Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

‘Biri dëshiron të na zbulojë Atin’

‘Biri dëshiron të na zbulojë Atin’

‘Biri dëshiron të na zbulojë Atin’

«Askush nuk e di se kush është Ati, përveç Birit dhe atij që Biri dëshiron t’ia zbulojë.»​—LUKA 10:22.

SI DO TË PËRGJIGJESHIT?

Pse Jezui ishte në një pozitë të veçantë për t’ua zbuluar Atin njerëzve?

Si ua zbuloi Jezui Atin të tjerëve?

Si mund të imitojmë Jezuin kur ua zbulojmë Atin të tjerëve?

1, 2. Cila pyetje ka pështjelluar shumë veta dhe pse?

«KUSH është Perëndia?» Kjo pyetje pështjellon shumë veta. Për shembull, pavarësisht se shumica e të ashtuquajturve të krishterë besojnë se Perëndia është Trinitet, shumë do të pranonin se këtë doktrinë është e pamundur ta kuptosh. Një autor e klerik pranoi: «Kjo doktrinë shkon përtej kapacitetit të kufizuar të mendjes së njeriut. Ajo qëndron përtej asaj që quhet e arsyeshme dhe përtej logjikës njerëzore.» Nga ana tjetër, shumë nga ata që pranojnë teorinë e evolucionit besojnë se nuk ka Perëndi. Ata ia japin rastësisë së verbër meritën për të gjitha mrekullitë e krijimit. Sidoqoftë, në vend që të mohonte ekzistencën e Perëndisë, Çarls Darvini tha: «Përfundimi më i sigurt për mua është se i gjithë ky argument shkon përtej kapacitetit të intelektit të njeriut.»

2 Pavarësisht nga bindjet e tyre, shumë njerëz kanë menduar për pyetjet që lidhen me ekzistencën e Perëndisë. Gjithsesi, kur nuk arrijnë në përfundime të kënaqshme, shumë dorëzohen dhe nuk e kërkojnë më Perëndinë. Në fakt, Satanai ‘ua ka verbuar mendjen jobesimtarëve’. (2 Kor. 4:4) Nuk habitemi që pjesa më e madhe e njerëzve janë në padije dhe të pështjelluar lidhur me të vërtetën për Atin, Krijuesin e universit.​—Isa. 45:18.

3. (a) Kush na e ka zbuluar Krijuesin? (b) Cilat pyetje do të shqyrtojmë?

3 Por është jetësore që njerëzit të mësojnë të vërtetën për Perëndinë. Pse? Sepse vetëm ata që thërrasin «emrin e Jehovait» do të shpëtojnë. (Rom. 10:13) Të thërrasësh emrin e Perëndisë përfshin edhe të njohësh personin që thirret me këtë emër. Jezu Krishti ua dha këtë njohuri jetësore dishepujve të tij. Ai ua zbuloi atyre Atin. (Lexo Lukën 10:22.) Pse Jezui ishte në gjendje ta zbulonte Atin si askush tjetër? Si e bëri këtë? Si mund ta imitojmë Jezuin ndërsa u zbulojmë Atin të tjerëve? Le t’i shqyrtojmë këto pyetje.

JEZU KRISHTI​—I KUALIFIKUAR NË MËNYRË TË VEÇANTË

4, 5. Pse Jezui ishte në një pozitë të veçantë për t’ua zbuluar Atin njerëzve?

4 Jezu Krishti ishte i kualifikuar në mënyrë të veçantë për t’ua zbuluar Atin njerëzve. Pse? Para se të krijoheshin të gjitha format e tjera të jetës, krijesa frymore që më vonë u bë njeriu Jezu, tashmë ekzistonte në qiell si ‘Biri i vetëmlindur i Perëndisë’. (Gjoni 1:14; 3:18) Sa pozitë e veçantë! Kur ende nuk ekzistonte asnjë krijesë, Biri gëzonte gjithë vëmendjen e Atit dhe mësoi për Të e për cilësitë e tij. Ati dhe Biri duhet të kenë biseduar gjerë e gjatë dhe të kenë kultivuar përzemërsi të thellë për njëri-tjetrin gjatë epokave. (Gjoni 5:20; 14:31) Kushedi sa shumë ka arritur ta njohë Biri personalitetin e Atit!​—Lexo Kolosianëve 1:15-17.

