Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jehovai mbledh familjen e tij

Jehovai mbledh familjen e tij

Jehovai mbledh familjen e tij

‘Ju përgjërohem të ruani njëjësinë e frymës.’​—EFES. 4:1, 3.

SI DO TË SHPJEGONI?

Ç’qëllim ka administrimi i Perëndisë?

Si e ‘ruajmë njëjësinë e frymës’?

Ç’do të na ndihmojë ‘të bëhemi mirëdashës me njëri-tjetrin’?

1, 2. Cili është qëllimi i Jehovait për tokën dhe njerëzit?

FAMILJA. Ç’ju sjell ndër mend kjo fjalë? Ngrohtësi? Lumturi? Bashkëpunim drejt një synimi të përbashkët? Një çerdhe të sigurt ku rriteni, mësoni dhe shprehni mendimet? Ka mundësi të jetë kështu, nëse jeni pjesë e një familjeje të dashur. Vetë Jehovai është Nismëtari i familjes. (Efes. 3:14, 15) Ai kishte si qëllim që të gjitha krijesat e tij në qiell e në tokë të gëzonin një ndjenjë sigurie, besimi të ndërsjellë dhe uniteti të vërtetë.

2 Pasi mëkatuan, njerëzit nuk ishin më pjesë e familjes universale të Perëndisë, por megjithatë, qëllimi i Jehovait nuk kishte dështuar. Ai do të kujdeset që toka parajsore të banohet e tëra nga pasardhësit e Adamit dhe Evës. (Zan. 1:28; Isa. 45:18) Ka bërë të gjitha përgatitjet që ta përmbushë këtë qëllim. Disa nga këto masa na tregohen në librin biblik të Efesianëve, tema e të cilit është uniteti. Le të shqyrtojmë disa nga vargjet e atij libri e të shohim si mund të bashkëpunojmë me qëllimin e Jehovait për të bashkuar krijimin e tij.

ADMINISTRIMI DHE ÇFARË BËN AI

3. Çfarë është administrimi i Perëndisë për të cilin flitet tek Efesianëve 1:10 dhe kur filloi faza e parë e tij?

3 Veprimet e Jehovait janë në harmoni me qëllimin e tij. Prandaj, ‘kur u mbushën kohët e caktuara’, Perëndia vuri në veprim «një administrim», domethënë, një masë për të bashkuar të gjitha krijesat e tij me intelekt. (Lexo Efesianëve 1:8-10.) Administrimi do ta plotësojë objektivin në dy faza. Faza e parë përgatit kongregacionin e të krishterëve të mirosur për jetën në qiell, me Jezu Krishtin si Kreun e tyre frymor. Kjo fazë filloi në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., kur Jehovai nisi të mblidhte ata që do të sundojnë bashkë me Krishtin në qiell. (Vep. 2:1-4) Meqë të mirosurit janë shpallur të drejtë për jetën në bazë të flijimit shpërblyes të Krishtit, ata e pranojnë pa ngurrim se janë birësuar si «fëmijë të Perëndisë».​—Rom. 3:23, 24; 5:1; 8:15-17.

4, 5. Cila është faza e dytë e administrimit?

4 Faza e dytë përgatit ata që do të banojnë në Parajsë në tokë nën sundimin e Mbretërisë mesianike të Krishtit. ‘Shumica e madhe’ përbën pjesën e parë të këtij grupi. (Zbul. 7:9, 13-17; 21:1-5) Gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar, me ta do të bashkohen miliarda të ringjallur. (Zbul. 20:12, 13) Imagjinoni ç’mundësi do të na japë ringjallja të tregojmë edhe më shumë unitetin tonë! Në fund të një mijë vjetëve, «gjërat në tokë» do të kalojnë një sprovë të fundit. Ata që do të jenë besnikë, do të birësohen si «fëmijë të Perëndisë» në tokë.—Rom. 8:21; Zbul. 20:7, 8.

5 Të dyja fazat e administrimit të Perëndisë​—qiellore dhe tokësore—​po zhvillohen sot. Po si individë, si bashkëpunojmë tani me administrimin e Perëndisë?

