Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A e çmoni vërtet martesën, dhuratën e Perëndisë?

A e çmoni vërtet martesën, dhuratën e Perëndisë?

A e çmoni vërtet martesën, dhuratën e Perëndisë?

«Jehovai ju bëftë një dhuratë dhe gjetshi një vend prehjeje secila në shtëpinë e burrit të vet!»​—RUTHA 1:9, BR me referime, angl.

GJENI PËRGJIGJET:

Pse mund të themi se shërbëtorët e Perëndisë në të kaluarën e çmonin dhuratën hyjnore të martesës?

Si e dimë se Jehovait i intereson kë do të zgjedhim si bashkëshort?

Cilën këshillë biblike për martesën mendoni të zbatoni në jetën tuaj?

1. Përshkruani si reagoi Adami kur u bë me grua.

«KJO është më në fund kockë e kockave të mia dhe mish i mishit tim. Kjo do të quhet Grua, sepse u mor nga burri.» (Zan. 2:23) Sa i lumtur ishte burri i parë, Adami, që u bë me grua! Nuk habitemi që u shpreh me një gjuhë aq poetike. Pasi e kishte vënë Adamin në gjumë të thellë, Jehovai kishte krijuar këtë grua të bukur nga një brinjë e burrit. Më vonë, Adami e quajti atë Evë. Perëndia i bashkoi të dy në një martesë të lumtur. Meqë Jehovai përdori brinjën e vetë Adamit si bazë për të krijuar Evën, ata ishin më të lidhur se çdo burrë e grua sot.

2. Pse burri dhe gruaja tërhiqen nga njëri-tjetri?

2 Me mençurinë e tij të pashoqe, Jehovai rrënjosi te njerëzit aftësinë për të ndier dashuri romantike​—një cilësi që do t’i bashkonte burrat e gratë. Një enciklopedi thotë: «Një burrë dhe një grua që martohen, shpresojnë të kenë marrëdhënie seksuale dhe tërheqje romantike të përhershme.» (The World Book Encyclopedia) Shumë shërbëtorë të Jehovait e kanë përjetuar një gjë të tillë.

MIRËNJOHËS PËR DHURATËN E MARTESËS

3. Si u bë me grua Isaku?

3 Abrahami besnik e vlerësonte shumë martesën. Prandaj dërgoi në Mesopotami shërbëtorin e tij më të moshuar që t’i gjente grua Isakut. Lutja e atij shërbëtori solli rezultate të mira. Rebeka, e cila i frikësohej Perëndisë, u bë gruaja e dashur e Isakut dhe luajti rol në rregullimin e Jehovait për të ruajtur farën e Abrahamit. (Zan. 22:18; 24:12-14, 67) Nga kjo nuk duhet të nxjerrim përfundimin se një person​—ndonëse me qëllime të mira—​duhet të bëhet mbles pa ia kërkuar kush. Në shoqërinë e sotme, shumë e zgjedhin vetë bashkëshortin. Natyrisht, martesat nuk lidhen në qiell, por Perëndia do t’i drejtojë të krishterët në këtë e në aspekte të tjera të jetës, nëse i luten për udhëheqje dhe drejtohen nga fryma e tij.​—Gal. 5:18, 25.

4, 5. Çfarë ju bind se shulamitja dhe bariu provonin ndjenja të veçanta për njëri-tjetrin?

4 Një vajzë e bukur shulamite në Izraelin e lashtë nuk donte që mikeshat e saj t’i bënin presion për t’u bërë një nga gratë e shumta të mbretit Solomon. Ajo tha: «O bija të Jerusalemit, ju kam vënë në be: mos u përpiqni ta zgjoni ose ta ngjallni dashurinë tek unë, derisa të ndihem vetë e prirur për këtë.» (Këng. 8:4) Shulamitja provonte ndjenja të veçanta për një bari, po kështu edhe ai për të. Me përulësi, ajo tha: «Unë jam veç një shafran i rrafshinës bregdetare, një zambak i ultësirave.» Por bariu ia ktheu: «Si një zambak mes gjembaçëve, kështu është shoqja ime ndër bijat.» (Këng. 2:1, 2) Ata e donin vërtet njëri-tjetrin.

