Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një priftëri mbretërore për dobinë e gjithë njerëzimit

Një priftëri mbretërore për dobinë e gjithë njerëzimit

«Ju jeni ‘racë e zgjedhur, priftëri mbretërore, komb i shenjtë, popull për zotërim të veçantë’.»​—1 PJET. 2:9.

1. Pse ‘darka e Zotërisë’ quhet edhe Përkujtimi? Cili është qëllimi i saj?

MBRËMJEN e 14 nisanit të vitit 33 të e.s., Jezu Krishti dhe 12 apostujt mbajtën për herë të fundit pashkën judaike. Pasi largoi tradhtarin Judë Iskarioti, Jezui themeloi një kremtim tjetër, që më vonë u quajt ‘darka e Zotërisë’. (1 Kor. 11:20) Jezui tha dy herë: «Vazhdoni ta bëni këtë në kujtimin tim.» Kjo ngjarje quhet edhe Përkujtimi, një rast përkujtimor për Jezuin që e vë theksin te vdekja e tij. (1 Kor. 11:24, 25) Duke iu bindur këtij urdhri, Dëshmitarët e Jehovait në mbarë botën e mbajnë çdo vit këtë Përkujtim. Në vitin 2012, 14 nisani i kalendarit judaik fillon pas perëndimit të diellit, të enjten më 5 prill.

2. Çfarë tha Jezui për simbolet që përdori?

2 Dishepulli Lukë e përmbledh në dy vargje atë që bëri e tha Jezui në atë rast: «Mori një bukë, falënderoi Perëndinë, e theu, ua dha atyre dhe tha: ‘Kjo përfaqëson trupin tim, që do të jepet për ju. Vazhdoni ta bëni këtë në kujtimin tim.’ Pasi hëngrën darkën, ai bëri të njëjtën gjë edhe me kupën dhe tha: ‘Kjo kupë përfaqëson besëlidhjen e re në bazë të gjakut tim, që do të derdhet për ju.’» (Luka 22:19, 20) Si do t’i kishin kuptuar apostujt këto fjalë?

3. Ç’domethënie do të kishin për apostujt simbolet e Përkujtimit?

3 Ngaqë ishin judenj, apostujt i njihnin mirë flijimet e kafshëve që priftërinjtë i paraqitnin Perëndisë në tempullin e Jerusalemit. Këto flijime bëheshin për të fituar miratimin e Jehovait dhe shumë prej tyre shërbenin në mënyrë simbolike për të mbuluar mëkatin. (Lev. 1:4; 22:17-29) Pra, kur Jezui tha se trupi dhe gjaku i tij ‘do të jepej dhe do të derdhej për ta’, apostujt mund të kuptonin pa problem se ai po thoshte që do të jepte jetën e tij të përsosur si flijim. Do të ishte një flijim me vlerë ku e ku më të madhe se flijimi i kafshëve.

4. Çfarë donte të thoshte Jezui me fjalët: «Kjo kupë përfaqëson besëlidhjen e re në bazë të gjakut tim.»

4 Ç’të themi për fjalët e Jezuit: «Kjo kupë përfaqëson besëlidhjen e re në bazë të gjakut tim.» Apostujt e njihnin profecinë për besëlidhjen e re, të dokumentuar te Jeremia 31:31-33. (Lexoje.) Fjalët e Jezuit tregonin se ai po themelonte atë besëlidhje të re, e cila do të zëvendësonte besëlidhjen e Ligjit që kishte bërë Jehovai me Izraelin nëpërmjet Moisiut. A kishin lidhje me njëra-tjetrën këto dy besëlidhje?

5. Ç’mundësi i jepte Izraelit besëlidhja e Ligjit?

