Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jetëshkrim

Jehovai më mësoi të bëj vullnetin e tij

Jehovai më mësoi të bëj vullnetin e tij

Treguar nga Maks Llojdi

Një mbrëmje vonë të vitit 1955, unë dhe një misionar tjetër ishim në caktimin tonë në Paraguai, në Amerikën e Jugut. Shtëpia ku po rrinim, ishte rrethuar nga një turmë e egërsuar që bërtiste: «Perëndia ynë është i etur për gjak dhe kërkon gjakun e gringove.» Si u gjendëm ne gringot (të huajt) në këtë situatë?

PËR mua gjithçka filloi vite më parë në Australi, ku u rrita dhe ku Jehovai nisi të më mësonte të bëja vullnetin e tij. Në vitin 1938, një Dëshmitare i dha tim eti librin Armiqtë. Ai dhe mamaja ishin tashmë të pakënaqur me klerin vendës, të cilët i quanin përralla disa pjesë të Biblës. Rreth një vit më vonë, prindërit u pagëzuan në simbol të kushtimit të tyre ndaj Jehovait. Që nga ajo kohë, bërja e vullnetit të Jehovait ishte gjëja më e rëndësishme për familjen tonë. Motra ime, Lesli, e cila ishte pesë vjet më e madhe se unë, u pagëzua më pas, kurse unë u pagëzova në vitin 1940 në moshën nëntëvjeçare.

Pak pas fillimit të Luftës II Botërore, shtypja dhe shpërndarja e literaturës biblike të Dëshmitarëve të Jehovait u ndalua në Australi. Kështu, që i vogël mësova të shpjegoja bazat e besimit tim duke përdorur vetëm Biblën. E bëra zakon ta merrja Biblën me vete në shkollë që të tregoja përse nuk e përshëndetja flamurin ose përse nuk i mbështetja luftërat e kombeve.​—Dal. 20:4, 5; Mat. 4:10; Gjoni 17:16; 1 Gjon. 5:21.

Në shkollë, shumë nxënës nuk shoqëroheshin me mua sepse më quanin «spiun gjerman». Në atë kohë, nëpër shkolla jepeshin filma. Para se të fillonte filmi, të gjithë duhej të ngriheshin e të këndonin himnin kombëtar. Meqë unë nuk ngrihesha, dy ose tre çuna më ngrinin prej flokësh nga karrigia. Përfundimisht, më përjashtuan nga shkolla për shkak të bindjeve biblike. Sidoqoftë, pata mundësi të bëja ca kurse me korrespondencë në shtëpi.

MË NË FUND ARRITA SYNIMIN

Kisha vendosur si synim që të filloja shërbimin e plotkohor si pionier sapo të mbushja 14 vjeç. Mirëpo, u zhgënjeva shumë kur prindërit më thanë se fillimisht duhej të gjeja punë. Këmbëngulën që të paguaja për të fjetur e për të ngrënë në shtëpi, por më premtuan se kur të mbushja 18 vjeç mund të filloja si pionier. Kjo bëri që të flitnim rregullisht për paratë që fitoja. Unë debatoja duke thënë se doja t’i kurseja paratë që të shërbeja si pionier, por ata vazhdonin të m’i merrnin.

Kur erdhi koha të filloja si pionier, prindërit u ulën e më shpjeguan se i kishin depozituar në një llogari kursimi paratë që u kisha dhënë. Pastaj, m’i kthyen të gjitha që të blija rroba dhe gjëra të tjera të nevojshme për të shërbyer si pionier. Ata po më mësonin t’i dilja zot vetes e të mos prisja nga të tjerët. Mendoj se ajo ishte një stërvitje mjaft e çmuar.

Ndërkohë që Lesli dhe unë rriteshim, në shtëpinë tonë qëndronin shpesh pionierë dhe ne kënaqeshin duke dalë në shërbim me ta. Fundjavët i kalonim në shërbimin nga shtëpia në shtëpi, në dëshminë rrugore dhe duke drejtuar studime biblike. Në ato vite, synimi i një lajmëtari ishte që të bënte 60 orë në muaj. Mamaja e arrinte pothuajse gjithnjë atë synim dhe ky ishte një shembull i shkëlqyer për Leslin dhe mua.

