Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A po e pasqyroni lavdinë e Jehovait?

A po e pasqyroni lavdinë e Jehovait?

A po e pasqyroni lavdinë e Jehovait?

«Ne . . . pasqyrojmë si pasqyrë lavdinë e Jehovait.»​—2 KOR. 3:18.

SI DO TË PËRGJIGJESHIT?

Si mund t’i japim lavdi Jehovait, pavarësisht nga gjendja jonë mëkatare?

Si na ndihmojnë lutjet dhe prania në mbledhjet e krishtere, të pasqyrojmë lavdinë e Perëndisë?

Ç’mund të na ndihmojë të vazhdojmë t’i japim lavdi Jehovait?

1, 2. Pse është e arsyeshme të besojmë se mund t’i imitojmë cilësitë e Jehovait?

NË NJË mënyrë a në një tjetër, të gjithë ne u ngjajmë prindërve. Prandaj nuk habitemi kur dëgjojmë dikë t’i thotë një djali: «Je kopje si yt atë.» Një vajze mund t’i thonë: «S’i ke lënë gjë mamasë.» Shpesh fëmijët imitojnë ato që shohin te prindërit. Po ne? A mund të imitojmë Atin tonë qiellor, Jehovain? Ndonëse nuk e kemi parë, mund t’i dallojmë cilësitë e tij të çmuara duke studiuar Fjalën e tij, duke vëzhguar krijimin dhe duke medituar për Shkrimet, e sidomos për fjalët dhe veprimet e Birit të Perëndisë, Jezu Krishtit. (Gjoni 1:18; Rom. 1:20) A është e mundur të pasqyrojmë lavdinë e Jehovait?

2 Para se Adami dhe Eva të krijoheshin, Perëndia ishte i sigurt se njerëzit do të ishin në gjendje të bënin vullnetin e tij, të pasqyronin cilësitë e tij dhe t’i jepnin lavdi. (Lexo Zanafillën 1:26, 27.) Teksa praktikojmë përkushtimin hyjnor, duhet të shfaqim cilësitë e Atij që na ka bërë. Nëse e bëjmë këtë, kemi privilegjin e bekuar të pasqyrojmë lavdinë e Perëndisë pavarësisht nga kultura, arsimimi apo prejardhja etnike. Pse? Sepse «Perëndia nuk është i anshëm, por në çdo komb njeriu që i frikësohet atij dhe praktikon drejtësinë, është i pranuar nga ai».​—Vep. 10:34, 35.

3. Ç’ndjenja mund të përjetojnë të krishterët teksa i shërbejnë Jehovait?

3 Të krishterët e mirosur e pasqyrojnë lavdinë e Jehovait. Ja përse apostulli Pavël i lindur nga fryma shkroi: «Të gjithë ne, ndërsa me fytyrë të zbuluar pasqyrojmë si pasqyrë lavdinë e Jehovait, shndërrohemi në të njëjtën shëmbëlltyrë nga lavdia në lavdi.» (2 Kor. 3:18) Kur profeti Moisi zbriti nga mali Sinai me pllakat që përmbanin Dhjetë Urdhërimet, fytyra e tij rrezatonte sepse Jehovai kishte folur me të. (Dal. 34:29, 30) Ndonëse të krishterët nuk kanë përjetuar një përvojë të tillë dhe fytyrat e tyre nuk rrezatojnë, ata shkëlqejnë nga gëzimi kur u flasin të tjerëve për Jehovain, për cilësitë e tij dhe për qëllimin e tij të mrekullueshëm për njerëzimin. Si pasqyrat e lustruara prej metali në lashtësi, të mirosurit dhe delet e tjera e pasqyrojnë lavdinë e Jehovait në jetë dhe në shërbim. (2 Kor. 4:1) A po e pasqyroni lavdinë e Jehovait me sjelljen tuaj të perëndishme dhe me pjesëmarrjen e rregullt në shërbim?

