Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mos shikoni ‘gjërat që keni lënë prapa’

Mos shikoni ‘gjërat që keni lënë prapa’

Mos shikoni ‘gjërat që keni lënë prapa’

«Kush e ka vënë dorën në parmendë dhe shikon gjërat që ka lënë prapa, nuk është i përshtatshëm për mbretërinë e Perëndisë.»​—LUKA 9:62.

SI DO TË PËRGJIGJESHIT?

Pse duhet ‘ta kujtojmë gruan e Lotit’?

Cilat janë tri gjërat ku s’duhet ta mbajmë mendjen?

Si ecim në një hap me organizatën e Jehovait?

1. Ç’paralajmërim dha Jezui dhe cila pyetje lind?

«KUJTONI gruan e Lotit.» (Luka 17:32) Paralajmërimi që dha Jezu Krishti rreth 2.000 vjet më parë, tani është më i rëndësishëm se kurrë. Por, ç’kishte ndër mend Jezui kur dha atë paralajmërim solemn? Dëgjuesit judenj nuk kishin nevojë për shpjegime. Ata e dinin ç’i kishte ndodhur gruas së Lotit. Teksa ikte nga Sodoma bashkë me familjen, ajo nuk u bind dhe shikoi prapa, prandaj u kthye në shtyllë kripe.​—Lexo Zanafillën 19:17, 26.

2. Përse mund të ketë parë prapa gruaja e Lotit dhe si e pagoi atë veprim mosbindjeje?

2 Pse shikoi prapa gruaja e Lotit? Mos ishte kureshtare për të parë ç’po ndodhte? A u kthye sepse nuk i besohej se qyteti do të shkatërrohej? Apo i ngelën sytë pas ngaqë i vinte keq për të gjitha gjërat që kish lënë në Sodomë? (Luka 17:31) Cilado qoftë arsyeja që shikoi prapa, e pagoi me jetë atë veprim mosbindjeje. Vetëm të mendosh: ajo vdiq po atë ditë me banorët e shthurur të Sodomës dhe Gomorrës. Nuk habitemi që Jezui tha: «Kujtoni gruan e Lotit.»

3. Si e theksoi Jezui se nuk duhet të shikojmë prapa në kuptimin e figurshëm?

3 Edhe ne jetojmë në një kohë kur është jetësore të mos shikojmë prapa në kuptimin e figurshëm. Jezui e theksoi këtë kur iu përgjigj një burri, i cili e kishte pyetur nëse mund të kthehej për të përshëndetur njerëzit e shtëpisë para se të bëhej dishepull. Jezui tha: «Kush e ka vënë dorën në parmendë dhe shikon gjërat që ka lënë prapa, nuk është i përshtatshëm për mbretërinë e Perëndisë.» (Luka 9:62) A po tregohej i ashpër ose i paarsyeshëm me këtë përgjigje? Jo, sepse e dinte që kërkesa e atij burri ishte thjesht sebep për t’i bërë bisht përgjegjësisë. Jezui e përshkroi këtë përpjekje për t’i zvarritur gjërat si të shikosh ‘gjërat që ke lënë prapa’. A ndryshon gjë nëse një njeri që lëron tokën i kthen sytë pas vetëm për një çast ose e ul fare parmendën dhe kthehet prapa? Në të dyja rastet, ai shpërqendrohet nga ajo që po bën dhe kjo mund të ndikojë për keq te puna e tij.

4. Ku duhet t’i mbajmë sytë të përqendruar?

4 Në vend që ta kthejmë vëmendjen tek e shkuara, duhet t’i mbajmë sytë të përqendruar tek ajo që shtrihet para nesh. Vini re sa qartë theksohet kjo te Proverbat 4:25: «Sytë e tu duhet të shikojnë drejt përpara. Po, sytë e tu duhet të ngulen drejt përpara teje.»

5. Ç’arsye kemi për të mos parë gjërat që kemi lënë prapa?

5 Kemi një arsye të vlefshme për të mos parë gjërat që kemi lënë prapa. Cila është kjo? Jemi në «ditët e fundit». (2 Tim. 3:1) Nuk presim thjesht shfarosjen e dy qyteteve të këqija, por shkatërrimin e gjithë sistemit botëror. Ç’do të na ndihmojë që të mos na ndodhë asgjë e ngjashme me atë që i ndodhi gruas së Lotit? Para së gjithash, duhet të identifikojmë disa nga gjërat që kemi lënë prapa e që mund të na tundojnë për t’i parë. (2 Kor. 2:11) Prandaj, le të shqyrtojmë cilat janë këto gjëra dhe të përcaktojmë si të mos përqendrohemi tek ato.

