Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jehovai di ta çlirojë popullin e tij

Jehovai di ta çlirojë popullin e tij

Jehovai di ta çlirojë popullin e tij

«Jehovai di t’i çlirojë nga sprova njerëzit me përkushtim hyjnor.»​—2 PJET. 2:9.

PSE MUND TË JEMI TË SIGURT SE JEHOVAI . . .

e di kohën kur duhet të ndodhin ngjarjet që plotësojnë qëllimin e tij?

do të përdorë fuqinë e tij për të mbrojtur popullin e vet?

e di si do të shpalosen ngjarjet kulmore?

1. Cilat kushte do të shoqërojnë ‘shtrëngimin e madh’?

EKZEKUTIMI i gjykimit të Perëndisë kundër botës së Satanait do të nisë me një befasi të jashtëzakonshme. (1 Sel. 5:2, 3) Ndërsa «dita e madhe e Jehovait» shpaloset, shoqëria njerëzore do të bjerë në kaos. (Sof. 1:14-17) Do të ketë kaq shumë vuajtje dhe mjerim, saqë Bibla e përshkruan si një kohë me «një shtrëngim aq të madh, sa nuk ka pasur që nga fillimi i botës e deri tani».​—Lexo Mateun 24:21, 22.

2, 3. (a) Çfarë do të përjetojë populli i Perëndisë gjatë ‘shtrëngimit të madh’? (b) Çfarë mund të na forcojë për atë që presim të ndodhë?

2 Teksa ‘shtrëngimi i madh’ shkon drejt kulmit të tij, populli i Perëndisë do të bëhet shënjestër e një sulmi të përgjithshëm nga «Gogu i vendit të Magogut». Gjatë këtij sulmi, kundër popullit të Perëndisë do të vijë «një ushtri e madhe» «si retë që mbulojnë vendin». (Ezek. 38:2, 14-16) Asnjë organizatë njerëzore nuk do ta mbrojë popullin e Jehovait. Mbijetesa e tyre do të varet vetëm nga Perëndia. Si do të reagojnë ata kur të gjenden para shfarosjes?

3 Nëse je shërbëtor i Jehovait, a ke besim se ai është në gjendje ta shpëtojë dhe do ta shpëtojë popullin e tij gjatë shtrëngimit të madh? Apostulli Pjetër shkroi: «Jehovai di t’i çlirojë nga sprova njerëzit me përkushtim hyjnor, dhe t’i ruajë të padrejtët për ditën e gjykimit, që të shfarosen.» (2 Pjet. 2:9) Meditimi rreth asaj që bëri Jehovai në të kaluarën për të çliruar popullin e tij, mund të na forcojë për atë që presim të ndodhë. Le të shqyrtojmë tre shembuj që do të na mbushin me siguri për aftësinë e Jehovait për ta çliruar popullin e tij.

MBIJETOJNË NGA NJË PËRMBYTJE GLOBALE

4. Pse puna për ndërtimin e arkës duhej kryer brenda një kohe të caktuar?

4 Së pari, të shqyrtojmë tregimin për Përmbytjen e ditëve të Noesë. Qëllimi i Jehovait duhej kryer sipas një kohe të caktuar. Para se të binin ujërat e Përmbytjes duhej përfunduar detyra kolosale e ndërtimit të arkës dhe kafshët duheshin çuar shëndoshë e mirë në të. Tregimi i Zanafillës zbulon se Jehovai nuk urdhëroi në fillim ndërtimin e arkës e pastaj vendosi kohën kur do të sillte Përmbytjen, sikur t’i duhej ta shtynte fillimin e Përmbytjes në rast se projekti i ndërtimit të arkës do të ishte me vonesë. Përkundrazi, shumë kohë para se t’i thoshte diçka Noesë për ndërtimin e arkës, Perëndia caktoi kohën kur do të niste Përmbytja. Si e dimë?

5. Çfarë shpalli Jehovai në deklaratën e regjistruar te Zanafilla 6:3? Kur e nxori këtë dekret?

