Ata shpallën me guxim fjalën e Perëndisë
Ata shpallën me guxim fjalën e Perëndisë
Guxim përballë përndjekjes. Këtë cilësi shfaqin të krishterët e vërtetë, siç tregohet në botime të tilla, si ‘Të japim dëshmi të plotë’ për Mbretërinë e Perëndisë dhe DVD-të Dëshmitarët e Jehovait—Besimi në veprim. Ashtu si bashkëbesimtarët tanë në shekullin e parë, i lutemi Jehovait për frymën dhe ndihmën e tij që ta themi me guxim fjalën e tij.—Vep. 4:23-31.
Një vëlla shkroi për veprën tonë të predikimit gjatë Luftës I Botërore: «Shërbëtorët e Perëndisë po shpërndanin energjikisht vëllimin e shtatë të Studime mbi Shkrimet që titullohej Misteri i përfunduar. Ky botim po shpërndahej në një shkallë të paparë. Më 1918 doli fletushka Lajmërim i Mbretërisë nr. 1. Më pas doli Lajmërim i Mbretërisë nr. 2, ku shpjegohej pse autoritetet e ndaluan Misterin e përfunduar. Pas kësaj doli Lajmërim i Mbretërisë nr. 3. Këto botime u shpërndanë gjerësisht nga klasa e besueshme e të mirosurve. Duhej besim dhe guxim për të nxjerrë në qarkullim fletushkat Lajmërim i Mbretërisë.»
Sot, lajmëtarët e rinj të Mbretërisë zakonisht stërviten për shërbimin, por nuk ka qenë gjithnjë kështu. Duke menduar për përvojën e tij të parë në shërbim më 1922, një vëlla polak në Shtetet e Bashkuara shkroi: «S’e kisha idenë si ta prezantoja literaturën dhe flisja fare pak anglisht. Isha i vetëm para zyrës së një mjeku dhe trokita. Derën e hapi një infermiere. Kurrë nuk do ta harroj atë përvojë: kisha ankth dhe frikë. Ndërsa hapja çantën, të gjithë librat ranë pranë këmbëve të infermieres. Nuk e di ç’thashë, por i lashë një botim. Kur u largova, kisha fituar guxim dhe ndihesha i bekuar nga Jehovai. Atë ditë shpërndava shumë libreza në atë rrugë tregtare.»
Një motër tha: «Rreth vitit 1933, mjaft vëllezër përdornin makinat me altoparlantë që të shpërndanin mesazhin për Mbretërinë.» Në një rast, ajo dhe një çift Dëshmitarësh po predikonin në një zonë malore të Kalifornisë, SHBA. Motra kujton: «Vëllai e çoi makinën me altoparlantë lart në male, kurse ne qëndruam poshtë në qytet. Kur vuri mesazhin e regjistruar, zëri ushtoi sikur vinte nga qielli. Banorët e qytetit u përpoqën ta gjenin vëllanë, por më kot. Pasi mbaroi mesazhi, vizituam njerëzit dhe u dëshmuam. Unë punova edhe me dy makina të tjera me altoparlantë dhe ju siguroj se shumica nuk donin ta dëgjonin mesazhin. Por s’kishin ç’të bënin veçse të dëgjonin fjalimet që vërshonin në shtëpitë
e tyre nga makinat me altoparlantë. Gjithmonë shihnim se Jehovai bënte që të përdorej metoda e duhur në kohën e duhur. Çdo metodë kërkonte guxim në maksimum, por gjithnjë ia arrinte qëllimit dhe emri i Jehovait lëvdohej.»Në vitet 30 dhe në fillim të viteve 40, në shërbim përdoreshin gramafonë dhe fjalime biblike të regjistruara. Një e krishterë kujton: «Një motër e re po predikonte derë me derë me gramafon. Pasi vuri diskun para derës së një shtëpie, i zoti i saj u nxeh aq shumë, saqë menjëherë e goditi me shkelm gramafonin duke e flakur jashtë verandës. Nuk u thye asnjë disk. Tre burra që po hanin drekë në një kamion të parkuar, panë se ç’ndodhi, e ftuan motrën t’u vinte diskun dhe i kërkuan literaturë. Kjo përvojë kompensoi keqtrajtimin.» Duhej guxim për të qëndruar në këto sprova.
Po kjo motër shton: «Më kujtohet kur filluam veprën rrugore me revista më 1940. Më parë bëheshin marshime informuese. Në rresht për një, vëllezërit dhe motrat ecnin në trotuar duke mbajtur tabelat ku shkruhej ‘Feja është një lak dhe një mashtrim’, si dhe ‘Shërbejini Perëndisë dhe Krishtit Mbret’. Njëkohësisht, jepnin fletushka falas. Duhej guxim për të marrë pjesë në këto aspekte të veprës, por kështu njerëzit mund t’i mbanin mend gjithnjë emrin dhe popullin e Jehovait.»
Një motër tjetër tha: «Ishte mjaft e vështirë të ofroje revista në rrugë nëpër qyteza. Kjo ndodhte kur kundërshtimi ndaj Dëshmitarëve ishte i fortë. . . . Duhej vërtet guxim të qëndroje në një cep rruge me revista në dorë dhe të përmendje me zë të lartë sloganet e sugjeruara. Megjithatë, rrallë mungonim të shtunave të predikimit. Ndonjëherë njerëzit ishin miqësorë. Herë të tjera mblidheshin grupe të acaruara dhe në ndonjë rast duhej të iknim pa u ndier që të mos na keqtrajtonin.»
Pavarësisht nga përndjekja që hasën gjatë Luftës II Botërore, Dëshmitarët e Jehovait e kryen me guxim shërbimin e tyre. Në një fushatë 43-ditore, nga 1 dhjetori 1940 deri më 12 janar 1941, rreth 50.000 lajmëtarë në Shtetet e Bashkuara shpërndanë gati tetë milionë libreza gjatë asaj që u quajt Periudha e Dëshmisë «Guximi».
Shumë vëllezër më të moshuar në organizatën e Perëndisë i kanë të gjalla në mendje sfidat e së kaluarës që kërkonin guxim. Disa kujtojnë se për vite të tëra, fryma e tyre e guximshme pasqyrohej në frazën që përdornin shpesh: «Të ngulmojmë në betejë deri në fund!» Mbetet për t’u parë se ç’formë do të marrë mesazhi që na ka dhënë Perëndia para se sistemi i sotëm të përfundojë. Por, me ndihmën e Perëndisë, do të vazhdojmë të shpallim fjalën e tij me besim e guxim.
[Diçitura në faqen 9]
Gjithnjë është dashur guxim për të marrë pjesë në veprën e predikimit për Mbretërinë