Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Imitoni vigjilencën e Jezuit

Imitoni vigjilencën e Jezuit

Imitoni vigjilencën e Jezuit

«Qëndroni vigjilentë dhe lutuni.»​—MAT. 26:41.

SI DO TË PËRGJIGJESHIT?

Si mund të tregojnë lutjet tona se jemi vigjilentë?

Në cilat mënyra mund të tregojmë se jemi vigjilentë në shërbim?

Pse është e rëndësishme të qëndrojmë vigjilentë nën sprova dhe si mund ta bëjmë këtë?

1, 2. (a) Cilat pyetje mund të lindin për sa i përket vigjilencës së Jezuit? (b) A është i dobishëm për njerëzit mëkatarë shembulli i përsosur i Jezuit? Ilustrojeni.

NDOSHTA pyetni veten: «A është vërtet e mundur të imitoj vigjilencën e Jezuit? Në fund të fundit, ai ishte i përsosur. Për më tepër, ndonjëherë Jezui mund ta shihte qartë të ardhmen​—madje edhe mijëra vjet më pas. A kishte vërtet nevojë ai të ishte vigjilent?» (Mat. 24:37-39; Hebr. 4:15) Në fillim le t’u përgjigjemi këtyre pyetjeve, që të kuptojmë sa e rëndësishme dhe urgjente është kjo temë.

2 A është i dobishëm për ne njerëzit mëkatarë një shembull i përsosur? Po, sepse mund të mësojmë nga një mësues i mirë dhe nga shembulli i tij. Ta zëmë se dikush po mëson të gjuajë me hark. Në fillim nuk arrin të qëllojë fare në shënjestër, por vazhdon të mësojë dhe të provojë. Që të përmirësojë, studion me kujdes shembullin e instruktorit të tij, i cili është një harkëtar i zoti. Studenti i kushton vëmendje mënyrës si rri instruktori, si i mban krahët dhe si i përdor gishtat te filli i harkut. Pak nga pak, ky fillestar i vendosur mëson se sa duhet tendosur filli, merr parasysh erën dhe vazhdon të përpiqet. Duke imituar atë që bën instruktori, në fund godet me shigjeta gjithnjë e më afër qendrës së shënjestrës. Po kështu, ne vazhdojmë të përpiqemi që të përmirësohemi si të krishterë duke ndjekur udhëzimet e Jezuit dhe duke imituar shembullin e tij të përsosur.

3. (a) Si e tregoi Jezui se kishte nevojë për cilësinë e vigjilencës? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

3 Por, ç’mund të themi për vigjilencën? A kishte vërtet nevojë Jezui për këtë cilësi? Faktikisht, po. Për shembull, natën e fundit të jetës së tij në tokë, ai i nxiti apostujt besnikë: «Qëndroni vigjilentë bashkë me mua.» Pastaj shtoi: «Qëndroni vigjilentë dhe lutuni vazhdimisht, që të mos tundoheni.» (Mat. 26:38, 41) Ndonëse kishte treguar vazhdimisht vigjilencë, sidomos në ato orë të tmerrshme Jezui donte të ishte vigjilent dhe sa më afër Atit të tij qiellor. Ai e dinte se dishepujve do t’u duhej të ishin po aq syçelë​—jo vetëm atëherë, por edhe në të ardhmen. Prandaj, le të shohim pse Jezui do që të qëndrojmë vigjilentë. Pastaj do të shqyrtojmë tri mënyra se si mund ta imitojmë vigjilencën e Jezuit në jetën e përditshme.

PSE JEZUI DO QË TË JEMI VIGJILENTË?

4. Ç’lidhje ka ajo që nuk dimë për të ardhmen me nevojën për të qenë vigjilentë?