DUAM TË PASQYROJMË LAVDINË E JEHOVAIT

4, 5. (a) Ashtu si Pavli, ç’luftë kemi? (b) Si ka ndikuar mëkati te ne?

4 Si shërbëtorë të Jehovait sigurisht që duam të nderojmë e të lëvdojmë Krijuesin tonë me gjithçka që bëjmë. Sidoqoftë, shpesh nuk bëjmë atë që duam. Pavlit iu desh të përballej personalisht me këtë problem. (Lexo Romakëve 7:21-25.) Duke shpjeguar pse kemi një luftë të tillë, Pavli shkroi: «Të gjithë kanë mëkatuar dhe nuk e kanë arritur lavdinë e Perëndisë.» (Rom. 3:23) Si trashëgimtarë të Adamit mëkatar, njerëzit iu nënshtruan ‘mbretërimit [të ashpër] të mëkatit’.​—Rom. 5:12; 6:12.

5 Çfarë është mëkati? Është çdo gjë që shkon kundër personalitetit, udhëve, normave dhe vullnetit të Jehovait. Mëkati dëmton marrëdhënien e një njeriu me Perëndinë. Mëkati na pengon të godasim në shenjë, si një harkëtar që nuk arrin të godasë shënjestrën. Mund të mëkatojmë me dashje ose pa dashje. (Num. 15:27-31) Mëkati është ngulitur thellë te njerëzit dhe krijon një pengesë mes tyre dhe Krijuesit. (Psal. 51:5; Isa. 59:2; Kolos. 1:21) Prandaj, njerëzimi në përgjithësi nuk është fare në harmoni me Jehovain dhe po humb mundësinë e pashoqe për të pasqyruar lavdinë e Perëndisë. Pa diskutim, mëkati është ceni më i keq që mundon njerëzimin.

6. Si mund t’i japim lavdi Perëndisë pavarësisht nga gjendja jonë mëkatare?

6 Pavarësisht nga gjendja jonë mëkatare, Jehovai ka treguar se është «Perëndia që jep shpresë». (Rom. 15:13) Ai ka siguruar mjetin për të zhdukur mëkatin​—flijimin shpërblyes të Jezu Krishtit. Duke treguar besim tek ai flijim, nuk jemi më «skllevër të mëkatit», por jemi në gjendje të pasqyrojmë lavdinë e Jehovait. (Rom. 5:19; 6:6; Gjoni 3:16) Ruajtja e kësaj marrëdhënieje të miratuar me Perëndinë na garanton bekimet e Jehovait tani dhe në të ardhmen dobi të tilla, si përsosmëria dhe jeta e përhershme. Ndonëse jemi akoma njerëz mëkatarë, ç’bekim është që Perëndia na konsideron si individë që mund të pasqyrojmë lavdinë e tij!

TË PASQYROJMË LAVDINË E PERËNDISË

7. Ç’duhet të pranojmë që të pasqyrojmë lavdinë e Perëndisë?

7 Që të jemi në gjendjen e duhur për të pasqyruar lavdinë e Perëndisë, duhet të pranojmë me ndershmëri natyrën tonë mëkatare. (2 Kron. 6:36) Duhet të pranojmë prirjet tona mëkatare e të punojmë për t’i kontrolluar, me qëllim që të përparojmë deri aty sa t’i japim vërtet lavdi Perëndisë. Për shembull, nëse kemi rënë në mëkatin çnderues të pornografisë, duhet të pranojmë faktin se kemi nevojë për ndihmë frymore, dhe të kërkojmë ndihmë. (Jak. 5:14, 15) Ky do të ishte hapi i parë drejt një jete që e nderon plotësisht Perëndinë. Si adhurues të Jehovait, duhet të bëjmë vazhdimisht një vetëshqyrtim për të parë nëse po jetojmë në lartësinë e normave të tij të drejta. (Prov. 28:18; 1 Kor. 10:12) Cilado qoftë natyra e prirjeve tona mëkatare, duhet të vazhdojmë t’i mbajmë nën fre, në mënyrë që të pasqyrojmë lavdinë e Perëndisë.

