Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Natani​—Përkrahës besnik i adhurimit të pastër

Natani​—Përkrahës besnik i adhurimit të pastër

Natani​—Përkrahës besnik i adhurimit të pastër

Nuk është e lehtë të bindësh një njeri me pushtet se veprimet e tij janë të korruptuara dhe se duhet të ndryshojë. A do të ballafaqoheshe me një njeri të tillë po ta dije se ka vrarë dikë vetëm e vetëm për të mos bërë figurë të keqe?

Davidi, mbreti i Izraelit të lashtë, kishte kryer kurorëshkelje me Betshebën dhe ajo kishte mbetur shtatzënë. Për të fshehur mëkatin e tyre, Davidi kish urdhëruar të vritej bashkëshorti i saj, e pastaj e kishte marrë për grua Betshebën. Rridhnin muajt dhe Davidi bënte një jetë të dyfishtë, natyrisht duke vazhduar të kryente funksionet zyrtare. Mirëpo Jehovai nuk i mbylli sytë para mëkateve të mbretit. Ai dërgoi profetin e tij Natan që të ballafaqohej me Davidin.

Sa mision i vështirë! Vëre veten në vendin e Natanit. Pa dyshim, besnikëria ndaj Jehovait dhe vendosmëria për të ndjekur normat e Tij, e nxitën Natanin t’i kujtonte Davidit mëkatet e veta. Si arriti profeti ta bënte këtë dhe ta bindte mbretin David se duhej të pendohej?

MËSUES ME TAKT

Pse të mos ndalesh pak minuta e të lexosh 2 Samuelit 12:1-25? Përfytyro sikur je në vend të Natanit teksa ai i tregon Davidit këtë histori: «Në një qytet ishin dy burra, njëri i pasur dhe tjetri i varfër. I pasuri kishte një numër shumë të madh dhensh dhe gjedhësh, kurse i varfri s’kishte asgjë tjetër përveç një qengji të vogël femër, të cilën e kishte blerë. Ai e mbante e ajo rritej me të e me bijtë e tij, të gjithë së bashku. Hante nga kafshata e tij, pinte nga kupa e tij dhe ai e mbante në gji dhe iu bë porsi bijë. Pas ca kohësh, pasanikut i erdhi një vizitor, por ai i kurseu dhentë dhe gjedhët e veta e nuk mori ndonjë nga to për t’ia përgatitur udhëtarit që kishte vajtur tek ai. Përkundrazi mori qengjin femër të të varfrit dhe ia përgatiti njeriut që i kishte ardhur.»​—2 Sam. 12:1-4.

Davidi​—që kishte qenë edhe vetë bari—​siç duket pandehu se kjo ishte situatë reale. Një komentues sugjeron: «Ndoshta Natani e kishte zakon të shkonte tek ai për të mbrojtur çështjen e ndonjë viktime që përndryshe nuk do t’i jepej e drejta, e Davidi mendoi se kjo ishte detyra e tij edhe këtë herë.» Edhe në ishte kështu, Natanit i duhej të ishte besnik ndaj Perëndisë dhe i guximshëm që t’i fliste mbretit ashtu siç i foli. Historia e Natanit e xhindosi Davidin. «Siç është e vërtetë që Jehovai rron, njeriu që e ka bërë këtë e ka hak vdekjen!»—thirri ai. Atëherë Natani bëri deklaratën dërrmuese: «Ti je ai njeri!»​—2 Sam. 12:5-7.

Mendo pak pse Natani e trajtoi problemin në atë mënyrë. Kur një njeri lidhet emocionalisht me dikë, nuk e ka kollaj ta shohë situatën e vet me kthjelltësi. Të gjithë kemi prirjen të japim shpjegime që të justifikojmë veprimet tona të gabuara. Mirëpo, ilustrimi i Natanit e nxiti Davidin që, pa kuptuar, t’i dënonte veprimet e veta. Mbreti e kuptoi mirë se sjellja që përshkroi Natani ishte skandaloze. Vetëm pasi Davidi e dënoi atë sjellje, Natani i tha hapur se ilustrimi ishte për mbretin. Atëherë Davidi e kuptoi sa i rëndë ishte mëkati i tij, e si rrjedhojë ishte i përgatitur mendërisht të pranonte disiplinën. Ai e pranoi se, me anë të sjelljes së tij me Betshebën, ‘kishte përbuzur’ Jehovain, dhe nuk e refuzoi disiplinën e merituar.​—2 Sam. 12:9-14; Psal. 51:Mbishkrimi.

Ç’mund të mësojmë nga kjo? Synimi i një mësuesi të Biblës është t’i ndihmojë dëgjuesit të nxjerrin përfundimin e duhur. Natani e respektonte Davidin, ndaj iu drejtua me takt. Ai e dinte se brenda zemrës Davidi e donte drejtësinë. Me anë të ilustrimit të tij, profeti u mundua t’i zgjonte këtë cilësi. Edhe ne mund t’i ndihmojmë njerëzit e sinqertë të kuptojnë pikëpamjen e Jehovait. Si? Duke u zgjuar ndjenjën e së drejtës, por pa e mbajtur veten si më të lartë se ata nga ana morale e frymore. Autoriteti që përcakton çfarë është e drejtë dhe e gabuar është Bibla, jo opinioni ynë.

Natani arriti të qortonte një mbret të fuqishëm kryesisht falë besnikërisë ndaj Perëndisë. (2 Sam. 12:1) Një besnikëri e tillë do të na japë edhe neve guximin të përkrahim të patundur parimet e drejta të Jehovait.