5 Po, qëllimet e dy besëlidhjeve lidheshin ngushtë me njëra-tjetrën. Kur themeloi besëlidhjen e Ligjit, Jehovai i tha kombit: «Nëse i bindeni pikë për pikë zërit tim dhe mbani besëlidhjen time, nga të gjithë popujt e tjerë, ju keni për t’u bërë prona ime e veçantë, sepse gjithë toka më përket mua. Ju do të bëheni për mua një mbretëri priftërinjsh dhe një komb i shenjtë.» (Dal. 19:5, 6) Si do t’i kishin kuptuar izraelitët këto fjalë?

PREMTIMI PËR NJË PRIFTËRI MBRETËRORE

6. Zhvillim i mëtejshëm i cilit premtim ishte besëlidhja e Ligjit?

6 Izraelitët e kuptonin fjalën «besëlidhje», sepse Jehovai kishte bërë marrëveshje të tilla solemne me paraardhësit e tyre, Noenë dhe Abrahamin. (Zan. 6:18; 9:8-17; 15:18; 17:1-9) Si pjesë e besëlidhjes me Abrahamin, Jehovai kishte premtuar: «Me anë të farës sate do të arrijnë të marrin bekime të gjitha kombet e tokës.» (Zan. 22:18) Besëlidhja e Ligjit ishte një zhvillim i mëtejshëm i këtij premtimi. Në bazë të saj, Izraeli mund të bëhej ‘nga të gjithë popujt e tjerë, prona e veçantë’ e Jehovait. Për ç’qëllim? Që ‘të bëhej për të një mbretëri priftërinjsh’.

7. Çfarë do të thoshte shprehja «një mbretëri priftërinjsh»?

7 Izraelitët ishin mësuar me mbretër dhe priftërinj, por në të kaluarën, vetëm Melkisedeku i kishte pasur njëkohësisht të dyja këto detyra me miratimin e Jehovait. (Zan. 14:18) Tani Jehovai po i jepte kombit mundësinë që prej tij të dilte «një mbretëri priftërinjsh». Më vonë Shkrimet i quajtën këta të zgjedhur një «priftëri mbretërore», pra mbretër që do të ishin edhe priftërinj.​—1 Pjet. 2:9.

8. Çfarë shërbimesh bëjnë priftërinjtë e emëruar nga Perëndia?

8 Mbreti ka si rol që të sundojë. Po prifti? Te Hebrenjve 5:1 shpjegohet: «Çdo kryeprift që merret nga njerëzit, emërohet që të kryejë shërbimin e Perëndisë në dobi të njerëzve, që të paraqesë dhurata dhe flijime për mëkatet.» Pra, një prift i emëruar nga Jehovai përfaqëson njerëzit mëkatarë para Tij nëpërmjet blatimeve të përcaktuara, duke iu përgjëruar Perëndisë në dobi të tyre. Nga ana tjetër, një prift përfaqëson Jehovain para popullit duke i mësuar ligjin hyjnor. (Lev. 10:8-11; Mal. 2:7) Në këto mënyra, një prift i emëruar nga Perëndia punon për të pajtuar popullin me Të.

9. (a) Me ç’kusht do të plotësohej premtimi që prej izraelitëve të dilte «një mbretëri priftërinjsh»? (b) Pse Jehovai vendosi një priftëri në gjirin e Izraelit? (c) Çfarë e pengonte Izraelin që prej tij të dilte «një mbretëri priftërinjsh» nën besëlidhjen e Ligjit?