8. Ç’duhet të bëjmë ndonëse nuk jemi të përsosur?

8 Jezui ishte i vetmi njeri që gjatë gjithë jetës e deri në vdekje arriti t’i pëlqente Perëndisë e të pasqyronte lavdinë e Tij. Ndonëse nuk jemi të përsosur si Jezui, mund dhe duhet të përpiqemi të ndjekim shembullin e tij. (1 Pjet. 2:21) Jehovai i vlerëson përpjekjet e përparimin që bëjmë, dhe i bekon këto përpjekje të zellshme për t’i dhënë lavdi.

9. Ç’rol luan Bibla në jetën e të krishterëve që duan të jetojnë në lartësinë e kërkesave të Perëndisë?

9 Fjala e shkruar e Jehovait mund të na ndriçojë shtegun ku duhet të ecim për t’u përmirësuar. Studimi i thellë i Shkrimeve dhe meditimi janë thelbësorë. (Psal. 1:1-3) Leximi i përditshëm i Biblës do të na ndihmojë të përmirësohemi. (Lexo Jakovin 1:22-25.) Njohuria biblike është baza e besimit tonë dhe mjeti për të forcuar vendosmërinë që të shmangim mëkatet e rënda e t’i pëlqejmë Jehovait.​—Psal. 119:11, 47, 48.

10. Si mund të na ndihmojë lutja që t’i shërbejmë Jehovait më plotësisht?

10 Që të pasqyrojmë lavdinë e Perëndisë, duhet edhe ‘të ngulmojmë në lutje’. (Rom. 12:12) Mund dhe duhet të lutemi që Jehovai të na ndihmojë t’i shërbejmë në mënyrë të pranueshme. Për këtë qëllim, mund t’i kërkojmë frymë të shenjtë, më shumë besim, forcë për t’u rezistuar tundimeve dhe aftësi ‘për ta përdorur drejt fjalën e së vërtetës’. (2 Tim. 2:15; Mat. 6:13; Luka 11:13; 17:5) Si një fëmijë që mbështetet tek i ati, kemi nevojë të mbështetemi tek Ati ynë qiellor, Jehovai. Nëse i kërkojmë të na ndihmojë që t’i shërbejmë më plotësisht, mund të jemi të sigurt se ai do ta bëjë këtë. Kurrë të mos mendojmë se e bezdisim. Përkundrazi, kur i lutemi, le ta lëvdojmë, ta falënderojmë, t’i kërkojmë drejtim sidomos kur jemi nën sprova dhe t’i kërkojmë ndihmë për t’i shërbyer në atë mënyrë që i jep lavdi emrit të tij të shenjtë.​—Psal. 86:12; Jak. 1:5-7.

11. Si na ndihmojnë mbledhjet e kongregacionit të pasqyrojmë lavdinë e Perëndisë?

11 Perëndia ia ka lënë në dorë ‘skllavit të besueshëm e të matur’ të kujdeset për delet e tij të shtrenjta. (Mat. 24:45-47; Psal. 100:3) Klasës së skllavit i intereson shumë se si po e pasqyrojnë lavdinë e Jehovait bashkëbesimtarët e tyre. Ashtu si një rrobaqepës mund të na i rregullojë rrobat që pamja jonë të duket më e mirë, mbledhjet na ndihmojnë të rregullojmë jetën dhe të përmirësojmë cilësitë tona si të krishterë. (Hebr. 10:24, 25) Prandaj, le të mbërrijmë në kohë, sepse po ta bëjmë zakon të mbërrijmë me vonesë, do të humbim së paku ndonjë nga ‘rregullimet’ e nevojshme frymore për të përmirësuar pamjen tonë si shërbëtorë të Jehovait.

