Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Lejoje Jehovain të të çojë në lirinë e vërtetë

Lejoje Jehovain të të çojë në lirinë e vërtetë

Lejoje Jehovain të të çojë në lirinë e vërtetë

‘Të ndalemi e të shikojmë në ligjin e përsosur që sjell liri.’​—JAK. 1:25.

A MUND TË SHPJEGOSH?

Cili ligj të çon në lirinë e vërtetë dhe cilët mund të nxjerrin dobi prej tij?

Cili është sekreti për të fituar lirinë e vërtetë?

Ç’lloj lirie do të kenë ata që vazhdojnë t’i binden Jehovait?

1, 2. (a) Ç’po ndodh me lirinë e njerëzve dhe pse? (b) Çfarë lirie presin të kenë shërbëtorët e Jehovait?

JETOJMË në një kohë kur lakmia, paligjshmëria e dhuna po rriten gjithnjë e më tepër. (2 Tim. 3:1-5) Për të përballuar situatën, qeveritë nxjerrin më shumë ligje, shtojnë forcat e rendit dhe vendosin kamera për të kontrolluar njerëzit. Në disa vende, vetë njerëzit përpiqen të rritin sigurinë e tyre duke vënë sisteme alarmi, më shumë kyçe te dyert e madje gardhe me tela me korrent. Shumë kanë frikë të dalin natën, madje edhe ditën nuk guxojnë t’i lënë fëmijët të luajnë jashtë pa mbikëqyrje. Kuptohet që liria po pakësohet gjithnjë e më tepër dhe ka të ngjarë që kjo prirje të vazhdojë.

2 Në kopshtin e Edenit, Satanai pohoi se sekreti për lirinë e vërtetë është pavarësia nga Jehovai. Ç’gënjeshtër keqdashëse dhe e tmerrshme doli se ishte! Në të vërtetë, sa më shumë njerëzit i shpërfillin kufijtë moralë dhe frymorë që ka vendosur Perëndia, aq më shumë vuan e gjithë shoqëria. Ky përkeqësim i situatës ndikon edhe te shërbëtorët e Jehovait. Megjithatë, kemi shpresë të shohim lirimin e njerëzimit nga skllavëria e mëkatit dhe e prishjes e të gëzojmë atë që Bibla e quan ‘liria e lavdishme e fëmijëve të Perëndisë’. (Rom. 8:21) Në fakt, Jehovai tashmë ka filluar t’i përgatitë shërbëtorët e tij për këtë liri. Në ç’kuptim?

3. Cilin ligj u dha Jehovai dishepujve të Krishtit dhe cilat pyetje do të shqyrtojmë?

3 Përgjigjen e gjejmë tek ai që shkrimtari biblik, Jakovi, e përshkroi si ‘ligji i përsosur që sjell liri’. (Lexo Jakovin 1:25.) Versione të tjera të Biblës e përkthejnë këtë shprehje «ligji i përsosur që na bën të lirë» (The New English Bible) dhe «ligji i përsosur i lirisë» (The New American Bible). Normalisht njerëzit e lidhin ligjin me kufizimet, jo me lirinë. Prandaj, çfarë është ‘ligji i përsosur që sjell liri’? Si na bën të lirë ky ligj?

LIGJI QË NA LIRON

4. Çfarë është ‘ligji i përsosur që sjell liri’ dhe kush nxjerr dobi prej tij?

4 ‘Ligji i përsosur që sjell liri’ nuk është Ligji i Moisiut, sepse ai kod bënte të qarta shkeljet dhe u plotësua te Krishti. (Mat. 5:17; Gal. 3:19) Atëherë, për cilin ligj po fliste Jakovi? Ai po fliste për «ligjin e Krishtit», i quajtur edhe «ligji i besimit» dhe «ligji i një populli të lirë». (Gal. 6:2; Rom. 3:27; Jak. 2:12) Prandaj, ‘ligji i përsosur’ përfshin gjithçka që Jehovai kërkon nga ne. Si të krishterët e mirosur, ashtu edhe ‘delet e tjera’ nxjerrin dobi prej tij.​—Gjoni 10:16.

5. Pse ligji i lirisë nuk është i rëndë?

5 Ndryshe nga kodet ligjore të shumë vendeve, ‘ligji i përsosur’ nuk është as i ndërlikuar, as i rëndë, por përbëhet nga urdhërime dhe parime bazë të thjeshta. (1 Gjon. 5:3) Jezui tha: «Zgjedha ime është e këndshme dhe ngarkesa ime është e lehtë.» (Mat. 11:29, 30) Për më tepër, ‘ligji i përsosur’ nuk ka nevojë për një listë të gjatë me sanksione ose ndëshkime, sepse i ka themelet te dashuria dhe është i gdhendur në mendjet e në zemrat e njerëzve, jo në pllaka guri.​—Lexo Hebrenjve 8:6, 10.