5 Bibla thotë se Jehovai shpalli një dekret në qiell. Sipas Zanafillës 6:3, ai tha: «Fryma ime nuk do të tregohet gjithmonë e duruar me njeriun, sepse ai s’është gjë tjetër veçse mish. Prandaj ditët e tij do të shkojnë deri në njëqind e njëzet vjet.» Kjo nuk ishte një deklaratë për jetëgjatësinë mesatare të njeriut. Ishte një dekret gjyqësor me anë të të cilit Jehovai shpalli se kur do të vepronte për ta pastruar tokën nga paperëndishmëria. * Meqë Përmbytja filloi në vitin 2370 p.e.s., arrijmë në përfundimin se Perëndia e bëri këtë shpallje në vitin 2490 p.e.s. Në atë kohë, Noeja ishte 480 vjeç. (Zan. 7:6) Rreth 20 vjet më vonë, në vitin 2470 p.e.s., Noeja filloi të bëhej me djem. (Zan. 5:32) Mbetën rreth njëqind vjet para se të fillonte Përmbytja, por Jehovai ende nuk i kishte treguar Noesë për rolin e veçantë që do të luante në ruajtjen e familjes njerëzore. Sa kohë do të priste Perëndia para se t’ia thoshte Noesë?

6. Kur e urdhëroi Jehovai Noenë që të ndërtonte arkën?

6 Me sa duket, Jehovai priti dekada para se t’i tregonte Noesë se çfarë do të bënte. Mbi ç’bazë e nxjerrim këtë përfundim? Tregimi i frymëzuar thotë se bijtë e Noesë ishin tashmë të rritur e të martuar kur Perëndia e urdhëroi atë të ndërtonte arkën. Jehovai i tha atij: «Unë po bëj një besëlidhje me ty. Futu në arkë ti bashkë me bijtë e tu, gruaja jote dhe gratë e bijve të tu.» (Zan. 6:9-18) Pra, ka mundësi që kur Noeja mori caktimin për të ndërtuar arkën, mbeteshin vetëm 40 ose 50 vjet para se të vinte Përmbytja.

7. (a) Si treguan besim Noeja dhe familja e tij? (b) Kur ia tha më në fund Perëndia Noesë kohën e saktë të fillimit të Përmbytjes?

7 Ndërsa puna për ndërtimin e arkës përparonte, Noeja dhe familja e tij duhet të kenë pyetur veten se si do ta plotësonte Perëndia qëllimin e tij dhe kur do të fillonte Përmbytja. Megjithatë, fakti që s’i dinin këto hollësi, nuk i ndali të ndërtonin arkën. Bibla thotë: «Noeja veproi në përputhje me të gjitha ato që i urdhëroi Perëndia. Ai bëri pikërisht ashtu.» (Zan. 6:22) Shtatë ditë para se të binin ujërat e Përmbytjes​—kohë e mjaftueshme për Noenë dhe familjen e tij që të futnin kafshët në arkë—​më në fund Jehovai i tha Noesë kohën e saktë se kur do të niste Përmbytja. Kështu, kur u hapën portat e qiejve «vitin e gjashtëqindtë të jetës së Noesë, muajin e dytë, ditën e shtatëmbëdhjetë të muajit», gjithçka ishte gati.​—Zan. 7:1-5, 11.

8. Në ç’mënyrë tregimi i Përmbytjes na forcon sigurinë se Jehovai di kur ta çlirojë popullin e tij?

8 Tregimi i Përmbytjes dëshmon jo vetëm për aftësinë e Jehovait për të përcaktuar dhe respektuar afatet kohore, por edhe për aftësinë e tij si Çlirimtar. Ndërsa ai numëron ditët që i mbeten këtij sistemi, jemi të sigurt se gjithçka që Jehovai ka vënë si qëllim, do të ndodhë në kohën e tij të caktuar, tamam «atë ditë dhe atë orë».​—Mat. 24:36; lexo Habakukun 2:3.

ÇLIROHEN NË DETIN E KUQ

9, 10. Si e përdori Jehovai popullin e tij që ta fuste në grackë ushtrinë e Egjiptit?

9 Deri tani kemi parë se Jehovai ka në kontroll të plotë kohën kur duhet të ndodhin ngjarjet që plotësojnë qëllimin e tij. Shembulli i dytë që do të shqyrtojmë thekson një arsye tjetër pse mund të kemi besim se Jehovai do ta çlirojë popullin e tij: ai do ta përdorë fuqinë e pakufishme që ka në dispozicion për t’u siguruar se vullneti i tij do të kryhet. Aq e sigurt është aftësia e Jehovait për të çliruar shërbëtorët e vet, saqë ndonjëherë i përdor për të joshur armiqtë e tij që të bien në grackë. Kështu ndodhi në rastin kur çliroi izraelitët nga robëria egjiptiane.

10 Izraelitët që dolën nga Egjipti mund të kenë qenë rreth tre milionë. Jehovai e urdhëroi Moisiun t’i çonte nga një udhë që e shtyu faraonin të mendonte se po bridhnin të hutuar. (Lexo Daljen 14:1-4.) Faraoni nuk mundi t’i rezistonte këtij karremi dhe i priu ushtrisë së tij që të ndiqnin ish-skllevërit e t’i futnin në grackë në Detin e Kuq. Dukej sikur s’kishte rrugëdalje. (Dal. 14:5-10) Mirëpo izraelitët nuk ishin aspak në rrezik. Pse? Sepse Jehovai do të ndërhynte në mbrojtje të tyre.