PIONIER NË TASMANI

Caktimi im i parë si pionier ishte në ishullin australian të Tasmanisë, ku shërbenin tashmë motra dhe burri i saj. Megjithatë, shpejt ata u larguan që të ndiqnin klasën e 15-të të shkollës së Galaadit. Isha shumë i ndrojtur dhe nuk isha larguar asnjëherë nga shtëpia. Sipas disave nuk do të duroja më shumë se tre muaj. Megjithatë, brenda një viti, më 1950, u emërova si shërbëtor i kompanisë, një përgjegjësi e ngjashme me atë që ka tani koordinatori i trupit të pleqve. Më vonë, u emërova pionier special dhe shërbeva bashkë me një vëlla tjetër të ri.

Caktimi ynë ishte një qytezë e izoluar me një minierë bakri dhe ku nuk kishte asnjë Dëshmitar. Mbërritëm me autobus një pasdite vonë. Natën e parë e kaluam në një hotel të vjetër. Të nesërmen, duke predikuar shtëpi më shtëpi, i pyetnim të zotët e shtëpive nëse dinin kush kishte ndonjë dhomë të lirë. Aty nga fundi i ditës, një burrë na tha se shtëpia e klerikut pranë kishës presbiteriane ishte e lirë dhe se duhej të flitnim me ndihmësin e klerikut. Ai ishte miqësor dhe na e dha shtëpinë. Dukej e çuditshme të dilnim çdo ditë në predikim nga shtëpia e klerikut.

Territori ishte i frytshëm. Bënim biseda të bukura dhe nisëm shumë studime biblike. Kur autoritetet e kishës në kryeqytet e morën vesh dhe dëgjuan se Dëshmitarët e Jehovait po rrinin në banesën e klerikut, e urdhëruan ndihmësin e tij të na nxirrte jashtë menjëherë. U gjendëm prapë pa shtëpi!

Të nesërmen, pasi predikuam deri pasdreke, nisëm të kërkonim një vend ku të kalonim natën. Tribuna e stadiumit ishte vendi më i mirë që mundëm të gjenim. I fshehëm atje valixhet dhe vazhduam predikimin. Po errej, por vendosëm të vizitonim edhe ca shtëpi e ta mbaronim atë rrugë. Te një shtëpi, një burrë na ofroi strehim në një shtëpizë me dy dhoma prapa pronës së tij.

VEPRA QARKORE DHE GALAADI

Pasi kalova rreth tetë muaj në këtë caktim, mora një ftesë nga zyra e degës e Australisë që të bëhesha mbikëqyrës qarkor. Kjo më tronditi, sepse isha vetëm 20 vjeç. Pasi mora nja dy javë stërvitje, nisa vizitat e rregullta për të inkurajuar kongregacionet. Ata që ishin më të mëdhenj se unë, ku futeshin pak a shumë të gjithë, nuk më përçmonin ngaqë isha i ri, por e respektonin punën që bëja.

Sa i larmishëm ishte udhëtimi nga njëri kongregacion te tjetri! Një javë shkoja me autobus, javën tjetër me tramvaj, pastaj me makinë ose hipur prapa në motoçikletë, duke mbajtur në ekuilibër valixhen dhe çantën e shërbimit. Ç’gëzim ishte edhe të rrija me vëllezërit! Një shërbëtor kompanie donte të qëndroja se s’bën në shtëpinë e tij, ndonëse ajo ishte akoma në ndërtim e sipër. Atë javë fjeta në vaskë, megjithatë së bashku kaluam një javë ndërtuese.