SI NA LIRON LIGJI I PËRSOSUR’?

6, 7. Ç’mund të themi për standardet e Jehovait? Për çfarë na ndihmon ligji i lirisë?

6 Kufijtë që Jehovai ka vendosur për krijesat e tij me intelekt janë për dobinë e tyre dhe për t’i mbrojtur. Të marrim si shembull ligjet fizike që kontrollojnë energjinë dhe materien. Njerëzit nuk ankohen se këto ligje janë shtypëse. Përkundrazi, i vlerësojnë ngaqë e kuptojnë se ligjet natyrore janë të domosdoshme për mirëqenien e tyre. Po njësoj, standardet morale dhe frymore të Jehovait, të pasqyruara në «ligjin e përsosur» të Krishtit, janë për të mirën e njerëzve.

7 Përveçse na mbron, ligji i lirisë bën të mundur që të plotësojmë çdo dëshirë të përshtatshme pa dëmtuar veten dhe pa shkelur të drejtat e liritë e të tjerëve. Prandaj, sekreti për të qenë vërtet të lirë​—domethënë, të kesh mundësinë të bësh atë që dëshiron—​është të zhvillosh dëshira të përshtatshme, që janë në harmoni me personalitetin dhe standardet e Jehovait. Me fjalë të tjera, duhet të mësojmë të duam atë që Jehovai do e të urrejmë atë që ai urren. Pikërisht këtë na ndihmon të bëjmë ligji i lirisë.​—Amo. 5:15.

8, 9. Ç’dobi nxjerrin ata që i qëndrojnë besnikë ligjit të lirisë? Ilustrojeni.

8 Duke qenë të papërsosur, duhet të luftojmë për të mbajtur nën kontroll dëshirat e gabuara. Sidoqoftë, ndërsa i qëndrojmë besnikë ligjit të lirisë, provojmë që tani fuqinë e tij për të na liruar. Ta ilustrojmë: Xhei, një student i ri i Biblës, kishte ves pirjen e duhanit. Kur mësoi se ky ves nuk i pëlqente Perëndisë, iu desh të merrte një vendim. A do të vazhdonte t’i nënshtrohej dëshirës së tij apo do t’i bindej Jehovait? Me mençuri zgjodhi t’i shërbente Perëndisë, edhe pse trupi ia kërkonte jashtë mase nikotinën. Si u ndie pasi e mposhti këtë ves? Më vonë ai tha: «U ndjeva jashtëzakonisht i lirë dhe tepër i lumtur.»

9 Xhei mësoi nga përvoja e vet se liria e botës, që u jep njerëzve mundësinë ‘ta mbajnë mendjen te mishi’, në të vërtetë të skllavëron, ndërsa liria e Jehovait, që do të thotë «ta mbash mendjen te fryma», të bën të lirë e të çon në «jetë dhe paqe». (Rom. 8:5, 6) Ku e gjeti Xhei forcën për ta mposhtur vesin e tij skllavërues? Jo te vetja, por te Perëndia. Ai tha: «Studioja rregullisht Biblën, lutesha për frymën e shenjtë dhe pranova ndihmën e dashur që më ofruan me gatishmëri në kongregacionin e krishterë.» Po këto gjëra mund të na ndihmojnë të gjithëve të kemi lirinë e vërtetë. Le të shohim si.

TË NDALEMI E TË SHIKOJMË NË FJALËN E PERËNDISË

10. Ç’do të thotë ‘të ndalemi e të shikojmë’ në ligjin e Perëndisë?

10 Te Jakovi 1:25 thuhet pjesërisht: «Ai që ndalet e shikon në ligjin e përsosur që sjell liri dhe ngulmon në të, është i lumtur për atë që po bën.» (BR me referime, angl.) Fjala origjinale greke e përkthyer «ndalet e shikon» nënkupton të përkulesh për ta parë diçka më nga afër. Kjo kërkon përpjekje. Po, nëse duam që ligji i lirisë të ndikojë te mendja dhe te zemra jonë, duhet të bëjmë pjesën tonë duke studiuar me zell Biblën dhe duke medituar thellë për atë që po lexojmë.​—1 Tim. 4:15.

11, 12. (a) Si e theksoi Jezui nevojën për ta bërë të vërtetën mënyrën tonë të jetesës? (b) Siç ilustrohet më sipër, cilin rrezik duhet të shmangin sidomos të rinjtë?