4 E thënë shkurt, Jezui do që të qëndrojmë vigjilentë për shkak të asaj që nuk dimë dhe të asaj që dimë. Kur ishte njeri në tokë, a dinte Jezui gjithçka që do të ndodhte në të ardhmen? Jo, pasi pranoi me përulësi: «Atë ditë dhe atë orë s’e di askush, as engjëjt e qiejve, as Biri, por vetëm Ati.» (Mat. 24:36) Në atë kohë, Jezui, «Biri», nuk e dinte saktësisht se kur do të vinte fundi i kësaj bote të ligë. Ç’të themi për ne sot? A është e kufizuar njohuria jonë për të ardhmen? Sigurisht që po! Nuk e dimë tamam se kur do ta dërgojë Jehovai Birin e tij që t’i japë fund këtij sistemi të lig. Po ta dinim, a do të kishte nevojë të qëndronim vigjilentë? Siç shpjegoi Jezui, fundi do të vijë befasisht, papritur. Prandaj kemi nevojë të qëndrojmë gjithmonë vigjilentë.​—Lexo Mateun 24:43.

5, 6. (a) Si ndikon njohuria jonë për të ardhmen dhe qëllimet e Perëndisë te nevoja për të qenë vigjilentë? (b) Pse ajo që dimë për Satanain duhet të na bëjë më të vendosur që të jemi vigjilentë?

5 Nga ana tjetër, Jezui dinte plot gjëra të mrekullueshme për të ardhmen​—të vërteta që shumica e njerëzve përreth tij nuk i dinin fare. Njohuria jonë nuk i afrohet asaj të Jezuit, por falë tij, dimë shumë gjëra për Mbretërinë e Perëndisë dhe ç’do të bëjë ajo në të ardhmen e afërt. Kur shohim përreth nesh, qoftë në shkollë, në punë ose në territorin ku predikojmë, a nuk vërejmë se shumica jetojnë në errësirë të plotë për sa u përket këtyre të vërtetave të lavdishme? Pra, kjo është një arsye tjetër për të qenë vigjilentë. Ashtu si Jezui, duhet të jemi gjithmonë syçelë ndaj mundësive për të ndarë me të tjerët atë që dimë për Mbretërinë e Perëndisë. Çdo mundësi e tillë është e çmuar dhe nuk duam të çojmë dëm asnjërën. Janë në rrezik jetë njerëzish.​—1 Tim. 4:16.

6 Jezui dinte edhe diçka tjetër që e bëri të qëndronte vigjilent; dinte se Satanai ishte i vendosur ta tundonte, ta përndiqte dhe t’i thyente integritetin. Ai armik i egër ishte gjithnjë vigjilent që të gjente «një kohë tjetër të volitshme» për të vënë në provë Jezuin. (Luka 4:13) Jezui nuk e uli kurrë vigjilencën. Donte të ishte gati për çdo sprovë, qoftë tundim, kundërshtim ose përndjekje. Ne jemi në të njëjtën situatë si Jezui. E dimë se Satanai është ende «si një luan që ulërin, duke kërkuar të gllabërojë dikë». Ja pse Fjala e Perëndisë u bën thirrje të gjithë të krishterëve: «Ruani gjykimin, jini syçelë.» (1 Pjet. 5:8) Por, si mund ta bëjmë këtë?

SI TË JEMI VIGJILENTË NË LIDHJE ME LUTJET?

7, 8. Ç’këshillë dha Jezui për lutjen? Çfarë shembulli la?

7 Bibla tregon se ka një lidhje të fortë midis vigjilencës frymore dhe lutjes. (Kolos. 4:2; 1 Pjet. 4:7) Jo shumë kohë pasi u kërkoi dishepujve të qëndronin vigjilentë bashkë me të, Jezui tha: «Qëndroni vigjilentë dhe lutuni vazhdimisht, që të mos tundoheni.» (Mat. 26:41) A kishte ndër mend Jezui ta jepte atë këshillë vetëm për situatën e vështirë që po hasnin në atë moment? Jo, këshilla e tij është një parim sipas të cilit duhet të jetojmë çdo ditë.