DITËT E MIRA TË SË KALUARËS

6. Pse nuk duhet t’i zëmë besë gjithnjë kujtesës sonë?

6 Një rrezik i veçantë është pikëpamja e shtrembëruar për ditët e mira të së kaluarës. Kujtesës sonë nuk duhet t’i zëmë besë gjithnjë. Pa dashje mund të zvogëlojmë problemet e së kaluarës e ndërkohë të zmadhojmë çastet e gëzuara, duke i paraqitur gjërat shumë më mirë se ç’ishin në të vërtetë. Këto kujtime të shtrembëruara mund të bëjnë që të na marrë malli për ditët e mira të së kaluarës. Mirëpo, Bibla na paralajmëron: «Mos thuaj: ‘Si është e mundur që ditët e kaluara ishin më të mira nga këto?’, sepse nuk është urtësi të bësh një pyetje të tillë.» (Ekl. 7:10, Diodati i Ri) Pse është kaq e rrezikshme kjo mënyrë të menduari?

7-9. (a) Ç’u ndodhi izraelitëve në Egjipt? (b) Ç’arsye për gëzim kishin izraelitët? (c) Për çfarë nisën të qaheshin e të murmuritnin izraelitët?

7 Të shqyrtojmë se ç’u ndodhi izraelitëve në kohën e Moisiut. Ndonëse fillimisht konsideroheshin mysafirë në Egjipt, pas vdekjes së Jozefit egjiptianët «vunë mbi ta krerë, që t’i vinin në punë të detyruar dhe t’i shtypnin ndërsa bartnin barrët e tyre». (Dal. 1:11) Së fundi, populli i Perëndisë u përball me një lloj gjenocidi, kur faraoni u orvat të vriste çdo mashkull të sapolindur. (Dal. 1:15, 16, 22) Pra, nuk habitemi që Jehovai i tha Moisiut: «Pa dyshim e kam parë mundimin e popullit tim në Egjipt, dhe kam dëgjuar si klithin për shkak të atyre që i shtrëngojnë të punojnë, sepse i di dhembjet që heqin.»​—Dal. 3:7.

8 A mund ta përfytyroni gëzimin e izraelitëve tek dilnin si njerëz të lirë nga vendi ku kishin qenë skllevër? Në mënyrë madhështore, kishin parë me sytë e tyre fuqinë e Jehovait kur solli Dhjetë Plagët mbi faraonin kryelartë dhe popullin e tij. (Lexo Daljen 6:1, 6, 7.) Në fund, egjiptianët jo vetëm që i lanë të lirë, por edhe i nxitën të iknin, duke u dhënë aq shumë ar e argjend, sa mund të thuhej se izraelitët «i zhveshën egjiptianët». (Dal. 12:33-36) Më pas, populli i Perëndisë gëzoi kur pa shkatërrimin e faraonit dhe të ushtrisë së tij në Detin e Kuq. (Dal. 14:30, 31) Sa besimforcuese duhet të ketë qenë të ishe dëshmitar i atyre ngjarjeve emocionuese!

9 Edhe pse duket e pabesueshme, pak kohë pasi ishin çliruar në mënyrë të mrekullueshme, të njëjtët njerëz nisën të qaheshin e të murmuritnin. Për çfarë? Për ushqim. Nuk kënaqeshin më me ato që u siguronte Jehovai dhe u ankuan: «Ah, ç’i kujtojmë peshqit që hanim për hiçmosgjë në Egjipt, kastravecat, shalqinjtë, preshtë, qepët dhe hudhrat! Por tani shpirti na është zhuritur. Sytë s’na shohin gjë tjetër veç manës.» (Num. 11:5, 6) Po, pikëpamja e tyre ishte shtrembëruar, madje aq shumë sa donin të ktheheshin në vendin ku kishin qenë skllevër. (Num. 14:2-4) Izraelitët shikuan gjërat që kishin lënë prapa dhe humbën pëlqimin e Jehovait.​—Num. 11:10.

10. Ç’mësim nxjerrim nga shembulli i izraelitëve?

10 Ç’mësim nxjerrim ne sot? Kur hasim vështirësi e probleme, të mos na rrijë mendja tek ato që mund të duken si gjëra pozitive të së kaluarës, mbase edhe të kohës kur nuk kishim njohur të vërtetën. Ndonëse nuk është e gabuar të meditojmë për mësimet që kemi nxjerrë nga përvojat e mëparshme ose të shijojmë kujtimet e ëmbla të së shkuarës, duhet të mbajmë një pikëpamje të ekuilibruar e realiste për të kaluarën. Përndryshe, mund të na thellohet pakënaqësia për rrethanat ku ndodhemi e të tundohemi t’i kthehemi mënyrës së mëparshme të jetesës.​—Lexo 2 Pjetrit 2:20-22.

