Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Tradhtia: Një shenjë e kobshme e ditëve të fundit!

Tradhtia: Një shenjë e kobshme e ditëve të fundit!

Tradhtia: Një shenjë e kobshme e ditëve të fundit!

«Sa besnikë, të drejtë e të pafajshëm u treguam.»​—1 SEL. 2:10.

VEÇONI PIKAT KRYESORE:

Ç’mësime paralajmëruese mund të nxjerrim nga tradhtia e Delilës, Absalomit dhe Judë Iskariotit?

Si mund ta imitojmë besnikërinë e Jonatanit dhe të Pjetrit?

Si mund ta mbajmë të palëkundur besnikërinë tonë ndaj bashkëshortit dhe ndaj Jehovait?

1-3. (a) Cila është një shenjë e kobshme e ditëve të fundit dhe çfarë përfshin ajo? (b) Cilat janë tri pyetjet që do të marrin përgjigje?

ÇFARË kanë të përbashkët Delila, Absalomi dhe Judë Iskarioti? Të gjithë ishin të pabesë: Delila ndaj burrit që e donte, gjykatësit Samson; Absalomi ndaj të atit, mbretit David; Juda ndaj Zotërisë së tij, Krishtit Jezu. Në secilin rast, veprimet e tyre të poshtra u sollën pasoja të tmerrshme të tjerëve. Por, përse duhet të na interesojë kjo?

2 Një shkrimtare e ditëve tona e rendit tradhtinë mes veseve më të përhapura sot. Kjo pritej. Kur foli për shenjën «e përfundimit të sistemit», Jezui tha: ‘Shumë veta do të tradhtojnë njëri-tjetrin.’ (Mat. 24:3, 10) Sipas një fjalori, «të tradhtosh» do të thotë «të dorëzosh në dorë të armikut me pabesi». Kjo mungesë besnikërie tregon se po jetojmë «në ditët e fundit» kur, siç paratha Pavli, njerëzit do të ishin «të pabesë, . . . tradhtarë». (2 Tim. 3:1, 2, 4) Ndonëse shkrimtarët dhe skenaristët në librat dhe filmat e tyre shpesh i dramatizojnë e u japin nota romantike tradhtive, në jetën reale tradhtia dhe pabesia shkaktojnë dhembje e vuajtje. Në fakt, këto veprime janë një shenjë e kobshme e ditëve të fundit!

3 Ç’mësime nxjerrim nga tregimet biblike të atyre që u treguan të pabesë në të shkuarën? Cilët shembuj të njerëzve që treguan devocionin e tyre ndaj të tjerëve mund të imitojmë? Ndaj kujt duhet të tregojmë besnikëri të palëkundur? Le të shohim.

SHEMBUJ PARALAJMËRUES NGA E SHKUARA

4. Si e tradhtoi Delila Samsonin dhe pse ishte aq i ulët ai veprim?

4 Së pari, të shohim rastin e Delilës intrigante, me të cilën kishte rënë në dashuri gjykatësi Samson. Ai duhej të udhëhiqte luftën e popullit të Perëndisë kundër filistinëve. Ndoshta ngaqë e dinin se Delila nuk kishte dashuri besnike për Samsonin, pesë sundimtarët e filistinëve i premtuan një ryshfet të majmë që të zbulonte sekretin e forcës së tij të madhe, me qëllim që ta vritnin. Si mercenare e shitur, Delila e pranoi ofertën, por përpjekjet e saj për të zbuluar sekretin e Samsonit dështuan tri herë. Gjatë gjithë kohës, ajo nuk e linte rehat «me fjalët e saj dhe e ngacmonte». Së fundi, «atij iu lodh shpirti aq sa donte të vdiste». Prandaj, i tha se flokët e tij nuk ishin prerë asnjëherë dhe nëse kjo do të ndodhte, do të humbiste fuqinë. * Kur e mori vesh këtë, Delila thirri një burrë që ia preu me brisk flokët Samsonit, teksa ai flinte në prehrin e saj. Pastaj, ua dorëzoi armiqve të tij që të bënin ç’të donin me të. (Gjyk. 16:4, 5, 15-21) Sa veprim i ulët! Vetëm për shkak të lakmisë, Delila tradhtoi dikë që e donte.