«RUANI NJËJËSINË E FRYMËS»

6. Si tregojnë Shkrimet se të krishterët duhet të shoqërohen me njëri-tjetrin?

6 Shkrimet tregojnë se të krishterët duhet të mblidhen bashkë në kuptimin e mirëfilltë. (1 Kor. 14:23; Hebr. 10:24, 25) Kjo do të thotë shumë më tepër se vetëm të kalojmë ca kohë së bashku në të njëjtin vend, siç bëjnë njerëzit kur shkojnë në një qendër tregtare ose në stadium. Uniteti i vërtetë shkon përtej kësaj. Ky lloj uniteti arrihet kur zbatojmë mësimet e Jehovait dhe kur lejojmë të modelohemi nga fryma e shenjtë e Perëndisë.

7. Ç’do të thotë ‘të ruajmë njëjësinë e frymës’?

7 Në bazë të flijimit shpërblyes të Krishtit, Jehovai i ka shpallur të mirosurit të drejtë si bij dhe delet e tjera të drejtë si miq. Megjithatë, për sa kohë të jetojmë në tokë në këtë sistem, do të lindin probleme me të tjerët. (Rom. 5:9; Jak. 2:23) Përndryshe, nuk do të kishim nevojë për këshillën e frymëzuar që të vazhdojmë ‘të durojmë njëri-tjetrin’. Si arrihet uniteti me bashkëbesimtarët? Duke zhvilluar ‘përulësi të plotë mendjeje dhe butësi’. Për më tepër, Pavli na nxit të përpiqemi me zell ‘të ruajmë njëjësinë e frymës në lidhjen e paqes’. (Lexo Efesianëve 4:1-3.) Zbatimi i kësaj këshille nënkupton t’i nënshtrohemi ndikimit të frymës së Perëndisë dhe të lejojmë që ajo të japë frytin e saj te ne. Ky fryt mbyll hendeqet mes individëve, në kontrast me veprat e mishit, të cilat gjithmonë shkaktojnë përçarje.

8. Në ç’kuptim veprat e mishit prishin unitetin?

8 Vini re se si «veprat e mishit» prishin unitetin. (Lexo Galatasve 5:19-21.) Kurvëria e ndan atë që e praktikon nga Jehovai dhe nga kongregacioni, kurse tradhtia bashkëshortore mund të ndajë mizorisht fëmijët nga prindërit dhe bashkëshortin e pafajshëm nga burri ose gruaja. Ndyrësia cenon unitetin e dikujt me Perëndinë dhe me ata që e duan. Nëse jemi përpjekur të ngjitim bashkë dy sende, e dimë se të dyja sipërfaqet duhet të jenë të pastra para se sendet të bashkohen. Përfshirja në sjellje të pafytyrë tregon shpërfillje të plotë për ligjet e drejta të Perëndisë. Çdonjëra nga veprat e tjera të mishit i ndan njerëzit nga njëri-tjetri dhe nga Perëndia. Kjo sjellje nuk është aspak në përputhje me personalitetin e Jehovait.

9. Si mund të bëjmë një vetëshqyrtim nëse ‘po përpiqemi me zell që të ruajmë njëjësinë e frymës’?

9 Prandaj, secili duhet të pyesë veten: «Sa përpjekje të zellshme bëj që ‘të ruaj njëjësinë e frymës në lidhjen e paqes’? Si reagoj kur lindin probleme? A i shpreh ankesat para të gjithëve, me shpresën për të gjetur përkrahje nga disa vëllezër? A shpresoj të ndërhyjnë pleqtë për mua apo përpiqem realisht të rivendos paqen? A i shmang të tjerët duke shpresuar të harrojnë çfarëdolloj problemi që mund të kenë me mua, mbase duke mbajtur njëfarë distance?» A tregojnë veprime të tilla se po sillemi në përputhje me qëllimin e Jehovait për të mbledhur përsëri së bashku në Krishtin të gjitha gjërat?

10, 11. (a) Sa e rëndësishme është të jemi në paqe me vëllezërit? (b) Cilat veprime krijojnë kushte për paqe dhe begati frymore?

10 Jezui tha: «Nëse ti po sjell flinë tënde në altar, dhe atje kujtohesh se vëllai yt ka diçka kundër teje, lëre flinë atje, para altarit, dhe ik. Bëj më parë paqe me vëllanë tënd, dhe pastaj, kur të jesh kthyer, paraqit flinë tënde. Rregulloji shpejt punët.» (Mat. 5:23-25) Jakovi shkroi se «fryti i drejtësisë mbillet kur ka paqe në dobi të atyre që bëjnë paqe». (Jak. 3:17, 18) Pra, nuk mund të kemi një sjellje të drejtë pa pasur paqe.

