Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Nga arkivat tanë

«Po mësoj ta dua çdo ditë e më shumë veprën e përhapësit»

«Po mësoj ta dua çdo ditë e më shumë veprën e përhapësit»

NË VITIN 1886, njëqind kopje të librit Agimi i Mijëvjeçarit, vëllimi I, u nisën nga Shtëpia e Biblës në Allegeni të Pensilvanisë, SHBA, në drejtim të Çikagos, Ilinois. Çarls Tejz Rasëlli shpresonte ta shpërndante vëllimin e ri nëpër librari. Një nga firmat më të mëdha në Shtetet e Bashkuara që shpërndante libra për fenë, kishte pranuar të merrte përsipër shitjen e librit Agimi i Mijëvjeçarit. Por dy javë më vonë, e gjithë dërgesa u kthye mbrapsht në Shtëpinë e Biblës.

Një evangjelist shumë i njohur u zemërua kur pa librin Agimi i Mijëvjeçarit të ekspozuar bashkë me librat e tij. Ai tha i xhindosur që, nëse libri do të qëndronte në raft, ai dhe të gjithë miqtë e tij të famshëm evangjelistë do t’i çonin librat dhe biznesin e tyre diku tjetër. Firma shpërndarëse me ngurrim i ktheu mbrapsht librat Agimi i Mijëvjeçarit. Përveç kësaj, në gazeta ishin bërë njoftime për këtë libër. Por kundërshtarët morën masa që kontratat për këto njoftime në gazeta të anuloheshin. Atëherë, si do të shkonte ky botim i ri tek ata që kërkonin të vërtetën?

Zgjidhja doli se ishin ata që u quajtën përhapës. * Në vitin 1881, Kulla e Rojës e Sionit kishte bërë thirrje për 1.000 predikues që të shpërndanin në kohë të plotë literaturë biblike. Megjithëse përhapësit ishin veçse disa qindra, ata i përhapën anembanë farat e së vërtetës në formë të shtypur. Deri në vitin 1897, ishin shpërndarë pothuajse një milion libra Agimi i Mijëvjeçarit, kryesisht nga përhapësit. Shumica e tyre jetonin me shumën e vogël që merrnin për çdo pajtim në Kullën e Rojës ose për çdo libër që jepnin.

Cilët ishin këta përhapës të patrembur? Disa filluan të shërbenin si të tillë kur ishin adoleshentë, të tjerë në moshë më të madhe. Shumë ishin beqarë ose çifte pa fëmijë, por nuk ishin të pakta edhe familjet që u përfshinë në këtë vepër. Përhapësit e rregullt shërbenin shumë orë në ditë, kurse përhapësit ndihmës një a dy orë në ditë. Jo të gjithë kishin shëndetin ose rrethanat për të bërë veprën e përhapësit. Por, në një kongres të vitit 1906, atyre që kishin mundësi të shërbenin, iu tha se nuk kishte nevojë të ishin «shumë të arsimuar, shumë të talentuar ose të flitnin si një engjëll».

Gati në çdo kontinent, njerëz të thjeshtë kryen një vepër të jashtëzakonshme. Një vëlla llogariti se për shtatë vjet kishte shpërndarë 15.000 libra. Sidoqoftë, ai tha: «Nuk u futa në veprën e përhapësit që të bëhesha librashitës, por që të isha dëshmitar i Jehovait dhe i së vërtetës së tij.» Kudo që u dërguan përhapësit, farat e së vërtetës zunë rrënjë dhe filluan të lulëzonin grupe me Studentë të Biblës.

Klerikët i përbuznin përhapësit duke i quajtur librashitës ambulantë. Kulla e Rojës e vitit 1892 komentonte: «Pak i konsiderojnë [ata] si përfaqësuesit e vërtetë të Perëndisë ose pranojnë se kanë atë dinjitet që sheh Perëndia te përulësia dhe vetëmohimi i tyre.» Vërtet, jeta e përhapësve nuk ishte «fushë me lule», siç tha një prej tyre. Këpucët e forta dhe biçikletat ishin mjetet kryesore të transportit. Kur nuk u mjaftonin paratë, përhapësit i shkëmbenin librat me ushqime. Pas një dite në shërbim, predikuesit e lodhur, por të lumtur ktheheshin në tendat ose dhomat e marra me qira. Më pas doli Dhoma-Rimorkio e Përhapësve, një karrocë e bërë vetë, që kursente kohë dhe pará. *

Duke filluar nga kongresi që u mbajt në Çikago më 1893, në program përfshiheshin sesione të veçanta për përhapësit. Aty shkëmbeheshin përvoja entuziazmuese, sugjeroheshin teknika predikimi dhe jepeshin këshilla praktike. Një herë vëlla Rasëlli i nxiti predikuesit e palodhur që të hanin mëngjes të bollshëm, të pinin një gotë qumësht paradite dhe kur ishte vapë, të hanin një akullore.

Përhapësit që kërkonin një bashkëpunëtor ose shok predikimi, mbanin një shirit të verdhë. Përhapësit më të rinj caktoheshin me ata më me përvojë. Ishte e dukshme se nevojitej një stërvitje e tillë, pasi një herë, nga ankthi, një përhapëse e re i kishte prezantuar librat duke thënë: «Ju nuk i doni këta, apo jo?» Shyqyr që e zonja e shtëpisë i donte dhe më vonë u bë motër.

Një vëlla ishte në mëdyshje: «A duhet të vazhdoj të fitoj para e të dhuroj 1.000 dollarë në vit për veprën apo duhet të bëhem përhapës?» Atij i thanë se Perëndia do t’i çmonte të dyja, por nëse do t’ia kushtonte kohën drejtpërdrejt Perëndisë, do të kishte bekime më të mëdha. Meri Hajndsi e konsideronte veprën e përhapësit si «mënyrën më të shkëlqyer për të bërë më të mirën për sa më shumë njerëz». Kurse një motër e ndrojtur, Alberta Krozbi, tha: «Po mësoj ta dua çdo ditë e më shumë veprën e përhapësit.»

Sot shumë pasardhës fizikë dhe frymorë të përhapësve të zellshëm, ende po i qëndrojnë besnikë trashëgimisë së tyre frymore. Nëse në trungun tënd familjar nuk ke asnjë përhapës ose pionier, pse të mos përpiqesh ta fillosh ti këtë traditë? Edhe ti do të mësosh ta duash çdo ditë e më shumë veprën e predikimit në kohë të plotë.

[Shënimet]

^ par. 5 Pas vitit 1931, termi «përhapës» u zëvendësua me «pionier».

^ par. 8 Hollësi për dhomat-rimorkio do të dalin në një numër të ardhshëm.

[Diçitura në faqen 32]

Nuk kishte nevojë që ata të ishin «shumë të arsimuar, shumë të talentuar ose të flitnin si një engjëll»

[Figura në faqen 31]

Përhapësi Alfred Uinfred Oseji në Ganë, rreth vitit 1930

[Figurat në faqen 32]

Sipër: Përhapëset Idith Kin dhe Gertrud Moris në Angli, rreth vitit 1918; poshtë: Stenli Kosabum dhe Henri Nonkis në Shtetet e Bashkuara, me kuti kartoni bosh të librave që kishin shpërndarë