11 Në të njëjtën kohë, ne duhet ‘të ngulmojmë’ ose të vazhdojmë të zbatojmë me vendosmëri Fjalën e Perëndisë, duke e bërë kështu të vërtetën mënyrën tonë të jetesës. Jezui u tha diçka të ngjashme disave që besuan tek ai: «Nëse qëndroni në fjalën time, jeni vërtet dishepujt e mi. Do ta njihni të vërtetën, dhe e vërteta do t’ju lirojë.» (Gjoni 8:31, 32) Një vepër referimi thotë se këtu fjala ‘të njohësh’ nënkupton edhe të kesh vlerësim, sepse «ajo që ‘njihet’ ka vlerë ose rëndësi për personin që e njeh». Pra, ne ‘e njohim’ të vërtetën në kuptimin më të plotë kur e bëjmë atë mënyrën tonë të jetesës. Atëherë mund të themi me plot gojën se ‘fjala e Perëndisë’ po «vepron» te ne, duke na modeluar personalitetin për të pasqyruar sa më mirë Atin tonë qiellor.​—1 Sel. 2:13.

12 Pyet veten: «A e njoh tamam të vërtetën? A është mënyra ime e jetesës? Apo i shoh ende me shumë dëshirim disa ‘liri’ të botës?» Teksa kujtonte rininë e saj, një motër që u rrit nga prindër të krishterë shkroi: «Kur rritesh në të vërtetën, Jehovai është gjithnjë i pranishëm. Por në rastin tim, nuk e kisha njohur vërtet atë. Nuk kisha mësuar kurrë të urreja atë që ai urren. Nuk besoja se i interesonte ajo që bëja. E kurrë nuk kisha mësuar t’i drejtohesha atij kur isha në telashe. Mbështetesha te kuptueshmëria ime. Kjo tani më duket qesharake, sepse në atë kohë nuk dija asgjë.» Jemi të lumtur që më vonë motra e kuptoi se mënyra e saj e të menduarit ishte tepër e gabuar dhe bëri ndryshime rrënjësore. Madje filloi të shërbente si pioniere e rregullt.

FRYMA E SHENJTË MUND TË NA NDIHMOJË TË BËHEMI TË LIRË

13. Si na ndihmon fryma e shenjtë e Perëndisë të bëhemi të lirë?

13 Te 2 Korintasve 3:17 thuhet: «Atje ku është fryma e Jehovait, është liria.» Si na ndihmon fryma e shenjtë të bëhemi të lirë? Ndër të tjetra, ajo prodhon te ne cilësi që janë të domosdoshme për të qenë të lirë, si «dashuria, gëzimi, paqja, shpirtgjerësia, mirëdashja, mirësia, besimi, butësia, vetëkontrolli». (Gal. 5:22, 23) Pa këto cilësi, sidomos pa dashurinë, njerëzit nuk mund të jenë vërtet të lirë. Situata në botën e sotme e tregon qartë këtë. Është interesante se, pasi renditi aspektet e frytit të frymës, apostulli Pavël shtoi: «Kundër këtyre gjërave nuk ka ligj.» Ku e kishte fjalën? Nuk ka asnjë ligj që të na pengojë të shfaqim gjithnjë e më shumë frytin e frymës së Perëndisë. (Gal. 5:18) Në fund të fundit, ç’kuptim do të kishte një ligj i tillë? Vullneti i Jehovait është që ne të zhvillojmë cilësitë e krishtere për gjithë përjetësinë dhe t’i shfaqim ato pa asnjë kufizim.

14. Në cilat mënyra i skllavëron fryma e botës njerëzit që i nënshtrohen asaj?

14 Ata që drejtohen nga fryma e botës dhe që jepen pas dëshirave të mishit, mund të mendojnë se janë të lirë. (Lexo 2 Pjetrit 2:18, 19.) Megjithatë, realiteti është krejt ndryshe. Ka nevojë për një mal me rregulla për të frenuar sjelljen dhe dëshirat e tyre të dëmshme. Pavli thotë: «Ligji nuk është dekretuar për të drejtin, por për të paligjshmit dhe të pashtruarit.» (1 Tim. 1:9, 10) Ata janë edhe skllevër të mëkatit, sepse bëjnë «vullnetin e trupit», i cili është një padron mizor. (Efes. 2:1-3) Në njëfarë mënyre, këta njerëz janë si insektet që turren në një tas me mjaltë. Të shtyrë nga oreksi i tyre, shpejt bien në grackë.​—Jak. 1:14, 15.

TË LIRË BRENDA KONGREGACIONIT TË KRISHTERË

15, 16. Pse është i rëndësishëm shoqërimi me kongregacionin dhe ç’lloj lirie gëzojmë?