5. (a) Si u tregua i pabesë Absalomi ndaj Davidit dhe ç’tregoi kjo për të? (b) Si u ndie Davidi nga pabesia e Ahithofelit?

5 Të shohim tani tradhtarin Absalom. I përpirë nga ambicia, ai ishte i vendosur të uzurponte fronin e të atit, mbretit David. Së pari, Absalomi ‘u vodhi zemrat njerëzve të Izraelit’ me lajka, me premtime dinake dhe me fjalë përzemërsie të shtirur. I përqafonte dhe i puthte, sikur vërtet t’i bëhej vonë për ta dhe për nevojat e tyre. (2 Sam. 15:2-6) Absalomi arriti të mashtronte edhe këshilltarin e besuar të Davidit, Ahithofelin, i cili tradhtoi dhe u bashkua me grushtin e shtetit. (2 Sam. 15:31) Te Psalmet 3 dhe 55 Davidi përshkruan se si u ndie nga kjo pabesi. (Psal. 3:1-8; lexo Psalmin 55:12-14.) Absalomi e shfaqi mungesën e paturpshme të respektit për sovranitetin e Perëndisë duke kurdisur me ambicie dhe në mënyrë të pacipë një komplot kundër mbretit të mirosur nga Jehovai. (1 Kron. 28:5) Në fund, kryengritja dështoi dhe Davidi vazhdoi të mbretëronte si i mirosuri i Jehovait.

6. Si e tradhtoi Juda Jezuin dhe sinonim i kujt është bërë emri Judë?

6 Të mendojmë edhe për atë që Judë Iskarioti i bëri Krishtit. Gjatë Pashkës së fundit që kremtoi me 12 apostujt e tij, Jezui u tha: «Vërtet po ju them se njëri nga ju do të më tradhtojë.» (Mat. 26:21) Po atë natë, kur ishin në kopshtin e Getsemanisë, Jezui i tha Pjetrit, Jakovit dhe Gjonit: «Ja, tradhtari im po afrohet.» Menjëherë, Juda ia behu në kopsht bashkë me komplotistët e tjerë, «shkoi te Jezui dhe i tha: ‘Tungjatjeta, Rabi!’ dhe e puthi me shumë butësi». (Mat. 26:46-50; Luka 22:47, 52) Juda ‘tradhtoi një njeri të drejtë’ dhe ua dorëzoi Jezuin armiqve të tij. Dhe për çfarë e tradhtoi Jezuin ky tamahqar për pará? Vetëm për 30 monedha argjendi! (Mat. 27:3-5) Që nga ajo kohë, emri Judë është bërë sinonim i fjalës tradhtar, sidomos i dikujt që tradhton nën maskën e miqësisë. *

7. Ç’mësime kemi nxjerrë nga jeta e Absalomit dhe e Judës? Po nga e Delilës?

7 Ç’kemi mësuar nga këta shembuj paralajmërues? Absalomi dhe Juda patën një fund të turpshëm, sepse tradhtuan të mirosurit e Jehovait. (2 Sam. 18:9, 14-17; Vep. 1:18-20) Emri i Delilës do të kujtohet gjithnjë për tradhtinë dhe dashurinë e shtirur. (Psal. 119:158) Sa jetësore është të hedhim poshtë çdo prirje për ambicie ose lakmi të verbër, nga e cila do të humbnim pëlqimin e Jehovait! A ka mësime më të fuqishme që do të na ndihmonin të flaknim tej pabesinë, këtë tipar të pështirë?!

