«Ruhuni nga majaja e farisenjve»
«Ruhuni nga majaja e farisenjve»
Jezui i paralajmëroi dishepujt: «Ruhuni nga majaja e farisenjve, që është hipokrizi.» (Luka 12:1) Nga një tregim paralel i fjalëve të Jezuit bëhet e qartë se ai po dënonte «mësimet» e farisenjve.—Mat. 16:12.
Disa herë në Bibël «majaja», ose tharmi, përdoret si simbol i prishjes ose i korruptimit. Pa dyshim, edhe mësimet, edhe qëndrimi i farisenjve kishin ndikim korruptues tek ata që i dëgjonin. Pse ishin të rrezikshme mësimet e farisenjve?
1 Farisenjtë mburreshin se ishin të drejtë dhe i përbuznin njerëzit e thjeshtë.
Ky qëndrim del në pah në një nga ilustrimet e Jezuit. Ai tha: «Fariseu qëndroi në këmbë dhe nisi të lutej me vete: ‘O Perëndi, të falënderoj që nuk jam si njerëzit e tjerë: zhvatës, të padrejtë, kurorëshkelës ose edhe si ky taksambledhës. Unë agjëroj dy herë në javë dhe jap të dhjetën e gjithçkaje që fitoj.’ Kurse taksambledhësi qëndronte larg dhe as guxonte të ngrinte sytë drejt qiellit, por rrihte kraharorin dhe thoshte: ‘O Perëndi, ki mëshirë për mua mëkatarin.’»—Luka 18:11-13.
Jezui e lavdëroi qëndrimin e përulur të taksambledhësit me fjalët: «Unë po ju them se ky zbriti në shtëpinë e vet më i drejtë se [fariseu], sepse kushdo që e lartëson veten, do të përulet, por ai që e përul veten, do të lartësohet.» (Luka 18:14) Megjithëse taksambledhësit ishin të njohur për pandershmërinë e tyre, Jezui u përpoq të ndihmonte ata taksambledhës që e dëgjuan. Të paktën dy prej tyre, Mateu dhe Zakeu, u bënë dishepuj të tij.
Po sikur të mendonim se jemi më të mirë se të tjerët për shkak të aftësive që na ka dhënë Perëndia, të privilegjeve ose të dështimeve a të dobësive të të tjerëve? Duhet t’i hedhim poshtë menjëherë këto mendime, sepse Shkrimet thonë: «Dashuria është e durueshme; dashuria është mirëdashëse dhe nuk ka zili askënd. Dashuria asnjëherë nuk shet mend, nuk krekoset, nuk është e vrazhdë; asnjëherë nuk është egoiste, nuk fyhet shpejt. Dashuria nuk i mban llogari gabimet; nuk gëzohet për mëkatet e të tjerëve, por kënaqet me të vërtetën.»—1 Kor. 13:4-6, The New English Bible.
Duhet të kemi një qëndrim të ngjashëm me atë të apostullit Pavël. Pasi tha se «Krishti Jezu erdhi në botë për të shpëtuar mëkatarët», Pavli shtoi: «Ndër këta unë jam i pari.»—1 Tim. 1:15.
Pyetje për meditim:
A e pranoj se jam mëkatar dhe se shpëtimi im varet nga dashamirësia e pamerituar e Jehovait? Apo i shoh vitet e shumta të shërbimit me besnikëri, privilegjet në organizatën e Perëndisë ose aftësitë e lindura, si bazë për t’u ndier më i lartë se të tjerët?
2 Farisenjtë kërkonin t’u bënin përshtypje të tjerëve me shfaqjet publike të drejtësisë së tyre. Ata dëshironin të shquheshin dhe të kishin tituj lajkatues.