9 Kështu, besëlidhja e Ligjit i jepte Izraelit mundësinë që prej tij të dilte një priftëri mbretërore në dobi të ‘gjithë popujve të tjerë’. Por, ata do ta kishin këtë perspektivë të mrekullueshme vetëm me një kusht, siç ishte thënë: «Nëse i bindeni pikë për pikë zërit tim dhe mbani besëlidhjen time.» A mund ‘t’i bindeshin pikë për pikë zërit të Jehovait’ izraelitët? Deri në njëfarë mase po. A mund ta bënin këtë në mënyrë të përsosur? Jo. (Rom. 3:19, 20) Për këtë arsye, Jehovai vendosi ndërkohë një priftëri në gjirin e Izraelit, pjesëtarët e së cilës nuk shërbenin si mbretër. Kjo priftëri do të paraqiste flijime në kafshë për mëkatet që izraelitët do të kryenin në mënyrë të pashmangshme. (Lev. 4:1–6:7) Në këto mëkate përfshiheshin edhe ato të vetë priftërinjve. (Hebr. 5:1-3; 8:3) Jehovai i pranonte këto flijime, por ato nuk mund të kompensonin plotësisht mëkatet e izraelitëve. Priftëria e themeluar nën besëlidhjen e Ligjit nuk mund të pajtonte plotësisht me Perëndinë as edhe izraelitët e sinqertë. Ja si e shpjegoi apostulli Pavël: «Është e pamundur që gjaku i demave dhe i cjepve t’i heqë mëkatet.» (Hebr. 10:1-4) Ngaqë kishin shkelur Ligjin, izraelitët ishin nën mallkim. (Gal. 3:10) Në këtë gjendje, ata nuk mund t’i shërbenin mbarë botës si një priftëri mbretërore.

10. Për ç’qëllim shërbeu besëlidhja e Ligjit?

10 Atëherë, a ishin një premtim bosh fjalët e Jehovait se nga izraelitët mund të dilte «një mbretëri priftërinjsh»? Aspak. Nëse ata do të përpiqeshin sinqerisht që të bindeshin, do ta kishin këtë mundësi, por ama jo ndërsa ishin në Ligj. Pse jo? (Lexo Galatasve 3:19-25.) Ligji i mbronte izraelitët e bindur nga adhurimi i rremë. Ai i bënte ata të vetëdijshëm për shkeljet dhe për nevojën e një flijimi më të madh se ai që mund të paraqiste kryeprifti i tyre. Ligji ishte një edukator që do t’i çonte ata te Krishti, ose Mesia, tituj që do të thonë «i Mirosuri». Megjithatë, kur të vinte Mesia, ai do të themelonte besëlidhjen e re të parathënë nga Jeremia. Ata që e pranuan Krishtin, u ftuan të bëheshin palë e besëlidhjes së re dhe do të bëheshin vërtet «një mbretëri priftërinjsh». Le të shohim se si.

NGA BESËLIDHJA E RE DEL NJË PRIFTËRI MBRETËRORE

11. Si u bë Jezui themeli i një priftërie mbretërore?

11 Në vitin 29 të e.s., Jezui i Nazaretit u bë Mesia. Rreth moshës 30-vjeçare, Jezui u paraqit para Jehovait për të bërë vullnetin e veçantë që kishte Ai për të, duke e simbolizuar këtë me anë të pagëzimit në ujë. Jehovai e quajti atë «Biri im, i dashuri» dhe e mirosi jo me vaj, por me frymë të shenjtë. (Mat. 3:13-17; Vep. 10:38) Me atë mirosje ai u caktua si Kryeprift për të gjithë ata që do të besonin, por edhe si Mbreti i tyre i ardhshëm. (Hebr. 1:8, 9; 5:5, 6) Ai do të ishte themeli i një priftërie mbretërore të vërtetë.

12. Çfarë u bë e mundur falë flijimit të Jezuit?

12 Si Kryeprift, çfarë flijimi mund të paraqiste Jezui që do të mbulonte plotësisht mëkatin e trashëguar të besimtarëve? Ashtu siç tregoi kur themeloi Përkujtimin e vdekjes së tij, flijimi ishte vetë jeta e tij njerëzore e përsosur. (Lexo Hebrenjve 9:11, 12.) Që kur u pagëzua në vitin 29 të e.s., Jezui, si Kryeprift, u sprovua dhe u stërvit derisa vdiq. (Hebr. 4:15; 5:7-10) Pasi u ringjall, u ngjit në qiell dhe i paraqiti Jehovait vlerën e flijimit të tij. (Hebr. 9:24) Që nga ajo kohë, Jezui mund të ndërmjetësonte në dobi të atyre që do të ushtronin besim te flijimi i tij shpërblyes dhe t’i ndihmonte t’i shërbenin Jehovait me shpresën e jetës së përhershme. (Hebr. 7:25) Gjithashtu, flijimi i tij shërbeu edhe për ta bërë të vlefshme besëlidhjen e re.​—Hebr. 8:6; 9:15.