IMITONI ATA QË U TREGUAN BESNIKË

8, 9. (a) Pse Jonatani iu betua Davidit se do të ishte besnik? (b) Si mund ta imitojmë Jonatanin?

8 Nga ana tjetër, Bibla flet për shumë individë besnikë. Të shqyrtojmë dy raste dhe të shohim ç’mund të mësojmë prej tyre, duke nisur me dikë që u tregua besnik ndaj Davidit. Jonatani ishte biri më i madh i mbretit Saul dhe normalisht duhej të kishte qenë trashëgimtari i fronit të Izraelit. Veçse, Jehovai zgjodhi Davidin të ishte mbreti i ardhshëm. Jonatani e respektoi vendimin e Perëndisë. Në vend që ta shihte me xhelozi Davidin si rival, «shpirti i Jonatanit u lidh me shpirtin e Davidit» dhe iu betua se do të ishte besnik ndaj tij. Madje i dha Davidit rrobat e veta, shpatën, harkun dhe rripin, duke i bërë nderimet që i bëheshin një mbreti. (1 Sam. 18:1-4) Jonatani bëri gjithçka mundi «që ta forconte» Davidin, duke rrezikuar edhe jetën për t’i dalë në mbrojtje para Saulit. Me besnikëri, Jonatani i tha Davidit: «Ti do të jesh mbret i Izraelit, kurse unë do të jem i dyti pas teje.» (1 Sam. 20:30-34; 23:16, 17) Nuk habitemi që kur Jonatani vdiq, Davidi e shprehu brengën dhe dashurinë e tij për të me një këngë të përvajshme.​—2 Sam. 1:17, 26.

9 Jonatani e dinte se ndaj kujt duhej të ishte besnik. Ai iu nënshtrua plotësisht Sovranit, Jehovait, dhe e mbështeti pa rezerva Davidin, të mirosurin e Perëndisë. Në mënyrë të ngjashme sot, edhe sikur të mos na jetë dhënë ndonjë privilegj i veçantë në kongregacion, duhet t’i mbështetim me dëshirë vëllezërit që janë emëruar të marrin drejtimin mes nesh.​—1 Sel. 5:12, 13; Hebr. 13:17, 24.

10, 11. (a) Pse Pjetri qëndroi besnikërisht me Jezuin? (b) Si mund ta imitojmë Pjetrin?

10 Shembulli tjetër i mirë që do të shqyrtojmë është apostulli Pjetër, i cili i shprehu Jezuit besnikërinë e tij. Kur Jezui përdori një gjuhë figurative të gjallë për të theksuar rëndësinë e besimit te trupi dhe gjaku i tij që shumë shpejt do të flijoheshin, shumë nga dishepujt u tronditën nga fjalët e tij dhe e braktisën. (Gjoni 6:53-60, 66) Prandaj, Jezui u kthye nga 12 apostujt dhe i pyeti: «Mos doni të shkoni edhe ju?» Pjetri iu përgjigj: «Zotëri, te kush të shkojmë? Ti ke fjalë jete të përhershme dhe ne kemi besuar dhe kemi arritur të njohim se ti je i Shenjti i Perëndisë.» (Gjoni 6:67-69) A do të thotë kjo se Pjetri i kuptoi plotësisht të gjitha ato që sapo kishte thënë Jezui për flijimin e tij? Me sa duket jo. Gjithsesi, ishte i vendosur të rrinte besnik ndaj Birit të mirosur të Perëndisë.

11 Pjetri nuk arsyetoi se Jezui mund ta kishte pasur gabim dhe se me kohë do ta tërhiqte atë që tha. Jo, me përulësi ai e pranoi se Jezui kishte «fjalë jete të përhershme». Po sot, si reagojmë nëse ndeshim në botimet tona të krishtere nga «skllavi i besueshëm dhe i matur» një pikë që është e vështirë për t’u kuptuar ose nuk përputhet me mendimet tona? Duhet të bëjmë çmos të kapim kuptimin e saj, në vend që thjesht të presim që ajo të ndryshojë për t’iu përshtatur pikëpamjes sonë.​—Lexo Lukën 12:42.

