«Si mund të predikojë një si unë?»
«Si mund të predikojë një si unë?»
Anembanë botës kemi shembuj të jashtëzakonshëm të vëllezërve dhe motrave që marrin pjesë me besnikëri në veprën e predikimit, pavarësisht nga problemet e rënda shëndetësore. Të marrim si shembull Dalinë, e cila jeton në Vilnjus, kryeqyteti i Lituanisë.
Dalia është një motër në mes të të 30-ve. Që kur lindi, ka vuajtur nga pasojat e apopleksisë së trurit. Ky çrregullim e ka lënë të paralizuar dhe me vështirësi serioze në të folur. Si pasojë, vetëm familjarët janë në gjendje ta kuptojnë mirë. Dalia jeton me të ëmën, Galinën, e cila kujdeset për të. Ndonëse jeta e Dalisë është plot vështirësi dhe ankth, ajo përpiqet të jetë pozitive. Si ka mundësi?
Galina shpjegon: «Në vitin 1999, erdhi për vizitë kushërira ime, Apolonija. Vumë re se Apolonija, e cila është Dëshmitare e Jehovait, e njihte mirë Biblën dhe Dalia nisi t’i bënte shumë pyetje. S’kaloi shumë dhe Dalia filloi një studim biblik. Me raste merrja pjesë edhe unë që të interpretoja fjalët e saj. Por, vija re se gjithçka që mësonte, i sillte dobi vërtet. Shpejt, edhe unë kërkova një studim biblik.»
Ndërsa Dalia filloi të kuptonte të vërtetat biblike, nisi ta trazonte gjithnjë e më shumë diçka. Në fund foli hapur dhe e pyeti Apolonijën: «Si mund të predikojë një si unë, e paralizuar?» (Mat. 28:19, 20) Apolonija e siguroi me qetësi: «Mos ki frikë! Jehovai do të të ndihmojë.» E vërtet, Jehovai e ndihmon.
Por, si predikon Dalia? Në disa mënyra. Motra të krishtere e ndihmojnë të përgatitë letra që përmbajnë një mesazh biblik. Në fillim, Dalia ua shpreh mendimet motrave. Pastaj, ato shkruajnë një letër me mendimet e saj. Po ashtu, Dalia dëshmon duke dërguar mesazhe me celular. Kur koha është e mirë, pjesëtarët e kongregacionit e nxjerrin që të flasin me njerëzit që takojnë në parqet e zonës dhe në rrugë.
Dalia dhe e ëma vazhdojnë të bëjnë përparim frymor. Të dyja ia kushtuan jetën Jehovait dhe u pagëzuan në nëntor të 2004-s. Në shtator të vitit 2008, në Vilnjus u formua një grup i gjuhës polake. Meqë kishte nevojë për më shumë lajmëtarë të Mbretërisë, Dalia dhe e ëma u bashkuan me grupin. Dalia thotë: «Nganjëherë merakosem kur ende nuk kam dalë në shërbim gjatë muajit. Por, pasi i lutem Jehovait për këtë, shpejt dikush merr takim me mua që të dalim në shërbim.» Si ndihet motra jonë e shtrenjtë, Dalia, për gjendjen e saj? Ajo thotë: «Sëmundja më ka paralizuar trupin, por jo mendjen. Jam shumë e lumtur që mund t’u flas të tjerëve për Jehovain!»