11, 12. (a) Si ndërhyri Jehovai për të mbrojtur popullin e tij? (b) Cili qe rezultati i ndërhyrjes së Perëndisë? Çfarë na mëson ky tregim për Jehovain?

11 «Shtylla e resë» që po drejtonte izraelitët lëvizi dhe zuri vend prapa tyre, duke penguar afrimin e ushtrisë së faraonit dhe duke e lënë në errësirë. Por falë një mrekullie, shtylla u ndriçonte natën izraelitëve. (Lexo Daljen 14:19, 20.) Pastaj, Jehovai e ndau detin me anë të një ere të fortë nga lindja, e cila «e ktheu shtratin e detit në tokë të thatë». Pa dyshim, për këtë u desh një kohë e konsiderueshme, pasi tregimi thotë se era fryu «gjatë tërë natës» dhe pas kësaj «bijtë e Izraelit kaluan përmes detit në tokë të thatë». Në krahasim me ushtrinë e faraonit me karrocat e tyre, izraelitët lëviznin me hap të avashtë. Gjithsesi, nuk kishte asnjë mundësi që egjiptianët t’i arrinin, pasi Jehovai po luftonte për Izraelin. «[Ai] e bëri rrëmujë kampin e egjiptianëve. U hoqi rrotat karrocave, dhe ata i ngitnin me vështirësi.»​—Dal. 14:21-25.

12 Pasi Izraeli kaloi shëndoshë e mirë në bregun tjetër, Jehovai e urdhëroi Moisiun: «Shtrije dorën drejt detit, që ujërat të bien mbi egjiptianët, mbi karrocat e luftës dhe mbi kalorësit.» Teksa ushtarët përpiqeshin t’ia mbathnin nga ujërat vërshuese, «Jehovai i plandosi egjiptianët në mes të detit». S’kishin nga t’ia mbanin. «Nuk mbeti asnjë.» (Dal. 14:26-28) Kështu Jehovai tregoi se ka fuqinë ta çlirojë popullin e tij nga çdo situatë.

SHPËTOJNË NGA SHKATËRRIMI I JERUSALEMIT

13. Cilat udhëzime dha Jezui? Ç’pyetje mund t’i kenë bërë vetes dishepujt e tij?

13 Jehovai e di saktësisht se si do të rrjedhin ngjarjet që të plotësohet qëllimi i tij. Rëndësia e kësaj del në pah te shembulli i tretë që do të shqyrtojmë: rrethimi i Jerusalemit në shekullin e parë. Nëpërmjet Birit të tij, Jehovai dha udhëzime se si të shpëtonin të krishterët që jetonin në Jerusalem e në Jude para shkatërrimit të qytetit në vitin 70 të e.s. Jezui tha: «Kur të vini re gjënë e neveritshme që shkakton shkretim, si tha profeti Daniel, e cila qëndron në vend të shenjtë . . . , atëherë ata në Jude le të fillojnë të ikin në male.» (Mat. 24:15, 16) Por, si do ta dallonin dishepujt e Jezuit se kur po plotësohej kjo profeci?

14. Si i bëri të qarta udhëzimet e Jezuit shpalosja e ngjarjeve?

14 Teksa shpaloseshin ngjarjet, kuptimi i fjalëve të Jezuit u bë i qartë. Në vitin 66 të e.s., ushtritë romake nën komandën e Cest Galit erdhën në Jerusalem që të shtypnin një revoltë të judenjve. Kur rebelët judenj, të njohur si zelotët, u përpoqën të strehoheshin brenda fortesës së tempullit, ushtarët romakë nisën të shkatërronin murin e tempullit. Për të krishterët vigjilentë, domethënia e këtyre ngjarjeve ishte fare e qartë: një ushtri pagane me flamurë idhujtarë (‘gjëja e neveritshme’) shkoi deri te muri i tempullit (‘vendi i shenjtë’). Kjo ishte koha që dishepujt e Jezuit ‘të fillonin të iknin në male’. Por, si do të dilnin nga një qytet i rrethuar? Ngjarjet do të merrnin një kthesë të papritur.

15, 16. (a) Cilin udhëzim specifik dha Jezui? Pse ishte jetësore për dishepujt t’i bindeshin atij udhëzimi? (b) Nga çfarë do të varet çlirimi ynë?