13. Çfarë perspektivash kishin ata që u ftuan të bënin pjesë në besëlidhjen e re?

13 Edhe ata që u ftuan të përfshiheshin në besëlidhjen e re, duheshin mirosur me frymë të shenjtë. (2 Kor. 1:21) Mes tyre ishin judenj besnikë e më pas jojudenj. (Efes. 3:5, 6) Çfarë perspektivash kishin ata që bënin pjesë në besëlidhjen e re? Do t’u faleshin vërtet mëkatet. Jehovai kishte premtuar: «Unë do t’ua fal fajin dhe nuk do t’ua kujtoj më mëkatin.» (Jer. 31:34) Tani që mëkatet do t’u fshiheshin ligjërisht, do të ishin në gjendje të bëheshin «një mbretëri priftërinjsh». Pjetri iu drejtua të krishterëve të mirosur me këto fjalë: «Ju jeni ‘racë e zgjedhur, priftëri mbretërore, komb i shenjtë, popull për zotërim të veçantë, që të shpallni kudo virtytet’ e atij që ju thirri nga errësira në dritën e tij të mrekullueshme.» (1 Pjet. 2:9) Këtu Pjetri citon fjalët që Jehovai i drejtoi Izraelit kur i dha Ligjin, dhe i zbaton ato për të krishterët që bëjnë pjesë në besëlidhjen e re.​—Dal. 19:5, 6.

NJË PRIFTËRI MBRETËRORE I SJELL DOBI TË GJITHË NJERËZIMIT

14. Ku do të shërbente priftëria mbretërore?

14 Ku do të shërbenin ata të besëlidhjes së re? Në tokë, ku si grup do të shërbenin si priftërinj, pasi do të përfaqësonin Jehovain para popullit ‘duke shpallur kudo virtytet e Tij’ dhe duke siguruar ushqim frymor. (Mat. 24:45; 1 Pjet. 2:4, 5) Pas vdekjes dhe ringjalljes, do të shërbenin me Krishtin në qiell si mbretër dhe priftërinj, duke kryer plotësisht funksionet e të dyja detyrave. (Luka 22:29; 1 Pjet. 1:3-5; Zbul. 1:6) Duke e vërtetuar këtë, apostulli Gjon pa në një vegim shumë krijesa frymore pranë fronit të Jehovait në qiell. Në «një këngë të re» drejtuar «Qengjit», ata këndojnë: «Me gjakun tënd bleve për Perëndinë njerëz nga çdo fis, gjuhë, popull dhe komb, i bëre një mbretëri dhe priftërinj për Perëndinë tonë, dhe ata do të mbretërojnë mbi tokën.» (Zbul. 5:8-10) Në një vegim të mëvonshëm, Gjoni thotë për këta sundimtarë: «Ata do të jenë priftërinj të Perëndisë e të Krishtit, dhe do të mbretërojnë me të për një mijë vjet.» (Zbul. 20:6) Bashkë me Krishtin, ata përbëjnë një priftëri mbretërore për dobinë e gjithë njerëzimit.

15, 16. Çfarë bekimesh do t’i sjellë njerëzimit priftëria mbretërore?

