Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

T’i ndihmojmë njerëzit ‘të zgjohen nga gjumi’

T’i ndihmojmë njerëzit ‘të zgjohen nga gjumi’

T’i ndihmojmë njerëzit ‘të zgjohen nga gjumi’

«E dini në ç’periudhë jemi: tashmë është ora që të zgjoheni nga gjumi.»​—ROM. 13:11.

A MUND TË SHPJEGOSH?

Pse është jetësore që të krishterët të rrinë zgjuar frymësisht?

Pse lajmëtarët syçelë duhet të dëgjojnë e të jenë vëzhgues?

Ç’rol luajnë dashamirësia dhe butësia në shërbimin tonë?

1, 2. Në çfarë kuptimi kanë nevojë të zgjohen shumë njerëz?

ÇDO vit, vdesin mijëra njerëz pasi janë të përgjumur ose edhe i zë gjumi kur janë në timon. Të tjerë humbin punën ngaqë nuk zgjohen në orar ose ngaqë i mund gjumi kur janë në punë. Mirëpo përgjumja frymore mund të ketë pasoja shumë më të rënda. Në këtë kontekst të rëndësishëm u thanë fjalët që lexojmë në Bibël: «Lum ai që rri zgjuar.»​—Zbul. 16:14-16.

2 Ndërsa afrohet dita e madhe e Jehovait, njerëzimi në përgjithësi po fle në kuptimin frymor. Madje edhe disa krerë të të ashtuquajturit krishterim i kanë quajtur grigjat e tyre ‘gjigantë që flenë’. Çfarë është gjumi frymor? Pse është jetësore që të krishterët e vërtetë të rrinë zgjuar? Si mund t’i ndihmojmë të tjerët të zgjohen nga ky gjumë?

ÇFARË ËSHTË GJUMI FRYMOR?

3. Si do ta përshkruaje dikë që po fle frymësisht?

3 Njerëzit që flenë, zakonisht janë joaktivë. Krejt ndryshe, ata që flenë frymësisht mund të jenë goxha të zënë, veçse jo me gjëra frymore. Ndoshta i rrëmben vorbulla e anktheve të jetës së përditshme ose rendin pas kënaqësive, prestigjit a pasurisë. Mes tërë këtyre aktiviteteve, nuk u kushtojnë fort vëmendje nevojave frymore. Kurse ata që janë zgjuar frymësisht, e kuptojnë se po jetojmë «në ditët e fundit», prandaj qëndrojnë sa më aktivë duke bërë vullnetin e Perëndisë.​—2 Pjet. 3:3, 4; Luka 21:34-36.

4. Çfarë nënkupton këshilla: «Le të mos flemë si të tjerët.»

4 Lexo 1 Selanikasve 5:4-8. Këtu, apostulli Pavël po i nxit të krishterët ‘të mos flenë si të tjerët’. Ç’kishte ndër mend? Ne mund ‘të flemë’, si të thuash, duke shpërfillur normat morale të Jehovait ose duke mos marrë parasysh faktin se është afër koha kur Jehovai do të shkatërrojë të paperëndishmit. Duhet të sigurohemi që këta njerëz të paperëndishëm të mos ndikojnë te ne e të na bëjnë të përvetësojmë sjelljen dhe qëndrimin e tyre.

5. Ç’qëndrime i karakterizojnë ata që janë në gjumë frymësisht?

5 Disa fantazojnë se nuk ka Perëndi që do t’u kërkojë llogari. (Psal. 53:1) Disa të tjerëve u duket sikur Perëndia nuk interesohet për ne njerëzit, kështu që s’ka pse të interesohemi për të. Të tjerë pandehin se po t’i përkasin një feje, do të bëhen miq me Perëndinë. Të gjithë këta janë në gjumë frymësisht dhe kanë nevojë të zgjohen. Si mund t’i ndihmojmë?