Një surprizë tjetër më erdhi në 1953-shin, kur mora kërkesën për të ndjekur klasën e 22-të të shkollës së Galaadit. Mirëpo, gëzimi ishte i përzier me ankth. Pasi motra ime dhe i shoqi u diplomuan në Galaad më 30 korrik 1950, u caktuan në Pakistan. As një vit më vonë, Lesli u sëmur dhe vdiq atje. Prandaj pyesja veten se si do të ndiheshin prindërit nëse shkoja diku nëpër botë kaq shpejt pas asaj që kishte ndodhur. Mirëpo ata thanë: «Shko dhe shërbeji Jehovait kudo që ai të të drejtojë.» Babanë s’e pashë më kurrë. Ai vdiq nga fundi i viteve 50.

S’kaloi shumë dhe bashkë me pesë vëllezër e motra të tjerë australianë nisa udhëtimin prej gjashtë javësh me anije për në qytetin e Nju-Jorkut. Rrugës lexonim Biblën, studionim dhe u dëshmonim pasagjerëve të tjerë. Para se të shkonim në Lansingun Jugor, Nju-Jork, ku ishin godinat e shkollës, ndoqëm kongresin ndërkombëtar që u mbajt në korrik të vitit 1953 në stadiumin «Janki». Maksimumi i të pranishmëve ishte 165.829!

120 studentët e klasës sonë të Galaadit vinin nga të gjitha skajet e tokës. Vendin ku ishim caktuar për të shërbyer na e thanë vetëm ditën e diplomimit. Sapo patëm mundësi, shkuam me vrap në bibliotekën e Galaadit që të mësonim diçka për vendet ku ishim caktuar. Mësova se Paraguai, vendi ku isha caktuar, kishte një histori plot revolucione politike. Pak pasi mbërrita atje, një mëngjes i pyeta misionarët e tjerë se ç’ishte ajo «festë» që dëgjuam gjatë natës. Ata buzëqeshën dhe më thanë: «Përjetove revolucionin tënd të parë. Shiko jashtë.» Kishte ushtarë gjithandej.

NJË PËRVOJË E PAHARRUESHME

Një herë, shoqërova mbikëqyrësin qarkor për të vizituar një kongregacion të izoluar dhe për të shfaqur filmin Shoqëria Bota e Re në veprim. Udhëtuam nja tetë a nëntë orë, së pari me tren, pastaj me kuaj e me karrocë, dhe në fund me qerre. Me vete kishim një gjenerator dhe një projektor filmash. Kur më në fund mbërritëm, ditën tjetër e kaluam duke vizituar fermat e duke i ftuar të gjithë që të shihnin filmin atë mbrëmje. Erdhën rreth 15 veta.

Pasi kishim parë rreth 20 minuta film, na thanë të futeshim sa më shpejt në shtëpi. Rrëmbyem projektorin dhe u bindëm. Pikërisht në këtë kohë, njerëzit nisën të bërtitnin, të shtinin me armë e të thërritnin në kor: «Perëndia ynë është i etur për gjak dhe kërkon gjakun e gringove.» Kishte vetëm dy gringo atje, dhe unë isha njëri prej tyre! Ata që po shihnin filmin, nuk e lejuan turmën të futej në shtëpi. Mirëpo kundërshtarët u kthyen rreth orës tre të mëngjesit, duke shtënë me armë e duke u zotuar se do të na dilnin rrugës kur të ktheheshim më vonë në qytet.

Vëllezërit kontaktuan me sherifin, i cili erdhi pasdite me dy kuaj që të na çonte në qytet. Rrugës, sa herë që kalonim pranë një grumbulli shkurresh ose pemësh, ai nxirrte armën dhe shkonte përpara për të kontrolluar vendin. E kuptova se kali ishte një mjet i domosdoshëm transporti, prandaj më vonë mora një.

VIJNË MË SHUMË MISIONARË

Vepra e predikimit vazhdonte të kishte sukses, pavarësisht nga kundërshtimi i vazhdueshëm i klerit. Në vitin 1955, mbërritën pesë misionarë të rinj, ndër të cilët edhe një motër e re kanadeze e quajtur Elsi Suanson, që ishte diplomuar në klasën e 25-të të Galaadit. Për pak kohë ishim së bashku në zyrën e degës, para se të caktohej në një qytet tjetër. Ajo ia kishte kushtuar jetën shërbimit ndaj Jehovait pa shumë ndihmë nga prindërit, të cilët nuk e pranuan kurrë të vërtetën. Më 31 dhjetor 1957, Elsi dhe unë u martuam e jetuam më vete në një shtëpi misionare në jug të Paraguait.