5 Ngaqë shulamitja dhe bariu donin më shumë Perëndinë, lidhja e tyre martesore do të ishte vërtet e fortë. Në fakt, shulamitja i tha bariut të saj të dashur: «Më vër si një vulë në zemrën tënde, si një vulë në krahun tënd, sepse dashuria është e fortë sa vdekja. Dashuria është po aq e paepur sa Sheoli, dhe kërkon përkushtim. Afshet e saj janë afshe zjarri, flaka e Jah [sepse buron prej tij]. Ujërat e shumta nuk munden ta shuajnë dashurinë, as lumenjtë ta marrin me vete. Sikur njeriu të jepte për dashurinë gjithë gjërat me vlerë të shtëpisë së tij, me siguri që ato do të përbuzeshin.» (Këng. 8:6, 7) A duhet të presin më pak nga martesa shërbëtorët e Perëndisë sot?

NJË ZGJEDHJE QË I INTERESON PERËNDISË

6, 7. Si e dimë që Perëndisë i intereson se kë do të zgjedhim si bashkëshort?

6 Jehovait i intereson se kë do të zgjidhni si bashkëshort. Izraelitët morën këtë urdhër në lidhje me banorët e Kanaanit: «Mos lidh krushqi me ta. Bijat e tua mos ua jep bijve të tyre dhe bijat e tyre mos i merr për bijtë e tu, sepse do t’i largonin bijtë e tu nga unë dhe ata do t’u shërbenin perëndive të tjera. Atëherë Jehovait do t’i ndizej zemërimi kundër jush dhe do t’ju shfaroste menjëherë.» (Ligj. 7:3, 4) Shekuj më pas, prifti Ezdra shpalli: «Ju keni vepruar me pabesi, sepse i morët në shtëpi gratë e huaja, duke e shtuar kështu fajin e Izraelit.» (Ezd. 10:10) Kurse apostulli Pavël u tha të krishterëve: «Gruaja është e lidhur me burrin gjatë gjithë kohës që ai është gjallë. Por, nëse burri bie në gjumin e vdekjes, ajo është e lirë të martohet me kë të dojë, vetëm në Zotërinë.»​1 Kor. 7:39.

7 Nëse një shërbëtor i kushtuar i Jehovait do të martohej me një jobesimtar, ky do të ishte një akt mosbindjeje ndaj Perëndisë. Izraelitët e kohës së Ezdrës vepruan pabesisht duke ‘marrë në shtëpi gratë e huaja’. Shkrimet e thonë qartë se me kë duhet të martohen të krishterët, dhe do të ishte e gabuar t’i nënvlerësonim ato. (Ezd. 10:10; 2 Kor. 6:14, 15) Një i krishterë që martohet me një jobesimtar nuk është shembullor dhe i mungon çmueshmëria e vërtetë për dhuratën hyjnore të martesës. Kush bën një gjë të tillë pasi është pagëzuar, mund të humbasë disa privilegje që ka në popullin e Perëndisë. Gjithashtu, nuk do të ishte logjike të thoshte: «Jehova, nuk të jam bindur me dashje. Por, të lutem, më beko gjithsesi.»

ATI YNË QIELLOR E DI SE Ç’ËSHTË MË E MIRË

8. Shpjegoni pse duhet të ndjekim drejtimin e Perëndisë për martesën.

8 Projektuesi i një makinerie e di saktësisht se si funksionon ajo. Ai mund të na tregojë hollësitë se si ta përdorim. Po sikur t’i shpërfillim udhëzimet? Ka shumë mundësi që rezultatet të jenë shkatërrimtare. Po kështu, nëse duam të kemi një martesë të lumtur, duhet të ndjekim udhëzimet e Jehovait, Themeluesit të martesës.

9. Pse mund të themi se Jehovai i kupton ndjenjat e vetmisë, si edhe lumturinë që mund të provohet në martesë?

9 Jehovai di gjithçka që duhet të dimë për njerëzimin dhe martesën. Ai rrënjosi te njerëzit dëshirën seksuale në mënyrë që ata të ishin ‘të frytshëm e të shumoheshin’. (Zan. 1:28) Perëndia i kupton ndjenjat e vetmisë, sepse para se të krijonte gruan e parë, ai tha: «Nuk është mirë që njeriu të rrijë vetëm. Do t’i bëj një ndihmës, si një plotësim për të.» (Zan. 2:18) Jehovai është plotësisht i vetëdijshëm për gëzimin që mund të provohet brenda lidhjes martesore.​—Lexo Proverbat 5:15-18.

