhët e tua, o Jehova, më mëso shtigjet e tua.» (Psal. 25:4; 23:3) Si mund ta sigurojmë këtë drejtim?

9. Siç paraqitet në faqen 17, në ç’mënyrë fryma e Perëndisë mund të jetë si një udhërrëfyese e sigurt për ne?

9 Nëse jemi të përulur dhe të gatshëm për t’u mbështetur te Jehovai, ai do të na japë frymën e shenjtë që të na i drejtojë hapat si një udhërrëfyese e sigurt. Si do të na ndihmojë kjo forcë vepruese? Jezui u shpjegoi dishepujve të tij: «Ndihmësi, fryma e shenjtë, të cilën Ati do ta dërgojë në emrin tim, do t’ju mësojë gjithçka dhe do t’ju sjellë ndër mend të gjitha gjërat që ju thashë.» (Gjoni 14:26) Teksa e studiojmë rregullisht dhe me lutje Fjalën e Perëndisë, pa lënë mënjanë asnjë nga mësimet e Krishtit, fryma e shenjtë do të na shtojë kuptueshmërinë për mençurinë e thellë të Jehovait, që të përmbushim vullnetin e tij në çdo gjë. (1 Kor. 2:10) Veç kësaj, në çdo kthesë të papritur në udhën e jetës, fryma do të na tregojë si të veprojmë. Ajo do të na sjellë ndër mend parimet biblike që tashmë kemi mësuar dhe do të na ndihmojë të kuptojmë se si t’i zbatojmë për të hedhur hapin tjetër.

Jezuin e drejtonte fryma e Perëndisë

10, 11. Çfarë priste Biri i vetëmlindur i Perëndisë nga fryma e shenjtë dhe çfarë përjetoi?

10 Arsyeja e dytë pse duhet të duam të na drejtojë fryma e shenjtë është se Perëndia drejtoi edhe Birin e tij nëpërmjet saj. Para se të vinte në tokë, Biri i vetëmlindur i Perëndisë e njihte këtë profeci: «Tek ai do të prehet fryma e Jehovait, fryma e mençurisë dhe e kuptueshmërisë, fryma e këshillës dhe e fuqisë, fryma e njohurisë dhe e frikës nga Jehovai.» (Isa. 11:2) Tani përfytyro sa shumë e donte Jezui ndihmën e frymës së Perëndisë në një mjedis me të cilin u përball vetëm kur erdhi këtu në tokë!

11 Fjalët e Jehovait dolën të vërteta. Në Ungjillin e Lukës tregohet çfarë ndodhi menjëherë pas pagëzimit të Jezuit: «Plot me frymë të shenjtë, Jezui u largua nga Jordani dhe fryma e çoi tutje-tëhu nëpër shkretëtirë.» (Luka 4:1) Atje, ndërsa Jezui agjëronte, lutej e meditonte, ka të ngjarë që Jehovai ta ketë udhëzuar e përgatitur të Birin për çfarë e priste. Forca vepruese e Perëndisë ishte në veprim në mendjen dhe zemrën e Jezuit, duke drejtuar mendimet dhe vendimet e tij. Kështu, Jezui dinte si të vepronte në çdo situatë dhe bëri saktësisht atë që Ati donte prej tij.

12. Pse duhet t’i kërkojmë Perëndisë të na drejtojë me frymën e tij?

12 Duke qenë i vetëdijshëm për dobitë që i solli fryma e Perëndisë në jetë, Jezui u nguliti në mendje dishepujve sa e rëndësishme ishte që ta kërkonin frymën e shenjtë dhe të drejtoheshin prej saj. (Lexo Lukën 11:9-13.) Pse duhet ta bëjmë edhe ne këtë? Sepse ajo mund të shndërrojë mënyrën tonë të të menduarit, që edhe ne të kemi mendjen e Krishtit. (Rom. 12:2; 1 Kor. 2:16) Duke lejuar që të na drejtojë fryma e Perëndisë, mund të mendojmë si Krishti e të imitojmë shembullin e tij.​—1 Pjet. 2:21.