TË RRIMË ZGJUAR NE VETË

6. Pse të krishterët duhet të përpiqen fort që të rrinë zgjuar frymësisht?

6 Që të jemi në gjendje të zgjojmë të tjerët, duhet të jemi zgjuar vetë. Çfarë përfshin kjo? Fjala e Perëndisë e lidh gjumin e figurshëm me «veprat që i përkasin errësirës»​—ahengjet e shfrenuara, dehjet, marrëdhëniet seksuale të paligjshme, sjelljen e shthurur, konfliktet e xhelozinë. (Lexo Romakëve 13:11-14.) Të shmangim këtë sjellje mund të jetë e vështirë. Është jetike të jemi vigjilentë. Një shofer që nuk e kupton sa e rrezikshme është ta zërë gjumi në timon, mund ta vërë jetën në rrezik. Sa e rëndësishme është që një i krishterë të mos harrojë se dremitja frymore mund të jetë vdekjeprurëse!

7. Si mund të ndikojë te ne pikëpamja e gabuar për njerëzit?

7 Për shembull, një i krishterë mund të mendojë se të gjithë në territorin e tij e kanë hedhur poshtë përfundimisht lajmin e mirë. (Prov. 6:10, 11) Ai mund të arsyetojë: «Përderisa askush s’do ta pranojë, pse të përpiqem me zell që të flas me njerëzit ose t’i ndihmoj?» Vërtet, mbase tani shumë njerëz po flenë frymësisht, por rrethanat dhe qëndrimi i tyre mund të ndryshojnë. Disa zgjohen dhe e pranojnë lajmin e mirë. Mund t’i ndihmojmë këta nëse rrimë zgjuar ne vetë, si për shembull duke provuar metoda të reja për ta prezantuar mesazhin e Mbretërisë në mënyrë tërheqëse. Përveç kësaj, që të qëndrojmë zgjuar duhet të mbajmë parasysh pse është jetik shërbimi ynë.

PSE SHËRBIMI YNË ËSHTË JETIK?

8. Pse shërbimi ynë ka rëndësi jetike?

8 Të mbajmë në mend se, sido që të reagojnë njerëzit sot, vepra jonë e predikimit nderon Jehovain dhe luan rol në plotësimin e qëllimit të tij. Së shpejti, ata që nuk i binden lajmit të mirë do të marrin ndëshkimin gjyqësor. Baza për këtë gjykim do të jetë mënyra si reagojnë njerëzit ndaj predikimit tonë. (2 Sel. 1:8, 9) Veç kësaj, do të ishte e gabuar që një i krishterë të arsyetonte se s’ka nevojë të predikojmë me gjithë forcat, përderisa «do të ringjallen si të drejtët, edhe të padrejtët». (Vep. 24:15) Nga Fjala e Perëndisë kuptojmë se ata që gjykohen si ‘cjep’ do të përfundojnë «në vdekjen e përhershme». Predikimi ynë shpreh mëshirën e Perëndisë, pasi u hap rrugën njerëzve të ndryshojnë dhe të marrin «jetën e përhershme». (Mat. 25:32, 41, 46; Rom. 10:13-15) Nëse nuk predikojmë, si do ta dëgjojnë njerëzit mesazhin që mund të nënkuptojë jetë për ta?

9. Si të ka sjellë dobi ty vetë dhe të tjerëve pjesëmarrja në predikimin e lajmit të mirë?

9 Predikimi i lajmit të mirë na sjell dobi edhe neve. (Lexo 1 Timoteut 4:16.) A nuk ke vërejtur se kur flet për Jehovain dhe shpresën e Mbretërisë, të forcohet besimi e dashuria për Perëndinë? A nuk të ka ndihmuar të zhvillosh cilësi të krishtere? A s’ndihesh më i lumtur kur shpreh përkushtimin ndaj Perëndisë duke marrë pjesë në shërbim? Shumë veta që kanë pasur privilegjin t’u mësojnë të vërtetën të tjerëve, kanë ndier gëzim duke parë se si fryma e Perëndisë i ka ndihmuar këta të përmirësojnë jetën.