15 Pa ndonjë arsye të dukshme, Cest Gali dhe trupat e tij hoqën dorë nga Jerusalemi dhe filluan të tërhiqeshin. Zelotët iu vunë pas. Tani që palët ndërluftuese ishin larguar, papritur dishepujt e Jezuit kishin një mundësi për të ikur. Jezui i kishte udhëzuar në mënyrë specifike që t’i linin pas zotërimet materiale dhe të niseshin pa vonesë. (Lexo Mateun 24:17, 18.) A ishte vërtet e nevojshme të vepronin menjëherë? Përgjigjja u bë e qartë shumë shpejt. Brenda disa ditësh, zelotët u kthyen dhe filluan t’i detyronin banorët e Jerusalemit e të Judesë që të bashkoheshin me revoltën. Kushtet brenda qytetit u keqësuan me shpejtësi, ndërsa grupet judaike rivale luftonin për ta marrë nën kontroll. Ikja nga qyteti u bë gjithnjë e më e vështirë. Kur romakët u kthyen në vitin 70 të e.s., ikja u bë e pamundur. (Luka 19:43) Kushdo që e kishte zvarritur ikjen, mbeti në grackë. Të krishterët që kishin shkuar në male, shpëtuan ngaqë u kishin vënë veshin udhëzimeve të Jezuit. Ata e panë me sytë e tyre se Jehovai di ta çlirojë popullin e vet. Ç’mësim mund të nxjerrim nga ky tregim?

16 Ndërkohë që ngjarjet do të shpalosen gjatë shtrëngimit të madh, të krishterët do të kenë nevojë t’u vënë veshin udhëzimeve të Fjalës së Perëndisë dhe të organizatës së tij. Për shembull, urdhri i Jezuit «të fillojnë të ikin në male», do të zbatohet edhe në kohën tonë. Se ç’formë do të marrë ikja jonë, mbetet për t’u parë. * Megjithatë, jemi të sigurt se Jehovai do ta bëjë të qartë domethënien e atyre udhëzimeve kur të vijë koha që t’i zbatojmë. Meqë çlirimi ynë do të varet nga bindja ndaj tyre, është mirë të pyesim veten: «Si reagoj ndaj udhëzimeve që jep Jehovai tani për popullin e tij? A reagoj shpejt apo ngurroj të bindem?»​—Jak. 3:17.

TË FORCUAR PËR ATË QË DO TË NDODHË SË SHPEJTI

17. Çfarë zbulon profecia e Habakukut për sulmin e ardhshëm kundër popullit të Perëndisë?

17 Tani le të kthehemi te sulmi i përgjithshëm i Gogut, që përmendëm në hyrje të artikullit. Në një profeci që lidhet me këtë, Habakuku tha: «Unë dëgjova dhe barku nisi të më trazohej. Nga zhurma buzët m’u drodhën. Kalbësira filloi të hynte në kockat e mia dhe në këtë gjendje isha i turbulluar . . . do ta pres me qetësi ditën e vuajtjes, kur ai [Perëndia] të vijë kundër popullit [ushtrive kërcënuese], për ta mësyrë.» (Hab. 3:16) Vetëm dëgjimi i raportit për sulmin e ardhshëm kundër popullit të Perëndisë bëri që profetit t’i trazohej stomaku, t’i dridheshin buzët dhe t’i shteronin forcat. Reagimi i Habakukut tregon se sa e vështirë do të duket situata jonë kur hordhitë e Gogut të vijnë mizëri kundër nesh. Prapëseprapë, profeti ishte i gatshëm të priste me qetësi ditën e madhe të Jehovait, duke pasur besim se Ai do ta çlironte popullin e tij. Edhe ne mund të kemi të njëjtën siguri.​—Hab. 3:18, 19.

18. (a) Pse kemi arsye për të mos u frikësuar nga sulmi që po afrohet? (b) Për çfarë do të flasim në artikullin vijues?

18 Tre shembujt që kemi shqyrtuar tregojnë pa diskutim se Jehovai di ta çlirojë popullin e vet. Qëllimi i tij s’ka se si të dështojë; fitorja është e sigurt. Por, që të marrim pjesë edhe ne në këtë triumf të lavdishëm, duhet të qëndrojmë besnikë deri në fund. Si na ndihmon Jehovai që të ruajmë integritetin tani? Për këtë do të flasim në artikullin vijues.

[Shënimet]

^ par. 16 Shih Kullën e Rojës të 1 majit 1999, faqja 19.

[Pyetjet]

[Figura në faqen 24]

A ishin vërtet në rrezik izraelitët nga ushtria e faraonit?