Pyetje nga lexuesit
Pyetje nga lexuesit
Në ç’kuptim ‘është e shtrenjtë në sytë e Jehovait’ vdekja e besnikëve të tij?
▪ Një psalmist i frymëzuar këndoi: «Në sytë e Jehovait është e shtrenjtë vdekja e besnikëve të tij.» (Psal. 116:15) Jeta e kujtdo prej adhuruesve të tij të vërtetë është mjaft e çmuar për Jehovain. Megjithatë, fjalët e sapocituara të Psalmit 116 nuk kanë të bëjnë vetëm me vdekjen e një individi.
Në fjalimin e funeralit të një të krishteri, nuk do të ishte e përshtatshme që fjalët e Psalmit 116:15 të aplikoheshin për të ndjerin, ndonëse ai mund të ketë vdekur si shërbëtor besnik i Jehovait. Pse? Sepse fjalët e psalmistit kanë domethënie më të gjerë. Ato nënkuptojnë se Perëndia nuk do të lejojë vdekjen e të gjithë besnikëve të tij si grup, pasi i konsideron ata të shtrenjtë.—Shih Psalmin 72:14; 116:8.
Psalmi 116:15 na siguron se Jehovai nuk do të lejojë që shërbëtorët e tij besnikë si grup të shfarosen plotësisht nga toka. Në fakt, historia jonë moderne tregon si kemi duruar sprova dhe përndjekje të ashpra, duke siguruar një dëshmi të qartë se Perëndia nuk do të lejojë kurrë që të zhdukemi.
Meqë fuqia e tij është e pakufishme dhe qëllimi i tij nuk dështon kurrë, Jehovai nuk do të lejojë që të shuhemi si grup. Sikur Perëndia ta lejonte këtë, do të dukej sikur armiqtë e tij janë më të fuqishëm se ai—dhe kjo s’ka të ngjarë! Qëllimi i Jehovait që ky glob të banohet nga shërbëtorët e tij besnikë, nuk do të realizohej—dhe as kjo nuk mund të ndodhë. (Isa. 45:18; 55:10, 11) Faktikisht, sikur të mos mbetej asnjë njeri për ta adhuruar në oborret tokësore të tempullit të tij të madh frymor, shërbimi i shenjtë që i bëhet Jehovait këtu në tokë do të pushonte. S’do të kishte njerëz që do të përbënin ‘tokën e re’—shoqërinë e drejtë njerëzore që do të jetojë në globin tonë nën ‘qiellin e ri’. (Zbul. 21:1) Po ashtu, Mbretërimi Mijëvjeçar i Krishtit nuk do të bëhej realitet po të mos kishte asnjë nënshtetas në tokë.—Zbul. 20:4, 5.
Pozita dhe reputacioni i Perëndisë do të viheshin në pikëpyetje nëse ai do të lejonte që armiqtë të shfarosnin nga toka gjithë shërbëtorët e tij si grup. Sikur kjo të ndodhte, pozita e Jehovait si Sovrani Universal do të damkosej. Për më tepër, për shkak të respektit që ka për veten dhe emrin e tij të shenjtë, Jehovai nuk do të lejojë vdekjen e besnikëve të tij si grup. Të mendojmë edhe për këtë: meqë te Perëndia «nuk ka padrejtësi», ai do t’ia dalë mbanë gjithmonë t’i mbrojë si grup ata njerëz që i shërbejnë besnikërisht. (Ligj. 32:4; Zan. 18:25) Përveç kësaj, sikur të lejonte shfarosjen e shërbëtorëve të tij si grup, kjo do të ishte kundër asaj që thuhet në Fjalën e Perëndisë: «Jehovai nuk do ta braktisë popullin e vet për hir të emrit të tij të madh.» (1 Sam. 12:22) Në të vërtetë, «Jehovai nuk do ta braktisë popullin e vet, dhe nuk do ta lërë trashëgiminë e tij».—Psal. 94:14.
Sa ngushëlluese është të dimë se populli i Jehovait nuk do të zhduket kurrë nga toka! Prandaj le të bëjmë gjithnjë çmos që të jemi besnikë ndaj Perëndisë, të sigurt te premtimi i tij: «Asnjë armë e sajuar kundër teje nuk do të ketë sukses dhe çdo gjuhë që ngrihet kundër teje për të të gjykuar, ti do ta dënosh. Kjo është trashëgimia e shërbëtorëve të Jehovait dhe drejtësia e tyre vjen nga unë.»—Isa. 54:17.
[Diçitura në faqen 22]
Perëndia nuk do të lejojë kurrë që populli i tij të shfaroset