8 Jezui la një shembull të shkëlqyer për sa i përket lutjes. Ndoshta ju kujtohet se një herë ai e kaloi gjithë natën duke iu lutur Atit. Le të përpiqemi të përfytyrojmë skenën. (Lexo Lukën 6:12, 13.) Është pranverë, ka të ngjarë pranë Kapernaumit, një qytet peshkatarësh dhe baza ku rri Jezui në atë zonë. Teksa bie mbrëmja, ai ngjitet në një mal nga ku shihet deti i Galilesë. Ndërsa sheh peizazhin që po e mbështjell errësira, ndoshta vëren regëtimat e llambave me vaj poshtë në Kapernaum dhe në fshatrat pranë. Por, kur Jezui i drejtohet Jehovait, përqendrohet i tëri te lutja. Kalojnë minuta e më pas orë. Ai nuk ndalet të shohë dritat larg që fiken një nga një, hënën që përshkon qiellin apo kafshët e natës që kërkojnë ushqim nëpër pyll. Ka shumë të ngjarë që ai lutet gjatë për vendimin e rëndësishëm që duhet të marrë, zgjedhjen e 12 apostujve. Mund ta imagjinojmë Jezuin të kredhur në mendimet dhe shqetësimet që po i shpreh Atit për secilin dishepull, teksa i kërkon me ngulm drejtim dhe mençuri.

9. Ç’mund të mësojmë nga shembulli i Jezuit që u lut tërë natën?

9 Ç’mund të mësojmë nga shembulli i Jezuit? Mos duhet të kalojmë shumë orë duke u lutur? Jo, sepse me dashamirësi ai tha për dishepujt: «Fryma është gati, por mishi është i dobët.» (Mat. 26:41) Megjithatë, ne mund ta imitojmë Jezuin. Për shembull, a këshillohemi me Atin tonë qiellor para se të marrim ndonjë vendim që mund të ndikojë frymësisht te ne, te familja jonë apo te bashkëbesimtarët? A përfshijmë në lutje shqetësimet për vëllezërit dhe motrat tona në besim? A lutemi nga zemra, në vend që të përsëritim disa formula të gatshme? Vini re edhe se Jezui i vlerësonte bisedat që bënte vetëm për vetëm me Atin. Në botën e sotme kaq të zënë dhe të ethshme, është fare e lehtë të na përfshijë vrulli i jetës e të harrojmë çfarë është më e rëndësishme. Nëse lëmë mjaft kohë për lutje të thella e personale, do të jemi më syçelë frymësisht. (Mat. 6:6, 7) Do t’i afrohemi më tepër Jehovait, me dëshirën e zjarrtë për të forcuar marrëdhënien me të dhe për të shmangur çdo gjë që mund ta dobësonte atë.​—Psal. 25:14.

SI TË JEMI VIGJILENTË NË VEPRËN E PREDIKIMIT?

10. Cili shembull tregon se Jezui qëndronte syçelë ndaj mundësive për të dhënë dëshmi?

10 Jezui ishte vigjilent në veprën që i kishte caktuar Jehovai. Në disa punë nuk ka ndonjë pasojë serioze nëse mendja hallakatet gjetiu. Por shumë të tjera kërkojnë përqendrim e vigjilencë, dhe patjetër shërbimi i krishterë është i tillë. Në veprën e tij, Jezui ishte gjithnjë syçelë ndaj mundësive për të ndarë lajmin e mirë me të tjerët. Për shembull, kur ai dhe dishepujt mbërritën në qytetin e Siharit, pasi kishin ecur një mëngjes të tërë më këmbë, dishepujt shkuan të blinin ushqim. Jezui ndenji pranë pusit të qytetit për t’u çlodhur, por qëndroi syçelë dhe pa një mundësi për të dëshmuar. Një grua samaritane u afrua që të nxirrte ujë. Jezui mund të kishte zgjedhur të dremiste pak. Mund të kishte gjetur disa arsye pse ta shmangte bisedën me atë grua. Megjithatë, i foli asaj, e përfshiu në bisedë dhe i dha një dëshmi të fuqishme që ndikoi në jetën e shumë njerëzve në atë qytet. (Gjoni 4:4-26, 39-42) A mund ta imitojmë më tepër vigjilencën e Jezuit, mbase duke u përpjekur të jemi gjithnjë e më syçelë ndaj mundësive për të ndarë lajmin e mirë me njerëzit që takojmë në jetën e përditshme?