11 Ta ilustrojmë: është llogaritur se në disa vende të rrënuara nga lufta, mund të kultivohej 35 për qind më shumë tokë sikur banorët të mos kishin frikë nga minat. Kur një minë shpërthen, arat braktisen nga fermerët, fshatrat mbeten pa mjetet e jetesës dhe qytetet pa ushqim. Në mënyrë të ngjashme, rritja jonë frymore pengohet nëse kemi tipare që mund të prishin paqen me vëllezërit. Por, nëse jemi të shpejtë për të falur dhe nëse punojmë për mirëqenien e të tjerëve, krijojmë kushte që sjellin begati të vërtetë.

12. Si mund të na ndihmojnë pleqtë të jemi në unitet?

12 Për më tepër, ‘dhuratat në njerëz’ mund të jenë një ndihmë e vërtetë për unitetin tonë. Këto dhurata na janë dhënë që «të arrijmë njëjësinë në besim». (Efes. 4:8, 13) Kur pleqtë punojnë bashkë me ne në shërbimin e shenjtë dhe na bëjnë ndonjë vërejtje të bazuar në Fjalën e Perëndisë, po na ndihmojnë të përparojmë në veshjen e personalitetit të ri. (Efes. 4:22-24) A shihni te këshillat e tyre përpjekjet e Jehovait që t’ju përgatitë për jetën në botën e re nën sundimin e Birit të tij? Pleq, a përpiqeni t’i ndreqni të tjerët duke mbajtur në mendje këtë synim?​—Gal. 6:1.

«BËHUNI MIRËDASHËS ME NJËRI-TJETRIN»

13. Ç’pasoja do të kishim nëse nuk do t’ia vinim veshin këshillës së Efesianëve 4:25-32?

13 Tek Efesianëve 4:25-29 identifikohen sjellje që duhet t’i shmangim medoemos. Aty përfshihen të folurit e gënjeshtërt, zemërimi ose dembelizmi dhe thëniet e kalbura në vend të fjalëve të mira që ndërtojnë. Nëse dikush nuk do të arrinte t’i vinte veshin kësaj këshille, do të hidhëronte frymën e Perëndisë, pasi fryma e shenjtë është një forcë që nxit unitetin. (Efes. 4:30) Zbatimi i fjalëve që Pavli tha më pas, është po aq i rëndësishëm për paqen dhe unitetin: «Hiqni çdo vrer shpirtlig, zemërim, furi, të bërtitur dhe sharje, bashkë me çdo të keqe. Dhe bëhuni mirëdashës me njëri-tjetrin, zemërdhembshur, duke e falur njëri-tjetrin bujarisht, ashtu si edhe Perëndia ju ka falur bujarisht nëpërmjet Krishtit.»​—Efes. 4:31, 32.

14. (a) Çfarë nënkuptojnë fjalët «bëhuni mirëdashës»? (b) Ç’do të na ndihmojë të bëhemi mirëdashës?

14 Fjalët «bëhuni mirëdashës» nënkuptojnë se, të paktën, në një njëfarë mase mund të mos jemi treguar mirëdashës dhe se mbase kemi nevojë të përmirësohemi. Sa me vend është të mësojmë të mbajmë parasysh ndjenjat e të tjerëve para tonave! (Filip. 2:4) Ndoshta diçka që kishim ndër mend të thoshim mund të shkaktonte të qeshura apo mund të na bënte të dukeshim të zgjuar, por a do të ishte mirëdashëse? Nëse mendojmë që më parë për këtë, do të na ndihmojë ‘të bëhemi mirëdashës’.

MËSONI TË SHFAQNI DASHURI E RESPEKT NË FAMILJE

15. Për cilin aspekt të marrëdhënies së Krishtit me kongregacionin e kishte fjalën Pavli tek Efesianëve 5:28?

15 Bibla e krahason marrëdhënien e Krishtit me kongregacionin, me atë të një burri me gruan e tij. Kjo duhet të na ngulitë menjëherë në mendje se në lidhjen martesore burri duhet ta drejtojë gruan, ta dojë e të kujdeset për të dhe gruaja duhet të shfaqë nënshtrim. (Efes. 5:22-33) Për çfarë ‘mënyre’ e kishte fjalën Pavli, kur shkroi: «Në këtë mënyrë burrat duhet t’i duan gratë e tyre, si vetë trupat e tyre.» (Efes. 5:28) Fjalët e tij të mëparshme e drejtojnë vëmendjen te mënyra në të cilën «edhe Krishti e deshi kongregacionin dhe dorëzoi veten për të, . . . duke e pastruar nëpërmjet larjes me ujë me anë të fjalës». Po, që të veprojë në përputhje me qëllimin e Jehovait për të mbledhur përsëri së bashku në Krishtin të gjitha gjërat, një burrë duhet të jetë vigjilent për ta ushqyer familjen frymësisht.