5 Ati e caktoi Birin të ishte zëdhënësi i tij, «Fjala e Perëndisë». (Zbul. 19:13) Prandaj, Jezui ishte në një pozitë të veçantë që t’ua zbulonte Atin të tjerëve. Në mënyrë të përshtatshme, Gjoni, një nga shkrimtarët e ungjijve, e përshkruan Jezuin, ‘Fjalën’, si të ishte «në gji të Atit». (Gjoni 1:1, 18) Me këto fjalë Gjoni po i referohej një zakoni të përhapur në kohën e tij. Gjatë vakteve, një mysafir shtrohej për të ngrënë përbri një tjetri në të njëjtin divan. Duke qenë kaq afër, ata të dy mund të bisedonin kollaj. Kështu, duke qenë «në gji të Atit», Biri ka bërë biseda të thella me të.

6, 7. Si vazhdoi të forcohej lidhja mes Atit dhe Birit?

6 Lidhja mes Atit dhe Birit vazhdoi të forcohej. Perëndia ‘e kishte [Birin] veçanërisht për zemër ditë për ditë’. (Lexo Proverbat 8:22, 23, 30, 31.) Ndërsa punonin së bashku dhe Biri mësonte të imitonte cilësitë e Atit, kuptohet që lidhja mes tyre bëhej më e fortë. Kur Perëndia bëri krijesa të tjera inteligjente, Biri pa si vepronte Jehovai me secilën prej tyre, dhe me siguri iu thellua çmueshmëria për personalitetin e Tij.

7 Kur Satanai sfidoi të drejtën e Jehovait për të qenë sovrani, Biri pati rastin të mësonte si do t’i shfaqte Jehovai dashurinë, drejtësinë, mençurinë dhe fuqinë në një situatë të vështirë. Kjo pa dyshim do ta përgatiste Jezuin të përballonte situatat e vështira që do të haste më vonë gjatë shërbimit në tokë.​—Gjoni 5:19.

8. Si na ndihmojnë tregimet e ungjijve të mësojmë më shumë për cilësitë e Atit?

8 Ngaqë kishte një marrëdhënie të ngushtë me Jehovain, Biri ua shpjegoi Atin njerëzve me më shumë hollësi se kushdo tjetër. Ç’mënyrë tjetër më të mirë mund të kemi për të njohur Atin, sesa duke shqyrtuar atë që mësoi e bëri Biri i vetëmlindur? Për ta ilustruar, mendo sa të vështirë do ta kishim të kuptonim plotësisht domethënien e fjalës «dashuri» thjesht duke lexuar përkufizimin në një fjalor. Megjithatë, kur meditojmë rreth tregimeve të gjalla të ungjijve për shërbimin e Jezuit dhe mënyrat si kujdesej për të tjerët, mund ta kuptojmë më mirë shprehjen «Perëndia është dashuri». (1 Gjon. 4:8, 16) Kjo vlen edhe për cilësitë e tjera të Perëndisë, që Jezui ua zbuloi dishepujve ndërsa ishte në tokë.

SI E ZBULOI JEZUI ATIN E TIJ?

9. (a) Cilat janë dy mënyrat kryesore që përdori Jezui për të zbuluar Atin? (b) Jepni një shembull ku tregohet si e ka zbuluar Jezui Atin me anë të mësimeve të tij.

9 Si ua zbuloi Jezui Atin dishepujve të tij dhe, më gjerë, ithtarëve të tij në të ardhmen? E bëri këtë në dy mënyra kryesore: me anë të mësimeve dhe të sjelljes. Le të shqyrtojmë në fillim mësimet e Jezuit. Ajo që u mësoi dishepujve pasqyronte kuptueshmërinë e tij të thellë për mendimet, ndjenjat dhe mënyrën si vepronte Ati. Për shembull, Jezui e krahasoi Atin me një njeri të kujdesshëm që e lë kopenë për të kërkuar një dele të humbur. Ai tha se, kur pronari e gjen delen e humbur, ‘gëzon më shumë për të, se për ato nëntëdhjetë e nëntë që nuk e kanë humbur rrugën’. Si e zbatoi këtë ilustrim Jezui? «Po ashtu edhe Ati im që është në qiell,—shpjegoi ai,—nuk dëshiron që asnjë nga këta të vegjlit të marrë fund.» (Mat. 18:12-14) Çfarë mësojmë për Jehovain nga ky ilustrim? Edhe në ato raste kur ndihemi sikur s’kemi kurrfarë vlere ose sikur na kanë braktisur, Ati ynë qiellor interesohet dhe kujdeset për ne. Në sytë e tij, jemi si një «nga këta të vegjlit».