10. Cilët faktorë duhet të drejtojnë marrëdhëniet intime mes bashkëshortëve të krishterë?

10 Për shkak të mëkatit dhe të papërsosmërisë që Adami mëkatar i kaloi racës njerëzore, asnjë martesë sot nuk është e përsosur. Por shërbëtorët e Jehovait mund të kenë lumturi të vërtetë në martesë nëse zbatojnë Fjalën e tij. Për shembull, shqyrtoni këshillën e qartë të Pavlit për marrëdhëniet intime në martesë. (Lexo 1 Korintasve 7:1-5.) Në Bibël nuk kërkohet që bashkëshortët t’i kufizojnë marrëdhëniet seksuale vetëm për të lindur pasardhës. Një intimitet i tillë me të drejtë mund të plotësojë nevojat emocionale dhe fizike. Por praktikat seksuale të panatyrshme sigurisht që nuk i pëlqejnë Perëndisë. Pa dyshim, në këtë aspekt të rëndësishëm të jetës, burrat dhe gratë e krishtere duhet ta trajtojnë njëri-tjetrin me butësi e të tregojnë përzemërsi të vërtetë. E natyrisht ata duhet të shmangin çdo veprim që nuk do t’i pëlqente Jehovait.

11. Si u bekua Rutha ngaqë i bëri gjërat sipas mënyrës së Jehovait?

11 Martesa duhet të jetë plot gëzim e jo me trishtim dhe mërzi. Sidomos shtëpia e një të krishteri duhet të jetë një vend prehjeje dhe paqeje. Shqyrtoni atë që ndodhi rreth 3.000 vjet më parë kur Naomi, një vejushë e moshuar, bashkë me dy nuset e saj të veja, Orpën dhe Ruthën, po shkonin nga Moabi në Judë. Naomi i nxiti ato gra më të reja të ktheheshin te populli i tyre. Por Rutha qëndroi me Naomin, ishte besnike ndaj Perëndisë së vërtetë dhe mori ‘një pagë të përsosur nga Jehovai, nën krahët e të cilit kërkoi strehë’. (Rutha 1:9; 2:12) Me çmueshmëri të thellë për martesën, dhuratën e Perëndisë, Rutha u bë gruaja e Boazit të moshuar, një adhurues i vërtetë i Jehovait. Kur të ringjallet në tokë në botën e re të Perëndisë, ajo do të lumturohet kur të marrë vesh se u bë paraardhëse e Jezu Krishtit. (Mat. 1:1, 5, 6; Luka 3:23, 32) Ç’bekime mori ngaqë i bëri gjërat sipas mënyrës së Jehovait!

KËSHILLA TË SHËNDOSHA PËR NJË MARTESË TË SUKSESSHME

12. Ku mund të gjejmë këshilla të shëndosha për martesën?

12 Themeluesi i martesës na tregon atë që na nevojitet për të pasur një martesë të suksesshme. Asnjë njeri nuk di sa ai. Bibla ka gjithnjë të drejtë, dhe e vetmja mënyrë se si dikush mund të japë këshilla të shëndosha për martesën është duke iu përmbajtur ngushtësisht standardeve të paraqitura në Shkrime. Për shembull, apostulli Pavël shkroi nën frymëzim: «Secili nga ju ta dojë gruan si veten, dhe gruaja duhet të ketë respekt të thellë për burrin e saj.» (Efes. 5:33) S’ka asgjë në këtë këshillë biblike që të krishterët e pjekur nuk mund ta kuptojnë. Pyetja është: a do ta zbatojnë ata Fjalën e Jehovait? Do ta bëjnë këtë nëse e çmojnë vërtet dhuratën hyjnore të martesës. *

13. Çfarë pasojash mund të vijnë nëse nuk zbatohet këshilla që gjendet te 1 Pjetrit 3:7?

13 Një i krishterë duhet ta trajtojë me dashuri gruan e vet. Apostulli Pjetër shkroi: «Ju burra, vazhdoni të banoni në mënyrë të ngjashme me to sipas njohurisë, duke i nderuar gratë si një enë më të dobët, përderisa edhe ju jeni trashëgimtarë me to të hirit të pamerituar të jetës, që të mos pengohen lutjet tuaja.» (1 Pjet. 3:7) Lutjet e një burri mund të pengohen nëse ai nuk e zbaton këshillën e Jehovait. Gjendja frymore e të dy bashkëshortëve ka të ngjarë të ndikohet për keq dhe si pasojë mund të kenë stres të madh, grindje dhe të sillen ashpër me njëri-tjetrin.

14. Ç’ndikim mund të ketë një grua e dashur në jetën familjare?

14 Një grua që drejtohet nga Fjala e Jehovait dhe fryma e tij e shenjtë, mund të kontribuojë shumë për ta bërë shtëpinë e saj një vend të qetë e të lumtur. Është e natyrshme për një burrë që i frikësohet Perëndisë ta dojë dhe ta mbrojë gruan fizikisht e frymësisht. Gruaja e krishterë e dëshiron shumë këtë dashuri, prandaj shfaq cilësi që e ndihmojnë burrin ta dojë edhe më shumë. Te Proverbat 14:1 thuhet: «Gruaja që është vërtet e mençur, e ndërton shtëpinë e saj, kurse e marra e shemb me duart e veta.» Një grua e mençur dhe e dashur kontribuon shumë në suksesin dhe në lumturinë e familjes. Gjithashtu, ajo tregon se e çmon vërtet martesën, dhuratën e Perëndisë.