QËNDROJINI BESNIKË BASHKËSHORTIT

12, 13. Si mund të zërë vend tradhtia në martesë, dhe përse mosha nuk është justifikim për këtë?

12 Çdo formë tradhtie është një veprim i poshtër që s’duhet lejuar të gërryejë paqen dhe unitetin e familjeve dhe të kongregacionit të krishterë. Me këtë në mendje, le të shqyrtojmë si mund të tregojmë besnikëri të palëkundur ndaj bashkëshortit dhe ndaj Perëndisë tonë.

13 Tradhtia bashkëshortore është një nga format më shkatërrimtare të tradhtisë. Ai që tradhton, shkel besnikërinë ndaj bashkëshortit dhe e kthen vëmendjen kundrejt një personi tjetër. Papritur, bashkëshorti i tradhtuar mbetet vetëm​—me jetën të kthyer përmbys. Por, si ndodh kjo mes dy njerëzve që dikur e donin njëri-tjetrin? Shpesh, hapi i parë në atë drejtim është kur bashkëshortët largohen emocionalisht nga njëri-tjetri. Profesoresha e sociologjisë Gabriela Turnaturi shpjegon se tradhtia zë vend kur herë përfshihesh plotësisht në një marrëdhënie dhe herë nuk përfshihesh plotësisht. Në disa raste, ky lloj largimi nga bashkëshorti është krijuar edhe te moshat e mesme. Për shembull, një 50-vjeçar i martuar prej 25 vjetësh, u divorcua nga gruaja e tij besnike që të lidhej me një grua tjetër që e tërhiqte. Disa e justifikojnë këtë duke e quajtur krizë të moshës së mesme. Mirëpo, në vend që ta bëjmë të duket si diçka të pashmangshme, le ta quajmë ashtu siç është: tradhti e moshës së mesme. *

14. (a) Ç’mendon Jehovai për tradhtinë në martesë? (b) Ç’tha Jezui për besnikërinë martesore?

14 Ç’mendon Jehovai për ata që e lënë bashkëshortin pa një bazë biblike? Perëndia ynë «e urren divorcin» dhe ka thënë fjalë të forta kundër atyre që abuzojnë dhe e braktisin bashkëshortin. (Lexo Malakinë 2:13-16.) Në harmoni të plotë me të Atin, Jezui mësoi se nuk mund ta largojmë ose t’i kthejmë shpinën bashkëshortit të pafajshëm e të sillemi sikur s’ka ndodhur gjë fare.​—Lexo Mateun 19:3-6, 9.

15. Si mund ta forcojnë të martuarit besnikërinë ndaj bashkëshortit?

15 Si mund të qëndrojnë të martuarit besnikë ndaj bashkëshortit? Fjala e Perëndisë thotë: «Gëzo me gruan [ose burrin] e rinisë sate.» Dhe akoma: «Gëzoje jetën me gruan [ose burrin] që do.» (Prov. 5:18; Ekl. 9:9) Ndërsa plaken, të dy bashkëshortët duhet të jenë të përfshirë plotësisht në marrëdhënien e tyre, fizikisht dhe emocionalisht. Kjo do të thotë të jenë të vëmendshëm ndaj njëri-tjetrit, të kalojnë kohë me njëri-tjetrin dhe të afrohen më shumë me njëri-tjetrin. Duhet të përqendrohen në ruajtjen e martesës dhe të marrëdhënies së tyre me Jehovain. Për këtë qëllim, çiftet duhet të studiojnë Biblën së bashku, të dalin rregullisht në shërbim së bashku dhe të luten së bashku për bekimin e Jehovait.

