Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

T’i shërbejmë Jehovait me gjithë zemër

T’i shërbejmë Jehovait me gjithë zemër

T’i shërbejmë Jehovait me gjithë zemër

«Ti biri im . . . njihe Perëndinë e atit tënd dhe shërbeji atij me gjithë zemër.»​—1 KRON. 28:9.

GJENI PËRGJIGJET E KËTYRE PYETJEVE:

Çfarë është zemra e figurshme?

Ç’metodë mund të përdorim për të shqyrtuar zemrën?

Si mund të vazhdojmë t’i shërbejmë Jehovait me gjithë zemër?

1, 2. (a) Cila pjesë e trupit është përmendur më shpesh se të tjerat në mënyrë të figurshme në Fjalën e Perëndisë? (b) Pse është e rëndësishme të kuptojmë se ç’domethënie ka zemra e figurshme?

FJALA E PERËNDISË u referohet shpesh në mënyrë të figurshme pjesëve të trupit të njeriut. Për shembull, patriarku Job tha: «S’ka dhunë në duart e mia.» Mbreti Solomon vërejti: «Një lajm i mirë i majm kockat.» Jehovai e siguroi Ezekielin: «E kam bërë ballin tënd . . . më të fortë se stralli.» Apostullit Pavël i thanë: «Ti po na thua ca gjëra të çuditshme për veshët tanë.»​—Jobi 16:17; Prov. 15:30; Ezek. 3:9; Vep. 17:20.

2 Sidoqoftë, një nga pjesët e trupit të njeriut është përmendur në mënyrë të figurshme në Bibël më shpesh se të tjerat. Ajo përmendet në një lutje të Hanës besnike: «Zemra ime ngazëllon falë Jehovait.» (1 Sam. 2:1) Në fakt, shkrimtarët e Biblës e përmendin zemrën pothuajse një mijë herë, gati gjithnjë në kuptim të figurshëm. Është mjaft e rëndësishme të kuptojmë se çfarë paraqet fjala «zemër», sepse Bibla thotë se duhet ta ruajmë atë.​—Lexo Proverbat 4:23.

ÇFARË ËSHTË ZEMRA E FIGURSHME?

3. Si mund ta kuptojmë domethënien e fjalës «zemër» të përdorur në Bibël? Ilustrojeni.

3 Ndonëse Fjala e Perëndisë nuk na jep një përkufizim si në fjalor për fjalën «zemër», ajo na lejon të dallojmë kuptimin e saj. Si? Ta ilustrojmë: mendoni për një mozaik muri të këndshëm që përbëhet nga një mijë guralecë të ngjitur pranë njëri-tjetrit. Po të bëni ca hapa prapa e ta shihni nga larg gjithë mozaikun, vëreni se të gjithë guralecët e vendosur me kujdes së bashku formojnë një model ose figurë. Në mënyrë të ngjashme, sikur të bënim ca hapa prapa e të shihnim rastet e shumta kur fjala «zemër» është përdorur në Bibël, do të arrinim të kuptonim se të gjitha së bashku ato formojnë një model ose një figurë. Ç’figurë?

4. (a) Çfarë përfaqëson «zemra»? (b) Ç’domethënie kanë fjalët e Jezuit te Mateu 22:37?

4 Shkrimtarët e Biblës e përdorin fjalën «zemër» për të përshkruar gjithë qenien e brendshme të njeriut. Ajo përfshin aspekte të tilla, si dëshirat, mendimet, prirjet, qëndrimet, aftësitë, motivet dhe synimet tona. (Lexo Ligjin e përtërirë 15:7; Proverbat 16:9; Veprat 2:26.) Siç pohon një vepër referimi, është «tërësia e njeriut të brendshëm». Në disa raste, fjala «zemër» ka një kuptim më të ngushtë. Për shembull, Jezui tha: «Duaje Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde.» (Mat. 22:37) Në këtë rast, «zemra» u referohet emocioneve, dëshirave dhe ndjenjave të njeriut të brendshëm. Duke i përdorur veç e veç zemrën, shpirtin dhe mendjen, Jezui theksoi se dashurinë për Perëndinë duhet ta bëjmë të dukshme në ndjenjat tona, në mënyrën si e jetojmë jetën dhe si i përdorim aftësitë mendore. (Gjoni 17:3; Efes. 6:6) Mirëpo kur përmendet vetëm, «zemra» nënkupton tërësinë e njeriut të brendshëm.

