«A mund të na bësh një fotografi, të lutem?»
«A mund të na bësh një fotografi, të lutem?»
Pas ditës së dytë të një kongresi krahinor Hosueja, një bethelit në Meksikë, po vizitonte qytetin e Keretaros. Një çift i martuar turistësh nga Kolumbia, Havieri dhe Maruja, i kërkuan Hosuesë t’u bënte një fotografi. Ngaqë ai dhe miqtë e tij Dëshmitarë ishin veshur mirë dhe mbanin distinktivët e kongresit, çifti i pyeti nëse po ktheheshin nga ndonjë diplomim ose ndonjë rast tjetër i veçantë. Hosueja u shpjegoi se po ndiqnin një kongres të Dëshmitarëve të Jehovait dhe i ftoi të merrnin pjesë në sesionin e së dielës.
Çifti tha se do të ishin shumë në siklet po të shkonin, pasi nuk kishin veshje të përshtatshme për një rast të tillë. Megjithatë, Hosueja u la emrin dhe numrin e telefonit të zyrës së degës ku shërbente.
Për habinë e Hosuesë, katër muaj më vonë Havieri kontaktoi me të. Ata kishin marrë pjesë në kongres dhe tani dëshironin që Dëshmitarët e Jehovait t’i vizitonin në qytetin e Meksikos, ku banonin për momentin. Shumë shpejt u fillua një studim biblik me Havierin dhe Marunë, të cilët menjëherë filluan të ndiqnin mbledhjet. Dhjetë muaj më vonë u bënë lajmëtarë. Edhe pse çiftit iu desh të transferoheshin në Toronto, Kanada, vazhduan të përparonin frymësisht dhe u pagëzuan.
Më vonë Hosueja mori një letër nga Havieri, ku i tregonte se çfarë e kishte nxitur të pranonte të vërtetën. «Para se të merrnim pjesë në kongres, gruaja dhe unë kishim folur për nevojën që ndienim për drejtim frymor. Kur pamë sa mirë ishit veshur, menduam se duhej të kishit qenë në një mbledhje shumë të veçantë. Në kongres na bëri përshtypje mënyra si na drejtuan me dashuri te vendet ku u ulëm, si na ndihmuan t’i shikonim shkrimet në Bibël dhe sjellja e të pranishmëve. Nuk dukej se e kishin problem që ishim veshur si turistë.»
Sa të vërteta dolën për Hosuenë fjalët e mbretit të mençur Solomon! Ai shkroi: «Në mëngjes mbille farën dhe gjer në mbrëmje mos e lër dorën tënde të pushojë; sepse nuk e di se ku do të ketë sukses, këtu ose atje, apo që të dyja do të jenë njësoj të mira.» (Ekl. 11:6) A mund të mbjellësh farë duke shfrytëzuar rastet që t’u tregosh të tjerëve për ndonjë kongres ose fjalim publik të afërt? Jehovai mund të të përdorë për të tërhequr ata që janë të uritur dhe të etur për drejtim frymor, siç ishin Havieri dhe Maruja.—Isa. 55:1.
[Figura në faqen 32]
Nga e majta në të djathtë: Alehandro Vogelini, Maru Pineda, Alehandro Pineda, Havier Pineda dhe Hosue Ramirezi në degën e Meksikës