Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Besoni te Jehovai: Perëndia i ‘kohëve dhe stinëve’

Besoni te Jehovai: Perëndia i ‘kohëve dhe stinëve’

Besoni te Jehovai: Perëndia i ‘kohëve dhe stinëve’

«Ai ndryshon kohët dhe stinët, heq e vë mbretër.»​—DAN. 2:21.

SI DO TË PËRGJIGJESHIT?

Si tregojnë krijimi dhe profecitë e përmbushura se Jehovai i përcakton dhe i respekton afatet kohore si askush tjetër?

Çfarë nxitemi të bëjmë kur kuptojmë se Jehovai është Perëndia i ‘kohëve dhe stinëve’?

Pse afatet kohore të caktuara nga Jehovai nuk varen nga ngjarjet botërore dhe planet njerëzore?

1, 2. Pse mund të themi se Jehovai e kupton plotësisht kohën?

PERËNDIA JEHOVA siguroi mjetet për të matur kohën, shumë më parë se të krijonte njeriun. Ditën e katërt të krijimit, Perëndia tha: «Le të dalin ndriçues në hapësirën e qiejve, që të bëjnë një ndarje mes ditës dhe natës. Ata do të shërbejnë si shenja, si dhe për të dalluar stinët, ditët dhe vitet.» (Zan. 1:14, 19, 26) Dhe, në përputhje me vullnetin e Jehovait, kështu ndodhi.

2 Megjithatë, sot e kësaj dite shkencëtarët debatojnë se çfarë është në të vërtetë koha. Një enciklopedi thotë: «Koha është një nga misteret më të mëdha të botës. Askush nuk mund të thotë saktësisht se ç’është ajo.» Sidoqoftë, Jehovai e kupton plotësisht kohën. Në fund të fundit, ai është «Krijuesi i qiejve, . . . Formuesi i tokës dhe Bërësi i saj». Jehovai është edhe «Ai që thotë përfundimin qysh në fillim dhe që prej shumë kohësh gjërat që ende nuk kanë ndodhur». (Isa. 45:18; 46:10) Që të forcojmë besimin tonë tek ai dhe te Fjala e tij, Bibla, le të shqyrtojmë se si tregojnë krijimi dhe profecitë e përmbushura se Jehovai i përcakton dhe i respekton afatet kohore si askush tjetër.

GJËRAT QË JEHOVAI KA KRIJUAR, NA FORCOJNË BESIMIN

3. Si vërehet në botën fizike përcaktimi i saktë i kohës?

3 Në botën fizike, përcaktimi i saktë i kohës mund të vërehet në gjëra të mëdha e të vogla. Për shembull, atomet dridhen me ritëm konstant. Orët standarde që rregullohen nga dridhjet e atomeve, nuk humbin as një sekondë në 80 milionë vjet. Edhe koha e lëvizjes së planetëve dhe të yjeve është e përcaktuar saktësisht. Pozicionet e tyre të parashikueshme në qiell janë përdorur për të përcaktuar stinët dhe për t’u orientuar në det. Jehovai, Bërësi i këtyre «sahatëve» të besueshëm, ka vërtet ‘fuqi të madhe’ dhe meriton lavdet tona.​—Lexo Isainë 40:26.

4. Si tregon mençurinë e Perëndisë përcaktimi i kohës në botën biologjike?

4 Përcaktimi i saktë i kohës mund të shihet edhe në botën e biologjisë. Shumë bimë dhe kafshë kanë orë të brendshme, që rregullojnë ciklet e tyre të jetës. Shumë zogj e dinë instinktivisht se kur të nisin shtegtimin. (Jer. 8:7) Edhe njerëzit kanë orë të brendshme, që drejtohen zakonisht nga cikli 24-orësh me ditë dhe natë. Kur dikush përshkon me avion disa zona orare, trupit të tij mund t’i duhen ca ditë që t’i rregullojë prapë këto orë. Vërtet, shembujt e shumtë të përcaktimit të kohës që vërehen te gjërat e krijuara, tregojnë fuqinë dhe mençurinë e Perëndisë së ‘kohëve dhe stinëve’. (Lexo Psalmin 104:24.) E meqë Jehovai ka mençuri e fuqi të pafundme, mund të kemi besim se ai është në gjendje ta përmbushë qëllimin e tij.