PËRSE DUHET TA RUAJMË ZEMRËN?

5. Pse duhet të bëjmë çmos për t’i shërbyer Jehovait me gjithë zemër?

5 Në lidhje me zemrën, mbreti David i kujtoi Solomonit: «Ti biri im . . . njihe Perëndinë e atit tënd dhe shërbeji atij me gjithë zemër e me shpirt plotësisht të kënaqur, sepse Jehovai heton gjithë zemrat dhe dallon çdo prirje të mendimeve.» (1 Kron. 28:9) Vërtet, Jehovai është ai që i shqyrton të gjitha zemrat, përfshirë tonën. (Prov. 17:3; 21:2) Ajo që gjen në zemër ndikon shumë te marrëdhënia jonë me të dhe tek e ardhmja jonë. Prandaj kemi arsye të vlefshme të ndjekim këshillën e frymëzuar të Davidit duke bërë çmos për t’i shërbyer Jehovait me gjithë zemër.

6. Ç’duhet të kuptojmë në lidhje me vendosmërinë tonë për t’i shërbyer Jehovait?

6 Veprat tona të zellshme si shërbëtorë të Jehovait tregojnë se kemi dëshirë të thellë për t’i shërbyer Perëndisë me gjithë zemër. Në të njëjtën kohë, e kuptojmë se presionet e botës së ligë të Satanait dhe prirjet mëkatare të vetë mishit tonë janë forca të fuqishme që mund të na minojnë vendosmërinë për t’i shërbyer Perëndisë me gjithë zemër. (Jer. 17:9; Efes. 2:2) Që të kontrollojmë se nuk po na dobësohet vendosmëria për t’i shërbyer Perëndisë​—se nuk po e ulim vigjilencën—​duhet të ndalemi e të shikojmë rregullisht zemrën. Si mund ta bëjmë këtë?

7. Nga duket gjendja e zemrës sonë?

7 Qartë, personaliteti ynë i brendshëm është i padukshëm, ashtu siç është e padukshme zemra e një peme. Gjithsesi, siç përmendi Jezui në Predikimin në Mal, ashtu si frutat tregojnë gjendjen e pemës, veprimet tregojnë gjendjen e vërtetë të zemrës sonë. (Mat. 7:17-20) Të shqyrtojmë një nga këto veprime të jashtme.

NJË METODË KONKRETE PËR TË SHQYRTUAR ZEMRËN

8. Ç’lidhje kanë fjalët e Jezuit te Mateu 6:33 me atë që kemi në zemër?

8 Në Predikimin në Mal, Jezui u tha dëgjuesve edhe se cili veprim specifik do të tregonte dëshirën e tyre të brendshme për t’i shërbyer Jehovait me gjithë zemër. Ai tha: «Vazhdoni të kërkoni në radhë të parë mbretërinë dhe drejtësinë e Perëndisë, dhe të gjitha këto gjëra të tjera do t’ju shtohen.» (Mat. 6:33) Në të vërtetë, me ato që vëmë në radhë të parë në jetë, tregojmë se ç’dëshirojmë, ç’mendojmë e ç’planifikojmë thellë në zemër. Prandaj, shqyrtimi i përparësive që kemi në jetë është një mënyrë konkrete për të kontrolluar nëse po i shërbejmë Perëndisë me gjithë zemër.

9. Ç’ftesë u bëri Jezui disa burrave dhe çfarë treguan reagimet e tyre?

9 Jo shumë kohë pasi Jezui i nxiti ithtarët e tij ‘të vazhdonin të kërkonin në radhë të parë mbretërinë’, ndodhi një ngjarje që ilustron se gjendja e zemrës së një njeriu duket vërtet nga ato që vë në radhë të parë në jetë. Një nga shkrimtarët e ungjijve, Luka, e nis tregimin duke thënë se Jezui «kishte vendosur të shkonte në Jerusalem», ndonëse e dinte ç’e priste atje. Teksa ai dhe apostujt ishin «rrugës», Jezui takoi disa burra dhe secilit prej tyre i bëri ftesën: «Bëhu ithtari im.» Ata ishin të gatshëm ta pranonin ftesën e Jezuit, por me kushte. Njëri u përgjigj: «Më lejo më parë të iki e të varros tim atë.» Kurse një tjetër tha: «Unë do të të ndjek, Zotëri, por më lejo më parë të përshëndetem me njerëzit e shtëpisë.» (Luka 9:51, 57-61) Ç’kontrast mes vendosmërisë së patundur e me gjithë zemër të Jezuit dhe përgjigjeve të dobëta e me kushte të atyre burrave! Duke vendosur preokupimet e tyre në radhë të parë e mbi interesat e Mbretërisë, ata treguan se nuk ishin të gatshëm t’i shërbenin Perëndisë me gjithë zemër.

