Nga arkivat tanë
‘Bija paksa në sy prej saj’
Kur predikuesja në kohë të plotë Sharlot Uajti mbërriti në Luisvil të Kentakit, SHBA, duke tërhequr një valixhe me rrota, u bëri mjaft përshtypje njerëzve.
ISHTE viti 1908 dhe sigurisht motër Uajti tërhoqi vëmendjen e banorëve të qytetit me një shpikje fringo të re—Valixhen me rrota «Agimi». «Njerëzit flitnin për të,—tha ajo,—dhe bija paksa në sy prej saj.»
Studentët e Biblës, siç quheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait, e panë të nevojshme t’ua tregonin edhe të tjerëve të vërtetat e çmuara që kishin mësuar nga studimi i zellshëm i Shkrimeve. Shumë prej tyre kishin marrë njohuri nga Bibla me ndihmën e një serie librash me titull Agimi i Mijëvjeçarit (i quajtur më vonë edhe Studime mbi Shkrimet). Ata të krishterë që kishin dëshirë dhe mundësi, udhëtonin në të katër anët—në qytete, në fshatra e në zona të largëta—që t’ua ofronin këta libra (të quajtur ndryshe «Ndihmë për Studentët e Biblës») edhe lexuesve të tjerë të etur.
Më 1908, motër Uajti dhe lajmëtarë të tjerë të zellshëm të Mbretërisë, e ofronin atë seri me gjashtë vëllime me kapak bezeje për 1,65 dollarë. Në vend që t’ia çonin menjëherë të zotit të shtëpisë, ata merrnin porositë dhe ktheheshin më vonë, zakonisht ditën e rrogës. I jepnin me një çmim modest sa kostoja e shtypjes. Një kundërshtar u ankua se sa pak pará jepnin njerëzit kur i merrnin këta libra.
Melinda Kiferi kujtonte se merrte porosi për dyqind deri treqind libra në javë. Por nga interesi i madh për librin Agimi i Mijëvjeçarit lindi një
problem. Vetëm vëllimi i gjashtë kishte 740 faqe! «Pesëdhjetë libra peshojnë 18 kg»,—thuhej te Kulla e Rojës. Prandaj ishin «një ngarkesë tejet e rëndë», sidomos për motrat.Për të zgjidhur problemin e transportit të librit Agimi i Mijëvjeçarit, vëlla Xhejms Kouli shpiku një strukturë të palosshme me dy rrota së cilës mund t’i bashkëngjitej me vida një valixhe. Tani që s’ishte më i detyruar të mbante kuti të rënda plot libra, vëllai që e shpiku, u shpreh: «Nuk më këputet më mesi.» Ai e paraqiti shpikjen e re para një auditori të kënaqur në kongresin e Studentëve të Biblës në vitin 1908 në Sinsinati, Ohajo. Mbi pafkat në dy skajet e shufrës kryesore ishte gdhendur emri Dawn-Mobile (Valixhja me rrota «Agimi»), ngaqë kryesisht mbartte vëllimet e librit Agimi i Mijëvjeçarit. Me pak praktikë, një valixhe e mbushur me dhjetëra libra mund të transportohej lehtë me një dorë. Lartësia mund të përshtatej sipas nevojës dhe rrotat mund të lëviznin edhe në rrugë të pashtruara. Kur motrat ktheheshin në shtëpi pas një dite shërbimi—më këmbë ose me tramvaj—i palosnin rrotat prej gome anash valixhes.
Motrat në shërbimin e plotkohor mund ta merrnin falas valixhen me rrota «Agimi». Në të kundërt, kushtonte 2,50 dollarë. Motër Kiferi në figurë, e përdorte kaq mirë këtë valixhe, sa mund ta tërhiqte me një dorë një të tillë të mbushur plot dhe në anën tjetër të mbante një çantë krahu me libra. Ajo gjeti shumë të interesuar në një qytet-minierë të Pensilvanisë, SHBA. Prandaj, për të shpërndarë librat, zakonisht bënte tri ose katër rrugë në ditë duke kaluar në një urë.
Në fund të viteve 80, një pilot avioni shpiku valixhen me rrota që tani e sheh në të gjitha aeroportet dhe në rrugët plot lëvizje të qyteteve. Por, rreth njëqind vjet më parë, Studentët e zellshëm të Biblës ka shumë të ngjarë që kënaqeshin nga vështrimet e vëzhguesve kureshtarë teksa tërhiqnin lart e poshtë valixhet me rrota «Agimi», për të shpërndarë farat e çmuara të së vërtetës biblike.
[Diçitura në faqen 32]
Motër Kiferi, për të shpërndarë librat, zakonisht bënte tri ose katër rrugë në ditë duke kaluar në një urë
[Diçitura në faqen 32]
Zgjidhi problemin e transportit të librit «Agimi»