A ju kujtohet?
A ju kujtohet?
A i keni lexuar me kujdes numrat e fundit të Kullës së Rojës? Shihni nëse mund t’u përgjigjeni pyetjeve vijuese:
Në ç’kuptim Solomoni mund të jetë një shembull paralajmërues për ne?
Perëndia e bekoi dhe e përdori mbretin Solomon. Megjithatë, gjatë sundimit të tij ai nuk i ndoqi më këshillat hyjnore. U martua me bijën pagane të faraonit, mori shumë gra dhe lejoi që gratë e tij pagane ta çonin dalëngadalë në adhurimin e rremë. Duhet të bëjmë kujdes se mos te ne zhvillohen dalëngadalë qëndrime ose prirje të gabuara. (Ligj. 7:1-4; 17:17; 1 Mbret. 11:4-8)—15/12, faqet 10-12.
Pse mund ta shohim Sarën si një grua të perëndishme e një bashkëshorte të çmuar?
Kur Perëndia e urdhëroi Abrahamin të largoheshin nga Uri, kjo nënkuptonte të linin familjarët, miqtë dhe mënyrën e jetesës që të shkonin në një vend të panjohur. Sidoqoftë, Sara bashkëpunoi, me besimin se Perëndia do ta bekonte. Ajo e respektoi Abrahamin duke treguar cilësi të bukura.—1/1, faqja 8.
Pse Jehovai i kërkoi Abrahamit të flijonte birin e tij të dashur?
Është e rëndësishme të mos harrojmë se në të vërtetë Perëndia nuk e la Abrahamin ta flijonte Isakun. Ajo dramë ishte një model për të treguar se Perëndia do të flijonte Birin e tij, Jezuin, ndonëse kjo do t’i kushtonte shumë.—1/1, faqja 23.
Nga duket se, që prej shekullit të parë e më tej, duhet të ketë pasur gjithnjë disa të mirosur të vërtetë në tokë?
Në ilustrimin e Jezuit për «grurin» dhe «egjrat», «fara e mirë» përfaqësonte «bijtë e mbretërisë». (Mat. 13:24-30, 38) Gruri do të rritej bashkë me egjrat deri në kohën e korrjes. Kështu, edhe pse nuk mund të themi me siguri se cilët individë ishin pjesë e klasës që përfaqësohet nga gruri, nuk diskutohet se ka pasur gjithnjë disa të tillë deri në ditët tona.—15/1, faqja 7.
Cilat ngjarje do të çojnë drejtpërdrejt në Harmagedon?
Kombet do të nxjerrin një deklaratë domethënëse për «paqe dhe siguri». (1 Sel. 5:3) Qeveritë do të sulmojnë fenë e rreme. (Zbul. 17:15-18) Do të ketë edhe një sulm kundër adhuruesve të vërtetë. Atëherë do të vijë fundi.—1/2, faqja 9.
Ç’mund të bëjmë për të mposhtur ndjenjën e zilisë?
Hapat që mund të na ndihmojnë janë këta: të përpiqemi të kultivojmë dashuri dhe përzemërsi vëllazërore, të shoqërohemi me bashkëbesimtarët, të përpiqemi të veprojmë mirë dhe ‘të gëzojmë me ata që gëzojnë’. (Rom. 12:15)—15/2, faqet 16-17.
Cilët e flasin gjuhën nahuatle dhe çfarë po bëhet për ta?
Ajo ishte gjuha e actekëve të lashtë dhe flitet ende nga 1,5 milionë njerëz në Meksikë. Dëshmitarët po predikojnë në gjuhën nahuatle e madje një pjesë e literaturës sonë është në dispozicion në këtë gjuhë.—1/3, faqet 13-14.
Cilat parime duhet të mbash në mendje kur jep këshilla?
Dallo situatën reale. Kujdes të mos përgjigjesh nxitimthi. Zbato me përulësi Fjalën e Perëndisë. Nëse ke mundësi, përdor bibliotekën teokratike. Kujdes të mos marrësh vendime për të tjerët.—15/3, faqet 7-9.
Jezui i nxiti dëgjuesit të shkonin edhe një kilometër me dikë që i detyronte. (Mat. 5:41) Ku e kishte fjalën?
Në atë kohë, pushtuesit romakë në Izrael mund ta vinin dikë në shërbim të detyruar. Kur i nxiti dëgjuesit e tij të shkonin edhe një kilometër, Jezui donte të thoshte se duhej të kryenin pa mllef ato shërbime që autoritetet i kërkonin me ligj.—1/4, faqja 9.