10. (a) Si kemi reaguar ne ndaj ftesës për të qenë ithtarë të Jezuit? (b) Cilin ilustrim të shkurtër tregoi Jezui?

10 Ndryshe nga ata burra që mund të ishin bërë dishepuj, ne e kemi pranuar me mençuri ftesën për t’u bërë ithtarë të Jezuit dhe tani po i shërbejmë çdo ditë Jehovait. Kështu, tregojmë si ndihemi në zemër për Jehovain. Megjithatë, ndonëse jemi aktivë në kongregacion, duhet të jemi të vetëdijshëm për një rrezik të mundshëm për gjendjen e zemrës sonë. Për çfarë e kemi fjalën? Në bisedën me ata burra që mund të ishin bërë dishepuj, Jezui e zbuloi atë rrezik kur tha: «Kush e ka vënë dorën në parmendë dhe shikon gjërat që ka lënë prapa, nuk është i përshtatshëm për mbretërinë e Perëndisë.» (Luka 9:62) Ç’mësim mund të nxjerrim nga ky ilustrim?

A ‘KAPEMI FORT PAS ASAJ QË ËSHTË E MIRË’?

11. Ç’ndodhi me punën e bujkut në ilustrimin e Jezuit dhe pse?

11 Për ta nxjerrë në pah më qartësisht mësimin që del nga ilustrimi i shkurtër i Jezuit, le t’i shtojmë ca ngjyra e hollësi kësaj figure letrare. Një bujk është shumë i zënë me lërimin e tokës. Teksa punon me parmendë, s’i shqitet mendja nga shtëpia. Aty mund të jetë me familjen dhe miqtë, mund të kënaqet me ushqimin, muzikën e të qeshurat, dhe mund të rrijë në hije. Sa shumë i dëshiron këto gjëra! Pasi ka lëruar një pjesë të mirë të tokës, dëshira e bujkut për ato gjëra të pëlqyeshme në jetë bëhet aq e fortë, saqë kthehet për të parë «gjërat që ka lënë prapa». Edhe pse ka ende shumë punë për të bërë para se të mbjellë arën, bujku shpërqendrohet dhe kjo është në dëm të punës. Natyrisht, zotëria i tij është i zhgënjyer ngaqë bujku nuk ngulmoi.

12. Ç’paralele mund të gjejmë mes bujkut në ilustrimin e Jezuit dhe disa të krishterëve sot?

12 Të shqyrtojmë tani një situatë paralele në ditët tona. Bujku mund të paraqesë një të krishterë që duket se po ecën mirë, por në fakt është në rrezik frymor. Sa për ilustrim, të imagjinojmë një vëlla që është mjaft aktiv në shërbim. Megjithatë, edhe pse ndjek mbledhjet dhe del në shërbim, atij s’i shqitet mendja nga disa aspekte të mënyrës së jetesës së botës, të cilat i duken tërheqëse. Thellë në zemër i dëshiron ato. Me kalimin e kohës, pasi ka shërbyer për ca vjet, dëshira për disa gjëra të botës bëhet aq e fortë, saqë kthehet dhe shikon «gjërat që ka lënë prapa». Ndonëse në shërbim ka ende shumë për t’u bërë, ai nuk ‘mbahet fort pas fjalës së jetës’ dhe kjo është në dëm të pjesëmarrjes së tij në aktivitetet teokratike. (Filip. 2:16) Sa e trishton Jehovain, ‘Zotërinë e të korrave’, një mungesë e tillë qëndrueshmërie!​—Luka 10:2.

13. Çfarë përfshin t’i shërbesh Jehovait me gjithë zemër?