LE TË IMITOJMË PERËNDINË

12. Si mund ta imitojmë Perëndinë?

12 Nëse duam të pasqyrojmë lavdinë e Jehovait, duhet ‘të bëhemi imitues të Perëndisë’. (Efes. 5:1) Një mënyrë si e imitojmë Jehovain, është duke përvetësuar pikëpamjen e tij për çështje të ndryshme. Kur orvatemi të jetojmë në ndonjë mënyrë tjetër, e çnderojmë atë dhe dëmtojmë veten. Meqë bota përreth nesh është nën ndikimin e të ligut, Satana Djallit, duhet të përpiqemi shumë të urrejmë atë që Jehovai e urren dhe të duam thellësisht atë që ai e do. (Psal. 97:10; 1 Gjon. 5:19) Duhet të jemi të bindur nga zemra se e vetmja mënyrë e përshtatshme për t’i shërbyer Perëndisë, është duke bërë gjithçka për lavdi të tij.​—Lexo 1 Korintasve 10:31.

13. Pse duhet ta urrejmë mëkatin dhe ç’do të na nxitë kjo të bëjmë?

13 Jehovai e urren mëkatin e po njësoj duhet ta urrejmë edhe ne. Faktikisht, duhet të largohemi sa më shumë të jetë e mundur nga keqbërjet e të mos përpiqemi të shohim se deri ku mund t’u afrohemi pa rënë në mëkat. Për shembull, duhet të ruhemi nga apostazia, një mëkat që do të na bënte të padenjë për të lëvduar Perëndinë. (Ligj. 13:6-9) Prandaj të mos kemi fare të bëjmë me apostatët ose me këdo që pohon se është vëlla, por që çnderon Perëndinë. Duhet të bëjmë kështu edhe sikur ta kemi pjesëtar të familjes. (1 Kor. 5:11) Nuk do të na sjellë asnjë dobi nëse përpiqemi të përgënjeshtrojmë argumentet e apostatëve apo të atyre që kritikojnë organizatën e Jehovait. Është e rrezikshme dhe e papërshtatshme nga ana frymore të shqyrtojmë informacionet e tyre, qofshin në formë literature apo në Internet.​—Lexo Isainë 5:20; Mateun 7:6.

14. Teksa përpiqemi të pasqyrojmë lavdinë e Perëndisë, cila cilësi duhet të dallohet te ne dhe përse?

14 Një mënyrë e shkëlqyer për të imituar Atin tonë qiellor, është të shfaqim dashuri. Po, ashtu si ai duhet të jemi të dashur. (1 Gjon. 4:16-19) Në fakt, dashuria që kemi për njëri-tjetrin na identifikon si dishepuj të Jezuit dhe shërbëtorë të Jehovait. (Gjoni 13:34, 35) Ndonëse gjendja e trashëguar mëkatare herë pas here mund të na ngatërrohet nëpër këmbë, duhet ta flakim tej e të jemi të dashur në çdo kohë. Dashuria dhe cilësitë e tjera hyjnore nuk do të na lejojnë të bëjmë gjëra të pakëndshme e mëkatare.​—2 Pjet. 1:5-7.

15. Si ndikon dashuria në marrëdhëniet tona me të tjerët?

15 Dashuria na nxit të duam t’u bëjmë mirë të tjerëve. (Rom. 13:8-10) Për shembull, dashuria për bashkëshortin do ta ruajë shtratin martesor pa ndyrësi. Dashuria për pleqtë, bashkë me respektin për punën e tyre, do të na ndihmojë të jemi të bindur e të nënshtruar ndaj drejtimit të tyre. Fëmijët që i duan prindërit, u binden, i nderojnë dhe nuk flasin keq për ta. Nëse i duam njerëzit, nuk do t’i shohim si më të ulët se ne e nuk do t’u flasim pa respekt. (Jak. 3:9) Pleqtë që i duan delet e Perëndisë, do të sillen me butësi me to.​—Vep. 20:28, 29.