15 Ç’dobi do t’u sjellin njerëzve në tokë 144.000 pjesëtarët e priftërisë mbretërore? Kapitulli i 21-të i Zbulesës i portretizon ata si një qytet qiellor, Jerusalemi i Ri, i quajtur ‘gruaja e Qengjit’. (Zbul. 21:9) Në vargjet 2 deri 4, thuhet: «Pashë, gjithashtu, qytetin e shenjtë, Jerusalemin e Ri, të zbriste nga qielli, nga Perëndia, i përgatitur si një nuse e stolisur për burrin e saj. Atëherë, dëgjova një zë të fortë nga froni që tha: ‘Ja, tenda e Perëndisë është me njerëzit. Ai do të banojë me ta, e ata do të jenë populli i tij. Po, vetë Perëndia do të jetë me ta. Ai do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. Nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme shkuan.’» Ç’bekime të mrekullueshme! Me eliminimin e vdekjes do të zhduket shkaku kryesor i lotëve, i vajtimeve, i klithmave dhe i dhembjeve. Kjo do të thotë se njerëzit besnikë do të bëhen të përsosur dhe do të pajtohen plotësisht me Perëndinë.

16 Duke përshkruar më tej bekimet që do të sjellë kjo priftëri mbretërore, Zbulesa 22:1, 2 thotë: «[Ai] më tregoi një lumë me ujin e jetës, i kulluar si kristal, që rridhte nga froni i Perëndisë dhe i Qengjit, e zbriste përmes udhës së gjerë të [Jerusalemit të Ri]. Këtej e andej lumit ishin pemët e jetës, që prodhojnë fryt dymbëdhjetë herë në vit, po, japin fryt muaj për muaj. Ndërsa gjethet e pemëve ishin për shërimin e kombeve.» Falë këtyre masave simbolike, ‘kombet’, ose familjet e tokës, do të shërohen plotësisht nga papërsosmëria që trashëguan prej Adamit. Vërtet, ‘gjërat e mëparshme do të kenë shkuar’.

PRIFTËRIA MBRETËRORE PËRFUNDON PUNËN E SAJ

17. Çfarë do të përmbushë në fund priftëria mbretërore?

17 Në fund të 1.000 viteve shërbimi të dobishëm, priftëria mbretërore do t’i ketë ndihmuar nënshtetasit tokësorë të bëhen të përsosur. Atëherë, Krishti, si Kryeprift dhe Mbret, do t’ia paraqitë Jehovait familjen njerëzore të ripërtërirë plotësisht. (Lexo 1 Korintasve 15:22-26.) Priftëria mbretërore do ta ketë përmbushur plotësisht qëllimin e saj.

18. Si do t’i përdorë Jehovai bashkëpunëtorët e Krishtit pasi priftëria mbretërore të ketë kryer plotësisht punën e saj?

18 Si do t’i përdorë më pas Jehovai këta bashkëpunëtorë tejet të privilegjuar të Krishtit? Sipas Zbulesës 22:5, «ata do të mbretërojnë në jetë të jetëve». Mbi cilët? Bibla nuk e thotë. Por, falë cilësisë së jetës që do të zotërojnë dhe përvojës që do të kenë fituar duke ndihmuar një botë me njerëz të papërsosur, do të jenë të pajisur për të mbajtur përgjithmonë një pozitë mbretërore në qëllimet e Jehovait.

19. Çfarë do të dëgjojnë sërish të pranishmit në Përkujtim?

19 Kur të mblidhemi për të mbajtur Përkujtimin e vdekjes së Jezuit të enjten më 5 prill 2012, do të dëgjojmë sërish për këto mësime biblike. Mbetja e vogël e të krishterëve të mirosur që është ende në tokë do të marrë simbolet e bukës pa maja dhe të verës së kuqe, veprim që do të nënkuptojë se janë palë e besëlidhjes së re. Këto simbole të flijimit të Krishtit do t’u kujtojnë atyre privilegjet e mrekullueshme dhe përgjegjësitë në qëllimin e përjetshëm të Perëndisë. Le të marrim pjesë në atë rast me mirënjohje të thellë për masën që ka marrë Perëndia Jehova për një priftëri mbretërore në dobi të të gjithë njerëzimit.

[Pyetjet]

[Figura në faqen 29]

Priftëria mbretërore do t’i sjellë njerëzimit bekime të përhershme