15. Ç’këshillë gjendet tek Efesianëve 5:22-25?

15 Burrat dhe gratë që e bazojnë lidhjen e tyre te mënyra si e trajtonte Jezui kongregacionin, tregojnë mirënjohje për dhuratën hyjnore të martesës. (Lexo Efesianëve 5:22-25.) Bashkëshortët që e duan vërtet njëri-tjetrin nuk tregohen krenarë, nuk sillen si fëmijë duke mos i folur njëri-tjetrit e nuk lejojnë që këto dhe cilësi të tjera të këqija t’ua prishin martesën. Sa i bekon Jehovai çifte të tilla!

ASKUSH TË MOS I NDAJË

16. Pse disa të krishterë qëndrojnë beqarë?

16 Ndonëse shumica e njerëzve planifikojnë të martohen në njëfarë pike të jetës, disa shërbëtorë të Jehovait qëndrojnë beqarë sepse nuk arrijnë të gjejnë një bashkëshort që t’u pëlqejë atyre dhe Atij. Të tjerë kanë dhuratën e beqarisë, të cilën ua ka dhënë Perëndia, dhe falë saj i kushtohen shërbimit të Jehovait pa shpërqendrimet e martesës. Natyrisht, beqaria duhet gëzuar brenda kufijve që ka vendosur Jehovai.​—Mat. 19:10-12; 1 Kor. 7:1, 6, 7, 17.

17. (a) Cilat fjalë të Jezuit për martesën duhet të sjellim ndër mend? (b) Çfarë duhet të bëjë pa vonesë një i krishterë nëse fillon të lakmojë bashkëshortin e një tjetri?

17 Pavarësisht nëse jemi beqarë apo të martuar, të gjithë ne duhet të sjellim ndër mend fjalët e Jezuit: «A nuk e keni lexuar se ai [Perëndia] që i krijoi që nga fillimi, i bëri ata mashkull dhe femër? A nuk e keni lexuar edhe që tha: ‘Për këtë arsye, burri do të lërë babanë dhe nënën e do të lidhet ngushtë me gruan e vet, dhe të dy do të jenë një mish i vetëm.’ Kështu që nuk janë më dy, por një mish i vetëm. Prandaj, atë që Perëndia e ka bashkuar, asnjeri të mos e ndajë.» (Mat. 19:4-6) Të dëshirosh bashkëshortin e një tjetri është mëkat. (Ligj. 5:21) Nëse një i krishterë fillon të ushqejë një dëshirë të tillë lakmitare, duhet të veprojë shpejt për ta çrrënjosur këtë ndjenjë të papastër, madje edhe sikur të vuajë shumë emocionalisht ngaqë ka lejuar të zhvillohet ky dëshirim egoist. (Mat. 5:27-30) Është jetësore ta ndreqë këtë mënyrë të menduari dhe ta shtypë këtë dëshirë të zjarrtë mëkatare të zemrës së pabesë.​—Jer. 17:9.

18. Si mendoni se duhet ta shohim martesën, dhuratën e Perëndisë?

18 Shumë njerëz që dinin pak ose aspak për Perëndinë Jehova dhe për dhuratën e tij të mrekullueshme të martesës, kanë treguar njëfarë mirënjohjeje për lidhjen martesore. Sa më tepër duhet të bëjmë kështu ne që i jemi kushtuar «Perëndisë së lumtur», Jehovait, të gëzojmë të gjitha masat që ka marrë ai dhe të tregojmë se e çmojmë vërtet martesën, dhuratën e Perëndisë!​—1 Tim. 1:11.

[Shënimi]

^ par. 12 Për një shqyrtim të hollësishëm të temës së martesës, shih kapitullin e 10-të dhe të 11-të të librit ‘Ruaj veten në dashurinë e Perëndisë’.

[Pyetjet]

[Diçitura në faqen 6]

Një martesë e mirë nderon Jehovain dhe mund t’u sjellë lumturi të madhe të gjithëve në familje

[Figura në faqen 5]

Rutha tregoi çmueshmëri për dhuratën hyjnore të martesës

[Figura në faqen 7]

A tregoni se e çmoni vërtet martesën, dhuratën e Perëndisë?