13 Mësimi është i qartë. Është e lavdërueshme nëse po marrim pjesë rregullisht në aktivitete të tilla të shëndetshme e të kënaqshme, si pjesëmarrja në mbledhjet e kongregacionit dhe në shërbim. Por t’i shërbesh Jehovait me gjithë zemër, përfshin më shumë. (2 Kron. 25:1, 2, 27) Nëse thellë në zemër një i krishterë vazhdon të dojë «gjërat që ka lënë prapa», domethënë disa aspekte të mënyrës së jetesës së botës, rrezikon të humbasë qëndrimin e mirë në sytë e Perëndisë. (Luka 17:32) Vetëm nëse vërtet e ‘urrejmë thellësisht atë që është e ligë [dhe] kapemi fort pas asaj që është e mirë’, ‘do të jemi të përshtatshëm për mbretërinë e Perëndisë’. (Rom. 12:9; Luka 9:62) Prandaj, të gjithë duhet të sigurohemi që të mos lejojmë asgjë në botën e Satanait, pavarësisht se sa e dobishme ose e pëlqyeshme mund të duket, të na pengojë të kujdesemi me gjithë zemër për interesat e Mbretërisë.​—2 Kor. 11:14; lexo Filipianëve 3:13, 14.

TË QËNDROJMË VIGJILENTË

14, 15. (a) Si po përpiqet Satanai të ndikojë në gjendjen e zemrës sonë? (b) Ilustroni pse është kaq e rrezikshme metoda e Satanait.

14 Dashuria për Jehovain na nxiti t’i kushtoheshim. Që atëherë, shumë nga ne kemi treguar prej vitesh se jemi të vendosur të vazhdojmë t’i shërbejmë me gjithë zemër Jehovait. Megjithatë, Satanai nuk ka hequr dorë nga ne. Ai e ka akoma në shënjestër zemrën tonë. (Efes. 6:12) Qartë, ai mund ta kuptojë që s’kemi ndër mend ta braktisim Jehovain papritur e papandehur. Prandaj e përdor tinëzisht ‘këtë botë’ në përpjekje për të dobësuar dalëngadalë zellin tonë të përzemërt për Perëndinë. (Lexo Markun 4:18, 19.) Pse është kaq e efektshme kjo metodë e Satanait?

15 Për t’iu përgjigjur, ta zëmë se po lexoni një libër nën dritën e një llambe me fuqi 100 vat, por llamba digjet. Meqë bëhet errësirë, e vëreni menjëherë çfarë ndodhi dhe e zëvendësoni llambën e djegur me një të re. Dhoma ndriçohet përsëri. Mbrëmjen tjetër, po lexoni në të njëjtën dhomë. Mirëpo, pa dijeninë tuaj, dikush e ka zëvendësuar llambën 100 vat me një 95 vat. A do t’ju binte në sy ndryshimi? Ka mundësi që jo. Po sikur ditën tjetër dikush të ketë vënë një llambë 90 vat? Ka të ngjarë që prapë të mos e vini re. Pse jo? Drita e llambës dobësohet aq ngadalë saqë nuk e vini re ndryshimin. Po kështu, ndikimet e botës së Satanait mund të bëjnë që zelli ynë të dobësohet dalëngadalë. Nëse kjo ndodh, është njësoj sikur Satanai t’ia arrijë të dobësojë zellin tonë të përzemërt «100 vat» për shërbimin e Jehovait. Madje, nëse nuk tregohet vigjilent, një i krishterë mund të mos e vërejë fare ndryshimin e ngadaltë.​—Mat. 24:42; 1 Pjet. 5:8.

LUTJET JANË JETËSORE

16. Si mund të mbrohemi nga intrigat e Satanait?

16 Si mund të mbrohemi nga intrigat e Satanait e të vazhdojmë t’i shërbejmë me gjithë zemër Jehovait? (2 Kor. 2:11) Lutjet janë jetësore. Pavli i inkurajoi të krishterët ‘të qëndronin të patundur kundër intrigave të Djallit’. Pastaj i nxiti: «Vazhdoni të luteni në çdo rast . . . dhe bëni çdo lloj lutjeje dhe përgjërimi.»​—Efes. 6:11, 18; 1 Pjet. 4:7.

17. Ç’mësim nxjerrim nga lutjet e Jezuit?