11, 12. (a) Si iu përgjigj Jezui atyre që u përpoqën ta shpërqendronin nga vepra e tij? (b) Çfarë ekuilibri tregoi Jezui lidhur me veprën e tij?

11 Ndonjëherë, disa individë me qëllime të mira u përpoqën ta shpërqendronin Jezuin nga vepra e tij. Në Kapernaum, turmat e njerëzve u prekën aq shumë nga shërimet e tij të mrekullueshme, saqë donin ta mbanin aty. Kjo është e kuptueshme. Megjithatë, misioni i Jezuit ishte t’u predikonte të gjitha ‘deleve të humbura të shtëpisë së Izraelit’ e jo vetëm një qyteti. (Mat. 15:24) Prandaj u tha atyre: «Duhet t’ua shpall lajmin e mirë për mbretërinë e Perëndisë edhe qyteteve të tjera, sepse për këtë u dërgova.» (Luka 4:40-44) Qartë, jeta e Jezuit ishte e përqendruar te shërbimi. Nuk lejoi asgjë që ta shpërqendronte.

12 A përqendrohej Jezui kaq shumë te vepra e tij, sa të ishte fanatik ose asketik? A jepej kaq shumë pas shërbimit, sa të ishte indiferent ndaj nevojave praktike të familjeve? Jo, Jezui la një shembull të përsosur ekuilibri. Ai e gëzonte jetën duke u kënaqur me momentet e lumtura që kalonte me miqtë. I vlerësonte familjet, duke treguar empati për nevojat e problemet e tyre dhe e shfaqte lirshëm përzemërsinë për fëmijët.​—Lexo Markun 10:13-16.

13. Si mund të imitojmë vigjilencën dhe ekuilibrin e Jezuit kur bëhet fjalë për veprën e predikimit për Mbretërinë?

13 Si mund të përpiqemi të kemi një ekuilibër të ngjashëm, ndërsa imitojmë vigjilencën e Jezuit? Ne nuk e lejojmë këtë botë të na shpërqendrojë nga vepra jonë. Edhe miq e të afërm me qëllime të mira mund të na nxitin të ngadalësojmë shërbimin ose të kërkojmë atë që ata e quajnë jetë normale. Por, nëse imitojmë Jezuin, do ta konsiderojmë shërbimin si ushqim. (Gjoni 4:34) Vepra jonë na ushqen frymësisht, si edhe na sjell kënaqësi. Gjithsesi, nuk duam të jemi kurrë ekstremistë, duke e mbajtur veten për të drejtë ose duke treguar një frymë asketike. Ashtu si Jezui, duam të jemi shërbëtorë të gëzuar dhe të ekuilibruar të «Perëndisë së lumtur».​—1 Tim. 1:11.

SI TË JEMI VIGJILENTË NË KOHË SPROVASH?

14. Cilës prirje duhet t’i rezistojmë në kohë sprovash dhe pse?

14 Siç kemi parë, disa nga nxitjet më urgjente për të qëndruar vigjilentë, Jezui i dha kur ishte nën sprova të ashpra. (Lexo Markun 14:37.) Kur hasim vështirësi, kemi nevojë më tepër se kurrë të kujtojmë shembullin e tij. Shumë kanë prirjen të harrojnë një të vërtetë jetësore kur janë nën sprova. Kjo e vërtetë është kaq e rëndësishme, saqë libri i Proverbave e përmend dy herë: «Ka një udhë që njeriut i duket e drejtë, por vdekja është fundi i saj.» (Prov. 14:12; 16:25) Nëse mbështetemi te mënyra jonë e të menduarit, sidomos kur hasim probleme serioze, ka shumë të ngjarë të vëmë në rrezik veten dhe ata që duam.

15. Ç’tundim mund të hasë një kryefamiljar në kohë të vështira nga ana ekonomike?