PROFECITË E PËRMBUSHURA NË KOHËN E CAKTUAR, NA FORCOJNË BESIMIN

5. (a) Cila është mënyra e vetme për të njohur të ardhmen e njerëzimit? (b) Pse Jehovai mund të parathotë ngjarjet dhe kohën kur do të ndodhin?

5 Libri i krijimit na mëson shumë për ‘cilësitë e padukshme’ të Jehovait, mirëpo lë pa përgjigje pyetje të tilla të rëndësishme, si: ç’e ardhme e pret njerëzimin? (Rom. 1:20) Që të gjejmë përgjigjen, duhet të shohim ç’tregon Perëndia në faqet e Fjalës së tij, Biblës. Kur e shqyrtojmë atë, gjejmë profeci që janë përmbushur gjithnjë në kohën e caktuar. Jehovai mund të zbulojë se ç’do të ndodhë akoma, sepse ai mund të parashohë me saktësi të ardhmen. Për më tepër, ajo që parathonë Shkrimet ndodh në kohën e caktuar, sepse Perëndia Jehova mund të bëjë që ngjarjet të ndodhin sipas qëllimit dhe afatit kohor të caktuar prej tij.

6. Si e dimë se Jehovai dëshiron që ne ta kuptojmë përmbushjen e profecive biblike?

6 Jehovai dëshiron që adhuruesit e tij t’i kuptojnë profecitë e Shkrimeve dhe të nxjerrin dobi prej tyre. Ndonëse nuk kufizohet nga mënyra si e perceptojmë ne kohën, mund t’i kuptojmë termat që përdor Perëndia kur parathotë se një ngjarje do të ndodhë në një kohë të caktuar. (Lexo Psalmin 90:4.) Për shembull, libri i Zbulesës flet për «katër engjëjt» që «ishin përgatitur për orën, ditën, muajin dhe vitin e caktuar». Ne mund t’i kuptojmë njësitë e kohës që janë përdorur në këto vargje. (Zbul. 9:14, 15) Profecitë e përmbushura në kohën e caktuar duhet të na forcojnë besimin te Perëndia i ‘kohëve dhe stinëve’ dhe te Fjala e tij. Le të shqyrtojmë disa shembuj.

7. Si tregon përmbushja e profecisë së Jeremisë për Jerusalemin dhe Judën se Jehovai i përcakton dhe i respekton afatet kohore si askush tjetër?

7 Së pari, le të kthehemi në shekullin e shtatë p.e.s. «Në vitin e katërt të mbretërimit të Jehojakimit, birit të Josisë, mbretit të Judës», fjala e Jehovait «iu drejtua Jeremisë, lidhur me mbarë popullin e Judës». (Jer. 25:1) Jehovai paratha shkretimin e Jerusalemit dhe dëbimin e judenjve nga Juda në Babiloni. Atje ‘do t’i shërbenin shtatëdhjetë vjet mbretit të Babilonisë’. Ushtritë babilonase e shkatërruan Jerusalemin në vitin 607 p.e.s. dhe judenjtë u dëbuan vërtet nga Juda në Babiloni. Por, ç’duhej të ndodhte në fund të 70 vjetëve? Jeremia profetizoi: «Kështu thotë Jehovai: ‘Kur të mbushen shtatëdhjetë vjetët në Babiloni, unë do të drejtoj vëmendjen nga ju dhe do të përmbush fjalën time të mirë për t’ju kthyer në këtë vend.’» (Jer. 25:11, 12; 29:10) Kjo profeci u përmbush pikërisht në kohën e caktuar​—në vitin 537 p.e.s. pasi medët dhe persët i liruan judenjtë nga Babilonia.