15 Kur u bëre pjesëtar i kongregacionit të krishterë, nuk t’u desh të plotësoje ndonjë kërkesë për t’u regjistruar. Përkundrazi, u bëre pjesë e tij ngaqë Jehovai të tërhoqi. (Gjoni 6:44) Pse të zgjodhi ty? A pa te ti një njeri të drejtë e me frikë Perëndie? «Aspak!»—mund të mendosh. Po atëherë, çfarë pa Perëndia te ti? Pa një zemër që do ta mirëpriste ligjin e tij që jep liri, një zemër që do të pranonte drejtimin e tij të dashur. Që kur u bëre pjesë e kongregacionit, Jehovai është kujdesur për ty duke të ushqyer frymësisht, duke të liruar nga gënjeshtrat e besëtytnitë fetare dhe duke të mësuar si të zhvillosh një personalitet si ai i Krishtit. (Lexo Efesianëve 4:22-24.) Si rezultat, ke privilegjin të jesh pjesë e të vetmit popull në botë që me të drejtë mund të thotë se është ‘një popull i lirë’.​—Jak. 2:12.

16 Mendo për këtë: kur je në shoqërinë e atyre që e duan me gjithë zemër Jehovain, a ke frikë? Ndërkohë që bisedon me vëllezër e motra në Sallën e Mbretërisë, a i mban fort pas vetes gjërat e tua nga frika se t’i vjedhin? Përkundrazi! Ndihesh i qetë e i lirë. A do të ndiheshe njësoj në ndonjë ambient tjetër me njerëz që nuk janë Dëshmitarë? Ka shumë gjasa që jo. Për më tepër, liria që gëzon tani mes popullit të Perëndisë është vetëm një shijim paraprak i lirisë që shtrihet para nesh në të ardhmen.

‘LIRIA E LAVDISHME E FËMIJËVE TË PERËNDISË’

17. Në ç’mënyrë ‘zbulimi i bijve të Perëndisë’ do t’i ndihmojë njerëzit të bëhen të lirë?

17 Kur foli për lirinë që Jehovai ka rezervuar për shërbëtorët e tij në tokë, Pavli shkroi: «Krijesa po pret me një pritje të zjarrtë zbulimin e bijve të Perëndisë.» Pastaj shtoi: «Edhe vetë krijesa do të lirohet nga skllavëria e prishjes dhe do të ketë lirinë e lavdishme të fëmijëve të Perëndisë.» (Rom. 8:19-21) «Krijesa» u referohet njerëzve me shpresë tokësore, atyre që do të nxjerrin dobi nga ‘zbulimi’ i bijve të Perëndisë të mirosur nga fryma. Ky zbulim do të nisë kur këta ‘bij’, tashmë të ringjallur në qiell, së bashku me Krishtin të pastrojnë tokën nga e keqja dhe ta çojnë ‘shumicën e madhe’ në sistemin e ri.​—Zbul. 7:9, 14.

18. Si do t’u shtohet liria njerëzve të bindur dhe ç’lloj lirie do të gëzojnë në fund?

18 Njerëzimi i shpenguar do të përjetojë një liri plotësisht të re​—liri nga ndikimi i Satanait dhe i demonëve. (Zbul. 20:1-3) Ç’lehtësim do të jetë! Që nga ai moment, 144.000 mbretërit dhe priftërinjtë do ta përdorin flijimin shpërblyes për dobinë e njerëzve derisa të jenë plotësisht të lirë nga mëkati dhe papërsosmëria. (Zbul. 5:9, 10) Pasi besimi i njerëzve të jetë sprovuar, ata që do të jenë të bindur, do të kenë lirinë e përsosur që Jehovai dëshironte t’u jepte që nga fillimi​—«lirinë e lavdishme të fëmijëve të Perëndisë». Mendo pak! Nuk do të jetë më e vështirë të bësh atë që është e drejtë në sytë e Perëndisë, sepse gjithë organizmi yt do të jetë përsosur dhe personaliteti yt do të jetë shndërruar plotësisht sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë.

19. Çfarë duhet të vazhdojmë të bëjmë që të qëndrojmë në udhën e lirisë së vërtetë?

19 A e dëshiron me gjithë zemër «lirinë e lavdishme të fëmijëve të Perëndisë»? Nëse po, lejo që mendja dhe zemra jote të vazhdojnë të drejtohen nga ‘ligji i përsosur që sjell liri’. Studioji me zell Shkrimet. Bëje të vërtetën mënyrën tënde të jetesës. Lutu për frymën e shenjtë. Nxirr plotësisht dobi nga kongregacioni i krishterë dhe nga ushqimi frymor që siguron Jehovai. Mos lejo që Satanai të të mashtrojë, ashtu si bëri me Evën, duke të shtyrë të mendosh se udhët e Jehovait janë tepër kufizuese. Edhe pse Satanai mund të jetë shumë dinak, mund të fitojmë kundër tij «sepse nuk jemi në padije të intrigave të tij». Këtë do ta shqyrtojmë në artikullin vijues.​—2 Kor. 2:11.

[Pyetjet]

[Figurat në faqen 9]

A i shoh ende me shumë dëshirim disa ‘liri’ të botës?

[Figurat në faqen 9]

A e kam bërë të vërtetën mënyrën time të jetesës?