Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jetëshkrim

Më tërhiqte mençuria e të moshuarve

Më tërhiqte mençuria e të moshuarve

Treguar nga Elva Xherdi

Rreth 70 vjet më parë, një vizitor në shtëpinë tonë i dha babait një sugjerim që ma ndryshoi kryekëput jetën. Që nga ajo ditë e paharrueshme, edhe disa të tjerë kanë ndikuar në jetën time. Gjatë viteve kam lidhur një miqësi të çmuar që e vlerësoj më tepër se çdo gjë tjetër. Më lejoni t’jua shpjegoj.

LINDA në Sidnei, Australi, më 1932. Prindërit besonin te Perëndia, por nuk shkonin në kishë. Mamaja më mësonte se Perëndia i vëzhgon vazhdimisht njerëzit dhe se ai ishte gati të më ndëshkonte nëse bëhesha e prapë. Kjo më bëri të kisha frikë nga Perëndia. Megjithatë, Bibla më magjepste. Kur tezja vinte për vizitë në fundjavë, më tregonte mjaft histori biblike interesante. Mezi prisja të vinte ajo.

Kur isha adoleshente, babai lexoi një seri librash që mamasë ia kishte dhënë një grua e moshuar, një Dëshmitare e Jehovait. I bëri aq përshtypje ajo që lexoi në ato botime të krishtere, saqë pranoi të studionte Biblën me Dëshmitarët. Një mbrëmje, ndërsa bënte studimin biblik, babai më zuri duke e përgjuar. Po bëhej gati të më kthente në shtrat kur vizitori i tha: «Pse s’e lë Elvën të ulet me ne?» Ky sugjerim shënoi fillimin e një mënyre të re jetese dhe të miqësisë sime me Perëndinë e vërtetë, Jehovain.

Pak kohë më pas, babai dhe unë nisëm të ndiqnim mbledhjet e krishtere. Nga ajo që mësoi, babai u nxit të bënte ndryshime në jetë. Madje filloi ta mbante nën kontroll zemërimin. Kjo i shtyu mamanë dhe vëllanë tim më të madh, Frenkun, që të fillonin të ndiqnin mbledhjet. * Të katër bëmë përparim dhe u pagëzuam si Dëshmitarë të Jehovait. Që atëherë, shumë të moshuar kanë ndikuar për mirë tek unë në faza të ndryshme të jetës.

Ç’KARRIERË DO TË ZGJIDHJA?

Kur isha adoleshente, u lidha më shumë me të moshuarit në kongregacion. Një prej tyre ishte Elis Plejsi, motra e moshuar që i kishte predikuar për herë të parë familjes sonë. Elisa u bë si një gjyshe për mua. Më stërviste në shërbim dhe më nxiste të synoja pagëzimin. Në moshën 15-vjeçare e arrita këtë synim.

Gjithashtu, u lidha me një çift të moshuarish, Persi dhe Maxh [Margaret] Danëmi. Shoqëria me ta pati ndikim të madh tek e ardhmja ime. Në fakt, mua më pëlqente matematika dhe vdisja të bëhesha mësuese matematike. Persi dhe Maxhi kishin shërbyer si misionarë në Letoni gjatë viteve 30. Kur nisi Lufta II Botërore në Evropë, ata u ftuan të shërbenin në Bethelin e Australisë, i cili ndodhej në periferi të Sidneit. Persi dhe Maxhi interesoheshin vërtet për mua. Tregonin mjaft përvoja emocionuese që kishin pasur në veprën misionare. Arrita të kuptoja fare mirë se t’u mësoja Biblën të tjerëve, do të ishte ku e ku më e këndshme se t’u mësoja matematikën. Prandaj vendosa të bëhesha misionare.

Çifti Danëm më nxiste të shërbeja si pioniere, që të përgatitesha për shërbimin si misionare. Kështu, në vitin 1948, në moshën 16-vjeçare, u bëra pioniere dhe iu bashkova dhjetë të rinjve që shërbenin të lumtur si pionierë në kongregacionin tonë në Hërstvill, Sidnei.