8, 9. Si tregojnë profecitë e Danielit për ardhjen e Mesisë dhe vendosjen e Mbretërisë qiellore, se Jehovai është Perëndia i ‘kohëve dhe stinëve’?

8 Të shqyrtojmë një profeci tjetër që lidhet me popullin e lashtë të Perëndisë. Rreth dy vjet para se judenjtë të iknin nga Babilonia, Perëndia paratha nëpërmjet profetit Daniel se Mesia do të shfaqej 483 vjet pasi të jepej urdhri për rindërtimin e Jerusalemit. Mbreti medo-pers e dha atë urdhër në vitin 455 p.e.s. Fiks 483 vjet më vonë, në vitin 29 të e.s., Jezui nga Nazareti u miros nga fryma e shenjtë kur u pagëzua dhe u bë kështu Mesia. *​—Neh. 2:1, 5-8; Dan. 9:24, 25; Luka 3:1, 2, 21, 22.

9 Tani të vërejmë se çfarë parathoshin Shkrimet për Mbretërinë. Profecia biblike tregonte se Mbretëria mesianike do të vendosej në qiell në vitin 1914. Për shembull, Bibla kishte dhënë ‘shenjën’ e pranisë së Jezuit dhe thoshte se në atë kohë në tokë do të kishte probleme të mëdha, ngaqë Satanai do të hidhej nga qielli. (Mat. 24:3-14; Zbul. 12:9, 12) Për më tepër, profecia biblike tregonte kohën e saktë​—vitin 1914—​kur ‘do të përmbusheshin kohët e caktuara të kombeve’ dhe do të fillonte sundimi i Mbretërisë në qiell.​—Luka 21:24; Dan. 4:10-17. *

10. Cilat ngjarje të ardhme do të ndodhin patjetër në kohën e caktuar?

10 Përpara na pret ‘shtrëngimi i madh’ që paratha Jezui. Ai do të pasohet nga Mbretërimi i tij Mijëvjeçar. S’ka dyshim se këto gjëra do të ndodhin tamam në kohën e caktuar. Kur Jezui ishte në tokë, Jehovai e kishte vendosur tashmë ‘ditën dhe orën’ kur do të ndodhnin këto ngjarje.​—Mat. 24:21, 36; Zbul. 20:6.

‘BLINI KOHËN E DUHUR’

11. Si duhet të ndikojë te ne dijenia se po jetojmë në kohën e fundit?

11 Si duhet të ndikojë te ne dijenia se sundimi i Mbretërisë ka filluar dhe se po jetojmë «në kohën e fundit»? (Dan. 12:4) Shumë veta e vërejnë se kushtet e botës po përkeqësohen, mirëpo nuk arrijnë të kuptojnë se këto ngjarje përmbushin profecinë biblike për ditët e fundit. Ndoshta presin që një ditë sistemi të shembet ose mbase besojnë se në ndonjë mënyrë përpjekjet e njerëzve do të sjellin «paqe dhe siguri». (1 Sel. 5:3) Po ne? Nëse e pranojmë se po jetojmë thellë në ditët e fundit të botës së Satanait, a nuk duhet të përpiqemi ta përdorim kohën që mbetet për t’i shërbyer Perëndisë së ‘kohëve dhe stinëve’ e për t’i ndihmuar të tjerët ta njohin atë? (2 Tim. 3:1) Duhet të marrim vendime të mençura se si ta përdorim kohën.​—Lexo Efesianëve 5:15-17.

12. Ç’mund të mësojmë nga fjalët e Jezuit për ditët e Noesë?