10. Si e zbuloi Jezui Atin me anë të sjelljes së tij?

10 Mënyra e dytë si ua zbuloi Jezui Atin dishepujve, ishte me anë të sjelljes. Prandaj, kur apostulli Filip i kërkoi ‘t’u tregonte Atin’, me të drejtë Jezui tha: «Ai që më ka parë mua, ka parë edhe Atin.» (Gjoni 14:8, 9) Ja disa shembuj se si i shfaqi Jezui cilësitë e Atit. Kur një i lebrosur iu lut ta shëronte, Jezui e preku burrin që ishte «plot lebër» dhe i tha: «Dua. Pastrohu.» Kur u shërua, i lebrosuri pa dyshim e shihte dorën e Jehovait në atë që bëri Jezui. (Luka 5:12, 13) Gjithashtu, kur vdiq Lazari, dishepujt duhet të kenë ndier dhembshurinë e Atit kur Jezui «rënkoi në frymë dhe u trazua» e «nuk i mbajti dot lotët». Edhe pse e dinte se do ta ringjallte Lazarin, Jezui e ndjeu dhimbjen që po provonin familja dhe miqtë e Lazarit. (Gjoni 11:32-35, 40-43) Patjetër edhe ju keni tregimet tuaja të preferuara në Bibël që ju ndihmojnë të shihni Atin e mëshirshëm në veprimet e Jezuit.

11. (a) Çfarë zbuloi Jezui për Atin kur pastroi tempullin? (b) Pse marrim zemër nga tregimi për pastrimin e tempullit?

11 Mirëpo, në çfarë përfundimi arrini nga rasti kur Jezui pastroi tempullin? Përfytyroni skenën: ai bëri një kamxhik me litarë dhe dëboi shitësit e gjedhëve e të deleve. U derdhi monedhat këmbyesve të parave dhe u përmbysi tryezat. (Gjoni 2:13-17) Ai veprim plot guxim u kujtoi dishepujve fjalët që profetizoi mbreti David: «Zelli për shtëpinë tënde më ka përpirë.» (Psal. 69:9) Me këto veprime të vendosura, Jezui tregoi dëshirën e zjarrtë që të mbronte adhurimin e vërtetë. A e dallojmë personalitetin e Atit në këtë tregim? Ai na kujton se Perëndia nuk ka vetëm fuqinë e pakufizuar për të shfarosur ligësinë nga faqja e dheut, por edhe dëshirën e zjarrtë për ta bërë këtë. Ky përshkrim i reagimit të fortë të Jezuit ndaj keqbërjeve zbulon si duhet të ndihet Ati ndërsa sheh ligësinë që ka pllakosur sot në tokë. Sa shumë marrim zemër nga kjo kur duhet të përballemi me padrejtësitë!

12, 13. Ç’mund të mësojmë për Jehovain nga mënyra si i trajtoi Jezui dishepujt?

12 Le të shohim një shembull tjetër: mënyrën si i trajtoi Jezui dishepujt. Ata debatonin vazhdimisht se kush ishte më i madhi. (Mar. 9:33-35; 10:43; Luka 9:46) Nga përvoja e gjatë pranë Atit, Jezui e dinte si ndihej Jehovai për prirje të tilla që tregojnë krenari. (2 Sam. 22:28; Psal. 138:6) Për më tepër, Jezui kishte parë se prirje të tilla kishte shfaqur Satana Djalli. Atij personi egocentrik i interesonte së tepërmi të binte në sy e të kishte pozitë. Prandaj, sa i trishtuar duhet të ketë qenë Jezui tek shihte herë pas here qëndrimin ambicioz të dishepujve që kishte stërvitur! Këtë qëndrim e kishin edhe ata që kishte zgjedhur si apostuj. E treguan këtë qëndrim ambicioz deri ditën e fundit të Jezuit në tokë. (Luka 22:24-27) Por Jezui vazhdoi t’i qortonte me mirëdashje, pa e humbur kurrë shpresën se si përfundim do të mësonin të imitonin qëndrimin e tij të përulur mendor.​—Filip. 2:5-8.

13 A mund ta shihni dorën e Jehovait në mënyrën si i ndreqte me durim Jezui prirjet e gabuara të dishepujve? A shikoni në veprimet dhe fjalët e Jezuit Atin, i cili nuk i braktis shërbëtorët e tij pavarësisht nga gabimet e përsëritura? A nuk na nxit kjo njohuri që kemi për cilësitë e Perëndisë që t’i afrohemi për t’i treguar se jemi penduar për gabimet tona?