Për katër vjet shërbeva si pioniere në katër qytete të tjera, të cilat ndodheshin të gjitha në Uellsin e Ri Jugor dhe në Kuinsland. Një nga studentet e mia të para të Biblës ishte Beti Lo (tani Remnënt). Beti, një vajzë e dashur, ishte dy vjet më e madhe se unë. Më vonë shërbyem bashkë si pioniere në qytetin e Kaurës, rreth 230 kilometra në perëndim të Sidneit. Ndonëse shërbyem bashkë vetëm për pak kohë, Beti dhe unë vazhdojmë të jemi mike edhe sot.

Kur mora caktimin si pioniere speciale, u transferova në Nëranderë​—një qytet që ndodhet 220 kilometra në jugperëndim të Kaurës. Shoqja ime e re e shërbimit ishte Xhoi Lenoks (tani Hanter), një pioniere e zellshme që po ashtu ishte dy vjet më e madhe se unë. Ishim të vetmet Dëshmitare në atë qytet. Unë dhe Xhoi banonim me një çift mikpritës, Rej dhe Ester Ajrënsi. Ata, bashkë me djalin dhe tri vajzat, kishin interes për të vërtetën. Gjatë javës, Reji dhe djali i tij punonin në një fermë jashtë qytetit ku kultivonin grurë dhe mbanin dele, kurse Estera dhe vajzat kishin një bujtinë. Çdo të diel, Xhoi dhe unë gatuanim një darkë të stërmadhe për familjen Ajrëns dhe për rreth një duzinë punëtorë hekurudhash që rrinin në bujtinë​—të gjithë burra të uritur. Me këtë shërbim shlyenim një pjesë të qirasë. Pasi ngrinim tryezën, i shërbenim familjes Ajrëns një vakt frymor të shijshëm​—studimin e përjavshëm të Kullës së Rojës. Reji, Estera dhe katër fëmijët e tyre pranuan të vërtetën e u bënë pjesëtarët e parë të kongregacionit të Nëranderës.

Më 1951, ndoqa një kongres të Dëshmitarëve të Jehovait në Sidnei. Atje shkova në një mbledhje speciale për pionierët që ishin të interesuar për veprën misionare. Në atë mbledhje që u mbajt nën një tendë të madhe, ishin të pranishëm mbi 300 veta. Nejthën Nori, nga Betheli i Bruklinit, foli para grupit dhe shpjegoi qartë nevojën për ta çuar lajmin e mirë në çdo cep të tokës. E dëgjuam gjithë sy e veshë. Shumë nga pionierët e pranishëm më vonë hapën veprën e predikimit për Mbretërinë në Paqësorin Jugor dhe në zona të tjera. Ndihesha tejet e entuziazmuar që isha 1 nga 17 australianët e ftuar në klasën e 19-të të Shkollës së Galaadit më 1952. Isha veçse 20 vjeçe dhe ëndrra për të shërbyer si misionare po bëhej realitet.

KISHA NEVOJË PËR MË SHUMË NDRYSHIME

Arsimimi dhe shoqëria në Galaad jo vetëm ma shtuan njohurinë biblike e ma forcuan besimin, por edhe ndikuan thellë te personaliteti im. Isha e re, idealiste dhe kisha prirjen që të prisja përsosmëri nga vetja e nga të tjerët. Kisha disa pikëpamje tejet strikte. Për shembull, kur pashë vëlla Norin që po bënte një lojë miqësore me top me një grup të rinjsh bethelitë, u trondita.

Instruktorët e Galaadit, të gjithë burra mendjemprehtë dhe me vite përvojë, duhet ta kenë parë që po luftoja me këtë prirje. Ata u interesuan për mua dhe më ndihmuan të ndreqja mënyrën e të menduarit. Dalëngadalë fillova ta shihja Jehovain si një Perëndi të dashur e mirënjohës dhe jo si strikt e kërkues. Edhe disa shokë të klasës më ndihmuan. Kujtoj një prej tyre që më tha: «Elva, Jehovai nuk të rri sipër kokës me kamxhik. Mos ji kaq strikte me veten!» Fjalët e saj troç më prekën zemrën.