TË JEMI VËZHGUES

10, 11. (a) Si u treguan syçelë dhe vëzhgues Jezui e Pavli? (b) Jep një shembull që tregon si mund ta përmirësojmë shërbimin duke qenë syçelë dhe vëzhgues.

10 Njerëzve mund t’u zgjohet interesi për lajmin e mirë në mënyra të ndryshme, prandaj shërbëtorët e krishterë duhet të jenë vëzhgues syçelë. Shembulli ynë është Jezui. Meqë ishte i përsosur, ai arrinte të dallonte indinjatën e pashprehur të një fariseu, pendimin e sinqertë të një gruaje mëkatare dhe qëndrimin vetëmohues të një vejushe. (Luka 7:37-50; 21:1-4) Jezui mund t’ia plotësonte nevojat frymore çdonjërit prej këtyre. Sidoqoftë, një shërbëtor i Perëndisë s’ka pse të jetë i përsosur që të jetë vëzhgues i mirë. Një shembull i kësaj është apostulli Pavël. Ai i përshtaste prezantimet që të ishin tërheqëse për grupe të ndryshme dhe për njerëz me lloj-lloj pikëpamjesh.​—Vep. 17:22, 23, 34; 1 Kor. 9:19-23.

11 Kur përpiqemi të jemi syçelë dhe vëzhgues si Jezui e Pavli, mund të dallojmë cila është mënyra më e mirë për t’u zgjuar interesin atyre që takojmë. Për shembull, kur flet me njerëzit, mundohu të pikasësh diçka që tregon nga ç’kulturë vijnë, çfarë interesash kanë ose cila është situata e tyre familjare. Mbase mund të vëresh me ç’po merren në atë moment e të thuash diçka me mirësjellje rreth kësaj kur hap bisedën.

12. Pse duhet të kemi kujdes për bisedat që bëjmë me njëri-tjetrin kur jemi në shërbim?

12 Një vëzhgues syçelë mundohet të shmangë shpërqendrimet. Kur jemi në shërbim, bisedat me njëri-tjetrin mund të jenë inkurajuese. Gjithsesi, nuk duam të harrojmë se qëllimi pse dalim në shërbim është t’u predikojmë të tjerëve. (Ekl. 3:1, 7) Ndaj duhet të tregojmë kujdes që bisedat ndërmjet dyerve të mos bëhen pengesë për shërbimin. Një mënyrë e mirë që ta mbajmë mendjen të përqendruar te synimi ynë është të diskutojmë për çfarë duam t’u flasim të interesuarve. Veç kësaj, ndonëse hera-herës celulari mund të na ndihmojë të jemi të efektshëm në shërbim, duhet të marrim masa që zilja e celularit të mos na ndërpresë bisedën me të zotin e shtëpisë.

TË TREGOJMË INTERES

13, 14. (a) Si mund ta dallojmë se çfarë i intereson dikujt? (b) Çfarë mund t’ua zgjojë interesin njerëzve për gjërat frymore?

13 Lajmëtarët që rrinë zgjuar frymësisht dhe janë syçelë, i dëgjojnë me kujdes njerëzit që takojnë. Çfarë pyetjesh mund t’i bësh dikujt në territorin tënd, që ta nxitësh të shprehet si ndihet? A e shqetëson numri i madh i feve, dhuna përreth apo dështimi i qeverive? A mund t’ia zgjosh interesin për gjërat frymore duke thënë diçka rreth projektimit të mrekullueshëm të gjallesave ose duke nxjerrë në pah sa praktike janë këshillat e Biblës? Lutja u intereson njerëzve të thuajse çdo kulture, madje edhe disa ateistëve. Shumë veta vrasin mendjen nëse i dëgjon ndokush lutjet. Të tjerë mund të jenë kureshtarë për pyetjet: a i dëgjon Perëndia të gjitha lutjet? Nëse jo, ç’duhet të bëjmë që të na dëgjojë?