Fryma e botës na çon në rrugë të keqe

13. Ç’është fryma e botës dhe çfarë sjell ajo?

13 Arsyeja e tretë pse duam që të na drejtojë fryma e Perëndisë është se pa të, fryma e botës që vepron në jetën e shumicës së njerëzve sot, mund të na çojë në rrugë të keqe. Edhe bota ka forcën e saj të fuqishme e nxitëse që na shtyn të bëjmë krejt të kundërtën e asaj që na nxit të bëjmë fryma e shenjtë. Në vend që të futë te njerëzit mendjen e Krishtit, fryma e botës i bën ata të mendojnë e të veprojnë si sundimtari i botës, Satanai. (Lexo Efesianëve 2:1-3; Titit 3:3.) Kur një person i dorëzohet frymës së botës dhe nis të praktikojë veprat e mishit, ai korr pasoja të këqija, që e pengojnë të trashëgojë Mbretërinë e Perëndisë.​—Gal. 5:19-21.

14, 15. Si mund t’ia dalim mbanë t’i rezistojmë frymës së botës?

14 Jehovai na ka pajisur me atë që na nevojitet për t’i rezistuar frymës së botës. Apostulli Pavël na nxit ‘të vazhdojmë të marrim fuqi në Zotërinë dhe në madhështinë e forcës së tij, që të jemi në gjendje t’i kundërvihemi në ditë të ligë’. (Efes. 6:10, 13) Me anë të frymës së tij, Jehovai na jep forcë t’u bëjmë ballë përpjekjeve të Satanait për të na mashtruar. (Zbul. 12:9) Fryma e botës është e fuqishme dhe ne s’mund ta shmangim plotësisht. Megjithatë, nuk ka pse të ndotemi prej saj. Fryma e shenjtë është edhe më e fuqishme dhe do të na ndihmojë!

15 Për ata që braktisën krishterimin në shekullin e parë, apostulli Pjetër tha: «Duke braktisur shtegun e drejtë, ata janë mashtruar.» (2 Pjet. 2:15) Sa mirënjohës duhet të jemi që «nuk morëm frymën e botës, por frymën që është nga Perëndia»! (1 Kor. 2:12) Duke e lejuar frymën e shenjtë të na drejtojë dhe duke nxjerrë dobi të plotë nga të gjitha masat që ka marrë Jehovai për të qëndruar në udhën e drejtë, mund t’ia dalim mbanë t’i rezistojmë frymës satanike të kësaj bote të ligë.​—Gal. 5:16.

Fryma e shenjtë prodhon fryt të mirë

16. Çfarë fryti mund të prodhojë te ne fryma e shenjtë?

16 Arsyeja e katërt pse duam që fryma e Perëndisë të veprojë brenda nesh është se ajo prodhon fryt të mirë në jetën e atyre që drejtohen prej saj. (Lexo Galatasve 5:22, 23.) Cili nga ne s’do të donte të ishte më i dashur, më i gëzuar e më paqësor? Cilit nga ne nuk do t’i pëlqente të shfaqte sa më shumë shpirtgjerësi, dashamirësi e mirësi? Cili nga ne nuk do të nxirrte më shumë dobi duke rritur besimin, duke shtuar butësinë e vetëkontrollin? Fryma e Perëndisë prodhon te ne cilësi të shkëlqyera që na sjellin dobi neve dhe atyre me të cilët jetojmë e shërbejmë. Për të kultivuar këtë fryt duhet punë e vazhdueshme dhe e pandalur, sepse nuk ka kufij për sasinë e frytit të frymës që na nevojitet dhe që ne mund të shfaqim.