Pas Galaadit, mua dhe katër shokë të klasës na caktuan në Namibi, Afrikë. Shumë shpejt po drejtonim 80 studime biblike. Më pëlqente Namibia dhe jeta misionare, por kisha rënë në dashuri me një shok klase të Galaadit që ishte caktuar në Zvicër. Pas një viti në Namibi, shkova tek i fejuari në Zvicër. Pasi u martuam, e shoqëroja burrin në veprën si mbikëqyrës qarkor.

NJË ZHGËNJIM I TMERRSHËM

Pasi kaluam pesë vite të këndshme në veprën qarkore, u ftuam të shërbenim në Bethelin e Zvicrës. Atje në familjen Bethel isha e entuziazmuar që kisha përreth meje shumë vëllezër e motra më të rritur e të pjekur frymësisht.

Por pak kohë më pas ndodhi diçka e tmerrshme. Zbulova se burri ishte treguar i pabesë ndaj meje dhe ndaj Jehovait. Pastaj më la. Ndihesha e shkatërruar. Nuk e di se si do ta kisha përballuar atë situatë pa dashurinë dhe mbështetjen e miqve të mi të shtrenjtë në familjen Bethel. Ata më dëgjonin kur kisha nevojë të flitja dhe më linin të pushoja kur kisha nevojë. Fjalët ngushëlluese dhe veprimet e tyre mirëdashëse më mbështetën gjatë dhembjes sime të papërshkrueshme e më ndihmuan t’i afrohesha edhe më shumë Jehovait.

Kujtoj gjithashtu fjalët e thëna vite më parë nga disa të moshuar të mençur që ishin kalitur nga sprovat. Ndër ta ishte Maxh Danëmi. Një herë ajo më tha: «Elva, gjatë jetës në shërbim të Jehovait do të hasësh shumë sprova, por sprovat më të vështira mund të të vijnë nga ata që do të kesh afër. Gjatë këtyre sprovave, afroju Jehovait. Kujto se i shërben atij e jo njerëzve të papërsosur.» Këshilla e Maxhit më udhëhoqi gjatë shumë momenteve të errëta. Vendosa se nuk do të lejoja kurrë që gabimet e burrit tim të më ndanin nga Jehovai.

Me kalimin e kohës vendosa të kthehesha në Australi që të shërbeja si pioniere më afër familjes. Gjatë udhës së kthimit nëpër oqean, bëja rregullisht biseda të gjalla biblike me një grup pasagjerësh. Mes tyre ishte një norvegjez i qetë me emrin Arne Xherdi. Atij i pëlqeu ajo që dëgjoi. Më vonë Arne na vizitoi mua dhe familjen në Sidnei. Ai bëri përparim frymor të shpejtë dhe përqafoi të vërtetën. Në vitin 1963, Arne dhe unë u martuam e dy vjet më pas na lindi një djalë, Geri.

NJË SPROVË TJETËR

Arne, Geri dhe unë bënim një jetë familjare vërtet të lumtur. Pak kohë më pas, Arne e zgjeroi shtëpinë që të banonin edhe prindërit e mi të moshuar. Por pas gjashtë vjetësh martesë, pësuam një goditje të papritur. Arne u diagnostikua me kancer në tru. Shkoja në spital çdo ditë ndërsa ai bënte një terapi të gjatë me rreze. Për ca kohë ishte mirë, por pastaj gjendja e tij u rëndua dhe pësoi iktus. Më thanë se i mbeteshin vetëm disa javë jetë. Mirëpo Arne shpëtoi. Në fund u kthye në shtëpi ku u kujdesa për të derisa e mori veten dalëngadalë. Me kalimin e kohës mundi të ecte përsëri dhe të rifillonte aktivitetet si plak kongregacioni. Natyra e tij e gëzuar dhe ndjenja e humorit e ndihmuan që ta merrte veten dhe ma bënë më të lehtë të kujdesesha vazhdimisht për të.