MBËSHTETËS I ADHURIMIT TË PASTËR

Me sa duket, Natani dhe Davidi ishin miq të mirë, sepse Davidi i vuri njërit prej bijve emrin e Natanit. (1 Kron. 3:1, 5) Herën e parë në Bibël, Natani përmendet tok me Davidin. Që të dy e donin Jehovain. Mbreti duhet të ketë pasur besim te gjykimi i Natanit, sepse i tregoi profetit se dëshironte t’i ndërtonte një tempull Jehovait. Davidi tha: «‘Ja, unë banoj në një shtëpi me dru cedri, ndërkohë që arka e Perëndisë së vërtetë qëndron mes pëlhurave të tendës.’ Atëherë Natani i tha mbretit: ‘Shko e bëj gjithçka ke në zemër, se Jehovai është me ty.’»​—2 Sam. 7:2, 3.

Si adhurues besnik i Jehovait, Natani e përkrahu me zjarr planin e Davidit për të ngritur të parën ndërtesë të adhurimit të pastër në tokë. Megjithatë, duket se në atë rast Natani nuk po fliste në emër të Jehovait, por po shprehte ndjenjat e veta. Atë natë, Perëndia e udhëzoi profetin që t’i çonte mbretit një mesazh tjetër: tempullin e Jehovait nuk do ta ndërtonte Davidi. Këtë do ta bënte një nga bijtë e tij. Ndërkohë, Natani njoftoi edhe se Perëndia po bënte një besëlidhje meDavidin që froni i tij të ishte «i patundur përjetë».​—2 Sam. 7:4-16.

Vullneti i Perëndisë në lidhje me ndërtimin e tempullit nuk përputhej me gjykimin e Natanit. Megjithatë, pa murmuritur, profeti i përulur e pranoi qëllimin e Jehovait dhe bashkëpunoi me të. Ç’shembull i shkëlqyer për ne kur Perëndia na ndreq në ndonjë mënyrë! Veprat që bëri më tej Natani si profet, tregojnë se vazhdoi të kishte miratimin e Perëndisë. Në fakt, duket se Jehovai frymëzoi Natanin, bashkë me vegimtarin Gad, që ta udhëzonin Davidin si t’i organizonte 4.000 muzikantët që shërbenin në tempull.​—1 Kron. 23:1-5; 2 Kron. 29:25.

MBROJTËS I FRONIT MBRETËROR

Natani e dinte mirë se pas Davidit të moshuar, në fron do të hipte Solomoni. Prandaj, Natani veproi me vendosmëri kur Adonijahu u orvat të uzurponte fronin gjatë viteve që Davidi kishte rënë fizikisht. Edhe një herë, veprimet e Natanit u karakterizuan nga besnikëria dhe takti. Së pari, ai nxiti Betshebën t’i kujtonte Davidit se ishte betuar që do të bënte mbret birin e tyre, Solomonin. Pastaj Natani u paraqit vetë para mbretit David për ta pyetur nëse e kishte autorizuar ai hipjen në fron të Adonijahut. Mbreti i moshuar e kuptoi sa e rëndë ishte situata, e kështu udhëzoi Natanin dhe shërbëtorë të tjerë besnikë që ta mirosnin Solomonin e ta shpallnin mbret. Komploti i Adonijahut dështoi.​—1 Mbret. 1:5-53.

HISTORIAN MODEST

Në përgjithësi mendohet se Natani dhe Gadi kanë shkruar kapitujt 25 deri në 31 të Librit të Parë të Samuelit dhe gjithë Librin e Dytë të Samuelit. Ja çfarë shkruhet për historitë e frymëzuara të këtyre librave: «Sa për ngjarjet e mbretit David, të parat dhe të fundit, ja, ato gjenden të shkruara në fjalët e parashikuesit Samuel, në fjalët e profetit Natan dhe në fjalët e vegimtarit Gad.» (1 Kron. 29:29) Në Bibël thuhet edhe se Natani përpiloi një tregim për ‘ngjarjet lidhur me Solomonin’. (2 Kron. 9:29) Ka shumë mundësi që kjo do të thotë se Natani vazhdoi të shërbente në oborrin mbretëror edhe pas vdekjes së Davidit.

Një pjesë të madhe të atyre që dimë për Natanin mund t’i ketë shkruar vetë profeti. Prapëseprapë, fakti që ai nuk foli fare për disa gjëra, na tregon shumë për të. Me sa duket, Natani ishte një historian modest. Nuk ishte ambicioz dhe nuk donte t’i bënte emër vetes. Siç thotë një fjalor biblik, ai shfaqet në shkrimet e frymëzuara «pa prezantim dhe pa gjenealogji». Nuk dimë asgjë për prejardhjen ose jetën personale të Natanit.

E MOTIVONTE BESNIKËRIA NDAJ JEHOVAIT

Nga ato pak gjëra që na zbulojnë Shkrimet për Natanin, duket qartë se ai ishte përkrahës i përulur, por energjik i masave teokratike. Perëndia Jehova i dha përgjegjësi të mëdha. Medito për cilësitë e Natanit, si besnikëria ndaj Perëndisë dhe çmueshmëria nga zemra për normat e Tij. Pastaj përpiqu fort t’i imitosh këto cilësi.

Ka shumë të ngjarë që nuk do të të kërkohet ndonjëherë të qortosh mbretër kurorëshkelës a të prishësh komplote. Prapëseprapë, me ndihmën e Perëndisë, mund t’i qëndrosh besnik atij dhe të mbështetësh normat e tij të drejta. Veç kësaj, mund t’ua mësosh të tjerëve të vërtetën me guxim, por ama me takt, dhe mund të përkrahësh adhurimin e pastër.

[Figura në faqen 25]

Si mbrojtës i fronit mbretëror, Natani i foli me takt Betshebës