12 ‘Të blesh kohën e duhur’ nuk është e lehtë në këtë botë plot shpërqendrime. Jezui paralajmëroi: «Ashtu siç ishin ditët e Noesë, ashtu do të jetë edhe prania e Birit të njeriut.» Si ishin ditët e Noesë? Ishte parathënë se bota e asaj kohe do të merrte fund. Në atë kohë, njerëzit e ligj do të mbyteshin në ujërat e një përmbytjeje globale. Si ‘një predikues i drejtësisë’, Noeja ua shpalli me besnikëri mesazhin e Perëndisë njerëzve të ditëve të tij. (Mat. 24:37; 2 Pjet. 2:5) Por ata «hanin e pinin dhe burrat e gratë martoheshin . . . dhe nuk kushtuan vëmendje derisa erdhi përmbytja dhe i fshiu të gjithë». Prandaj, Jezui i paralajmëroi dishepujt e tij: «Jini gati, sepse Biri i njeriut vjen në një orë që ju s’e mendoni.» (Mat. 24:38, 39, 44) Duhet të jemi si Noeja, jo si njerëzit e ditëve të tij. Ç’do të na ndihmojë të jemi gati?

13, 14. Çfarë s’duhet të harrojmë për Jehovain, teksa presim ardhjen e Birit të njeriut? Si do të na ndihmojë kjo për t’i shërbyer atij me besnikëri?

13 Ndonëse Biri i njeriut vjen në një orë që ne s’e mendojmë, s’duhet të harrojmë se Jehovai e përmbush gjithnjë qëllimin e tij në kohën që ka zgjedhur. Afatet kohore të caktuara prej tij nuk varen nga ngjarjet botërore dhe planet njerëzore. Jehovai rregullon kohën kur ndodhin gjërat dhe rezultatin e tyre që të kryejë vullnetin e tij. (Lexo Danielin 2:21.) Në fakt, Proverbat 21:1 na thotë: «Zemra e mbretit është si rrëketë e ujit në dorën e Jehovait. Ai e kthen atë nga t’i pëlqejë.»

14 Jehovai mund të ndikojë te ngjarjet që të përmbushë qëllimin e tij në kohën e caktuar. Shumë nga ngjarjet e rëndësishme në botë kanë përmbushur profecitë, veçanërisht për sa i përket predikimit global të lajmit të mirë për Mbretërinë e Perëndisë. Mendoni për rënien e Bashkimit Sovjetik dhe për pasojat që solli. Pak veta kishin menduar se ndryshime kaq të mëdha politike mund të ndodhnin aq shpejt. Megjithatë, si pasojë e këtyre ndryshimeve, lajmi i mirë po predikohet tani në shumë vende ku më parë vepra jonë ishte e ndaluar. Prandaj le të bëjmë çmos për të blerë kohën e duhur që t’i shërbejmë me besnikëri Perëndisë së ‘kohëve dhe stinëve’.

KINI BESIM SE JEHOVAI DO TA PËRMBUSHË QËLLIMIN E VET NË KOHËN E DUHUR

15. Si mund të tregojmë besim në lidhje me ndryshimet organizative?

15 Që të vazhdojmë të predikojmë në këto ditë të fundit, duhet të kemi besim se Jehovai do ta përmbushë qëllimin e vet në kohën e duhur. Ndryshimi i gjendjes botërore mund të kërkojë disa ndryshime në mënyrën si e kryejmë veprën e bërjes së dishepujve. Herë pas here organizata mund të bëjë disa ndryshime për të plotësuar nevojat e veprës sonë si lajmëtarë të Mbretërisë. Tregojmë besim te Perëndia i ‘kohëve dhe stinëve’, kur bashkëpunojmë plotësisht me rregullime të tilla, ndërsa shërbejmë me besnikëri nën drejtimin e Birit të tij, ‘kreut të kongregacionit’.​—Efes. 5:23.