SAKRIFICAT E SË KALUARËS

11. Si i konsiderojnë disa sakrificat që kanë bërë në të kaluarën?

11 Mjerisht, kur shikojnë sakrificat që kanë bërë në të kaluarën, disa i konsiderojnë si mundësi të humbura. Mbase keni pasur mundësi të ndiqni shkollën e lartë, të fitoni prestigj a siguri financiare, por vendosët të mos i ndiqnit. Shumë vëllezër e motra kanë lënë punë me rrogë të mirë. Për shembull, disa mund të kenë pasur biznesin e tyre, mund të kenë qenë muzikantë të famshëm, profesorë universitetesh ose sportistë të suksesshëm. Tani koha ka kaluar dhe fundi nuk ka ardhur ende. A ëndërroni me sy hapur se ç’mund të kish ndodhur sikur të mos i kishit bërë ato sakrifica?

12. Ç’mendonte Pavli për gjërat që kishte lënë pas?

12 Apostulli Pavël hoqi dorë nga shumë gjëra për t’u bërë dishepull i Krishtit. (Filip. 3:4-6) Ç’mendonte për gjërat që kishte lënë pas? Ai thotë: «Ato që për mua ishin fitim, i kam braktisur me dëshirë për Krishtin.» Përse? Ai vazhdon: «Madje, çdo gjë e kam braktisur me dëshirë për shkak të vlerës së pashoqe të njohurisë së Krishtit Jezu, Zotërisë tim. Për shkak të tij pranova të humb çdo gjë dhe i konsideroj sikur të jenë shumë plehra, që të fitoj Krishtin.» * (Filip. 3:7, 8) Ashtu si dikush që hedh plehrat nuk bëhet pishman më vonë, Pavlit nuk i erdhi keq për asnjë nga mundësitë që kishte lënë pas. Ai nuk mendoi më se ato ia vlenin.

13, 14. Si mund të ndjekim shembullin e Pavlit?

13 Diçka që do të na ndihmojë nëse e kuptojmë se po hamendësojmë për këto të ashtuquajtura mundësi të humbura, është të ndjekim shembullin e Pavlit. Si? Duke menduar për vlerën e asaj që kemi tani. Kemi fituar një marrëdhënie të çmuar me Jehovain dhe ai na njeh si njerëz besnikë. (Hebr. 6:10) Ç’të mira materiale mund të ofrojë bota që mund t’u afrohen sadopak bekimeve frymore që gëzojmë tani e do të gëzojmë në të ardhmen?​—Lexo Markun 10:28-30.

14 Më pas, Pavli përmend diçka që do të na ndihmojë të vazhdojmë të shërbejmë me besnikëri. Ai tha se ‘po i harronte gjërat që la pas dhe po synonte drejt atyre që kishte para’. (Filip. 3:13) Vëreni se Pavli thekson dy hapa, që të dy të nevojshëm. Së pari, duhet të harrojmë gjërat që kemi lënë pas, pa humbur energji dhe kohë të vlefshme duke u merakosur së tepërmi për to. Së dyti, si një vrapues pranë vijës së finishit, duhet të synojmë ose të rrimë të përqendruar tek ato që kemi para.

15. Ç’dobi nxjerrim kur meditojmë për shembujt e shërbëtorëve besnikë të Perëndisë?

15 Kur meditojmë për shembujt e shërbëtorëve besnikë të Perëndisë​—të së shkuarës ose të së tashmes—​mund të motivohemi më shumë që të vazhdojmë përpara, në vend që të shikojmë gjërat që kemi lënë prapa. Për shembull, po të kishin vazhduar të kujtonin Urin, Abrahami dhe Sara «do të kishin pasur rast të ktheheshin». (Hebr. 11:13-15) Por nuk u kthyen. Kur u largua për herë të parë nga Egjipti, Moisiu la prapa shumë më tepër nga sa la çdo izraelit tjetër më vonë. Megjithatë, askund nuk thuhet se ai pati mall për ato gjëra. Përkundrazi, tregimi biblik na thotë se «e konsideroi poshtërimin e Krishtit si pasuri më të madhe se thesaret e Egjiptit, dhe e mbante shikimin të ngulur në dhënien e shpërblimit».​—Hebr. 11:26.

PËRVOJAT E KALUARA NEGATIVE

16. Si mund të ndikojnë te ne përvojat e kaluara?

16 Sidoqoftë, jo të gjitha përvojat e kaluara mund të duken pozitive. Ndoshta na pushtojnë mendjen mëkate ose gabime të dikurshme. (Psal. 51:3) Mund të ndiejmë akoma hidhërim nga një këshillë e fortë që kemi marrë. (Hebr. 12:11) Padrejtësitë​—të vërteta ose ndoshta të supozuara—​mund të na robërojnë mendjen. (Psal. 55:2) Ç’mund të bëjmë që përvoja të tilla të mos na shtyjnë të përqendrohemi te gjërat që kemi lënë prapa? Të shqyrtojmë tre shembuj.