Nuk kishim ujë të rrjedhshëm në shtëpi, por një pus në oborr. Prandaj nuk kishim dush ose banjë brenda shtëpisë, as lavatriçe dhe as frigorifer. Çdo ditë blinim ushqime që i konsumonim brenda ditës. Megjithatë, thjeshtësia e jetës dhe lidhjet e dashura me vëllezërit e motrat e kongregacionit, bënë që ajo të ishte një periudhë shumë e lumtur e jetës sonë martesore.

Në vitin 1963, pak pasi ishim kthyer në Australi për të vizituar mamanë, ajo pësoi një infarkt, me sa duket nga emocionet që po shihte të birin pas dhjetë vjetësh. Kur po vinte koha të ktheheshim në caktimin tonë në Paraguai, u përballëm me një nga vendimet më të vështira në jetë. A ta linim mamanë në spital, me shpresën se dikush do të kujdesej për të, e të ktheheshim në caktimin tonë në Paraguai, që e donim aq shumë? Pas shumë lutjesh, Elsi dhe unë vendosëm të qëndronim e të kujdeseshim për mamanë. U kujdesëm për të dhe vazhduam në shërbimin e plotkohor, derisa ajo vdiq më 1966.

Patëm privilegjin të shërbenim në veprën qarkore e krahinore në Australi për disa vjet dhe unë isha instruktor në Shkollën e Shërbimit të Mbretërisë për pleqtë. Pastaj erdhi një ndryshim tjetër në jetë. U emërova të shërbeja si pjesëtar i Komitetit të parë të Degës në Australi. Më vonë, kur na u desh të ndërtonim një zyrë dege të re, u emërova si drejtues i komitetit të ndërtimit. Me ndihmën e shumë punëtorëve me përvojë e bashkëpunues, ndërtuam një degë të bukur.

Më pas, u caktova në Repartin e Shërbimit, i cili merret me mbikëqyrjen e veprës së predikimit. Gjithashtu, pata privilegjin të vizitoja degë të tjera nëpër botë si mbikëqyrës zone që t’i ndihmoja e t’i inkurajoja. Ishte veçanërisht besimforcuese për mua të vizitoja në disa vende vëllezër e motra që kishin kaluar vite, madje dekada, në burgje e kampe përqendrimi për shkak të bindjes e besnikërisë ndaj Jehovait.

CAKTIMI I TANISHËM

Kur u ktheva nga një vizitë e lodhshme zone në vitin 2001, gjeta një letër që na ftonte të shkonim në Bruklin, Nju-Jork, që të shërbeja si pjesëtar i Komitetit të sapoformuar të Degës në Shtetet e Bashkuara. Elsi dhe unë e shqyrtuam në lutje ftesën dhe e pranuam me gëzim caktimin. Pas më shumë se 11 vjetësh, jemi ende në Bruklin.

Sa i kënaqur jam që kam një grua e cila është e lumtur të bëjë çdo gjë që i kërkon Jehovai! Elsi dhe unë tani jemi në fillim të të 80-ave dhe s’jemi keq me shëndet. Me gëzim presim që Jehovai të na mësojë në përjetësi dhe të shijojmë bekimet e pasura që do të përjetojnë ata që vazhdojnë të bëjnë vullnetin e tij.

[Diçitura në faqen 19]

Një javë shkoja me autobus, javën tjetër me tramvaj, pastaj me makinë ose hipur prapa në motoçikletë, duke mbajtur në ekuilibër valixhen dhe çantën e shërbimit

[Diçitura në faqen 21]

Me gëzim presim që Jehovai të na mësojë në përjetësi

[Figurat në faqen 18]

Majtas: Në veprën qarkore në Australi

Djathtas: Me prindërit

[Figura në faqen 20]

Ditën e martesës, 31 dhjetor 1957