BIRI NA E ZBULON ME DËSHIRË ATIN

14. Si e tregoi Jezui se dëshironte ta zbulonte Atin?

14 Shumë diktatorë përpiqen ta mbajnë popullin nën kontroll e në padije duke mos e informuar. Krejt ndryshe, Jezui dëshironte t’ua tregonte të tjerëve ato që dinte për Atin duke ua zbuluar atë plotësisht. (Lexo Mateun 11:27.) Për më tepër, Jezui u dha dishepujve ‘aftësi intelektuale që të fitonin njohuri për të vërtetin’, Perëndinë Jehova. (1 Gjon. 5:20) Ç’do të thotë kjo? Jezui u hapi mendjen dishepujve që të kuptonin mësimet e tij për Atin. Nuk e fshehu Atin në një re misteri duke u mësuar se Ai ishte pjesë e ndonjë Triniteti të pakuptueshëm.

15. Pse Jezui nuk tregoi gjithçka dinte për Atin?

15 A zbuloi Jezui çdo gjë që dinte për Atin? Jo, ai me mençuri u përmbajt e nuk i tregoi shumë nga gjërat që dinte. (Lexo Gjonin 16:12.) Pse? Sepse në atë kohë dishepujt ‘nuk ishin në gjendje ta kuptonin’ gjithë atë njohuri. Sidoqoftë, Jezui shpjegoi se njohuria do të shtohej kur të mbërrinte «ndihmësi», fryma e shenjtë, që do t’i drejtonte ‘të kuptonin gjithë të vërtetën’. (Gjoni 16:7, 13) Ashtu si prindërit e mençur që nuk u tregojnë çdo gjë fëmijëve derisa të jenë aq të rritur sa të kuptojnë, edhe Jezui priti derisa dishepujt u poqën dhe u bënë të aftë të kuptonin disa fakte për Atin. Jezui me mirëdashje mbajti parasysh kufizimet e tyre.

TË IMITOJMË JEZUIN DUKE I NDIHMUAR TË TJERËT TË NJOHIN JEHOVAIN

16, 17. Pse jemi në gjendje t’ua zbulojmë Atin të tjerëve?

16 Kur arrijmë të njohim mirë dikë dhe të vlerësojmë personalitetin e tij të dashur, a nuk nxitemi t’u flasim të tjerëve për të? Kur ishte në tokë, Jezui foli për Atin e tij. (Gjoni 17:25, 26) A mund ta imitojmë duke ua zbuluar Jehovain të tjerëve?

17 Siç kemi parë, Jezui kishte njohuri shumë më të thellë se kushdo tjetër për Atin. Megjithatë, ai dëshironte t’u tregonte të tjerëve disa nga gjërat që dinte e madje t’u jepte ithtarëve të tij aftësinë intelektuale për të kapur veçoritë më të thella të personalitetit të Perëndisë. Me ndihmën e Jezuit, a nuk kemi për Atin atë njohuri që shumica e njerëzve sot nuk e kanë? Sa mirënjohës jemi që Jezui na e ka zbuluar me dëshirë Atin me anë të mësimeve dhe sjelljes së tij! Në fakt, ne mund të mburremi me të drejtë se e njohim Atin. (Jer. 9:24; 1 Kor. 1:31) Ndërsa jemi përpjekur t’i afrohemi Jehovait, ai na është afruar neve. (Jak. 4:8) Kështu, tani jemi në gjendje t’u japim edhe të tjerëve njohurinë që kemi. Si mund ta bëjmë këtë?

18, 19. Si mund t’ua zbulojmë Atin të tjerëve? Shpjegoni.

18 Duhet të imitojmë Jezuin duke ua zbuluar Atin të tjerëve me fjalët dhe me veprimet tona. Të mos harrojmë se shumë nga ata që takojmë në shërbim nuk e dinë kush është Perëndia. Pikëpamja që kanë për të mund të jetë e mjegulluar nga mësimet e rreme. Mund t’u tregojmë ç’dimë për emrin e Perëndisë, qëllimin e tij për njerëzit dhe personalitetin e tij, siç zbulohet në Bibël. Po ashtu, mund të bisedojmë me bashkëbesimtarët për disa tregime biblike që zbulojnë personalitetin e Perëndisë në ndonjë mënyrë që nuk e kishim kuptuar më parë. Kështu mund të përfitojnë edhe ata.

19 Ndërsa përpiqemi të imitojmë Jezuin, mund t’ua zbulojmë Atin të tjerëve me anë të sjelljes sonë. Kur shohin në veprimet tona dashurinë e Krishtit, njerëzit afrohen me Atin dhe me Jezuin. (Efes. 5:1, 2) Apostulli Pavël na inkurajoi ‘të bëhemi imituesit e tij, ashtu si ai ishte i Krishtit’. (1 Kor. 11:1) Ç’privilegj të mrekullueshëm kemi t’i ndihmojmë njerëzit të shohin Jehovain në sjelljen tonë! Po, le të vazhdojmë të gjithë të imitojmë Jezuin duke ua zbuluar Atin të tjerëve.

[Pyetjet]