QËNDROJINI BESNIKË JEHOVAIT

16, 17. (a) Si mund të vihet në provë besnikëria jonë ndaj Perëndisë në familje dhe në kongregacion? (b) Cili shembull ilustron se bindja ndaj urdhrit të Perëndisë për të mos u shoqëruar me të afërmit e përjashtuar, mund të sjellë rezultate të mira?

16 Disa pjesëtarë të kongregacionit kanë kryer mëkate të rënda dhe janë qortuar «me rreptësi, që të jenë të shëndoshë në besim». (Titit 1:13) Sjellja dhe qëndrimi i disa të tjerëve ka kërkuar që këta të fundit të përjashtohen. Ata «që janë stërvitur nga ajo», disiplina i ka ndihmuar të marrin veten frymësisht. (Hebr. 12:11) Po sikur të kemi të përjashtuar ndonjë të afërm ose mik të ngushtë? Kjo situatë vë në provë besnikërinë tonë, jo ndaj atij personi, por ndaj Perëndisë. Jehovai po na vëren për të parë nëse do t’i bindemi urdhërimit të tij për të mos pasur lidhje me askënd që është i përjashtuar.​—Lexo 1 Korintasve 5:11-13.

17 Shikoni vetëm një shembull që tregon se ç’të mirë ka kur familja mbështet me besnikëri urdhrin e Jehovait për të mos u shoqëruar me të afërmit e përjashtuar. Një i ri ishte i përjashtuar prej më shumë se dhjetë vjetësh. Gjatë asaj kohe, babai, mamaja dhe katër vëllezërit e tij ‘nuk u përzien në shoqëri’ me të. Hera-herës, ai u përpoq të përfshihej në aktivitetet e tyre, por ata janë për t’u lavdëruar, sepse secili prej tyre qëndroi i palëkundur dhe nuk pati asnjë lidhje me të. Pasi u rivendos, ai tha se gjithnjë i kishte munguar shoqëria me familjen, sidomos netëve, kur ishte vetëm. Mirëpo pranoi se, sikur familja të ishte shoqëruar sadopak me të, edhe aq do të kishte mjaftuar. Por, ngaqë nuk pati asnjë fije komunikimi me asnjë nga familja, dëshira e zjarrtë për të qenë me ta, u bë një nga faktorët që e nxitën të rivendoste marrëdhënien me Jehovain. Mendoni për këtë nëse ndonjëherë tundoheni të shkelni urdhrin e Jehovait për të mos u shoqëruar me të afërmit e përjashtuar.

18. Cila është vendosmëria juaj, tani që kemi rishikuar dobitë e besnikërisë kundrejt pasojave të pabesisë?

18 Jetojmë në një botë tradhtare e të pabesë. Megjithatë, përreth nesh në kongregacionin e krishterë mund të gjejmë shembuj të personave besnikë për t’u imituar. Vetë jeta e tyre dëshmon për ta, sikur të thoshin: «Ju jeni dëshmitarë, dhe Perëndia, po ashtu, se sa besnikë, të drejtë e të pafajshëm u treguam me ju, besimtarët.» (1 Sel. 2:10) Qoftë përherë e palëkundur besnikëria jonë ndaj Perëndisë dhe njëri-tjetrit!

[Shënimet]

^ par. 4 Burimi i forcës së Samsonit nuk ishin flokët në vetvete, por ajo çka simbolizonin, domethënë marrëdhënia e tij e veçantë me Jehovain si nazire.

^ par. 6 Ja përse në disa gjuhë, shprehja «puthja e Judës» nënkupton «një akt tradhtie».

^ par. 13 Për më shumë informacione në lidhje me këtë temë, shihni artikullin «Të përballosh tradhtinë e bashkëshortit», në Kullën e Rojës të 15 qershorit 2010, faqet 29-32.

[Pyetjet]

[Figura në faqen 10]

Pjetri qëndroi besnik ndaj Birit të mirosur të Perëndisë edhe pse të tjerët e hodhën poshtë