16. Si do të na ndihmojë dashuria në shërbim?

16 Cilësia e dashurisë duhet të spikatë edhe në shërbim. Nga dashuria e thellë që kemi për Jehovain, nuk do të lejojmë të luhatemi nga apatia apo reagimi negativ i disave në territor. Përkundrazi, do të vazhdojmë të predikojmë lajmin e mirë. Dashuria do të na shtyjë të përgatitemi mirë e të përpiqemi të jemi të efektshëm në shërbim. Nëse i duam vërtet Perëndinë dhe të tjerët, nuk do ta konsiderojmë veprën e predikimit për Mbretërinë si një punë ose detyrë. Përkundrazi, do ta konsiderojmë privilegj të madh e do ta kryejmë me gëzim.​—Mat. 10:7.

VAZHDONI T’I JEPNI LAVDI JEHOVAIT

17. Ç’dobi kemi kur jemi të vetëdijshëm se nuk e arrijmë dot lavdinë e Perëndisë?

17 Në përgjithësi, bota nuk e kupton sa i rëndë është mëkati, kurse ne po. Kjo na bën të vetëdijshëm se kemi nevojë të luftojmë kundër prirjeve mëkatare. Duke qenë të vetëdijshëm për natyrën tonë mëkatare, mund ta stërvitim ndërgjegjen që të na nxitë të reagojmë siç duhet sapo në mendje e në zemër të nisë të zhvillohet një dëshirë e fortë për të mëkatuar. (Rom. 7:22, 23) Vërtet, mund të jemi të dobët, por Perëndia mund të na forcojë të bëjmë atë që është e drejtë në çdo situatë.​—2 Kor. 12:10.

18, 19. (a) Çfarë na ndihmon të kemi sukses në luftën tonë kundër forcave të liga frymore? (b) Për çfarë duhet të jemi të vendosur?

18 Nëse duam t’i japim lavdi Jehovait, duhet të luftojmë edhe kundër forcave të liga frymore. Armatura frymore që na ka dhënë Perëndia, na ndihmon ta bëjmë këtë me sukses. (Efes. 6:11-13) Satanai orvatet pareshtur t’i grabitë Jehovait lavdinë që vetëm Ai e meriton. Djalli vazhdon të bëjë çdo përpjekje për të shkatërruar marrëdhënien tonë me Jehovain. Ç’shuplakë është për Satanain kur ne dhe miliona burra, gra e fëmijë të papërsosur ruajmë integritetin dhe i japim lavdi Perëndisë! Prandaj le të vazhdojmë të përlëvdojmë Jehovain, ashtu si krijesat qiellore që thërrasin: «Ti je i denjë, o Jehova, Perëndia ynë, të marrësh lavdinë, nderimin dhe fuqinë, sepse ti krijove gjithçka dhe falë vullnetit tënd ato ekzistuan dhe u krijuan.»​—Zbul. 4:11.

19 Qofshim të vendosur që të vazhdojmë t’i japim lavdi Jehovait sido që të vejë puna! Ai gëzon patjetër kur sheh që kaq shumë individë besnikë bëjnë më të mirën për ta imituar e për të pasqyruar lavdinë e tij. (Prov. 27:11) Qofshin ndjenjat tona si ato të Davidit, i cili këndoi: «Me gjithë zemër të përlëvdoj, o Jehova, Perëndia im, përjetë do t’i jap lavdi emrit tënd.» (Psal. 86:12) Mezi e presim ditën kur do ta pasqyrojmë lavdinë e Jehovait në mënyrë të përsosur e do ta përlëvdojmë përjetë! Këtë do ta përjetojë me gëzim gjithë njerëzimi i bindur. A po e pasqyroni tani lavdinë e Perëndisë Jehova, me shpresën për ta bërë këtë në përjetësi?

[Pyetjet]

[Figurat në faqen 27]

A po e pasqyroni lavdinë e Jehovait në këto mënyra?