14 Duke vëzhguar si i hapin bisedat lajmëtarët me përvojë, ka të ngjarë të mësojmë shumë për këtë art. Vër re se si bëjnë kujdes që të mos duket sikur po i marrin në pyetje të tjerët a sikur po futin hundët në punët e tyre. Si e tregojnë me tonin e zërit dhe me shprehjet e fytyrës se u intereson të kuptojnë pikëpamjen e të zotit të shtëpisë?​—Prov. 15:13.

DASHAMIRËSI DHE MJESHTËRI

15. Pse përpjekjet tona në predikim duhet të karakterizohen nga dashamirësia?

15 A të pëlqen të të zgjojnë kur je në gjumë të thellë? Shumë veta nuk reagojnë mirë kur i zgjon papritmas. Zakonisht njerëzit preferojnë t’i zgjosh me butësi. Kështu ndodh edhe kur përpiqemi t’i zgjojmë të tjerët frymësisht. Për shembull, nëse dikush të kthehet me inat kur i predikon, zakonisht cila është mënyra më e mirë për të vepruar? Me dashamirësi trego se e kupton si ndihet dhe largohu me qetësi. (Prov. 15:1; 17:14; 2 Tim. 2:24) Dashamirësia jote mund ta nxitë që, herën tjetër kur t’i trokasë në derë një Dëshmitar, të reagojë më mirë.

16, 17. Si mund të përdorim gjykim të thellë në shërbim?

16 Në raste të tjera, mund të arrish ta kapërcesh një reagim negativ. Dikush mbase thotë «jo faleminderit, kam fenë time» ose «s’më intereson» thjesht ngaqë kjo duket mënyra më e kollajshme për të mbyllur bisedën. Sidoqoftë, me mjeshtëri dhe duke ngulmuar me dashamirësi, mund të ngresh një pyetje interesante që i zgjon kureshtjen për gjërat frymore të zotit të shtëpisë.​—Lexo Kolosianëve 4:6.

17 Nganjëherë, kur takojmë njerëz që mendojnë se janë tepër të zënë, më e mira është të tregojmë se e kuptojmë situatën dhe të largohemi. Por në disa raste, ndoshta dallon se mund të thuash diçka të shkurtër e domethënëse. Disa vëllezër janë në gjendje të hapin Biblën, të lexojnë një shkrim që të fut në mendime dhe ta mbyllin bisedën me një pyetje​—të gjitha këto në më pak se një minutë. Hera-herës, prezantimi i tyre i përmbledhur ngjall aq shumë interes, sa i zoti i shtëpisë nuk mendon më se është tepër i zënë për një bisedë të shkurtër. Pse të mos e provosh këtë nëse e lejojnë rrethanat?

18. Ç’mund të bëjmë që të jemi më të efektshëm kur të japim dëshmi joformale?

18 Kur takojmë njerëz në aktivitetet e përditshme, shpesh mund t’ua zgjojmë interesin për lajmin e mirë po të jemi të përgatitur të japim dëshmi joformale. Shumë vëllezër e motra mbajnë literaturë në xhep ose në çantë. Gjithashtu, fiksojnë një shkrim që t’ua thonë njerëzve po të krijohet mundësia. Mund të flasësh me mbikëqyrësin e shërbimit ose me pionierët e kongregacionit se si të përgatitesh për këtë.

T’I ZGJOJMË TË AFËRMIT ME BUTËSI

19. Pse s’duhet të heqim dorë nga përpjekjet për të ndihmuar të afërmit?

19 Natyrisht, na pëlqen t’i ndihmojmë të afërmit të pranojnë lajmin e mirë. (Jos. 2:13; Vep. 10:24, 48; 16:31, 32) Mirëpo, nëse s’na e kanë vënë veshin kur jemi përpjekur në fillim, mund të na jetë ftohur zelli për ta provuar sërish. Ndoshta mendojmë se asgjë nga ato që themi ose bëjmë nuk do t’ua ndryshojë qëndrimin. Megjithatë, mund të ketë ndodhur diçka që ua ka ndryshuar jetën a pikëpamjen të afërmve të tu. Ose ndoshta ti je bërë më i aftë për ta shpjeguar të vërtetën, kështu që tani mund të kesh tjetër rezultat.