17. Si mund të kultivojmë në masë më të madhe një aspekt të frytit të frymës?

17 Do të ishte e mençur që secili nga ne të shqyrtonte veten për t’u siguruar që fjalët dhe veprimet e tij dëshmojnë se po drejtohet nga fryma e shenjtë dhe po prodhon frytin e saj. (2 Kor. 13:5a; Gal. 5:25) Nëse shohim se është e nevojshme të kultivojmë disa aspekte të frytit të frymës, mund të bashkëveprojmë më shumë me frymën e shenjtë që t’i shfaqim ato cilësi. E bëjmë këtë duke studiuar secilin aspekt nëpërmjet faqeve të Biblës dhe botimeve të krishtere. Kështu mund të kuptojmë se si duhet shfaqur fryti i frymës në jetën e përditshme e më pas të përpiqemi ta kultivojmë atë në masë më të madhe. * Tek vërejmë rezultatet e veprimit të frymës së Perëndisë në jetën tonë dhe në jetën e të bashkëkrishterëve tanë, kuptojmë qartësisht pse duhet të drejtohemi prej saj.

A po e lejon frymën e Perëndisë të të drejtojë?

18. Si është Jezui shembull për ne në mënyrën si iu përgjigj frymës së Perëndisë?

18 Si ‘kryemjeshtri’ i Perëndisë në krijimin e universit, Jezui dinte gjithçka për fushën magnetike të tokës, të cilën njerëzit e përdorin për të përshkuar tokën. (Prov. 8:30; Gjoni 1:3) Megjithatë, Bibla nuk thotë asnjëherë se Jezui e përdori në ndonjë rast atë forcë për të gjetur rrugën kur ishte në tokë. Bibla thotë se si njeri, ai provoi se ç’forcë e fuqishme ishte fryma e shenjtë e Perëndisë në jetën e tij. Ai e mirëpriti ndikimin e saj dhe kur ajo e nxiste në një drejtim, ai vepronte sipas atij drejtimi. (Mar. 1:12, 13; Luka 4:14) A vepron edhe ti si Jezui?

19. Çfarë duhet të bëjmë që fryma e shenjtë të bëhet forca që na drejton në jetë?

19 Forca vepruese e Perëndisë ende vepron e drejton ata me zemër dhe mendje të gatshme. Si mund ta lejosh të veprojë mbi ty që të të drejtojë në shtegun e duhur? Lutju vazhdimisht Jehovait që të lëshojë frymën e tij mbi ty dhe të të ndihmojë ta pranosh drejtimin e saj. (Lexo Efesianëve 3:14-16.) Vepro në harmoni me lutjet e tua duke kërkuar këshilla nga Fjala e Perëndisë, Bibla​—produkt i frymës së shenjtë. (2 Tim. 3:16, 17) Bindju udhëzimeve të mençura të saj e më pas përgjigjju me gatishmëri drejtimit të frymës së shenjtë. Vepro me besim se Jehovai ka aftësinë të të drejtojë siç duhet në këtë botë të ligë.

[Shënimet]

^ par. 4 Për shembull, Joan F. Mira, një profesor i njohur i greqishtes, shpjegoi pse vendosi ta shkruante me shkronja të vogla këtë shprehje në përkthimin e tij të ungjijve. Në parathënie, ai shkroi: «Lexuesit e shekujve të dytë e të tretë as që e çonin nëpër mend se kjo [. . .] frymë mund të ishte një person hyjnor, i pavarur dhe i ndryshëm nga Ati e Biri, pasi . . . dogma e trinitetit as që ekzistonte asokohe.»

^ par. 17 Për një shqyrtim të çdo aspekti, shih temën «Fryti i frymës së Perëndisë» dhe nëntemën «Renditja sipas aspektit» në Treguesit e botimeve Watch Tower.

A i kuptove pikat kryesore?

• Si mund të ndikojë fryma e shenjtë në jetën tonë?

• Cilat janë katër arsye pse duhet të duam të na drejtojë fryma e Perëndisë?

• Si mund të bëjmë pjesën tonë që të nxjerrim dobi të plotë nga drejtimi i frymës së shenjtë?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 15]

Fryma e Perëndisë ishte forca që e nxiste Jezuin gjatë jetës

[Figura në faqen 17]

Fryma e Perëndisë vepron në mendjet dhe në zemrat e njerëzve duke i nxitur e drejtuar