17 Që të qëndrojmë të patundur kundër Satanait, do të ishte e mençur të imitonim qëndrimin e devotshëm të Jezuit, i cili pasqyronte dëshirën e tij të thellë për t’i shërbyer me gjithë zemër Jehovait. Vini re, për shembull, çfarë tha Luka për mënyrën si u lut Jezui natën para se të vdiste: «I pushtuar nga ankthi, ai vazhdoi të lutej më me ngulm.» (Luka 22:44) Jezui ishte lutur me ngulm edhe më parë, por në atë rast, përballë sprovës më të ashpër të jetës së tij këtu në tokë, u lut «më me ngulm»​—dhe lutja e tij mori përgjigje. Shembulli i Jezuit tregon që lutjet kanë shkallë të ndryshme intensiteti. Kështu që, sa më të ashpra të bëhen sprovat dhe sa më tinëzare intrigat e Satanait, aq «më me ngulm» duhet të lutemi për mbrojtjen e Jehovait.

18. (a) Cilën pyetje duhet t’i bëjmë vetes në lidhje me lutjet dhe pse? (b) Cilët faktorë ndikojnë në zemrën tonë dhe në ç’mënyrë? (Shih  kutinë në faqen 16.)

18 Si do të ndikojnë te ne lutje të tilla? Pavli tha: «Për çdo gjë, bëjani të njohura Perëndisë kërkesat tuaja me lutje, përgjërime dhe falënderime. Kështu paqja e Perëndisë, që kapërcen çdo mendim, do të ruajë zemrën [tuaj].» (Filip. 4:6, 7) Po, duhet të lutemi me zjarr dhe shpesh që të vazhdojmë t’i shërbejmë Jehovait me gjithë zemër. (Luka 6:12) Prandaj, pyetni veten: «Sa ngulmuese dhe sa të shpeshta janë lutjet e mia?» (Mat. 7:7; Rom. 12:12) Përgjigjja tregon shumë sa e thellë është dëshira juaj për t’i shërbyer me gjithë zemër Perëndisë.

19. Çfarë do të bëni që të vazhdoni t’i shërbeni Jehovait me gjithë zemër?

19 Siç kemi parë, përparësitë që vëmë në jetë, mund të flasin shumë për gjendjen e zemrës sonë. Duhet të sigurohemi se as gjërat që kemi lënë prapa, as intrigat djallëzore të Satanait, nuk do të na e dobësojnë vendosmërinë për t’i shërbyer Jehovait me gjithë zemër. (Lexo Lukën 21:19, 34-36.) Ashtu si Davidi, le të vazhdojmë t’i përgjërohemi Jehovait që të na japë «një zemër të kushtuar plotësisht».​—1 Kron. 29:19.

[Pyetjet]

[Kutia në faqen 16]

TRE FAKTORË QË NDIKOJNË NË ZEMRËN TONË

Ashtu si marrim masa për të përmirësuar gjendjen e zemrës fizike, po ashtu mund të bëjmë hapa për të ruajtur të shëndetshme zemrën e figurshme. Shqyrtoni këta tre faktorë të rëndësishëm.

1 Ushqimi: Zemra fizike ka nevojë për sasi të mjaftueshme me ushqim të shëndetshëm. Në mënyrë të ngjashme, kemi nevojë për sasi të mjaftueshme me ushqim frymor të shëndetshëm nëpërmjet studimit të rregullt personal, meditimit dhe ndjekjes së mbledhjeve.​—Psal. 1:1, 2; Prov. 15:28; Hebr. 10:24, 25.

 2 Ushtrimet: Që të jetë e shëndetshme, herë pas here zemra fizike ka nevojë të pompojë fuqishëm. Po ashtu, pjesëmarrja e zellshme në shërbim​—ndoshta duke u përpjekur fuqimisht që të shtojmë ritmin e aktiviteteve tona—​e mban zemrën e figurshme në gjendje të mirë.​—Luka 13:24; Filip. 3:12.

3 Mjedisi: Mjedisi i paperëndishëm ku na duhet të punojmë e të jetojmë, mund t’i shkaktojë goxha stres zemrës sonë fizike dhe të figurshme. Megjithatë, mund ta pakësojmë stresin duke u shoqëruar sa më shpesh të mundemi me bashkëbesimtarët, të cilët merakosen sinqerisht për ne dhe i shërbejnë Perëndisë me gjithë zemër.​—Psal. 119:63; Prov. 13:20.