16. Pse mund të kemi besim se Jehovai do të na japë ndihmë në kohën e duhur?

16 Jehovai dëshiron t’i lutemi me lirshmëri, me siguri të plotë se ai do të na japë ‘ndihmën [e nevojshme] në kohën e duhur’. (Hebr. 4:16) A nuk tregon kjo merakun e tij të dashur për ne si individë? (Mat. 6:8; 10:29-31) Tregojmë besim te Perëndia Jehova kur i lutemi rregullisht për ndihmë e kur veprojmë në përputhje me lutjet tona dhe drejtimin e tij. Për më tepër, nuk harrojmë të lutemi edhe për bashkëbesimtarët tanë.

17, 18. (a) Ç’veprim do të ndërmarrë së shpejti Jehovai kundër armiqve të tij? (b) Cilën grackë duhet të shmangim?

17 Tani nuk është koha ‘të lëkundemi nga mungesa e besimit’; është koha të bëhemi të fuqishëm me anë të besimit. (Rom. 4:20) Armiqtë e Perëndisë​—Satanai dhe ata që janë nën ndikimin e tij—​po përpiqen ta ndalin veprën që Jezui u caktoi ithtarëve të Tij, përfshirë edhe neve. (Mat. 28:19, 20) Pavarësisht nga sulmet e Djallit, ne e dimë se Jehovai është «një Perëndi i gjallë, që është Shpëtimtar i njerëzve të çdo lloji, sidomos i atyre që janë të besueshëm». Ai «di t’i çlirojë nga sprova njerëzit me përkushtim hyjnor».​—1 Tim. 4:10; 2 Pjet. 2:9.

18 Së shpejti, Jehovai do t’i japë fund këtij sistemi të lig. Edhe pse nuk na janë dhënë të gjitha hollësitë dhe as koha e saktë kur do të ndodhë kjo, e dimë se pikërisht në kohën e duhur, Krishti do t’i shfarosë armiqtë e Perëndisë dhe sovraniteti i Jehovait do të shfajësohet. Ç’gabim do të ishte sikur të mos arrinim të dallonim «kohët dhe stinët» në të cilat jetojmë! Të mos biem kurrë në grackën e pikëpamjes se «të gjitha gjërat po vazhdojnë tamam si nga fillimi i krijimit».​—1 Sel. 5:1; 2 Pjet. 3:3, 4.

‘RRINI NË PRITJE’

19, 20. Pse duhet të rrimë në pritje të Jehovait?

19 Qëllimi fillestar i Perëndisë Jehova për njerëzit ishte të jetonin përgjithmonë, e kështu të vazhdonin të mësonin për të e për krijimin e tij të bukur. Eklisiastiu 3:11 thotë për Jehovain: «E ka bërë të bukur çdo gjë në kohën e vet. Ka vënë edhe përjetësinë në zemrën e tyre, që njerëzit të mos e zbulojnë kurrë nga fillimi deri në fund punën që ka bërë Perëndia i vërtetë.»

20 Sa të gëzuar mund të jemi që Jehovai nuk e ka ndryshuar kurrë qëllimin e vet për njeriun! (Mal. 3:6) Perëndia «nuk ndryshon, siç ndryshon hija gjatë rrotullimit». (Jak. 1:17) Afatet kohore të caktuara prej tij nuk varen nga mënyra si e llogaritin njerëzit kohën, si për shembull, nga rrotullimi i tokës. Jehovai është «Mbreti i përjetshëm». (1 Tim. 1:17, shën. BR me referime, angl.) Prandaj le ‘të rrimë në pritje të Perëndisë së shpëtimit tonë’. (Mik. 7:7) Po, «qofshi guximtarë e me zemër të fortë, të gjithë ju që pritni Jehovain»!​—Psal. 31:24.

[Shënimet]

[Pyetjet]

[Figura në faqen 19]

Danieli kishte besim në përmbushjen e profecisë që kishte dhënë Perëndia

[Figura në faqen 21]

A e përdorni mirë kohën për të bërë vullnetin e Jehovait?