Por Jezui paralajmëroi: «Çdo gjë e bëjnë për t’u dukur. I zmadhojnë kutizat me shkrime, që i mbajnë si mbrojtje, dhe i zgjatin thekët e rrobave. Atyre u pëlqejnë kryet e vendit nëpër darka dhe vendet e para në sinagoga, t’i përshëndetin nëpër sheshe pazari dhe t’i quajnë Rabi.» (Mat. 23:5-7) Krahasoni qëndrimin e tyre me atë të Jezuit. Ndonëse Biri i përsosur i Perëndisë, ai ishte i përulur. Kur dikush e quajti ‘të mirë’, Jezui i tha: «Përse më quan i mirë? Askush nuk është i mirë përveç njërit, Perëndisë.» (Mar. 10:18) Në një rast tjetër, Jezui u lau këmbët dishepujve, duke lënë kështu një model përulësie për ithtarët e tij.—Gjoni 13:1-15.
Një i krishterë i vërtetë duhet t’u shërbejë bashkëbesimtarëve. (Gal. 5:13) Këtë duhet ta bëjnë veçanërisht ata që duan të kualifikohen si mbikëqyrës në kongregacion. Është e përshtatshme ‘të synosh detyrën e mbikëqyrësit’, por ky synim duhet të burojë nga dëshira për të ndihmuar të tjerët. Kjo ‘detyrë’ nuk është një pozitë për t’u shquar ose për të pasur pushtet. Ata që shërbejnë si mbikëqyrës duhet të jenë ‘të përulur në zemër’ si Jezui.—1 Tim. 3:1, 6; Mat. 11:29.
Pyetje për meditim:
A kam prirjen të sillem ndryshe me ata që kanë pozita përgjegjësie në kongregacion, ndoshta ngaqë kështu shpresoj të shquhem mbi të tjerët ose të marr privilegje të mëtejshme? A jam i prirur të përqendrohem kryesisht në ato aspekte të shërbimit ndaj Perëndisë që duket se tërheqin vëmendjen dhe lëvdatat e të tjerëve? Në të vërtetë, a po përpiqem të bie në sy të të tjerëve?
3 Rregullat dhe traditat e farisenjve ua bënin një barrë zbatimin e Ligjit njerëzve të thjeshtë.
Ligji i Moisiut i siguronte Izraelit strukturën e përgjithshme për adhurimin e Jehovait. Megjithatë, në të nuk jepeshin imtësi. Për shembull, Ligji e ndalonte punën në Sabat, por nuk përcaktonte hapur se çfarë quhej ose nuk quhej punë. (Dal. 20:10) Farisenjtë përpiqeshin t’i mbushnin këto boshllëqe të supozuara me anë të ligjeve, përkufizimeve dhe traditave të tyre. Jezui i shpërfilli rregullat arbitrare të farisenjve, por zbatoi Ligjin e Moisiut. (Mat. 5:17, 18; 23:23) Ai shihte përtej asaj që ishte shkruar në Ligj dhe dallonte frymën që qëndronte pas Ligjit e nevojën për mëshirë e dhembshuri. Ishte i arsyeshëm, madje edhe kur dishepujt e zhgënjyen. Për shembull, megjithëse i nxiti tre apostuj që të rrinin zgjuar e të qëndronin vigjilentë natën e arrestimit të tij, ata i zuri gjumi disa herë. Gjithsesi, me empati Jezui tha: «Sigurisht, fryma është gati, por mishi është i dobët.»—Mar. 14:34-42.
Pyetje për meditim:
A përpiqem të vendos rregulla të ngurta e arbitrare ose t’i kthej në ligj opinionet e mia? A jam i arsyeshëm në lidhje me atë që pres nga të tjerët?
Mendo për ndryshimin midis mësimeve të Jezuit dhe atyre të farisenjve. A sheh mënyra se si mund të përmirësohesh? Nëse po, pse të mos vendosësh ta bësh këtë?
[Figura në faqen 28]
Farisenjtë mbanin kutiza me shkrime.—Mat. 23:2, 5
[Figurat në faqen 29]
Ndryshe nga farisenjtë kryelartë, pleqtë e krishterë të përulur u shërbejnë të tjerëve
[Figura në faqen 30]
A je i arsyeshëm si Jezui në lidhje me atë që pret nga të tjerët?