16. Cilat janë rezultatet kur prindërit i përmbushin përgjegjësitë e tyre biblike në shtëpi?

16 Prindërit duhet të mos harrojnë se po kryejnë një caktim nga Jehovai. Mjerisht, sot në botë shumë nuk kanë «përzemërsi të natyrshme». (2 Tim. 3:1, 3) Shumë etër lënë pas dore përgjegjësitë e tyre, dhe kjo si pasojë i frikëson e i dëmton fëmijët. Mirëpo, Pavli i këshilloi etërit e krishterë: «Mos i acaroni fëmijët tuaj, por vazhdoni t’i rritni në disiplinën dhe në normën mendore të Jehovait.» (Efes. 6:4) Ku tjetër përveçse në familje, fëmijët formojnë përshtypjet e para për dashurinë dhe autoritetin? Prindërit që ua kanë mësuar me sukses këto gjëra fëmijëve, kanë vepruar në përputhje me administrimin e Jehovait. Kur i kthejmë shtëpitë në çerdhe të dashurisë, ku heqim çdo zemërim, furi dhe sharje, po u japim fëmijëve mësime jetësore se si të shfaqin dashuri e si të respektojnë autoritetin. Kjo do t’i përgatitë për jetën në botën e re të Perëndisë.

17. Çfarë na duhet që t’i rezistojmë Djallit?

17 Duhet të kuptojmë se Djalli, i pari që prishi paqen universale, do t’u kundërvihet fuqimisht përpjekjeve tona për të bërë vullnetin e Perëndisë. S’ka dyshim që shtimi i divorceve, anashkalimi i martesës në favor të bashkëjetesës dhe tolerimi i martesave mes homoseksualëve, u shërbejnë qëllimeve të Satanait. Ne nuk i modelojmë sjelljet ose qëndrimet tona sipas prirjeve të shoqërisë moderne. Krishti është modeli ynë. (Efes. 4:17-21) Prandaj, këshillohemi ‘të veshim armaturën e plotë të Perëndisë’, që t’i rezistojmë me sukses Djallit dhe demonëve të tij.​—Lexo Efesianëve 6:10-13.

«VAZHDONI TË ECNI NË DASHURI»

18. Cili është çelësi i unitetit tonë të krishterë?

18 Çelësi i vërtetë i unitetit tonë të krishterë është dashuria. Me zemrën plot dashuri për ‘Zotërinë tonë të vetëm’, për ‘Perëndinë tonë të vetëm’ dhe për njëri-tjetrin, jemi të vendosur ‘të ruajmë njëjësinë e frymës në lidhjen e paqes’. (Efes. 4:3-6) Jezui u lut për këtë dashuri: «Nuk të lutem vetëm për këta, por edhe për ata që do të tregojnë besim tek unë nëpërmjet fjalës së tyre, që ata të jenë të gjithë një, ashtu si ti, o Atë, je në unitet me mua, dhe unë jam në unitet me ty, që edhe ata të jenë në unitet me ne . . . Unë ua kam bërë të njohur emrin tënd dhe do ta bëj të njohur, që ata të shfaqin atë dashuri që ti ke treguar për mua, dhe unë të jem në unitet me ta.»​—Gjoni 17:20, 21, 26.

19. Çfarë jeni të vendosur të bëni?

19 Nëse përjetojmë ndonjë konflikt të brendshëm për shkak të papërsosmërisë, le të na shtyjë dashuria të lutemi ashtu si psalmisti: «Bashkoje zemrën time, që t’i frikësohet emrit tënd.» (Psal. 86:11) Të jemi të vendosur t’u rezistojmë përpjekjeve të Djallit për të na larguar nga Ati ynë i dashur dhe nga ata që ai i miraton. Punoni me zell që ‘të bëheni imitues të Perëndisë, si bij të dashur dhe vazhdoni të ecni në dashuri’​—në familje, në shërbim dhe në kongregacion.​—Efes. 5:1, 2.

[Pyetjet]

[Figura në faqen 29]

E lë flinë në altar dhe ikën të bëjë paqe me vëllanë e tij

[Figura në faqen 31]

Prindër, mësojuni fëmijëve të tregojnë respekt