17. (a) Pse Pavli e përshkroi veten si ‘më të voglin nga të gjithë të shenjtët’? (b) Çfarë e ndihmoi Pavlin të mos e vinin përfund mendimet negative?

17 Gabime të kaluara. Apostulli Pavël e përshkroi veten si ‘më të voglin nga të gjithë të shenjtët’. (Efes. 3:8) Përse ndihej ashtu? Ai tha: «Ngaqë e përndoqa kongregacionin e Perëndisë.» (1 Kor. 15:9) A mund ta imagjinojmë si duhet të jetë ndier Pavli kur është takuar me ndonjë nga ata që kishte përndjekur? Megjithatë, në vend që t’i lejonte këto mendime negative ta vinin përfund, Pavli u përqendrua te dashamirësia e pamerituar që i kishte treguar Perëndia. (1 Tim. 1:12-16) Si pasojë, ndihej mirënjohës dhe kjo e nxiti të vazhdonte në shërbim. Sjellja e mëparshme mëkatare ishte ndër ato gjëra që Pavli ishte i vendosur t’i harronte. Nëse përqendrohemi te mëshira që na ka treguar Jehovai, edhe ne nuk do të lejojmë të na shterojnë fuqitë nga ankthi i kotë për ngjarje të së shkuarës që s’mund t’i ndryshojmë dot. Mund t’i përdorim fuqitë për veprën që po bëjmë tani.

18. (a) Ç’mund të ndodhë nëse i shohim me sy negativ këshillat që kemi marrë? (b) Si mund t’ua vëmë veshin fjalëve të Solomonit për pranimin e këshillave?

18 Këshilla që na kanë shkaktuar dhembje. Po sikur të tundohemi që t’i kthejmë sytë pas të lënduar nga ndonjë këshillë që kemi marrë? Kjo jo vetëm na shkakton dhembje, por edhe na heq fuqitë, duke na ‘ligështuar’. (Hebr. 12:5) Edhe po ta ‘nënçmojmë’ këshillën ngaqë nuk e pranojmë, edhe po ‘të ligështohemi’ ngaqë e pranojmë e pastaj dorëzohemi, rezultati është i njëjtë: nuk e lejojmë vërtet këshillën të na sjellë dobi e të na rafinojë. Është më mirë t’u vëmë veshin fjalëve të Solomonit: «Rroke disiplinën, mos e lër të ikë. Ruaje, sepse ajo është jeta jote.» (Prov. 4:13) Si një shofer që u bindet tabelave rrugore, le t’i pranojmë këshillat, t’i zbatojmë e të vazhdojmë përpara.​—Prov. 4:26, 27; lexo Hebrenjve 12:12, 13.

19. Si mund të imitojmë besimin e Habakukut dhe të Jeremisë?

19 Padrejtësi​—të vërteta ose të supozuara. Ndonjëherë mund të ndihemi si profeti Habakuk, i cili i thirri Jehovait për drejtësi, duke mos kuptuar pse Jehovai i kishte lejuar të ndodhnin disa gjëra të padrejta. (Hab. 1:2, 3) Sa e rëndësishme është të imitojmë besimin e atij profeti që tha: «Unë për vete do të ngazëlloj falë Jehovait, do të gëzohem falë Perëndisë së shpëtimit tim.» (Hab. 3:18) Si Jeremia i kohëve të lashta, nëse vazhdojmë ‘të rrimë në pritje’ me besim të plotë te Jehovai, Perëndia i drejtësisë, mund të jemi të sigurt se gjithçka do të ndreqet në kohën e duhur.​—Vajt. 3:19-24.

20. Si mund të tregojmë se po e ‘kujtojmë gruan e Lotit’?

20 Jetojmë në kohë emocionuese. Ngjarje të mrekullueshme po ndodhin tani dhe shumë të tjera na presin përpara. Le të ecë secili prej nesh në një hap me organizatën e Jehovait. T’ia vëmë veshin këshillës biblike që të shohim para dhe jo gjërat që lamë prapa. Kështu, do të tregojmë se po e ‘kujtojmë gruan e Lotit’!

[Shënimi]

^ par. 12 Fjala origjinale e përkthyer «plehra» do të thotë edhe «ajo që u hidhet qenve», «bajgë», «jashtëqitje». Një studiues biblik tha se përdorimi i kësaj fjale nga Pavli tregon «një largim të vendosur nga diçka e pavlerë dhe e neveritshme, me të cilën dikush s’ka të bëjë më».

[Pyetjet]