Vite më vonë, më 1986, shëndeti i Arnes u keqësua sërish. Në atë kohë prindërit e mi kishin vdekur, prandaj u transferuam në të bukurat Malet Blu jashtë Sidneit, ku ishim më afër miqve tanë. Më vonë, Geri u martua me një motër të këndshme, Karinën, dhe ata sugjeruan që të banonim të katër në të njëjtën shtëpi. Brenda disa muajve, të gjithë u transferuam në një shtëpi jo shumë larg vendit ku kishim jetuar unë dhe Arne.

Gjatë 18 muajve të fundit të jetës, Arne zuri shtratin dhe kishte nevojë për kujdes të vazhdueshëm. Meqë isha e mbyllur në shtëpi për pjesën më të madhe të kohës, kaloja dy orë në ditë duke studiuar Biblën dhe botimet e bazuara në të. Gjatë këtyre periudhave të studimit gjeta mjaft këshilla të mençura se si ta përballoja situatën time. Gjithashtu, kënaqesha kur vinin për vizitë të moshuar të dashur nga kongregacioni ynë, disa prej të cilëve kishin kaluar sprova të ngjashme. Vizitat e tyre më jepnin shumë zemër. Arne vdiq në prill të vitit 2003 me shpresë të patundur te ringjallja.

MBËSHTETJA IME MË E MADHE

Kur isha e re, isha idealiste. Por kuptova se jeta rrallë shkon siç e presim. Kam pasur bekime të panumërta dhe po ashtu dy tragjedi të rënda​—humba një bashkëshort ngaqë u tregua i pabesë dhe tjetrin ngaqë u sëmur. Gjatë jetës kam marrë drejtim dhe ngushëllim nga disa burime. Mbështetja ime më e madhe është ende «i Lashti i Ditëve», Perëndia Jehova. (Dan. 7:9) Këshillat e tij më kanë modeluar personalitetin dhe falë tyre kam pasur përvoja shpërblyese në veprën misionare. Kur lindnin probleme, ‘dashamirësia e Jehovait më mbante dhe ngushëllimet e tij ma ledhatonin shpirtin’. (Psal. 94:18, 19) Gjithashtu, më kanë mbështetur e më kanë treguar dashuri familja ime dhe ‘shokët e vërtetë në ditë të vështira’. (Prov. 17:17) Shumë prej tyre ishin të moshuar të mençur.

«A nuk kanë mençuri të moshuarit, dhe kuptueshmëri ata që kanë ditë të gjata?»—pyeti patriarku Job. (Jobi 12:12) Kur mendoj për jetën time, mund të them se përgjigjja është po. Këshillat e të moshuarve të mençur më kanë ndihmuar, ngushëllimi i tyre më ka mbështetur dhe miqësia e tyre ma ka pasuruar jetën. Jam mirënjohëse që kisha miq të tillë.

Tani në moshën 80-vjeçare jam vetë e moshuar. Përvojat e mia më kanë bërë mjaft të ndjeshme ndaj nevojave të të moshuarve të tjerë. Ende më pëlqen shumë t’i vizitoj dhe t’i ndihmoj. Por më pëlqen edhe shoqëria e të rinjve. Energjia e tyre është nxitëse, kurse entuziazmi i tyre është ngjitës. Kur kuptoj se të rinjtë duan drejtim ose mbështetje nga unë, e kam kënaqësi t’u gjendem pranë.

[Shënimi]

^ par. 7 Vëllai i Elvës, Frenk Lamberti, shërbeu si pionier i zellshëm në zonat e thella të Australisë. Në Librin vjetor të Dëshmitarëve të Jehovait 1983, faqet 110-112, angl., flitet për një nga ekspeditat e tij të shumta dhe emocionuese të predikimit.

[Figura në faqen 14]

Kur shërbeja si pioniere me Xhoi Lenoksin në Nëranderë

[Figura në faqen 15]

Elva me pjesëtarë të familjes Bethel të Zvicrës, 1960

[Figura në faqen 16]

Kujdesesha për Arnen kur ishte sëmurë