15 Për shembull, një kryefamiljar mund të hasë presione të rënda ndërsa përpiqet t’u sigurojë gjërat materiale ‘të vetëve’. (1 Tim. 5:8) Ai mund të tundohet të pranojë një punë, e cila do ta pengonte herë pas here të shkonte në mbledhjet e krishtere, të drejtonte adhurimin familjar ose të merrte pjesë në shërbim. Nëse mbështetet vetëm në mënyrën njerëzore të të menduarit, një zgjedhje e tillë mund t’i duket e justifikueshme, madje e drejtë. Por, fare lehtë ajo mund të sjellë sëmundje ose vdekje frymore. Sa mirë do të ishte të ndiqte këshillën e Proverbave 3:5, 6! Solomoni tha: «Beso te Jehovai me gjithë zemër dhe mos u mbështet në kuptueshmërinë tënde. Kushtoji vëmendje në të gjitha udhët e tua, dhe ai vetë do t’i drejtojë shtigjet e tua.»

16. (a) Si la një shembull Jezui duke besuar te mençuria e Jehovait e jo tek e tija? (b) Si po e imitojnë shumë kryefamiljarë Jezuin, i cili besonte te Jehovai në kohë të vështira?

16 Kur ishte nën sprova, Jezui refuzoi me vendosmëri të mbështetej në kuptueshmërinë e vet. Mendoni pak: njeriu më i mençur që ka ekzistuar në tokë, vendosi të mos e përdorte mençurinë e tij për t’u përgjigjur. Për shembull, kur e tundoi Satanai, Jezui iu përgjigj në mënyrë të përsëritur me frazën: «Është shkruar.» (Mat. 4:4, 7, 10) Ai u mbështet te mençuria e Atit që të ruhej nga çdo tundim, duke treguar atë lloj përulësie që Satanai e përbuz dhe që i mungon katërçipërisht. A bëjmë po njësoj? Një kryefamiljar që imiton vigjilencën e Jezuit, lejon të drejtohet nga Fjala e Perëndisë, sidomos në kohë sprovash. Anembanë botës, mijëra kryefamiljarë po veprojnë pikërisht kështu. Me vendosmëri po vënë në vend të parë në jetë Mbretërinë e Perëndisë dhe adhurimin e pastër, madje edhe para shqetësimeve për gjërat materiale. Kështu, ata kujdesen në mënyrën më të mirë për familjet e tyre. Jehovai përgjigjet duke ua bekuar përpjekjet për të siguruar nevojat materiale, siç premton Fjala e tij.​—Mat. 6:33.

17. Çfarë ju shtyn të imitoni vigjilencën e Jezuit?

17 Pa dyshim, Jezui la shembullin më të mirë të vigjilencës. Shembulli i tij është praktik, i dobishëm e madje jetëshpëtues. Mos harroni: Satanai dëshiron shumë t’ju nanuritë në gjumë frymor, pra në një gjendje ku besimi është i dobët, adhurimi është i plogësht dhe integriteti është komprometuar. (1 Sel. 5:6) Mos e lejoni të ketë sukses! Qëndroni vigjilentë si Jezui—vigjilentë në lidhje me lutjet, në shërbim dhe kur hasni sprova. Duke vepruar kështu, do të gëzoni një jetë të pasur, të lumtur e të kënaqshme, madje edhe tani në muzgun e këtij sistemi që po vdes. Gjithashtu, vigjilenca do t’ju japë sigurinë që, kur të vijë Mësuesi juaj për t’i dhënë fund këtij sistemi, t’ju gjejë syçelë dhe aktivë, duke bërë vullnetin e Atit. Sa i kënaqur do të jetë Jehovai t’ju shpërblejë për besnikërinë tuaj!​—Zbul. 16:15.

[Pyetjet]

[Figura në faqen 6]

Jezui i predikoi gruas te pusi. Ç’mundësi krijoni që të predikoni çdo ditë?

[Figura në faqen 7]

Kujdesi për mirëqenien frymore të familjes suaj tregon se jeni vigjilentë