20. Pse është e rëndësishme të kemi takt kur flasim me të afërmit?

20 Duhet të bëjmë kujdes që të mos jemi të pandjeshëm ndaj ndjenjave të të afërmve. (Rom. 2:4) A nuk duhet t’u flasim atyre me po aq dashamirësi sa edhe njerëzve që takojmë në predikim? Folu me butësi dhe respekt. Pa u bërë moral, jep prova se si ka ndikuar për mirë te ti e vërteta. (Efes. 4:23, 24) Trego qartë si ta ka pasuruar jetën Jehovai, ‘duke të mësuar se si të nxjerrësh dobi për vete’. (Isa. 48:17) Le të shohin të afërmit te ti një shembull të jetës së krishterë.

21, 22. Trego një përvojë që nxjerr në pah sa rëndësi ka të ngulmojmë në përpjekjet për t’i ndihmuar frymësisht të afërmit.

21 Kohët e fundit, një motër shkroi: «Jam munduar gjithmonë që me fjalët e me sjelljen time t’u jap dëshmi 13 vëllezërve e motrave të mia. Kurrë nuk lë të kalojë një vit pa i shkruar secilit. Prapëseprapë, për 30 vjet kam qenë e vetmja Dëshmitare në familje.»

22 Më tej thoshte: «Një ditë, mora në telefon një nga motrat e mia që jeton qindra kilometra larg. Më tha se i kishte kërkuar njërit prej krerëve të kishës së saj të studionte Biblën me të, por ai s’ishte kujtuar kurrë. Kur i thashë se do ta ndihmoja me kënaqësi, m’u përgjigj: ‘Dakord, por po ta them që tani: nuk do të bëhem kurrë Dëshmitare e Jehovait.’ Pasi i nisa me postë librin Çfarë mëson vërtet Bibla?, i telefonoja një herë në disa ditë, por ajo akoma s’e kishte hapur librin. Më në fund i kërkova të merrte librin dhe për afro 15 minuta lexuam e diskutuam në telefon disa nga shkrimet e cituara. Pas disa telefonatash, donte të studionte më shumë se 15 minuta. Pastaj filloi të më merrte ajo në telefon për të bërë studimin, nganjëherë në mëngjes kur s’isha ngritur ende nga krevati, e me raste edhe dy herë në ditë. Vitin tjetër u pagëzua dhe një vit më pas nisi shërbimin si pioniere.»

23. Pse nuk duhet të lodhemi duke u përpjekur t’i zgjojmë njerëzit nga gjumi frymor?

23 T’i ndihmojmë njerëzit të zgjohen nga gjumi frymor është një art dhe kërkon përpjekje këmbëngulëse. Megjithatë, ka ende njerëz zemërbutë që po u përgjigjen përpjekjeve tona për t’i zgjuar. Çdo muaj pagëzohen si Dëshmitarë të Jehovait mesatarisht më shumë se 20.000 veta. Prandaj, le t’ia vëmë veshin këshillës që i dha Pavli vëllait tonë të shekullit të parë, Arkipit: «Ki kujdes ta përmbushësh si duhet shërbimin që pranove si dishepull i Zotërisë.» (Kolos. 4:17) Artikulli vijues do të na ndihmojë të gjithëve të kuptojmë se ç’do të thotë të predikojmë me ndjenjë urgjence.

[Pyetjet]

[Kutia në faqen 13]

SI TË RRISH ZGJUAR:

▪ Qëndro aktiv duke bërë vullnetin e Perëndisë

▪ Shmang veprat që i përkasin errësirës

▪ Mos harro sa e rrezikshme është dremitja frymore

▪ Mbaj një pikëpamje pozitive për njerëzit në territorin tënd

▪ Provo metoda të reja për t’u predikuar të tjerëve

▪ Mbaj parasysh sa i rëndësishëm është shërbimi